Soreca: Do monitorojmë zgjedhjet, më pas flasim për konferencën ndërqeveritare

Më të fundit



Kur na ndajnë vetëm 2 ditë nga data 8 mars, që është edhe afati i fundit për dorëzimin e emrave të kandidatëve per deputetë nga partitë politike, Bashkimi Europian bën apelin e fundit, dhe kërkon që të përzgjedhurit të jenë emra të pastër dhe pa të kaluar të dyshimtë. Në një intervistë për News24, ambasadori i BE, në Tiranë, Luigi Soreca, kerkon zbatimin e plotë të ligjit te dekriminalizimit.

“Ligji i dekriminalizimit duhet të zbatohet plotësisht, Pse? Sepse jemi në pikën e nisjes së negociatave dhe parlamenti i ri duhet t’u nënshtrohet reformave në fusha të tilla si lufta kundër krimit të organizuar, korrupsioni, dhe për ta bërë këtë duhet të keni standarde të larta integriteti të anëtarëve të parlamentit. E hëna është afati për prezantimin e kandidaturave. Presim me padurim të shohim listën dhe ne sigurisht do të bëjmë vlerësimin tonë.”

Sa i përket mbajtjes së Konerencës së parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së, ambasadori Soreca, shprehet se ky është një objektiv për muajin qershor, pasi vendet anëtare të  monitorojnë edhe procesin zgjedhor të 25 prillit.


“Ky është objektivi ynë, qershori është periudha për Konferencën e parë Ndërqeveritare. Eshtë e rëndësishme tani që ndërsa Shqipëria vazhdon të bëjë punën që është e nevojshme, edhe gjatë fushatës elektorale, në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, vazhdimit të ndërtimit të gjyqësorit, Shtetet Anëtare e shohin këtë angazhim të vazhdueshëm dhe prandaj do të duhet të vendosin dhe shpresojmë që vendimi për qershorin të jetë pozitiv.”

Reforma në drejtësi, kohët e fundit është kthyer në një temë të fortë diskutimi politik, mes maxhorancës dhe opozitës. Kreu i qeverisë deklaron se me demokratët në pushtet reforma do të zhbëhet, dhe nga ana tjetër kryedemokrati Basha angazhohet se drejtësia me të, do të ketë pavarësi. Sipas ambasadorit, reforma në drejtësi nuk është një cështje ndarëse, dhe partitë politike duhet të punojnë që ajo të bëhet më efikase.

“Shpresa ime sinqertë është që reforma në drejtësi nuk do të preket nga fushata zgjedhore. Sepse për shqiptarët ajo nuk është një çështje ndarëse. 80% e shqiptarëve, sipas sondazhit të fundit të Delegacionit tonë, janë në favor të reformës në drejtësi. Ndaj, është shumë e rëndësishme sipas mendimit tim që fokusi të mbetet te bërja më efikase e reformës në drejtësi, më përmbushëse.”

Luigi Soreca i përgjigjet edhe akuzave të Kryeministrit Rama se BE ka lënë jashte planit të vaksinimit Shqipërinë, duke deklaruar se Bashkimi Europian, ka ndihmuar vazhdimisht vendin tonë dhe po e bën këtë gjë edhe aktualisht. Ai njoftoi madje një grant 11 mln euro për blerjen e vaksinave.

“Siç e kam thënë para disa javësh, e kuptoj zhgënjimin, por kjo nuk e errëson asistencën e jashtëzakonshme që Shqipëria ka marrë dhe do të vazhdojë të marrë.

Sapo mora konfirmimin, para se të vija këtu se për të ndihmuar rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike të Shqipërisë, 90 milionët e parë të asistencës makro-financiare, që Bashkimi Evropian ka premtuar dhe kontraktuar me Shqipërinë do të jepen më 1 prill. Transhi i dytë i 90 milionë eurove do të jepet në verë, brenda një periudhe kohore të shpejtë, duke pasur parasysh shumën për të cilën po flasim. Nuk dua të përmend ndihmën për tërmetin. Brenda Bashkimit Evropian ka një situatë të vështirë.  Në Bruksel u njoftua se transhi i parë i vaksinave të Covax-it i sponsorizuar nga BE-ja do të mbërrijë në Shqipëri në fund të muajit. Ditët e ardhshme do të nënshkruajmë një grant për 11 milionë euro që Bashkimi Evropian do ta vërë në dispozicion të Shqipërisë për të blerë vaksina dhe pajisje për të përfunduar planin e vaksinimit.”


Kreu i delegacionit të BE në Tiranë, tha se Agjencia Mjekësore Europiane, po vlerëson vaskinën Sputnik, dhe nëse ajo do të plotësojë standardet, kjo do të ishte një sinjal se në treg ka edhe vaksina të tjera që mund të përdoren nga vendet partnere.