SHBA-Rusi do të vijojnë bisedimet për Ukrainën

BOTA


Shtëpia e Bardhë tha të premten se nuk kishte pritur “ndonjë përparim” në takimin mes Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken dhe Ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov por se “jemi në një rrugë më të qartë për sa i përket të kuptuarit të shqetësimeve të njëri-tjetrit.”Sekretarja e shtypit Jen Psaki tha se Presidenti Joe Biden do të shkojë në Camp David këtë fundjavë për t’u konsultuar me këshilltarët e tij të sigurisë kombëtare rreth situatës dhe do të japë një përgjigje me shkrim për propozimet e Moskës javën e ardhshme.

“Ne do të formulojmë me shkrim shqetësimet serioze që ne dhe aleatët dhe partnerët e tjerë kemi në lidhje me veprimet e Rusisë, si dhe idetë se si mund të forcojmë ndjenjën e sigurisë tek njëri-tjetri në të ardhmen,” tha ajo.


“Ka disa hapa që mund të ndërmarrim të gjithë ne, përfshirë Rusinë që po diskutohen, për të rritur transparencën, për të ulur rrezikun, për të avancuar kontrollin e armëve, për të ndërtuar besimin,” shtoi zonja Psaki.Takimi Blinken- Lavrov të premten në Gjenevë nuk solli ndonjë rezultat, por kryediplomatët ranë dakord të vazhdojnë bisedimet. Megjithatë qëndrimet e Uashingtonit dhe Moskës për krizën mbi Ukrainën vazhdojnë të jenë të pandryshuara.

Sekretari amerikan i Shtetit Blinken tha se Rusia do të përballet me “pasoja serioze” nëse ndërhyn në Ukrainë.

“Ne kemi qenë të qartë se nëse ndonjë forcë ushtarake ruse kalon kufirin e Ukrainës, kjo do të përbënte një pushtim të ri. (Një veprim i tillë) do të përballet me një përgjigje të shpejtë, të ashpër dhe të bashkuar nga Shtetet e Bashkuara dhe partnerët dhe aleatët tanë,” tha zoti Blinken në një konferencë shtypi në Gjenevë, pas takimit me Ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov.

Megjithatë ai tha se bisedimet ishin të sinqerta dhe të dobishme.

Zoti Blinken tha se Uashingtoni kishte rënë dakord t’i jepte përgjigje me shkrim Rusisë për propozimet që ka bërë Moska.

Një nga kërkesat e Rusisë është që Ukraina të mos pranohet asnjëherë si anëtare e NATO-s dhe zoti Blinken e e bëri të qartë në konferencën për shtyp se kjo çështje nuk është e hapur për negociim.

“Ia bëra të qartë ministrit Lavrov se ka disa çështje dhe parime themelore që Shtetet e Bashkuara, partnerët dhe aleatët tanë janë të përkushtuar t’i mbrojnë, përfshirë të drejtën sovrane të popullit ukrainas për ta përcaktuar vetë të ardhmen e tij”.

Nga ana e tij zoti Lavrov tha pas bisedimeve, se mënyra se si do t’u përgjigjen Shtetet e Bashkuara kërkesave të sigurisë së Moskës, do të tregojë nëse bisedimet ishin në rrugën e duhur.

Nuk kam dëgjuar asnjë argument sot që do të justifikonte qëndrimin amerikan për atë që po ndodh në kufirin ruso-ukrainas. Vetëm shqetësime, shqetësime, shqetësime”.

Ai minimizoi shqetësimet e perëndimit për një pushtim të mundshëm të Ukrainës, pavarësisht grumbullimit të rreth 100,000 trupave ruse pranë kufirit.

Por zoti Lavrov shtoi e ai dhe zoti Blinken ranë dakord që të dy vendet të ishin më të ndjeshme në dialogun e tyre.

“Patëm bisedime të sinqerta me Sekretarin e Shtetit. Ai ra dakord për nevojën që të jemi më të ndjeshëm (ndaj njëri-tjetrit) në këtë dialog. Shpresoj që emocionet të ftohen, megjithëse nuk ka garanci”.

Të dyja palët ranë dakord se ishte e rëndësishme që procesi diplomatik të vazhdojë.

Zoti Blinken sugjeroi që dy kryediplomatët të takohen pasi SHBA të japë përgjigjet për propozimet ruse.

E pyetur nëse një nga hapat e ardhshëm do të ishte një samit midis Presidentit Joe Biden dhe Presidentit rus Vladimir Putin, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Psaki tha se zoti Biden ka qenë “gjithmonë i hapur” ndaj kësaj mundësie dhe (një ide e tillë) “është në tryezë”.




Skip to toolbar