Revolucioni 5G, SHBA apel shqiptarëve: Kujdes nga kinezët

AKTUALITET


Shtetet e Bashkuara të Amerikës shqetësohen të parat kur vjen puna të siguria kombëtare. Shqetësimin e tyre ato e kanë dhe për vendet partnere, një prej tyre dhe Shqipëria. Pak ditë pasi në Shqipëri u prezantua projekti për rrjetin e teknologjisë 5G, Ambasada e SHBA shpërndau një artikull informues për të gjithë qytetarët shqiptarë. Në artikull, SHBA kërkon të informojë dhe këshillojë qytetarët shqiptarë për pasojat që mund të ketë në sigurinë e të dhënave teknologjia 5G.

“Shitësi kinez i telekomit Huawei shpreson të prodhojë dhe shesë pajisjet e tij të rrjetit 5G në të gjithë botë. Rrjetet 5G do të ndryshojnë botën. Aplikacionet e ndërlidhura do të revolucionarizojnë bizneset, do të përmirësojnë infrastrukturën dhe do të transformojnë komunikimet personale. Këto aplikacione të reja do të jenë thelbësore për jetën tonë, kështu që mbajtja e të gjitha këtyre të dhënave është më e rëndësishme se kurrë”, shkruhet në artikullin e publikuar nga ambasada.


Kujt mund t`i besojmë?

Por pyetja që ngrihet është se si mund të mbrohemi nga shkelja e privatësisë? Si mund të ruajmë të dhënat e biznesit tonë? Dhe kujt kompanie duhet t`i besojmë? Drejtues të sigurisë kibernetike në Departamentin Amerikan të Shtetit, sugjerojnë se kompanitë me seli në vendet perëndimore që do të ofrojnë shërbimet 5G, janë më të sigurta se ato në lindje, kryesisht në Kinë. Kjo, pasi në vendet perëndimore ka një zbatim të mirë të ligjit, dhe mbrojtja e privatësisë është e sanksionuar me ligj.

DASH sugjeron që përdoruesit e 5G duhet të kenë parasysh së pari vendodhjen e kompanisë që ofron këto shërbime, për të kuptuar nëse selia e kompanisë ndodhet në një vend ku zbatohet ligji dhe drejtësia është e pavarur. Kjo siguron prova nëse një kompani mund t’i rezistojë presionit për të kompromentuar rrjetin e saj.

A ka ndërmarrja një strukturë transparente të pronësisë? Kjo siguron që konsumatorët të dinë se kush është me të vërtetë duke marrë vendime, veçanërisht nëse një kompani është e kontrolluar pjesërisht ose tërësisht nga një fuqi e huaj. A ka ndërmarrja një histori të sjelljes etike? Performanca e kaluar është mënyra më e mirë për të përcaktuar nëse konsumatorët mund t’i besojnë pretendimeve të një kompanie që nuk do të kompromentojë rrjetet e saj.

A është Huawei i besueshëm?

Huawei shpreson të prodhojë dhe shesë pajisjet e saj të rrjetit 5G në të gjithë botën. Sidoqoftë, ka arsye të qarta që vendet dhe konsumatorët të veprojnë me kujdes. Huaëei është me seli në Kinë, një vend pa një gjyqësor të pavarur. Kina madje ka një ligj që kërkon që kompanitë të ndihmojnë qeverinë për të spiunuar. Kjo do të thotë se nuk ka asnjë mënyrë për të sfiduar qeverinë kineze nëse urdhëron një kompani të spiunojë ose të vjedhë të dhënat.

Për më tepër, Huawei gjithashtu ka një histori të shkeljeve etike, duke përfshirë vjedhjen e sekreteve nga konkurrentët e saj. “Ka një histori të gjatë vjedhjesh të pronës intelektuale nga Huawei dhe shkelje të ligjeve të korrupsionit në të gjithë botën,” tha Robert Strayer, një zyrtar i lartë në DASH për sigurinë në internet. Kur bëhet fjalë për 5G, Sh.B.A dhe aleatët e saj “duhet të sigurojnë që ne kemi vetëm furnitorë të besuar në rrjetet 5G”, shtoi ai. /Realstory.al/




Skip to toolbar