Edhe pas refuzimit të prerë të Bashës dje, Rama e ka nisur
ditën sot me një tjetër letër publike drejtuar kreut të PD-së. Kjo është letra
e tretë e Ramës, përmes të cilës sërish e fton Bashën të ulen dhe të dialogojnë
për të gjetur një zgjidhje. Lidhur me të gjitha akuzat drejtuar tij, Rama duke
i cilësuar shpifje e gënjeshtra, i shkruan Bashës se e fton të paraqesë prova në
gjykatë për çdo akuzë.
“Do t’Ju ftoj në gjykatë për të sjellë qoftë edhe një provë
të vetme për maskarallëqet që keni artikuluar në mesazhin Tuaj të djeshëm; që
nga 30 milionë eurot që paskam dashur të vjedh e të pastroj në Amerikë me një
kompani fallco(!) e me radhë të tëra”, shkruan Rama.
Kryeministri sqaron dhe situatën e krijuar në drejtësi duke
thënë se vendi është pa gjykata për shkak se vettingu preu fijet që
lidhnin gjykatësit me krimin dhe
korrupsionin.
“Sot Shqipëria është e vërtetë po, nuk e ka funksionale
Gjykatën Kushtetuese, por jo sepse unë nuk dua që ta ketë, po sepse trupa e
Gjykatës Kushtetuese është fshirë në pjesën dërrmuese të saj nga Vetingu dhe
është në procesin historik të rindërtimit pas rrënimit korruptiv, ashtu si i
gjithë sistemi i drejtësisë”, shkruan Rama, teksa i bën thirrje Bashës të mos
ketë frikë nga reforma në drejtësi.
Ai gjithashtu mbetet i prerë dhe thotë se nuk do të japë dorëheqjen
dhe se zgjedhjet do të zhvillohen në 30 qershor.
LETER E TRETE PUBLIKE E EDI RAMËS DREJTUAR LULZIM BASHES
Zoti Kryetar,
kjo letër e tretë po shkruhet pas leximit të mesazhit Tuaj
drejtuar dje qytetarëve, si përgjigje me spond ndaj letrave të mia në adresën
Tuaj për t’u ulur në Tryezën e Dialogut.
E para gjë që mendova duke lexuar atë përmbledhje akuzash
Tuajat ndaj meje, ishte si ka mundësi vallë udhëheqësi i një grupimi politik që
pretendon të qeverisë vendin, të mund të hedhë kaq rrjedhshëm në letër një lumë
të tërë gjysëm të vërtetash (gjysëm të vërtetat janë edhe gënjeshtrat më të
mëdha dihet!), sajesash, vulgaritetesh e veshëgjatësirash të hatashme(?)! Por
unë fatmirësisht s’kam gisht në zgjedhjen Tuaj dhe prandaj edhe s’kam se si ta
përjetoj keq personalisht, faktin se Ju jeni ky që jeni. Kështu që pa problem,
asgjë personale!
Ama sigurisht, përjetoj me dhimbje faktin se tërë lumi i
llumit në fjalë, është derdhur e vijon të derdhet në gjuhë të huaja, duke Ju
bërë Juve të dytin udhëheqës në Europë pas udhëheqësit Tuaj, që i bën një të
padëgjuar batërdi verbale vendit të vet – jo thjesht kundërshtarit të tij. Por
është ende më i habitshëm fakti, se edhe pse megjithë këtë gjuhështhurrje
ekstreme, Ju as i keni fituar, as do t’i fitoni dot deri kur të largoheni nga
detyra votat e shumicës së shqiptarëve, ashtu sikundër as keni bindur e as
bindni dot, asnjë mik e partner ndërkombëtar të Shqipërisë, Ju vazhdoni i bini
fyellit po njësoj. Madje jo, i bini fort e më fort!
Sidoqoftë, për hir të njerëzve që me plot të drejtë presin
nga udhëheqësit e çdo pale Dialog Politik, unë po e konsideroj mesazhin Tuaj
një mundësi për të nxitur Dialogun. Aq më mirë që njerëzit mund të na lexojnë
të dyve.
Ju e nisni mesazhin me “asgjësimin” e Gjykatës Kushtetuese
dhe më atribuoni mua, “shpalljen hapur” të mendimit se “shqiptarët janë më mirë
pa gjykata”! E pavërtetë!
Ndërsa e vërteta është se shqiptarët ishin de facto pa
gjykata, për më shumë se dy dekada kur drejtësia, mu ashtu siç e donte
udhëheqësi Juaj e jo vetëm ai, ishte një mall që i falej më të fortit dhe
blihej nga më i pasuri. Ju keni edhe eksperiencë personale lidhur me këtë fakt
dhe jeni një ilustrim kuptimplotë i tij!
Sot Shqipëria është e vërtetë po, nuk e ka funksionale
Gjykatën Kushtetuese, por jo sepse unë nuk dua që ta ketë, po sepse trupa e
Gjykatës Kushtetuese është fshirë në pjesën dërrmuese të saj nga Vetingu dhe
është në procesin historik të rindërtimit pas rrënimit korruptiv, ashtu si i
gjithë sistemi i drejtësisë. Problemi Juaj nuk është thjesht se nuk dini ç’do
të thotë të rindërtosh pas rrënimit, çka sigurisht Ju nuk e dini për fat të
keq. Problemi Juaj nuk është as se nuk doni ta kuptoni, që të rindërtosh nuk
është një fjalë goje po një përpjekje e mundimshme, e cila kërkon durim e kohë.
Çka fatkeqësisht nuk doni ta kuptoni, e qartë edhe kjo. Por jo, problemi Juaj
është më i madh se mosdija dhe përtacia mendore.
Ju jeni i trembur!
Keni frikë nga zbatimi i Reformës në Drejtësi dhe
përfaqësoni një grupim që udhëhiqet nga frika e kësaj reforme qysh ditën e parë
të nisjes së saj. Por unë s’Ju ndihmoj dot në këtë pikë! Puna Juaj pse e keni
tërë këtë lebeti në atë barkun e kasolles Suaj politike, kështu që kaq për
Gjykatën Kushtetuese.
Vazhdojmë.
Edhe pse Ju jeni natyrisht në dijeni të disa gjyqeve që unë
kam nisur me Ju (për shpifje sigurisht), në mesazhin Tuaj të djeshëm, keni
grumbulluar shumë syresh. Prandaj, për hir të këtij komunikimi të hapur mes
nesh, po Ju bëj me dije se do t’Ju ftoj në gjykatë për të sjellë qoftë edhe një
provë të vetme për maskarallëqet që keni artikuluar në mesazhin Tuaj të
djeshëm; që nga 30 milionë eurot që paskam dashur të vjedh e të pastroj në
Amerikë me një kompani fallco(!) e me radhë të tëra, tek im vëlla që qenka
zbuluar i lidhur me një grup kriminal trafikantësh droge(!), e deri tek
negociatat e mia për kufijtë e Shqipërisë(!)dhe madje edhe të Kosovës!
Puna është se tërë këto shpifje e plot të tjera akoma, të
cilat janë gatuar në kazanin Tuaj të stërmadh, janë derdhur nëpër kazanët e
neveritshëm të mexhelisit tonë mediatik, janë përhapur si mbetje toksike sado e
kudo ku keni mundur, në Shqipëri, në Kosovë dhe nëpër botë, Ju i quani “zbulime”!
Zbulime!
Pra na qenkeshin zbuluar dhe jo gatuar, paketuar e promovuar
prej Jush e atyre që Ju rrethojnë dhe shërbejnë qorrazi, tërë këto të zeza për
të cilat unë, sipas Jush, duhet të kisha dhënë të paktën 20 herë dorëheqjen me
hir, kurse tani u dashka ta jap me pahir! Sepse përndryshe, Ju dhe populli
imagjinar që Ju paska zgjedhur për shpëtimtar, nuk do të lejoni zhvillimin e
zgjedhjeve në 30 qershor apo jo?
Hajde logjikë hajde!
S’ka më keq për një udhëheqës se sa të mos dijë të lexojë
humbjen dhe s’ka më zi për një udhëheqës sesa të humbë logjikën. Unë patjetër
kam bërë gabimet e mia në kryerjen e misionit tim. Po ama asnjëherë s’i kam
tradhëtuar ata që ma kanë ngarkuar këtë mision dhe lidhje në botë s’kam me
maskarallëqet që Ju më keni mveshur e keni mbushur botën! E që të jemi shumë,
po shumë të qartë, askënd përveç atyre që më kanë votuar dhe familjes time (e
cila paguan përditë koston e lartë shpirtërore të baltës së pafundme të
mizerabilitetit politik e mediatik që derdhet ndaj meje e familjarëve të mi),
s’e marr dot seriozisht kur më kërkon dorëheqjen. Ndërsa kur ma kërkoni
dorëheqjen Ju dhe populli imagjinar i punonjësve të bashkive që do dorëzoni si
Çeçua në 30 qershor, bashkë me ujësjellësat e falimentuar, që furnizojnë më
shumë militantë në protestat Tuaja se sa ujë në çezmat e njerëzve, mua vetëm më
shumëfishohen fuqitë për të vazhduar luftën me plagët e panumërta të
trashëgimisë Suaj qeverisëse.
Kështu që i dashur Lulzim, shkeputu nga krahët e mllefit që
ta ka çuar për pambuk logjikën, çlirohu nga paniku i humbjes që të rri shkruar
mbi ballë, mbaje për vete e për Plakun tënd Digjital frikën nga Reforma në
Drejtësi dhe bëj atë që bën çdo udhëheqës në këtë situatë të padëshiruar: Ulu
në Tryezën e Dialogut!
(Ndjesë për momentin e adresimit me “ti”, po sinqerisht
mjaft me këtë karshillëk me zarar që po i bëni vendit, shumicës dërrmuese të
shqiptarëve dhe miqve e partnerëve të Shqipërisë, në një kohë kur Shqipërisë i
duhen kundërshtarë politikë që dinë të arsyetojnë, jo kalamaj në formë burrash
që luajnë luftash në dëm të saj – ndjesë edhe kalamajve për ofendimin e
paqëllimtë!).
Duke Ju ftuar përsëri në Tryezën e Dialogut, Ju lutem të mos
harroni ndërkohë se po nuk u kthyet në realitet, përtej dëmit që mund t’i bëni
vendit dhe atyre pak individëve kokënxehtë, të cilët mbase për të keqen e tyre
mund të shkojnë deri në fund pas berihajit ku po i udhëhiqni, Ju s’keni asnjë
shans të pengoni 30 qershorin të vijë për ata që duan të votojnë. Asnjë shans
të ndryshoni qeverinë pa zgjedhje. Asnjë shans të më ndaloni mua dhe Partinë
Socialiste të Shqipërisë të kryejmë misionin historik të transformimit europian
të Shqipërisë.
Akoma në pritje,
Edi Rama
24 maj, 2019