Siguria rrugore sjell në Shqipëri bosin e Formula 1

AKTUALITET


Bosi i Formula 1, Jean Todt, vizitoi të premten Shqipërinë në një vizitë zyrtare.  Ish-shefi i skuderisë Ferrari në Formula 1, që aktualisht është President i FIA, u prit në takim nga Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi. Në Shqipëri, Jean Todt vjen si i Dërguar i Posaçëm i OKB-s për sigurinë rrugore. Gramoz Ruçi u shpreh gjatë takimit me Jean Todt se Shqipëria po punon për garantimin e lëvizjes së sigurtë.

“Qeveria dhe agjencitë e saj po punojnë për garantimin  e lëvizjen e sigurtë,  efiçencës së transportit, përgatitjen e legjislacionit dhe ofrimin e zgjidhjeve të integruara për sistemet e transportit rrugor, duke garantuar përputhshmërinë e tyre me planet e zhvillimit ekonomik të vëndit dhe me standartet më të larta ndërkombëtare, sipas parimit ‘Transport të thjeshtë dhe të sigurtë për të gjithë”.


“Kuvendi ka qenë gjithmonë aktiv në propozimin dhe miratimin e përmirësimeve në Kodin Rrugor, me qëllim të letësojmë qarkullimin, të rrisim sigurinë, të mbrojmë jetën e qytetarëve dhe të ulim kostot e aksidenteve rrugore për familjet, ekonominë dhe shoqërinë. Pa siguri rrugore nuk ka qytete inteligjente”,  tha Ruçi.

Ndërkohë, Jean Todt shprehu mirënjohjen për Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi për angazhimin e treguar për përmirësimin e legjislacionit të sigurisë rrugore. Ai tha gjithashtu se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për tu bërë lider rajonal i sigurisë rrugore. “Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që të bëhet lider rajonal në sigurinë rrugore dhe pakësimin e aksidenteve rrugore”, tha Todt.

Jean Todt është aktualisht Presidenti i FIA (Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit). Për shumë vite ai drejtoi skuderinë e Ferrarit, duke i dhënë suksese të jashtëzakonshme skuderisë italiane. Nën drejtimin e Todt, Ferrari arriti të triumfonte pesë herë në botën e Formula 1 me pilotin Michael Schumacher. Todt dhe piloti gjerman u miqësuan shumë gjatë kësaj periudhe, miqësi që vijon edhe në ditët e sotme, kur Schumacher ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore pas aksidentit që pësoi disa vite më parë kur bënte ski.




Skip to toolbar