Mbrëmjen e të shtunës, dy mjetet janë
aksidentuar në aksin rrugor Bulqizë-Peshkopi, në afërsi të Shupenzës. Mësohet se
dy mjetet janë përplasur me njëri-tjetrin. Si pasojë e aksidentit, raportohet
se janë plagosur dy persona, një në gjendje të rëndë.
Konkretisht, një grua, identitetiteti dhe
mosha e të cilës ende nuk dihet, ka mbetur e plagosur rëndë. Për këtë arsye, mësohet
se gruaja do të transportohet drejt Tiranës për të marrë shërbim të specializuar
mjekësor në Spitalin e Traumës.
Ndërkohë, pas aksidentit, policia ka shkuar në
vendin e ngjarjes dhe ka nisur punën për zbardhjen e shkaqeve të tij. Policia,
gjithashtu, ende nuk ka dhënë informacion zyrtar për aksidentin. Ndërkohë,
pak minuta pas aksidentit në Bulqizë, një tjetër ka ndodhur në Lezhë.
Mësohet se një automjet ka përplasur një këmbësor
në Lezhë, ku një mjet tip Fuoristradë, ka përplasur këmbësorin, i cili ka qenë
duke ecur në anë të rrugës në fshatin Barbulloj e Re.
Ndërkohë, ende nuk raportohet për gjendjen shëndetësore
të personit të aksidentuar. Nga informacionet paraprake mësohet se drejtuesi i
mjetit është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa policia e ka shpallur në kërkim.