Shkeljet e rënda me HEC-et, anulohen 9 koncesione

EKONOMI


Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka deklaruar se ka nisur procedura për ndërprerjen në mënyrë të njëanshme të kontratës për 9 koncesione për ndërtimin e HEC-eve, duke e çuar në 17 numrin total të koncesioneve që do të ndërpriten në fushën e hidroenergjitikës.

Të dhënat janë bërë publike zëvendësministri Hantin Bonati, i cili ka deklaruar të enjten përfundimin e procesit të vlerësimit të ecurisë dhe zbatimit të kontratave të lidhura për ndërtimin, operimin dhe shfrytëzimin e burimeve të energjisë hidrike që nuk kanë filluar procesin e operimit.


Në deklaratën e tij, Bonati tha se procesi është ndarë në tre kategori, ku veç rasteve për të cilat ka nisur procedura e prishjes së kontratës koncesionare, janë konstatuar dhe një sërë shkeljesh të tjera.

“Metodologjia e parë është për praktikat me subjeket e të cilave janë brenda afateve kontraktuale, ku rezulton se janë 44 kontrata koncesionare për ndërtimin e 92 HEC-eve dhe 57 kontrata, objekt i këshillit të ministrave për ndërtimin e 61 HEC-eve. Për sa i përket vijimit të këtyre proaktikave, nga ana jonë do të procedohet, duke i përcjellë çdo subjekti një shkresë që do t’i përcaktohen afatet kohore të mbetura  më dispozicion për të zbatuar kontratën, problematikat e evidentuara, penalitetet për shkeljet e konstatuara, rekomandimet në lidhje me masat që duhet të ndërmarrin për të përmbushur tërësisht kushtet e kontratës si dhe penalitet dhe masat me të cilat do të përballen në rast të mosrespektimit të kushteve të vendimit”, tha zëvendësministri Bonati.

Në tipologjinë e dytë, sipas tij, janë përfshirë praktikat që u ka përfunduar afati kontraktual, subjektet e të cilave ose kanë vënë në funksion më shumë HEC-e që kanë në koncesion, ose më pak HEC-e që kanë në koncesion. “Këtu përfshihen 20 kontrata koncesionare për ndërtimin e 60 HEC-eve, 1 kontratë me VKM për ndërtimin e 3 HEC-eve. Po ashtu në këtë tipologji përfshihen subjeket që kanë bërë investime të pafinalizuara, në mospërputhje me kontratën. Sa i përket kësaj pike janë evidentuar 11 kontrata koncesionare për ndërtimin e 21 HEC-eve”, deklaroi Bonati.

Sipas tij, problematikat e mësipërme janë shkaktuar si për arsye të burokracive apo rrethanave që nuk varen nga subjekti, po ashtu edhe nga mospërmbushja, neglizhenca apo paligjshmëria në veprim e subjektit. “Nëse këto problematika janë shkaktuar nga vonesa burokratike-administrative, do të vijohet me një proces negocimi me subjektet, me qëllim rishikimin e kontratës brenda kuadrit ligjor për vendosjen e palëve në legjitimitet sa i takon afateve apo kushteve të tjera kontraktuale. Nëse këto problematika vijnë si pasojë e veprimeve apo mosveprimeve të subjekteve do të vijohet me penalitete e deri në fillimin e procedurës për ndërprerjen në mënyrë të njëanshme të këtyre kontratave”, paralajmëroi zëvendësministri.

Ndërsa pika më e nxehtë ishte ajo për tipologjinë e tretë, përfshihen praktika të cilat janë konsideruar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë me shkelje të rënda kontraktuale, të cilat ende nuk kanë filluar punime në terren, ose kanë filluar të ndërtojnë pa leje, ose kanë braktisur për një kohë të gjatë punimet.

“Nga vijimi i procesit të skanimit, kanë rezultuar dhe 9 raste të tjera të shkeljeve të kushteve kontraktuale nga ana e subjekteve, për të cilat do të fillohet procedura për ndërprerjen në mënyrë të njëanshme të kontratës. Pra, deri më sot, numri total i praktikave për të cilat ka filluar procesi i ndërprerjes në mënyrë të njëanshme të kontratave koncesionare shkon në 17 raste”, deklaroi zëvendësministri.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë deklaroi se po procedohet me kujdes, për të minimizuar risqet e mundshme dhe implikimet financiare për Buxhetin e Shtetit.

LIVE 📽 – Deklaratë për shtyp e zv.ministrit, Hantin Bonati lidhur me përfundimin e procesit të vlerësimit të ecurisë dhe zbatimit të kontratave të lidhura për ndërtimin, operimin dhe shfrytëzimin e burimeve të energjisë hidrike që nuk kanë filluar procesin e operimit

Gepostet von Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë am Donnerstag, 6. Juni 2019



Skip to toolbar