Rusia bllokon komunikatën e FMN-së pasi lufta në Ukrainë kryeson agjendën e takimit

BOTA


Komiteti drejtues i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dështoi të arrijë marrëveshje për lëshimin e një komunikatë që kërkon që Rusia t’i japë fund luftës së saj në Ukrainë, gjatë takimeve të FMN-së dhe Bankës Botërore në Uashington, ku ministrat e Financave dhe shefat e bankave qendrore po diskutojnë për vendosjen e një çmimi tavan për naftën ruse.

Ministrja e Ekonomisë së Spanjës, Nadia Calvino, tha në një konferencë për media, më 14 tetor, se Rusia përsëri bllokoi lëshimin e një komunikate të përbashkët gjatë një takimi të Komitetit Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar.


Calvino tha se lufta është “elementi më i rëndësishëm që ngadalëson rritjen ekonomike dhe gjeneron inflacion, paqëndrueshmëri, pasiguri ushqimore dhe paqartësi”.

Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen, u tha gazetarëve se shumë nga sfidat me të cilat përballet ekonomia globale “rrjedhin nga lufta e tmerrshme e Rusisë në Ukrainë dhe rimëkëmbja e vazhdueshme nga pandemia”.

E pyetur rreth caktimit të çmimit tavan për naftën ruse, ajo tha se nuk është marrë asnjë vendim, por një koalicion vendesh, përfshirë shtatë shtetevt më të industrializuara (G7), Bashkimin Evropian dhe Australinë, do të vendosin se cili do të jetë ky kufi.

Çmimi tavan është çmimi maksimal i lejuar ligjërisht në një shtet.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, më 11 tetor u ka bërë thirrje liderëve botërorë që të bllokojnë sektorin rus të energjisë me sanksione tjera, për t’ia pamundësuar përfitimet financiare.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Presidenti Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.




Skip to toolbar