Realizimi i planit franko-gjerman alarmon Rusinë, Kharchenko takon Vuçiç

KOSOVA


Ambasadori rus në Beograd, Aleksandr Botsan-Kharchenko do të takohet të hënën e 24 tetorit me presidentin serb Aleksandër Vuçiç.

Sipas burimeve të Albanian Post, ky takim është kërkuar nga pala ruse.


AP-ja mëson se diplomacia ruse është alarmuar nga raportimet e AP-së se plani franko-gjerman duhet të zyrtarizohet para 1-vjetorit të luftës në Ukrainë.

A do të kërkojë Botsan-Kharchenko që Rusia të mos i kryejë favore Serbisë në raport me Kosovën?

Temat e paralajmëruara për diskutim pritet të jenë: Qeveria e re serbe, paralajmërimi per sanksione ndaj Rusisë dhe marrëveshja për Kosovën.

Cili është skenari drejt pajtimit fillestar?

Siç e ka transmetuar Albanian Post, në skenarin e prezantuar për para-marrëveshjen Kosovë-Serbi, pajtimi i parë duhet të arrihet më së largu deri me 24 shkurt.

Në pikat që i janë paraqitur Albanian Post-it, arsyeja e urgjencës qëndron “në një vjetorin e luftës në Ukrainë” dhe shtetet aleate planifikojnë që të demonstrojnë unitet, gatishmëri e fuqi në përkrahje të Ukrainës”.

Komuniteti ndërkombëtar më nuk kërkon “një zgjidhje të shpejt”, por “një proces pajtimi”, i cili dallon nga dinamikat e dialogut aktual dhe kërkon arritje pajtimi në disa faza.

Projekti është hartuar me kujdes dhe është gjetur një rrugë e re “ku secila palë ruan mirazhin e pozicionit të vet parimor”.

Çfarë botoi Albanian Post me 18 shtator që hapi debatin në Kosovë dhe detyroi institucionet të flasin për herë të parë për propozimin konkret?

Sipas draft-propozimit franko-gjerman që pati publikuar Albanian Post, në vitin 2023 duhet të nënshkruhet një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve, pas asaj të vitit 2013, me të cilën Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht.

Në një fazë të mëvonshme, hipotetikisht pas 10 vitesh, atëherë kur BE-ja është e gatshme të zgjerohet dhe ta përfshijë Ballkanin perëndimor, arrihet marrëveshja për njohje të ndërsjellë, si parakusht i të dy shteteve për anëtarësim në BE.

Dokumenti gjithashtu sqaronte se me marrëveshjen e vitit të ardhshëm (nëse pranohet propozimi) Kosovën e pranojnë edhe pesë shtetet që akoma nuk e kanë njohur të Bashkimit Evropian, kurse Serbia do të përfitojë një ndihmë masive financiare, asistencë ekonomike dhe do njihet si fuqia e rajonit.

Letra prej katër faqesh, e cili e shpjegonte logjikën prapa kornizës së re, përmban vizionin 10 vjeçar të zgjidhjes së problemit dhe jep një “makro-perspektivë”.

Dokumenti përbëhet nga hyrja dhe më pas është i ndarë në tri segmente bashkë me tre nën-titujt që përmbajnë 13 pika.

Propozimi në fund parasheh edhe si të vazhdohet tutje nëse Kosova dhe Serbia nuk pranojnë këtë propozim.

Aty parashikohet edhe anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe ky rrugëtim kalon nëpër katër faza.

Sipas propozimit, faza e parë është “Kosova bëhet anëtare e Këshillit të Evropës”. Faza e dytë “Anëtarësimi në Interpol dhe UNESCO”. “Faza e tretë, Fillimi i bisedimeve për pranim në NATO, aplikimi për anëtarësim në BE” dhe “Faza e katërt: Anëtarësimi në OKB”.

Krejt në fund, shpjegohet se çfarë përfitojnë të dy vendet nëse e nënshkruajnë marrëveshjen dhe cilat do të ishin pasojat nëse nuk arrihet akordi.

Në kohën kur AP e publikoi dokumentin përmbajtja tregonte një draft-propozim që ofronte një makro-perspektivë dhe jo një dokument të përfunduar e gati për nënshkrim.

Diçka më shumë se një muaj më vonë nga publikimi, drafti ka marrë formën e tij finale dhe do të kuptohet ditëve në vazhdim nëse Kurti do ta zgjerojë fjalorin e zbërthej pikat e këtij dokumenti për publikun e gjerë.




Skip to toolbar