Rasti Pjetri dhe Kajmaku, Patozi: Dekriminalizimi, ligj poshtërues, zgjidhja vjen me zgjedhje

AKTUALITET


Në kulmin e debatit nëse kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku ka qenë i dënuar apo jo në Greqi, ka reaguar dhe kryetari i Partisë Bindja Demokratike. Me anë të një reagimi në rrjetet sociale, Astrit Patozi shkruan se ‘ligji i dekriminalizmit’ ishte poshtërues që në fillim për vendin, megjithëse, në atë kohë, sipas Patozit, ky ligj u mendua se do të ishte i përkohshëm.

“Dekriminalizimi ka qenë që nga fillimi një ligj poshtërues për vendin, i cili kishte shkak dhe pasojë kryesisht vesin e “Rilindjes” për t’u furnizuar me “politikanë bashkëkohorë” tek kontigjentet më të inkriminuara të shoqërisë.  Kur ai u miratua disa vjet më parë në parlament, gjithkush mendonte se ai do të ishte i përkohshëm dhe do të kishte vlerë aq sa udhëheqësit dhe partitë e tyre të mësoheshin me rregullat e reja, që banditët apo trafikantët nuk mund të ishin më deputetë, kryetarë bashkish apo zyrtarë të tjerë rangjesh të larta”, shkruan Patozi.

Megjithatë, sipas Patozit, edhe pa atë ligj, kishte vetëm dy rrugë që vendi të shpëtonte na fenomeni i futjes në politikë të personave të inkriminuar. Sipas tij, duhej krijimi i një ‘tradite të konsoliduar të sistemit politik’ dhe tjetra, ndërhyrja menjëherë për të ‘shkulur rrënjët e së keqes’. Në këto kushte, Astrit Patozi shprehet se nisur nga rastet e fundit, arrihet në ‘përfundimin se Shqipëria nuk ka asnjë arsye pse të presë dhe shpresojë në efektet vetërregulluese të dekriminalizimit”.

Ndaj, Patozi, duke folur si kryetar i një partie opozitare, shprehet se zgjidhja e vetme është largimi i Edi Ramës dhe mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme. Sipas Patozit, shembujt e fundit nuk janë argument për të mos marrë pjesë në zgjedhje, por mundësisht duke i zhvilluar ato që nesër, shprehet kreu i PD duke i dërguar një mesazh ‘pajtimi’ edhe Bashës.  “Ndaj edhe është detyrim i çdo formacioni opozitar që të kërkojë dhe provokojë zgjedhje të parakohshme për t’i shkurtuar ditët kësaj qeverie të korruptuar dhe të diskretituar. Çdo qëndrim tjetër do të ishte një akrobaci fyese për shqiptarët, të cilët, në rastin më të mirë, do të konsideroheshin si të pandjeshëm ndaj “të fortëve”, që u serviren si shefa politikë prej “Rilindjes”, për të mos shkuar më larg se kaq”, përfundon Patozi.



Skip to toolbar