Shtyhet afati, banorët e Thumanës, në hotele deri në sigurimin e banesës me qira

AKTUALITET


Ishte urdhëruar që banorët e strehuara në hotele do të qëndronin deri më 3 janar 2020 dhe më pas duhet të kalonin në banesa me qira, ku thirrjet për marrjen e bonusit të qirasë kanë qenë të shumta nga autoritete vendore.

Por duket se ky urdhër do të zgjatet në kohë, pasi autoritetet vendore dhe qendrore janë tërhequr nga vendimi për të larguar nga hotelet e Shëngjinit banoret e Thumanës, të cilët kanë ngelur të pastrehë pas tërmetit të 26 nëntorit.


Afati për të qëndruar në hotele ishte deri në datë 3 janar, për të kaluar më pas në banesat me qira. Por duke qenë se jo të gjithë kanë gjetur banesat me qira, vendimi për qëndrimin e tyre në hotel është shtyrë. Konfirmimi ka ardhur nga vetë banorët pas takimit që zhvilluan me kryebashkiakun e Krujës Artur Bushi nga i cili kanë marrë premtimin se do të qëndrojnë në hotele deri në sigurimin e banesave me qira.

Data 3 janar ka qenë afati i fundit që banorët e Thumanës të lirojnë hotelet ku janë strehuar përkohësisht, por pas rezistencës së tyre autoritetet vendosen që ata të qëndrojnë sërish aty deri në sigurimin e banesave. Qiraja e miratuar nga bashkia është 3 mijë lekë për person në muaj si dhe u është garantuar që nuk do të largohen nga hotelet pa u gjetur shtëpitë me qira.




Skip to toolbar