Rënie masive gurësh dhe bllokime rrugësh, “Mbrojtja” tregon problematikat nga shiu

AKTUALITET


Rikthimi i reshjeve intensive në një pjesë të madhe të territorit të vendit ka krijuar disa problematika.

Në një reagim për mediat, Ministria e Mbrojtjes thotë se po punohet nga forcat në aksin rrugor Skuraj-Burrel, ku ka rënie masive gurësh dhe bllokim të rrugës, në fshatin Shkopet si dhe në njësinë administrative Milot, në Kurbin. Ka prani uji në oborret e disa banesave në Mirditë, për shkak të daljes së përroi të Zmejës nga shtrati.

Situata po monitorohet në Durrës, ku ka prani të ujit në disa rrugë, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve, kryesisht në zonën rreth stadiumit, Plazhit, Plepa, te “Ura e Dajlanit”.

Po ashtu po punohet për riparimin e defekteve në sistemin energjetik në disa zona në Kukës, Tropojë, Shkodër. Ministria shton se të gjitha forcat janë në terren për të shmangur çdo problematikë që shfaqet.



Skip to toolbar