Soreca në Real Story: Palët të heqin parakushtet dhe të ulen në bisedime para 1 qershorit

Më të fundit


Ambasadori i BE, Luigi Soreca ka folur për rreth 60 minuta në emisionin Real Story të Sokol Ballës në Vizion Plus duke u përgjigjur që nga pyetjet për krizën politike, e deri te shpresat që me 15 qershor BE do të vendosë një datë për hapjen e negociatave për Shqipërinë. Por sipas tij, kjo mbetet në dorë të forcave politike, të cilat duhet të heqin parakushtet dhe të ulen së bashku për të mirën e shqiptarëve para se të fillojë fushata elektorale, e së bashku të punojnë që më 15 qershor të jetë lajmi i mirë, i shumëpritur nga shqiptarët. Ambasadori Soreca ka folur gjatë edhe për reformën në drejtësi, qëndrimet e Presidentit të Republikës, duke i vënë në dukje edhe problemet e shfaqura për zbatimin e reformës, por sipas tij, këto janë kosto të vogla që shqiptarët duhet të paguajnë për të ndryshuar këtë sistem. Gjithashtu diplomati nuk la pa komentuar edhe mesazhet e fotografuara nga mediat një ditë më parë, teksa bisedonte me kryeministrin Rama.

Intervista e plotë e ambasadorit të BE në Tiranë, Lugi Soreca me gazetarin Sokol Balla në Real Story në Vizion Plus


Zoti ambasador, rekomandimi i djeshëm është pa kushte? Është një lajm i ri, apo një lajm i vjetër, si ai një vit më parë?

Më lejoni të them që ne jemi vërtetë shumë të kënaqur që kemi pasur mundësinë që edhe një herë të japim një rekomandim të tillë pa kushte. Kur filluam Në politikë nuk e di se çfarë mund të ndodhë, kështu që mund të ketë qenë rasti, edhe ky rast në Shqipëri, kështu që meqë ishte mundësia që që ne të rikonfirmonim rekomandimin pozitiv pa kushte, në vetvete është në fakt një rezultat pozitiv për Shqipërinë, madje unë do të thosha dhe për rajonin, për rolin të cilin ka luajtur dhe luan Shqipëria në rajon. Mund të konfirmoj se nuk ka kushte. Natyrisht që raportet duhet të bazohen në veçantinë e çdo shteti dhe për këtë arsye ka elementë të cilët janë specifikë për Shqipërinë. Megjithatë më lejoni të them që lajmet e mira janë gjithnjë lajme dhe kështu i shikoj unë lajme të tilla.

Kurse për ne gazetarët lajmet e mira nuk janë lajme të mira. Nuk janë lajme fare, gjithsesi unë e përjetoj në mënyrë pozitive, por mund të ketë shumë të tjerë që thonë si ka mundësi që jepet i njëjti rekomandim si një vit më parë kur në fakt situata në Shqipëri, duket pak më ndryshe, Por për këtë do ju pyes pak më vonë.

Fillimisht cilat janë ato specifika kritike në rekomandimin e KE-së për Shqipërinë. Shqipëria, sigurisht i ka bërë detyrat e shtëpisë, por ka gjëra në të cilat duhet të përmirësohet, pavarësisht se komisioni nuk i paraqet si kushte?

Vitin e shkuar, këshilli në qershor, identifikoi detyrat e shtëpisë që duhet të bënte Shqipëria. Natyrisht ju keni dëgjuar për pesë prioritetet kyçe dhe nuk dua që t’i shpjegoj ato në detaje. Por për këto pesë prioritete kyçe Shqipëria ka arritur përparim të mjaftueshëm, pra progres, i cili është vlerësuar në bazë të fakteve të forta dhe është i mjaftueshëm që të çelen negociatat. Është shumë e rëndësishme që të bëjmë këtu dallimin ndërmjet progresit të mjaftueshëm për të çelur negociatat dhe progresit që duhet për t’u bërë shtet anëtar dhe kjo e dyta do të vijë në fund kur Shqipëria të bëhet shtet anëtar. Me lejoni të citoj Wilson Curcill, i cili ka thënë dhe unë e aplikoj këtë në këtë situatë sot në Shqipëri, se çelja e negociatave do të ishte fundi i fillimit dhe jo fillimi i fundit. Pra do të ishte fundi i fillimit të negociatave. Shqipërisë pastaj do i duhet të vazhdojë këtë progres gjatë procesit të negociatave dhe specifikat për Shqipërinë janë ato gjëra që janë identifikuar prej nesh si detyra shtëpie, të cilat Shqipëria duhet të vazhdojë t’i bëjë edhe po të çelen negociatat. Së pari ju do të duhet të vazhdoni të keni një historik të fortë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit që do të thotë që ajo që është bërë tashmë edhe këtë vit duhet të jenë veprime stabël për autoritetet shqiptare edhe gjatë viteve të negociatave. Elementi i dytë është që të gjendet një konsensus i fortë kombëtar tek të gjitha partitë politike për atë që është përparësia më e rëndësishme, që është prioriteti dhe ambicia e madhe, që është anëtarësimi në BE. Ne, në delegacionin e BE në Shqipëri, kemi bërë një sondazh në Shqipëri dhe 88% e shqiptarëve thonë se integrimi do të ishte i mirë për ta dhe 93% e shikojnë Shqipërinë në BE. Pra ky është ai konsensus që duhet t’i bëjë bashkë partitë në mënyrë që të tejkalohet muri i ndasive dhe ky progres të konsolidohet në të ardhmen.

Z. Ambasador, le të themi Shqipëria ka pasur disa ndryshime, si qeveri të re, lidership të ri të opozitës. Pra pati një farë detante politike në vend, lufta politike nuk ishte dhe aq e ashpër, patëm zgjedhjet e vitit 2015, të cilat shkuan në mënyrë normale, por pastaj patëm një krizë të madhe në vitin 2017, e cila u kurorëzua me një proces normal zgjedhor. Por në fund dy vite të vështira, nga viti 2017 deri në 2019 dhe në gjithë këto vite është parë gjithmonë një shtyrje, një vonesë, shpesh herë është dukur si mos interesim i BE për Shqipërinë dhe procesin e saj të integrimit. Procesi është shtyrë dhe shtyrë. Ju flisni për çeljen e negociatave, por në fakt ky rekomandim nuk është çelje e negociatave. Çeljen e negociatave do të vendosë Këshilli i Ministrave i BE, një vendim që ata hezitojnë ta marrin prej disa vitesh, nuk thonë as jo, nuk thonë as po. Të shumta janë sinjalet që edhe në mbledhjen e 15 qershorit, nuk do të ketë një vendim për Shqipërinë. Lajmi i keq për ne mund të jetë se mund të ketë vendim për Maqedoninë, por nuk do të jetë për ne. A mund të na thoni diçka për këtë lidhur me këto gjasa të vendimmarrjes së 15 qershorit?

Le të fillojmë nga ajo që kemi shprehur ne në raportin tonë. Për ata që na kanë dëgjuar dje dhe kanë dëgjuar komisionarin Hahn dhe përfaqësuesen e lartë, zv. kryetaren e Komisionit, zonjën Mogherini, ata kanë thënë se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të ecin së bashku. Përse?! Sepse kanë treguar rezultate secila sipas programit të vet dhe tani nga këndvështrimi ynë janë gati për të filluar negociatat. Struktura e Bashkimit Europian është komplekse. Tani topi ka kaluar në kampin e shteteve anëtare dhe kështu duhet të jetë në fakt, sepse kështu është hartuar traktati ynë. Dhe tani kemi një proces të një periudhe të caktuar, që ashtu si e thatë edhe ju, deri në mes të qershorit do të fillojë me parlamentin kombëtar, si dhe me qeverinë në çdo 28 shtete anëtare, të cilat do të vlerësojnë raportin. Raporti është shumë i hollësishëm me 114 faqe, kështu që u duhet pak kohë për ta analizuar. Ajo që dimë ne, në krahasim me vitin e shkuar, kur këshilli vendosi që rrugëtimi të ishte drejt këtij vit, qershorit të këtij viti, shtetet anëtare e kanë ndjekur nga afër ecurinë e Shqipërisë dhe zhvillimet në Shqipëri dhe unë mendoj që tani shtetet anëtare, pas zgjedhjeve europiane janë të gatshme pë të bërë vlerësimin e tyre. Unë zakonisht nuk e përfshij veten nëpër skenarë hipotetikë. Shpresa jonë është që të gjitha shtetet anëtare do të lexojnë me kujdes raportin dhe aty do të kemi dhe mendimin politik, të jemi të sinqertë. Fakti që është këshilli i çështjeve të përgjithshme, jo ai i çështjeve të jashtme që do të vendosë, do të thotë që politika e zgjerimit është një politikë e brendshme e BE. Shqipëria si vend me statusin kandidat nuk është thjesht një vend i tretë por është një vend i cili do të hyjë në shtëpinë tonë, në familjen tonë dhe për këtë arsye anëtaret e kësaj familje duhet të kuptojnë nëse familja në vetvete është në rregull dhe zgjedhjet evropiane kanë ndihmuar të kuptojnë nëse shtëpia jonë i ka punët e veta në rregull dhe unë jam i bindur që pas pak javësh shtetet anëtare do të jenë të gatshme të marrin vendimin dhe shpresojmë që Shqipëria të fillojë negociatat së shpejti.

Meqë folët për zgjedhjet europiane, ai gogoli i lëvizjeve të partive nacionaliste themi sikur ra pak. Ata u rritën, por po ashtu u rritën të gjelbërit dhe liberalët. Duket që me gjithë kaosin e paprecedentë e disa grupeve të reja në PE, duket se gjithsesi forcat e moderuara pritet ta kenë kontrollin sërish dhe të krijojnë komisionin e ri europian. A mendoni se zgjedhjet europiane, për mënyrën si shkuan dhe rezultatin që nxorën, pra jo aq të frikshëm sa e mendonim, do influenconin për mirë për këshillin e ministrave më 15 qershor?

Analiza juaj është vërtetë e saktë nga këndvështrimi im. Në fakt forcat e moderuara, ashtu siç e përmendët ju, ato që e kanë udhëhequr BE-në në vitet e fundit kanë humbur pak konsensus, por jo shumë, ndërkohë që edhe forcat e tjera pro europiane, si liberalët dhe të gjelbrit, në fakt kanë fituar më shumë. Liberalët, të cilët janë ndoshta dhe më pro europianët, si forcë në BE, kanë fituar 47 vende, ndërsa të gjelbrit 28, që është goxha shifër për ta. Këto janë forca pro evropiane dhe ka shumë gjasa që këto së bashku me dy partitë e mëdha do të bëjnë zemrën e mazhorancës së PE, e shumicës. Kështu që po të vësh këtë element me faktin se shumë zgjedhës votuan në Europë dhe ishin shifra më të larta të votimit në 20 e ca vite, ne si zyrtarë të BE duhet të jemi të kënaqur, pasi fituesit, duke pasur parasysh edhe sfondin e Brexit, kan qenë fitues vetë BE. Tani nuk kemi pse të jemi naivë, pasi nacionalistët, ose ata që quhen si populistët kanë fituar në disa vende, vendi që unë e njoh më mirë në veçanti…

Italisë besoj…

Unë jam zyrtar i BE-së, por mbetem italian. Po ashtu edhe në vende të tjera si në Mbretërinë e bashkuar, apo edhe në Francë, edhe pse në Francë humbën. Por kjo do të thotë se nuk ka qenë ajo valë e madhe oqeanike, që pritej, kështu që mund të thuhet se nuk do të ketë asnjë ndryshim në qasjen e BE ndaj zgjerimit si politikë në vitet e ardhshme. Nga ky këndvështrim, Shqipëria duhet të ndihet e sigurt që ky parlament i cili do të votojë edhe komisionin e ardhshëm evropian, do të trajtojë ashtu siç është trajtuar në të shkuarën Shqipëria, që do të thotë se linja e institucioneve të BE-së, do të jetë i njëjti me vitet e shkuara. Po ashtu ju do më thoni a do jetë njësoj si vitin e shkuar….

Të të them të vërtetën zoti ambasador, duke qenë se Timmermans fitoi në Holandë dhe ai është gjithashtu një kandidat për kryekomisioner dhe fakti Macron pothuajse doli barazim, nuk humbi në Francë. Edhe aty ku fituan forca të djathta, janë forca të djathta, si në Greqi, gjithsesi me Shqipërinë kanë një raport të mirë, pra kanë një politikë të unifikuar të jashtme. Por kur vjen puna për shtete të rëndësishme si Gjermania jemi pak konfuzë, aq sa, nëse më lejon të përdor pak ironinë, dëgjoje dje ministrin Roth të fliste më pro negociatave sa vetë Edi Rama, ndërkohë që dëgjoje sot shefin e Ballkanit në grupin CDU/CSU, që fliste për Shqipërinë më keq sesa Lulzim Basha. Pra, duket që dilemat janë të forta në lokomotivën e BE-së, siç është Gjermania.

Kjo është arsyeja për të cilën unë mendoj se këto javë janë po aq të rëndësishme për shtetet anëtare që ato të unifikojnë pozicionet e tyre. Partitë e ndryshme në parlamentet e ndryshme do ta shikojnë raportin, ato kanë edhe informacionet e tyre dhe do të arrijnë në një qëndrim. Debati që ju përmendët që ndodh në një shtet anëtar, në Gjermani, është debat i zakonshëm që ndodh zakonisht për politikat e brendshme dhe që hapja e negociatave është e tillë. Është një çështje e brendshme dhe kjo në fakt do të thosha se nuk po ndodh vetëm në Gjermani, por edhe në shtete të tjera, ku po ndodh ky diskutim i shteteve anëtare, kështu që ne presim të shikojmë se cili do të jetë qëndrimi përfundimtar i Gjermanisë, nga Bundestagu, ku të gjitha partitë politike do të mbajnë qëndrimin e tyre, si dhe qëndrimet që do të vijnë nga shtetet e tjera anëtare. Do të abstenoja së komentuari pikërisht për atë që thatë që qëndrimet e tyre janë kontradiktore dhe mendoj që Gjermania meriton respektin tonë të plotë përpara se të mbajnë qëndrimin e tyre përfundimtar për këtë çështje.

Ju thatë që këto javë do të jenë shumë të rëndësishme, pra deri më 15 qershor, në fakt, këto janë do të jenë dramatike për Shqipërinë, jo thjesht për hapjen e negociatave, vendimin, por edhe për zhvillimet e brendshme politike, ne jemi mes një krize të thellë politike, unikale në llojin e saj, e para dhe me sa duket të paktën, sot është e enjte, nuk ka gjasa që të ketë një marrëveshje mes dy kampeve për t’u ulur dhe për të folur, jo më për të gjetur një marrëveshje. Sa mendoni do të ndikojë situata e brendshme politike nëse ajo përkeqësohet, pra nëse të dyja palët mbajnë fjalët, që do të thotë njëra palë të shkojë në zgjedhje dhe të respektojë 30 qershorin dhe pala e tjetër t’i prishë ato. Kjo situatë dhe tensionet e krijuara prej saj, sa mund të ndikojnë në vendimmarrje më 15 qershor dhe a i bashkoheni dhe ju thirrjes së Kukan, i cili tha që tani është momenti që liderët politikë të ngrihen mbi partitë dhe të mendojnë për Shqipërinë?

Patjetër. Nuk mund të isha dakord më shumë se sa kaq me një nga profesionistët më të mirë dhe eurodeputetët më të mirë që kemi pasur ne në PE dhe fatkeqësisht nuk do të jetë në mandatin tjetër. Ka ardhur koha që Shqipëria të ngrihet mbi këto ndasi politike sepse këtu kemi një mundësi për të kthyer faqen e historisë. Çelja e negociatave me BE-në, është ajo që siç ua thashë, e duan shumica dërmuese e shqiptarëve. Tani është test, një provë për partitë politikë që të ngrihen mbi këto ndasi, pikërisht këto ditë, pasi në këto momente BE do të vendosë për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Kështu që po, sigurisht, vendimi që do të marrin partitë politike në Shqipëri, do të ketë një ndikim të tërthortë, jo të drejtpërdrejtë në imazhin që do të krijojë dhe do u japë Shqipëria motrave dhe vëllezërve në Bashkimin Europian. Gjatë muajve të fundit, ne si BE kemi bërë thirrje fort për dialog për kompromis, sepse demokracia në fund të fundit përbëhet nga kompromisi dhe kjo është koha e kompromisit. Koha kur të dyja palët duhet të bëhen bashkë dhe të shikojnë jo interesat e tyre legjitime, interesin më të lartë të vendit, interesin kombëtar, që siç e dini ju, është ai i qytetarëve shqiptarë.

Në fakt pak javë më parë, kur bëtë një thirrje për dialog thatë që urat janë, mjaft që t’i gjeni. Diçka e tillë, apo jo? Por për shumicën e shqiptarëve, duke përfshirë dhe muar, në fakt kam qenë nga ata optimistët se një zgjidhje mund të gjendet në momentet e fundit, duket sikur dy palët nuk kanë si vijnë më afër, pasi duket sikur kanë prishur urat. Çfarë mendoni mund të ishte një kompromis në një rast të tillë?

Për momentin, në tryezë kemi dy qëndrime, të cilat nuk takohen me njëra-tjetrën. Unë me shumë respekt e kam parë qëndrimin që ka sjellë opozita dhe në fakt, jam takuar sot me kryetarin e PD për t’i prezantuar atij raportin e Komisionit Europian. Po ashtu ne patëm mundësinë që të diskutojmë situatën. Ne kemi diskutuar një sërë gjërash. Mendoj se në të njëjtën kohë, siç e dini ju, unë flas dhe me anën tjetër.

Po e pamë në fakt edhe përmes celularit që ju komunikoni edhe me palën tjetër…

Po është gjë gjë e mirë që unë flas me të gjitha palët. E di që ju tashmë në këtë moment po i referoheni fotografimit të celularit tim, por fatmirësisht ambasadori i BE ka mundësi që të flasë me të gjitha palët. Po të kishin marrë një fotografim disa sekonda më parë të celularit tim do të kishin gjetur aty edhe mesazhe që vinin nga anëtarë të opozitës. Kështu duhet të jetë në fakt puna. Sa i përket thelbit të atyre gjërave që janë fotografuar, për këto nuk dua të flas, nuk dua të hyj në hollësi, pasi kam folur me persona të cilët janë parë në atë fotografi.

Rëndësi ka që zoti Basha mos të ketë qenë i mërzitur nga ai screenshot!

Duhet t’ia bëni atij këtë pyetje, por mendoj se nuk është i mërzitur. Megjithatë dëshiroj të them diçka që ndoshta nuk e dini, Basha dhe unë kemi punuar së bashku kur ai ka qenë ministër i brendshëm gjatë procesit të liberalizimit të vizave dhe ne kemi krijuar një marrëdhënie shumë të mirë profesionale, e cila funksionon edhe sot e kësaj dite, ndaj unë e vlerësoj shumë atë marrëdhënie që kam sot e asaj dite. Megjithatë, më lejoni t’i kthehem pyetjes suaj. Ura ekziston, është ende aty dhe unë e di se udhëheqësit e dinë edhe se ku është. Puna është se nuk besoj se ata kanë vendosur pikën se kur t’i japin një koncesion njëri tjetrit, pra t’i japin diçka njëri tjetrit. Mendoj që ka ardhur koha tashmë të ulen përballë njëri tjetrit, siç i ka ftuar Presidenti Meta palët që ta bëjnë këtë gjë, në mënyrë që të tejkalohen këto parakushte dhe të gjendet kompromis për substancën, për thelbin e çështjes.

Unë kam përshtypjen se Presidenti Meta konsiderohet pak si palë në këtë krizë, pasi lexova diçka në rreshta edhe në reagimin që ai bëri me ju. U duk ironik kur ai tha faleminderit që më solle këtë rekomandim të përsëritur të Komisionit Europian. U duk sikur kishte pak ironi në fjalën e Metës.

Ne patëm një takim shumë të mirë me Presidentin. Folëm për shumë çështje dhe mund t’u them se ai më përmendi sesa i lidhur është me procesin e integrimit. Psh përmendi edhe para 20 vitesh sesi ka qenë i përfshirë në procesin e integrimit dhe sa e rëndësishme është që axhenda e integrimit të Shqipërisë në BE të ecë përpara.

Zoti Ambasador, kjo krizë që ne e jetojmë. Ju thatë që keni ndjekur me vëmendje shqetësimet e opozitës, në disa prej të cilave me thënë të vërtetën bashkohemi të gjithë. Besojmë se të gjitha palët në këtë vend mendojnë që duhet të vijë një moment që në Shqipëri të organizohet një proces zgjedhor perfekt në mënyrë që të gjitha palët ta pranojnë rezultatin dhe në fund të fundit ne të gjithë ta dimë se për këtë votojnë shqiptarët. Pra ky është një nga shqetësimet, shqetësimi bazë i asaj që ngre opozita, është një shqetësim që bashkoheni ju, bashkohet shumica e shqiptarëve. Por ama kriza aktuale me kundërvënien aktuale, ku njëra palë thotë duhet të ikë kryeministri dhe pala tjetër thotë kryeministri nuk ikën dhe ne do të bëjmë zgjedhje edhe pa opozitën, ndërkohë që kanë djegur mandatet dhe nuk merr pjesë në zgjedhje, mendoj se ka nevojë për një vlerësim. Ne gjithmonë shohim te ndërkombëtarët, BE, SHBA, OSBE, sigurisht arbitrat e kësaj beteje të ashpër që vazhdon prej tre dekadash dhe raundi i fundit i këtij boksi politik është kjo që po përjetojmë dhe të gjithë pyesim kjo situatë vjen për shkak të qeverisjes së keqe, apo është një krizë e shkaktuar nga situata e brendshme e vetë opozitës?

Në Shqipëri kam vetëm nëntë muaj pavarësisht se për Shqipërinë kam punuar për shumë vite dhe unë e shoh këtë krizë si një cikël. Çdo dy-tre vjet ndodh ky cikël, pastaj gjendet një zgjidhje, pastaj rifillon cikli.

Sa herë kemi zgjedhje?

Përpara dy vitesh po, por tani puna është Shqipëria a ka nevojë ta thyejë këtë cikël dhe të përfundojë këtë tranzicion, i cili ka filluar para shumë vitesh, me anë të të një Kodi të ri Zgjedhor me anën e marrëdhënieve të reja mes palëve. Unë jam dakord me ata që thonë se kjo nuk është si çdo krizë tjetër. Unë e kam thënë publikisht që respektoj vendimin që ka marrë opozita për të dalë nga Kuvendi. Çfarë do të thotë kjo?! Nuk jam dakord me këtë vendim, pasi besoj se Parlamenti është vendi i duhur ku duhet të qëndrojë opozita, por unë i kam dëgjuar shqetësimet e tyre dhe ata kanë arritur në një përfundim dhe nuk e kanë bërë këtë lehtas. Sigurisht që kanë pasur arsyet e tyre, ne duhet t’i dëgjojmë të gjitha palët, edhe ata si opozita, të cilët në fakt po flasin fort për çështjen e tyre dhe shqetësimet e tyre. Por pyetja është a nuk ka ardhur që sistemi politik shqiptar të bëjë atë që të gjithë të ulen së bashku dhe ta rimendojnë sistemin politik në një mënyrë që do ta lejojë Shqipërinë që të dalë nga ky tranzicion. Ne në BE, besojmë se nuk është roli ynë që të hyjmë në çështjet e brendshme të Shqipërisë sa i përket krizës politike. Besoj se ka ardhur koha që partitë në Shqipëri, institucionet të mendojnë për interesin më të lartë të vendit, për pjesën tjetër, komuniteti ndërkombëtar është i gatshëm të ndihmojë, por mendoj që koha për ndërmjetësim ka mbaruar. Është sistemi politik ai që duhet të marrë përgjegjësitë e veta dhe që u jep kushtetuta.

Njëra palë thotë që të ulemi në tavolinë, duhet të ikë Edi Rama, madje tani në zgjedhjet evropiane, iku May, iku Kurz, në Greqi u shpallën zgjedhjet e parakohshme. Mos vallë Edi Rama duhet ta bëjë këtë sakrificë.

Kjo nuk është përgjegjësia jonë. BE nuk u thotë qeverive të zgjedhura nga zgjedhësit të rrinë në qeveri apo të largohen. Ne punojmë si me qeverinë, ashtu edhe me opozitën, ndaj as unë sonte nuk kam për tu thënë se çfarë duhet të bëjë kryeministri. Kryeministri duhet të kujdeset për vendin, të inkurajojë dhe të shtyjë për reformat, ashtu siç po kërkojmë edhe ne të bëhet dhe opozita duhet të kryejë përgjegjësitë e veta dhe të marrë përgjegjësitë e veta. Të dyja palët duhet të gjejnë kurajën, që të tërheqin parakushtet dhe të punojnë së bashku tani dhe jo pas disa muajsh, por tani duke pasur parasysh faktin që puna e tyre mund të ketë ndikim te vendimi për çeljen e negociatave.

Që të jemi të saktë, vetëm njëra palë ka parakusht, opozita, pala tjetër ka thënë që jemi të gatshëm të diskutojmë gjithçka në tavolinë, por në tavolinë Rama ulet si kryeministër? Parakushti është vetëm i opozitës që e pranon zotin Rama në tavolinë, por vetëm pasi ai të japë dorëheqjen si kryeministër.

Ashtu është. Kryeministri mund ta interpretojë faktin e negociatës e uljes si të tillë. Natyrisht unë nuk e shoh uljen e kryeministrit me parakushtin e vënë nga pala tjetër. Kështu e lexoj atë.

Pra në një farë mënyrë të jetë një tavolinë ku mund të diskutohet edhe dorëheqja e Edi Ramës?

Këtë e kanë ata në dorë ta vendosin. Ju nuk do të më bëni pjesë e ndonjë diskutimi i cili do të shtyjë palët për interpretim se Bashkimi Europian luan rolin t’i thotë njërës palë apo tjetrës se çfarë duhet të bëjë. Pra, kjo është përgjegjësia e qeverisë dhe opozitës për të aplikuar të gjitha ato gjëra që u jep Kushtetuta.

Përse BE, por edhe vende të tjera, pas djegies së mandateve kanë qenë kaq kritikë. Ju thatë e respektoni vendimin e tyre, por ndërkohë BE, SHBA etj, e kanë dënuar këtë. Na flisni pak për këtë precedent. Përse komuniteti ndërkombëtar është unifikuar kaq shumë për të mos e lejuar këtë precedent të triumfojë, te themi të imponimit përmes djegies së mandateve si deputetë?

Është mjaft e thjeshtë do të thosha. Qeveria politike e një vendi zgjidhet nga zgjedhësit. Ata kanë zgjedhur këtë qeveri, këtë mazhorancë. Pra me të drejtën dhe përgjegjësinë për të menaxhuar vendin deri në zgjedhjet e tjera, vetëm në rast se ka ndryshime politike brenda shumicës dhe opozita ka rolin e monitorimit, pikërisht të flasë për përgjegjësitë e qeverisë. Por bërja e këtyre detyrave jashtë parlamentit ëhstë një precedent që ne nuk e kemi parë. Pra bojkoti është një element që shoh në Shqipëri, por edhe në rajon., në kulturën e këtyre vendeve, por të bësh një hap si djegia e mandateve është një gjë që nuk ka ndodhur më parë dhe nuk duam që kjo të ndodhë. Në rast se djegia e mandateve ndiqet nga rënia e një qeverie, ky mund të kthehet në një precedent, jo vetëm në Shqipëri për të ardhmen, por edhe në rajon si edhe në vende të tjera, që janë në tranzicion. Kjo është arsyeja që e kemi konsideruar si një precedent të keq.

Pra ju thoni që blerja e votës, kanabizimi, kriminelët në pushtet, humbja totale e besimit mes palëve, janë më pak të rëndësishme sesa precedenti i rrezikshëm që ata mund të krijojnë për një qeveri tjetër?

Ajo që dëshiroj unë janë vendimet e gjykatave, faktet dhe provat e gjykatave, ajo që kam përpara syve, janë raporte kur flisni ju për kultivimin e kanabisit. Siç e dini  ne kemi financuar bashkë me Italinë një projekt 4-vjeçar, i cili na ka sjellë një raport në tryezë tetorin e shkuar, ku flitet për uljen dramatike të kultivimit të kanabisit. Natyrisht kjo nuk është fjala e fundit. Ju përmendët blerjen e votës, ka incidente të izoluara të këtij rasti, por ne dëshirojmë të shikojmë që të triumfojë sundimi i ligjit, i së drejtës dhe marrëdhënia mes zgjedhësve dhe palëve politike të respektohet. Kështu janë gjërat dhe kështu duhet të jenë në fakt.

Ndonjë mbështetës i Bashës do të thotë po flisni si Edi Rama, por gjithsesi Basha në protestën e fundit evidentoi flamurin gjerman dhe jo atë evropian, apo amerikan. A ka qenë Europa në të njëjtin zë kësaj radhe në përgjigjet e saj sa i përket krizës shqiptare?

Unë ashtu mendoj. Ne në mënyrë kolektive, si dhe ambasadorët e shteteve anëtare dhe unë ambasador i BE, kemi mbajtur të njëjtin qëndrim. Edhe kohët e fundit, ne kemi nxjerrë një deklaratë të përbashkët, duke u shprehur qartë për atë qëndrim që ju tashmë e dini. Ndaj do të thosha që jemi njëherazi në këtë qëndrim dhe ne presim me padurim se cilat do të jenë qëndrimet e shteteve anëtare në lidhje me situatën në Shqipëri, si do të shprehet ajo në mes të qershorit, aty duhet të ndodhë në fakt gjithçka.

Presidenti ka kërcënuar me dorëheqje, ka ofruar dorëheqjen, ka ofruar të dekretojë sërish zgjedhjet në një datë të dytë. A mund të ishte kjo një zgjidhje?

Presidenti është i mirëvendosur në pozicionin e vet për të kuptuar sensibilitetin e situatës politike dhe presidenti sërish e ka shprehur qëndrimin e tij kohët e fundit. Unë siç u thashë edhe më parë nuk do të hyj në një vlerësim nëse zgjedhjet duhet të shtyhen apo jo. Ky nuk është roli i BE.

Meqë thatë jeni njeri i ligjit, ka një kushtetutë, ku përcaktohen afatet kur mbahen zgjedhjet, ka një Kod Zgjedhor, i cili e përcakton kur fillon dhe kur mbaron mandati i të zgjedhurve. Nëse mandati mbaron me 10 gusht, çdo shtyrje do të krijonte një situatë kaotike, pasi nëse me 10 gusht ka akoma ata që janë zgjedhur para katër vitesh, kjo do të ishte ilegale, antikushtetuese dhe do të sillte kaos institucional në vend.

Sipas shtetit të së drejtës, zgjedhjet duhet të kryhen në datën 30 qershor dhe në rast se palët marrin një vendim dhe nga presidenti merret ky vendim në bazë të qëndrimeve të partive dhe palëve, atëherë do të aplikohet shteti i së drejtës dhe kodi zgjedhor do të duhet të pasqyrojë këtë vendim të ri në mënyrë që t’i jepet një mandat i ri të gjithëve për atë periudhë që do të jetë e nevojshme. Pra të aplikohet shteti i së drejtës. Pra duhet bërë në mënyrë të plotë në përputhje me sundimin e ligjit.

Ditët e fundit, Presidenti i Republikës ka kritikuar ashpër reformën në drejtësi, veçanërisht Euralius dhe madje siç thotë ai, Euralius ka refuzuar ta takojë nën ndikimin e një influence politike. E keni ndjekur këtë?

Sigurisht që po, ne po ashtu e kemi diskutuar me Presidentin dhe unë mendoj se ai ka folur shumë kur ka qenë kryetar i kuvendit për të mbështetur reformën në drejtësi. Kështu që ne besojmë se reforma në drejtësi duhet që të ecë përpara, të zbatohet plotësisht. Euralius ka rol teknik për të luajtur, duke asistuar përfituesit, që janë të gjithë institucionet. Më lejoni të them se reforma në drejtësi është gjëja më e mirë që ka Shqipëria për të prezantua, Komisioni Europian, ka përgëzuar Shqipërinë në dy raportet e saj të fundit. Besoj se jemi të gjithë dakord se sa i përket zbatimit, është mjaft komplekse.

Komplekse deri në pikën sa sot nuk kemi Gjykatë Kushtetuese, nuk kemi Gjykatë të Lartë, kemi një kryeprokurore që sipas opozitës nuk është zgjedhur në kushtet optimale kushtetuese, apo në kushtet kur procesi  e Vettingut ka parë oscilacione të mëdha, pra nga një vendimmarrje në tjetrën, pa krijuar një precedent. Pra sicc është gjykuar për një prokuror apo gjykatës nuk është gjykuar për një tjetër?

Për gjënë e fundit që thatë nuk jam dakord me ju, procesi i Vettingut ka dhënë më shumë se 140 vendime profesionale. Sa i përket Gjykatës Kushtetuese, në rast se komisioni ka vendosur që të gjithë gjyqtarët ishin të korruptuar, kjo e justifikon edhe ekzistencën e reformës në drejtësi në vetvete, pikërisht kjo ishte arsyeja. Ne jemi në mes të një procesi të kalimit të lumit dhe tani mu në mes të lumit nuk mund të ndalojmë. Duhet të lejohet reforma në drejtësi që të arrijmë në bregun tjetër, në mënyrë që ne pastaj të mund të diskutojmë një vlerësim të reformës në drejtësi. Muajt e ardhshëm do të jenë shumë të rëndësishëm në mënyrë që të ngrihen këshillat e fundit, institucionet e fundit dhe po ashtu të mbushen vakancat në Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë. Pasi të bëhen këto, ne do të shikojmë që gjërat do të ecin. Dje ka dalë një raport i KLGJ-së për vonesën që ka sjellë Vettingu në gjykata, që është në nivelin 10% që do të thotë që ndikimi që ka paur procesi i Vettingut, në aftësinë e gjykatave ka qenë vetëm 10%. Mendoj që kjo është një kosto e pranueshme që qytetarët shqiptarë të marrin atë që dëshironin, sistem tërësisht tjetër të drejtësisë.

Atë që thatë në fillim, që nuk jeni dakord me mua, në fakt ju nuk jeni dakord me ato që thotë Presidenti i Republikës sepse unë përsërita fjalët e tij, sepse ndër të tjera ai ka kërkuar krijimin e një instituti të ri ndërkombëtar monitorimi për reformën për të cilën thotë është shumë i shqetësuar, ndërsa Calavera u përgjigj menjëherë duke thënë se disa njerëz kanë frikë nga kjo reformë. Pra mos e kishit fjalët për zotin Meta.

Sa i përket propozimit për monitorimin ndërkombëtar, siç e thashë, ne duhet të kemi besim te reforma në drejtësi. Ne duhet të tregojmë durim. Tani është momenti për të rindërtuar institucionet, më pas do të vijë momenti për vlerësimin. Më pas mund të diskutojmë me institucionet shqiptare nëse duhet bërë një rishikim, apo rivlerësim. Por për mendimin tim nuk do të ishte funksionale që të ndalohet procesi.

Pra përgjigjja e BE për kërkesën e Presidentit është jo. Megjithatë le të flasim për situatën. E di që politikanët nuk kanë dëshirë të flasin për situata hipotetike. Por tashmë situata nuk është dhe aq hipotetike. Më 1 qershor do kemi hapjen e fushatës nga PS, më 2 qershor Basha ka paralajmëruar një protestë që sipas Berishës do të jetë një cunam që do të fshijë qeverisjen Rama. Shqetësimi është se kjo lloj situate mund të shkojë deri në një përplasje sociale. A mund të kemi zgjedhje në këtë lloj atmosfere. A do ishin zgjedhje?

Siç e thashë, ky është momenti që palët të vendosin, që të aplikohet sundimi i ligjit. Çfarë do të thotë kjo për ne, që zgjedhjet, të organizohen, të kryhen në mënyrë të pashme dhe pa probleme. Ne na vjen keq për retorikën e fjalëve që kemi dëgjuar, po ashtu edhe për përdorimin e dhunës. Prej meje nuk keni për të marrë recetën për zgjidhjen, pasi dy palët duhet të kuptojnë se ato kanë në dorë të ardhmen e këtij vendi në një moment mjaft me delikat të historisë së Shqipërisë. Ata kanë si fuqinë, ashtu dhe përgjegjësinë të kryejnë veprimet e duhura që qytetarët shqiptarë të marrin atë që meritojnë, të ardhmen e integrimit evropian. Ky është qëndrimi ynë dhe ne ende shpresojmë që përpara fillimit të fushatës, përpara protestës të re, të dyja palët të mund të arrijnë një kompromis që të lejojë vendin të ecë përpara në fushatë zgjedhore në mënyrë të pashme dhe pa probleme.

Mbajtja e zgjedhje pa opozitën do të ishte një realitet i pranueshëm për ju?

Unë mendoj se teknikisht ky është një dimension, por natyrisht është për të ardhur keq nëse opozita nuk do të marrë pjesë, në rast se ata konfirmojnë atë qëllim për mospjesëmarrje. Zgjedhësit duhet të kenë mundësi që të zgjedhin, unë e kuptoj se në shumë bashki nuk do të ndodhë kështu. Nuk është zgjidhja ideale, por kjo është zgjidhja që është zgjedhur nga vetë partitë.

Pas refuzimit të vizës ndaj një drejtuesi të lartë të LSI, kryeministri Rama ka përsëritur shpesh diçka se BE mund të aplikojë të njëjtën gjë për ata individë, të cilët do të dëmtojnë ditën e zgjedhjeve. A ka diçka të vërtetë në këto fjalë?

Sa i përket BE-së, situata është e thjeshtë, Kuadri ynë legjislativ parashikon këtë gjë që çdo shtet anëtar i Shengen, të marrë një vendim të disa kritereve të rregulluara me një rregullore, lidhur me refuzimin ose jo të hyrjes së dikujt në sistemin Shengen. Pra e kanë në dorë shtetet anëtare konsiderohet se i ka thyer ose jo këtë parashikime në rregullore. Atëherë varet nga çdo shtet anëtar për ta bërë këtë gjë.

Pra teorikisht mund të ndodhë, por nuk mund të ketë një vendim të Komisionit apo Bashkimit Europian?

Jo, kriteret janë shumë të qarta. Pra nuk e merr këtë iniciativë BE, por vendet anëtare. Por varet nga legjislacioni kombëtar që ka çdo shtet se për çfarë veprash penale ndalohet të hyjë një individ.

Një pyetje më të drejtpërdrejtë, do të lejonte BE që opozita të shkonte në hapin tjetër ekstrem, atë të prishjes së ditës së zgjedhjeve?

Bashkimi Europian u bën thirrje të gjitha palëve që të mos përdorin dhunë, të shmangin dhunën dhe të sigurohen që zgjedhjet të kryhen në mënyrë të paqme, pa probleme dhe një herë të marrin përsipër përgjegjësitë që u takojnë dhe u kanë dhënë zgjedhësit.

Sidomos përballë 15 qershorit?

15 qershori është përgjegjësi e shteteve anëtare dhe ne presim me padurim rezultatin.

Nga 1 në 10? Mundësia që Shqipëria ta marrë datën e hapjes së negociatave më 15 qershor?

Në fakt lojërat e fatit nuk lejohen në Shqipëri dhe ju po kërkoni që ta shkel ligjin dhe meqënëse jam njeri i ligjit, nuk do ta bëj këtë gjë. Ne po punojmë fort, e kam fjalën për BE, të bëjmë të pamundurën. I gjithë sistemi politik duhet të përdorë këto tre javë të gjithë kohën e mundur për të folur për Shqipërinë, të tregojnë çfarë ka bërë Shqipëria që tu thonë partnerëve të tyre që e ardhmja e Shqipërisë varet nga vendimi i tyre. Ata kanë mundësinë, fuqinë që tu tregojnë partnerëve të tyre pikërisht se çfarë ka arritur Shqipëria dhe çfarë meriton Shqipëria.

Ndonjëherë kjo çështja e negociatave të Shqipërisë, meqë jeni nga Napoli, më duket si kupa UEFA që fitoi Napoli në vitin 1986 dhe çuditi gjithë botën dhe Europën, por Napoli kishte yje, ndërkohë që Shqipëria nuk duket akoma të ketë Maradonën e vet.

Së pari bëhet fjalë për vitin 1989, meqë unë e dua ekipin. Napoli kishte ekip shumë të fortë dhe jo vetëm një person dhe unë jam i sigurtë se anëtarët e ekipit shqiptar, po të punojnë së bashku, do të bëjnë gol.




Skip to toolbar