Monika me pushime, harron protestat. Me Metën në “konkursin” e kosit!

Monika Kryemadhi, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, partia e dytë më e madhe opozitare në vend në krah të PD-së së Bashës është zhdukur nga skena politike, ka nisur pushimet e gjata verore dhe ka harruar aksionin opozitar të premtuar pas zgjedhjeve të 30 qershorit.

Ajo është shfaqur shpesh kohët e fundit në facebook, por ka bërë vetëm postime familjare. Më e fundit është ajo e publikuar të mërkurën nga presidenti Meta, në krah të të cilit është edhe Monika Kryemadhi, bashkëshortja e tij. Të dy ndodhen me pushime familjare në Prevallë. Në postimin e fundit, presidenti Meta ka prezantuar një qytetar dhe thotë se atij i përket çmimi ndërkombëtar për kosin më të mirë (nëse do të kishte një çmim të tillë).

Nëse bëjmë një kontroll të postimeve të Kryemadhit do të shohim, urimin për festën e Bajramit, më 11 gusht; më pas një foto me të birin, Besarin, sërish me pushime në Prevallë në 4 gusht dhe një postim tjetër më 1 gusht, përmes të cilit uron Klajda Gjoshën për lindjen e vajzës së saj.

Pra gjatë gjithë gushtit Kryemadhi nuk ka bërë politikë. I vetmi postim politik është ai i datës 22 korrik ku kujtoi 3-vjetorin e ndryshimeve kushtetuese për reformën në Drejtësi dhe ku akuzoi qeverinë për deformimin e reformës duke përdorur pothuajse të njejtën retorikë si Meta.

Ajo që bën përshtypje është jo vetëm distancimi i qartë që Kryemadhi ka bërë nga Basha por edhe harresa e premtimeve të saj se aksioni politik do të vazhdojë gjatë gjithë verës, përmes protestave.

Në daljen e fundit për mediat pas protestës së fundit të opozitës në 8 korrik Kryemadhi premtoi se “protestat do të vijojnë së bashku me aksionin politik”. Ajo tha se opozita dhe maxhoranca duhet të ulen në tryezë jo për të zgjidhur krizën aktuale por për të zgjidhur krizën e tranzicionit 30 vjeçar në Shqipëri duke kërkuar ndryshim rrënjësor të sistemit. Kryemadhi tha më 8 korrik se “opozita ka përgjegjësi të udhëheqë 85% të shqiptarëve (shifër kjo që u rrëzua nga Meta)”.Ajo gjithashtu premtoi se “për ne si opozitë nuk ka pushime. Nuk do ndalojmë. Do takojmë shqiptarët. Do protestojmë në mënyra të ndryshme”.

Por nga kjo deklaratë kanë kaluar më shumë se 1 muaj dhe deri tani, asgjë nuk ka ndodhur. Monika është me pushime. Tani duhet të japë çmimin ndërkombëtar për kosin më të mirë./Realstory.al

Starton lëvizja brenda PD. Edvin Kulluri-Bashës: Bëhu burrë dhe IK!

Pa pritur ende shtatorin nis të kristalizohet lëvizja “Basha ik” në PD. I pari zë i fuqishëm që ka kërkuar të martën më fort se kurrë largimin e Bashës është ish anëtari i Këshillit Kombëtar, Edvin Kulluri. Përmes një statusi në facebook, Kulluri rendit shumë arsye se pse Basha duhet të lërë postin e kryetarit të PD-së dhe të largohet. Kulluri shkruan se prej 6 vitesh nën drejtimin e Bashës PD nuk bën gjë tjetër veçse kritikon e kundërshton qeverinë, por nuk bind askënd dhe nuk ofron asnjë alternativë.

“PD zyrtare ka 6 vjet që vetëm kundërshton, kritikon, denoncon dhe replikon me qeverinë! PD zyrtare nuk bind se është më e mirë se banda e Ramës në pushtet, nuk krijon alternativë dhe ekip të besueshëm. PD zyrtare nuk dëgjon brenda partisë se si mund të jetë më demokratike, më transparente, më krijuese, më alternative, më e djathtë, më e drejtë dhe më reflektuese. PD zyrtare është shndërruar në opozitë e “forcës së zakonit”! Pasqyrë e keqe e vetës dhe kundërshtarit por jo ofertë më e mirë qeverisëse! Mjafton rrumpalla në politikën e jashtme me rastin e Memorialit të Grushtit të Shtetit në Turqi për të kuptuar se ç’shëmti është ky leadership!”, shkruan Kulluri.

Sipas tij, partia është marrë peng nga një njeri i paaftë i cili gënjeu shqiptarët dhe demokratët me 10 revolucione imagjinare, ndërkohë që tani e mban PD vetëm për hallet e tij. Kulluri i bën thirrje Bashës që të largohet dhe të heqë dorë e të mos gënjejë më shqiptarët.

“Demokratët u lodhën, u robtuan nëpër protesta, bojkote dhe marrëzitë e një njeriu dhe rrethit të tij besnik duke bërë vetëm “hapa pas” dhe “asnjë hap para”! Partinë po e mban peng një njeri i paaftë dhe pa asnjë lloj përgjegjësie për dështimet e njëpasnjëshme! Po i tërheq dëshpërishmisht nga “gënjeshtra në gënjeshtër”! 10 revolucione imagjinare ka drejtuar deri tani dhe Rama ndërkohë ka arritur çdo fitore prej humbjeve të PD! Nëse ke halle të tuat këto nuk janë hallet e PD dhe shqiptarëve! Bëhu burrë dhe ik, por ti nuk je i tillë, se burrat nuk fshihen dhe nuk gënjejnë! Burrat mendojnë, burrat bashkojnë, burrat luftojnë, burrat prijnë, burrat fitojnë! Dhe kur nuk i arrijnë këto, ikin “si burrat”!”, shkruan Kulluri.

Më herët Realstory.al e ka paralajmëruar se në shtator do të nisë lëvizja Basha ik brenda PD-së. Pjesë e kësaj lëvizje përveç Kullurit, i cili ka treguar gjatë gjithë kësaj kohe se është një zë i fuqishëm i kësaj lëvizje, do të ketë edhe të tjerë emra figurash të PD-së të larguar nga Basha ndër vite. Ata janë shprehur kundër vendimeve të tij, siç ishin djegia e mandateve dhe refuzimi për të marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit, dy vendime këto që nxorrën PD-në jashtë çdo sistemi.

Pjesë të kësaj lëvizje do jenë zëra të fortë kritikë të Bashës, që nga Jozefina Topalli, Arben Imami, Edit Harxhi, Edvin Kulluri, Ibsen Elezi e Arben Ristani.

Madje Ibsen Elezi në një prononcim për Realstory.al, pak kohë më parë tha se shumë shpejt anëtarët e lëvizjes Basha Ik do të hartojnë një dokument që synon shpëtimin e PD-së.

Pra lëvizja ka nisur të përvijohet. Ajo që mbetet për t’u parë është qëndrimi i Berishës ndaj saj. Duhet thënë se kohët e fundit Berisha është distancuar qartë nga Basha dhe vendimet e tij dhe nuk ka mbajtur asnjë qëndrim mediatik për situatën në të cilën ndodhet aktualisht PD pa asnjë pushtet as në nivel qendror dhe as në nivel lokal. Më herët realstory ka njoftuar se Basha nuk e gëzon më mbështetjen e Berishës në parti dhe se lideri historik simpatizon një tjetër emër që mbështetet edhe nga ndërkombëtarët. Por deri atëherë ka ende kohë, tani PD-së i duhet të merret me lëvizjen Basha ik që pritet të intensifikohet ndjeshëm në shtator./Realstory.al

Basha kërkon arrestimin e Valdrin Pjetrit. Beteja e fundit për… Voltanën

Në përpjekje për të mbrojtur bashkinë e fundit të djathtë, atë të Shkodrës, kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka kërkuar të hënën arrestimin e kryebashkiakut socialist për këtë bashki, Valdrin Pjetrin të cilin e akuzon se ka fshehur dënimin për trafik droge në Itali. Megjithëse kjo akuzë e Bashës është përgënjeshtruar nga kryebashkiaku socialist, kreu i demokratëve është kapur fort pas kësaj akuze në mënyre që t’i dalë sado pak në krah Voltanës së Shkodrës e cila mbështeti fuqishëm molotovin dhe protestat e PD-së për të penguar zgjedhjet më 30 qershor, falë premtimit të Bashës së ato nuk do të njiheshin dhe se PD nuk do i lëshojë zyrat e bashkive.

“Edi Rama është kërcënim dhe rrezik për jetën dhe sigurinë e çdo familje shqiptare! Ai ka uzurpuar të gjitha pushtetet me një bandë kriminelësh e hajdutësh që i duhen për të vjedhur Shqipërinë.

Valdrin Pjetri duhet të merret urgjentisht i pandehur sepse ka shkelur Ligjin e Dekriminalizimit duke fshehur të dhënat mbi të kaluarën e tij si trafikant droge. Por Edi Rama i ka dhënë urdhër prokurorisë së korruptuar që ta mbrojë nga ligji i dekriminalizimit.

Por sa kohë Edi Rama është në zyrën e kryeministrit, nuk do ketë as drejtësi dhe as demokraci, banditët, kriminelët dhe hajdutët do të sundojnë Shqipërinë.

Krimi dhe Edi Rama janë të pandashëm. Që të largojmë krimin duhet të largojmë Edi Ramën! Shporrja e Hajdutit Psiqik dhe bandës së tij është jetike për sigurinë dhe jetën e çdo familje shqiptare!”, shkruan Basha, i cili poston një video përmes të cilës kërkon hetimin e pasurisë së Valdrin Pjetrit.

Basha thekson dhe njëherë se PD duhet të largojë Ramën nga pushteti ndërsa shfaq pamje nga protestat e mëparshme. Pikërisht kjo vijon të jetë strategjia e Bashës, largimi i Ramës përmes protestave të cilat do të përshkallëzohen, sikur ai vetë e tha pak ditë më herët në një konferencë për shtyp. Basha tha se nëse maxhoranca nuk ofron zgjidhje për krizën PD do të përshkallëzojë protestat në shtator, ndërsa ka refuzuar të pranojë propozimin e Metës si zgjidhje për krizën.

Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi ishte ndër përfaqësueset më luftarake të PD-së, e cila u tregua e gatshme të përdorte molotovin për të penguar zgjedhjet e 30 qershorit. Fill pas tyre ajo mori të gjitha masat që zgjedhjet të mos njiheshin. Madje i kërkoi ambasadorëve të huaj që të drejtojnë Shkodrën me një komision si në vitin 1913. Por tani që zgjedhjet janë fakt i kryer, Basha po bën përpjekjen e fundit për të mbrojtur Voltanën dhe përmes saj edhe veten për shkak se i janë rrëzuar të gjitha premtimet që u bëri kryebashkiakëve të djathtë para dhe pas zgjedhjeve të 30 qershorit.

Edi Rama është kërcënim dhe rrezik për jetën dhe sigurinë e çdo familje shqiptare! Ai ka uzurpuar të gjitha pushtetet me një bandë kriminelësh e hajdutësh që i duhen për të vjedhur Shqipërinë. Valdrin Pjetri duhet të merret urgjentisht i pandehur sepse ka shkelur Ligjin e Dekriminalizimit duke fshehur të dhënat mbi të kaluarën e tij si trafikant droge. Por Edi Rama i ka dhënë urdhër prokurorisë së korruptuar që ta mbrojë nga ligji i dekriminalizimit.Por sa kohë Edi Rama është në zyrën e kryeministrit, nuk do ketë as drejtësi dhe as demokraci, banditët, kriminelët dhe hajdutët do të sundojnë Shqipërinë. Krimi dhe Edi Rama janë të pandashëm. Që të largojmë krimin duhet të largojmë Edi Ramën! Shporrja e Hajdutit Psiqik dhe bandës së tij është jetike për sigurinë dhe jetën e çdo familje shqiptare! #HajdutiPsiqik #RamaIk

Gepostet von Lulzim Basha am Sonntag, 11. August 2019

Basha, opozitë me akuzat e Berishës, kujton vdekjen e Havzi Nelës në 1988

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i është rikthyer kauzave të vjetra të PD-së për të bërë opozitë. Gjatë të shtunës ai ka sjellë në vëmendje rastin e poetit varjes së poetit nga Kukësi 31 vite më parë, teksa ka bërë një analogji me ngjarjet se së tashmes, duke qenë se herë pas herë në fokus të akuzave të tij ka qenë se Rama po e shndërron vendin në një sistem diktatoral.

Megjithëse varja e Havzi Nelës është përdorur prej shumë vitesh nga Berisha si pjesë e akuzave të tij kundër Ramës, pikërisht e njëjta kauzë po përdoret edhe nga Basha.

Në një reagim të gjatë për mediat, kryedemokrati shkruan se heshtja e popullit, përpara atij vendimi të partisë që e shiti vendimin si të drejtë me anë të propagandës, ishte një akt i turpshëm që sipas duhet të shërbej si mësim për ngjarjet sot. Ai shkruan se përballë kësaj qeverie, për të cillën akuzat janë të panumërta, nuk duhet heshtur, por duhet një reagim qytetar për t’i sjellë fundin e saj.

“Dita e sotme duhet të jetë një ditë refleksioni për të gjithë. Turpi kombëtar dhe ndërkombëtar që ne si shoqëri regjistruam 10 gushtin e 1988-s, kur lejuam në heshtje dhe kokulur varjen me vendim partie të një poeti, kur pranuam të depersonalizuar dhe në tradhëti të rëndë ndaj dinjitetit personal dhe kombëtar që banda gjakatare ta bënte shembull kujtimin e tij rrugëve të Kukësit, dhe kur gjithçka e justifikuam me vendime të nënshkruara nga baballarët politikë dhe biologjikë të krerëve të bandës aktuale që prapë shtyp, vjedh dhe dhunon Kukësin dhe mbarë Shqipërinë, ky turp duhet të na skuqë përditë, derisa pendesën dhe reflektimin ta tregojmë me vepra! Përsëritja do e zhyste shoqërinë tonë në fatalitet, do na rreshtonte përfundimisht në ato bashkësi të destinuara të mos mësojnë nga historia e tyre e rrjedhimisht të gllabërohen nga spiralja e ndëshkimit dhe e zhbërjes”, shkruan Basha.

Ditën e premte, kreu i Partisë Demokratike njoftoi se aksioni opozitar do të vijojë në shtator me përshkallëzim të protestave.

Braçe, Bashës: Kujtohu për këtë kontratë dhe dorëzohu në gjykatë

Akuzave të Partisë Demokratike lidhur me ndërtimin e rrugës Thumanë-Kashar, ka venduar t’u përgjigjët zëvendëskryeministri, Erion Braçe.

Braçe i sqaron kryedemokratit se pse kjo rrugë nuk mund të quhet aferë korruptive sipas opozitës dhe i kujton Bashës se në fakt duhet të japë llogari për miliona euro të vjedhura prej tij në rrugën Rrëshen-Kalimash, kur ishte ministër i Transporteve.

Në një dokument zyrtar të firmosur prej Bashës, Braçe i kujton se kjo marrëveshje kishte si kosto një vlerë prej 418 milionë euro por që në realitet për të u paguan 900 milionë euro.  Braçe nuk heziton aspak ta akuzojë Bashën se ato para janë futur në xhepin e tij, ndërsa i bën thirrje që “t’i bindet ligjit dhe të dorëzohet në gjykatë”.

“Lyrzim, a e mban mend këtë kontratë? Lyrzim, a e mban mend këtë tabelë? Është kontrata e ndërtimit të rrugës Rrëshen-Kalimash; është tabela nëe kontratë-faqe 151, e kostos së synuar:

418 milion euro! në fakt ti pagove për të 900 milion euro e ca më shumë! veç për këtë segment! Ata faturuan dhe ti pagove fature me fature deri në 900 milionë euro! Ky është fakti i kryer Lyrzim! Në dosje bashkë me kontratën, kam akuzën e ngritur ndaj teje nga prokuroria, aty tregohet si është vjedhur!Ashtu është vjedhur në rruge! Përgjegjësi për vjedhjen sipas prokurorisë, je ti! Bindu ligjit e dorëzohu para gjykatës Lyrzim!”, shkruan Braçe.

Braçe gjithashtu sqaron se për rrugën Thumanë-Kashar, ku PD akuzon qeverinë se do të vjedh 200 milionë euro, në fakt nuk do të ndërtohet, nuk po punohet dhe se nuk ka se si të ketë vjedhje apo afera korruptive.

“Të lexova dje për segmentin Thumanë-Kashar; shkruaje se aty ishin vjedhur-fakt i kryer, mbi 200 milion euro! pas teje dhe një gazete sot, shkruante se në Thumanë-Kashar, qeveria ka faturuar-fakt i kryer, mbi 200 milion euro! E para gjë, rruga Thumanë -Kashar nuk po ndërtohet, nuk ka nisur të ndërtohet, nuk ka asnjë volum punimesh, për pasojë, as ka faturuar kush e as ka paguar kush qofte edhe një qindarkë nga paratë e buxhetit të shtetit! pra zero leke, zero euro!” shprehet Braçe

Basha “pajtohet” me Metën, por kaotik për 13 tetorin: Ka zgjedhje por PD nuk hyn

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha doli të premten në një konferencë për shtyp ku u përpoq të pajtohej me presidentin Meta, i cili vetëm një ditë më herët e kërcënoi hapur se do t’i merrte drejtimin e opozitës në rast se ai nuk përballet me Ramën në zgjedhje më 13 tetor. Por gjithsesi kreu i PD-së, u shfaq kaotik në qëndrimet e tij, ndërsa nga njëra anë e cilësoi 13 tetorin si datën e vetme kushtetuese për zhvillimin e zgjedhjeve nga ana tjetër tha se PD nuk do të marrë pjesë.

Lidhur me pyetjen se përse nuk u regjistrua në zgjedhjet e 13 tetorit, Basha u përgjigj se partitë politike nuk shkelin kushtetutën nëse nuk marrin pjesë në zgjedhje,  prandaj është në dorën e tyre të regjistrohen ose jo.

“13 tetori është e vetmja datë kushtetuese, dhe të gjithë institucionet përgjegjëse duhet të respektojnë dekretin e Presidentit.

Kush do të veprojë kundër do të dalë para përgjegjësisë. Detyrimet kushtetuese të KQZ janë të përgatiten për zgjedhje.

Nëse partitë nuk hyjnë në zgjedhje nuk kanë shkelur kushtetutën, por kur institucionet shkelin kushtetutën do të dalin para ligjit dhe herët ose vonë do të mbajnë përgjegjësi,”-ka thënë Basha duke e bërë më shumë lëmsh qëndrimin e tij.

Ai u përpoq ta shfaqte qëndrimin e Metës në të njejtën linjë me atë të opozitës, megjithëse deklaratat e presidentit kohët e fundit kanë qenë sulme të hapura kundër Bashës dhe qëndrimit të tij të pandryshuar për të refuzuar 13 tetorin.

“Presidenti po përpiqet në mënyrë aktive në zgjidhjen e krizës. Thelbi i qëndrimit të presidentit është i njëjtë me qëndrimin e Partisë Demokratike dhe aleatëve tanë, që ne kërkojmë të vijmë në pushtet me zgjedhje. Qëndrimi ynë ndaj zgjedhjeve të organizuara nga Edi Rama ka qenë i qartë, transparent, i argumentuar dhe tashmë i faktuar”, shprehet Basha, ku paradoksalisht brenda një paragrafi ka dy fjali me qëndrime të ndryshme.

Basha gjithashtu është i paqartë edhe kur i përgjigjet pyetjes se si do ta largojë Edi Ramën kur nuk futet në zgjedhje.

“Edi Ramën do e largojmë përmes një marrëveshje që do të vijë nga dialogu. Ne jemi të gatshëm për dialog, por ai refuzohet nga kupola e krimit që është Edi Rama”, thotë Basha, ndërsa shton më tej se ai ende shpreson që Rama të japë dorëheqjen pasi, sipas tij, kështu bëjnë liderët në Europë kur përballen me akuza të forta si përgjimet e publikuara nga BILD.

Më tej Basha zbulon se aksioni i opozitës në shtator do të jetë nisja e protestave, ndërsa shton se ato nuk janë ndërprerë kurrë, megjithëse protesta e fundit e PD-së ka qenë ajo e pas 30 qershorit dhe më pas u shtynë për shkak se njerëzit ishin me pushime.

“Nuk ka pikë dyshimi që opozita do vijojë me protestat në shtator sepse ne nuk jemi larguar asnjëherë”, thotë Basha, i cili vazhdon të mbrojë aksionin 6 mujor të PD-së, që nisi me djegien e mandateve të deputetëve dhe bojkotin e 30 qershorit.

Ai sulmoi mediat duke thënë se ata janë kthyer në mercenarë dhe paguhen nga Rama e oligarkët e tij kur shkruajnë se PD dështoi me 30 qershorin dhe me djegien e mandateve. Për Bashën është krejt e kundërta, që të dyja këto vendime kanë qenë të drejta sipas tij.

Basha vazhdon të shpresojë se zgjidhja do të vijë nga ndërkombëtarët. Ai bëri të ditur se delegacione të ndryshme ndërkombëtarësh do ta vizitojnë Shqipërinë gjatë muajit gusht dhe shtator. “Vizita do të ketë shumë edhe në gusht, të faktorit ndërkombëtar, por pengesa e vetme për zgjidhjen e krizës me pasoja të rënda për sigurinë dhe stabilitetin e vendit është refuzimi i Ramës, për të pranuar krizën dhe për ti dhënë zgjidhje krizës sipas parimeve dhe standardeve evropiane”, tha Basha i cili kërcënoi se nëse vazhdohet kështu vendi rrezikon shumë.

Një tjetër pikë e konferencës ishte përpjekja e Bashës për të treguar se opozita nuk është e përçarë, pavarësisht faktit se si Mediu ashtu edhe Kryemadhi iu drejtuan KQZ-së me kërkesën për t’u regjistruar në zgjedhje dhe PD, jo. Basha tha se ky vendim i aleatëve është rakorduar në tryezë me të, por ai i qëndron vendimit politik të marrë nga strukturat e partisë se nuk ka zgjedhje me Ramën kryeministër dhe pa qeveri teknike. Pra edhe gjatë konferencës së të premtes Basha nuk ofroi asnjë ide sesi do të zgjidhjet kriza, po thjesht përsëriti qëndrimin e tij të pandryshuar. Nuk dihet ende sesi do të lexohet nga Meta ky qëndrim i tij, i cili të enjten në një mesazh drejtuar Bashës tha se Rama nuk mundet me fjalë por duke u përballur në zgjedhje. Madje Meta me gjuhën e kryeopozitarit bëri thirrje që opozita të bashkohet dhe të mbështesë dekretin e tij./Reasltory.al

Basha, Llalla e Tahiri, 3 dosjet e bujshme të SPAK

Pas gushtit të nxehtë nuk do të ketë fresk, përkundrazi vjeshta në Shqipëri parashikohet të jetë akoma më e nxehtë, për sa i përket zhvillimeve politike. Sepse në vjeshtë ajo që është sulmuar dhe anatemuar më së shumti nga shumë figura të politikës, do të japë frytet e para. Bëhet fjalë për Reformën në Drejtësi. Në tetor pritet të ngrihet sa më shpejt Struktura e Posaçme Antikorrupsion (SPAK).  10 kandidatë për Prokurorinë Speciale e kanë kaluar vetingun dhe vetëm 2 prej tyre janë ankimuar. 5 të tjerë do dalin në seanca dëgjimore në javët e para të shtatorit dhe në tetor Prokurori e Posaçme Antikorrupsion do të jetë gati.

Pyetja që ngrihet është se cilat do të jenë dosjet e para me të cilat do të nisë punën SPAK? Nisur nga deklarata e një jave më parë e kreut të KLP Gent Ibrahimi, dosja e parë me të cilën do të nisë punën SPAK, do të jetë ajo e ish prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Ai po hetohet nga Krimet e Rënda për 4 vepra penale dhe afatet hetimore. Sapo SPAK të ngrihet, dosja e tij do kalojë menjëherë aty.

Nisur nga dispozitat ligjore, SPAK do ketë kompetencat që kanë sot Krimet e Rënda. Pra dosjet me të cilat kjo strukturë do të merret do të jenë dosjet e hapura aktualisht nga Krimet e Rënda dhe një prej tyre është edhe dosja e kryetarit të PD-së Basha. Ai po hetohet nga Prokuroria e Tiranës për lobimet në SHBA. Basha së fundmi u mor i pandehur për pastrim parash dhe për mosdeklarim të shpenzimeve në fushatë.

Në fakt këtë gjë e paralajmëroi të enjten edhe zëvendës kryeministri Erion Braçe. Në një reagim të tijin në lidhje me deklaratën e Bashës nga Divjaka, i cili tha se kriza politike zgjidhet vetëm me arrestime politikanësh, Braçe shkroi se kreu i PD është një nga personat e parë në listë që do t’i përgjigjet ligjit, jo vetëm për pasuritë e pajustifikuara, shitjen e territorit shqiptarë, vrasjet e 21 janarit, por dhe për hetimin e fundit në SHBA dhe Shqipëri.

“Po në këtë vend duhet të marrë fund pandëshkueshmëria për politikanë, kriminelë me e pa organizim, biznesmenë të paligjshëm. Por ti je i pari në radhë; jo se dua unë kështu, por se ti ke vendosur cv-në tënde të parën në atë radhë”, shprehet zv.kryeministri. Në vijim, Braçe shton se “ke vjedhur si kurrkush aq sa nuk justifikon dot asgjë nga plaçka jote e pamasë, shpenzimet e tua të luksit; ke vrarë si dikush tjetër mu në mes të bulevardit dhe për shkak moshe, ai ta lëshon vendin me qejf; ke shitur këtë vend duke qeshur e pa t’u skuqur surrati na i shite shitjen për blerje territoresh edhe pse në humbëm territor e zeza në të bardhë; Je i vetmi tani që hetohesh paralelisht në SHBA e në Shqipëri për një krim që është më i rëndë se pastrimi i parave!”.

Sipas ligjit të luftës antikorrupsion, pas dosjeve të prokurorisë, do ketë transferim dhe të çështjeve që janë te Gjykata e Krimeve të Rënda. Kjo do të thotë se nga zyrtarët rrezikon ish-ministri Saimir Tahiri.

Sipas statistikave të Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda, nën hetim dhe në gjykim janë dhjetëra dosje me rreth 700 emra, kryesisht nga radhët e krimit. 30 çështje janë në gjykatë me 200 të pandehur, ndërsa rreth 400 emra janë momentalisht në hetim nga prokuroria. Të gjitha këto dosje do i marrë në dorë SPAK.

Kriza tutje, Basha “tëhu”

Në një kohë kur të gjithë ishin në pritje të kryetarit të PD-së Lulzim Basha për të folur rreth krizës politike që ka paralizuar vendin prej më shumë se 7 muajsh, ndodh krejt e kundërta. Asnjë fjalë për krizën, asnjë fjalë për dialogun dhe dhënien e ndonjë sinjali se mund të ketë një rrugë zgjidhje për ngërçin politik. Basha, i qetë në pamje dhe tonin e zërit të tij, doli në një deklaratë për mediat, duke folur me një gjuhë si të ishte Kryeministri i vendit, prezantoi ligje e programe që Partia Demokratike do të ndiqte sapo të vinte në pushtet (duke lënë të kuptohej se kjo do të ndodhte shumë shpejt).

Duke dënuar koncesionet e qeverisë me PPP-të, të cilat Basha i cilëson si afera korruptive, ai lajmëroi se do të kalojnë të gjitha në një proces auditimi dhe kontrolli. Madje Basha paralajmëroi se gjatë muajit shtator do të prezantohej edhe ligji që lufton krimin dhe pastrimin e parave. Ai tha se PD po punon me ekspertë të huaj për hartimin e një plani kombëtar për zhvillimin ekonomik dhe se do të organizojë një operacion dhe grup pune të posaçme për të gjurmuar paratë e vjedhura dhe të krimit.

“Në muajin shtator do të bëj të ditur në detaje planin tonë kombëtar kundër krimit dhe pastrimit të parave, i cili parashikon si hap të parë auditimin dhe hetimin e menjëhershëm pa asnjë përjashtim të të gjitha ndërtimeve dhe veprave publike të mbaruara, në proces apo të planifikuara. Ndërkohë, ka nisur hartimi i disa ligjeve për luftën kundër krimit dhe pastrimit të parave të krimit. Një paketë të tërë ligjore për deklarimin dhe kontrollin e aseteve të politikanëve dhe punonjësve publikë, e cila do të forcojë rregullat e deritanishme, e cila synon të pamundësojë investimin e të ardhurave nga krimi dhe korrupsioni në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë pa u hyrë gjemb në këmbë. Hetimi dhe auditimi do të ndjekë origjinën e parave të investuara si për ndërtimin e objekteve private, ashtu edhe për PPP-të apo koncesionet korruptive apo për blerjen e  pasurive brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ky hetim do të bëhet në bashkëpunim me shërbimet e specializuara ndërkomëbtare. Në këtë kuadër, Partia Demokratike ka marrë ekspertizë të huaj, të specializuar për hartimin e një programi të posaçëm për hetimin dhe rikuperimin e pasurive të tjerërsuara dhe të vjedhura te shqiptarëve. “- tha Basha

Në fakt një deklaratë e habitshme prej kreut të PD-së, të flasë për miratime ligjesh apo programe ekonomike, kur as nuk është më në parlament për t’i propozuar dhe votuar dhe as nuk ka asnjë lloj pushteti për t’i paraqitur ato për qytetarët. Madje këto programe nuk mundet dot t’i paraqes as si programe elektorale, pasi ai nuk është regjistruar në asnjë zgjedhje, as ato të 13 tetorit që presidenti Meta ia bëri si favor opozitës për të hyrë sërish në lojën politike dhe të shpëtonte PD nga vetasgjësimi (edhe pse kjo datë u rrëzua nga Kolegji Zgjedhor). Basha vijon të flasë për luftimin e krimit dhe zhvillimin ekonomik, por ende nuk ka në plan të zgjidhë çështjen kryesore për vendin, krizën politike dhe ofrimit të qytetarëve shqiptarë një stabilitet politik, ekonomik dhe mundësi zgjedhje në zgjedhjet e ardhshme. /realstory.al

Pas Metës reagon Basha. Asnjë reflektim: Rama ik!

E ndërsa presidenti Meta shkruan se Rama nuk largohet vetë por largohet përmes zgjedhjeve dhe i takon opozitës së bashkuar që të përballet me të, kryetari i PD-së, Basha vijon më refrenin “Rama ik”.

Në një postim në facebook Basha publikon një videomesazh përmes të cilit akuzon Ramën se vjedh paratë e shqiptarëve për të bërë rrugë.

“Në vend të ndërtimit të infrastukturës, të rrugëve, të porteve, të linjave të energjisë Edi Rama po vjedh paratë e shqiptarëve gjoja për të bërë rrugë.

Në vendin më të varfër të Europës një kilometër rrugë kushton dhjetë herë më shtrenjtë se në vendet më të pasura të botës, më shtrenjtë se në Amerikë, Gjermani apo Zvicër.

Sepse këto janë projekte për të vjedhur”, shkruan Basha duke e mbyllur postimin me thirrjen “Rama ik”.

Prej 6 muajsh ky është aksioni i opozitës i drejtuar nga Basha. “Rama ik” u dëgjua në 10 protestat e opozitës që synuan pengimin e zgjedhjeve më 30 qershor por nuk ia dolën dot. “Rama ik” u dëgjuan edhe në dy protesta të zbehta të pas 30 qershorit në mbrojtje të bashkisë së Devollit dhe asaj të Kavajës, por sërish nuk ndodhi gjë, bashkitë u morën nga socialistët. Edhe gjatë të mërkurës ku Xhelal Mziu u la vetëm nga PD, u dëgjuan 2-3 thirrje “Rama ik”, por sërish PS mori bashkinë ku si për ironi gjeti permbys foton e Metës. Siç duket aksioni i opozitës me thirrjen “Rama ik” nuk ia arriti qëllimit, por Basha vijon sërish ta thotë pavarësisht se Meta vetëm pak minuta më herët po gjatë të enjtes ia bëri të qartë se Rama largohet vetëm me zgjedhje. Këtë propozim të Metës e kanë mbështetur edhe aleatët e Bashës të cilët kanë kërkuar regjistrim nga KQZ për zgjedhjet e 13 tetorit, ndërsa PD nuk e ka bërë një kërkesë të tillë. Më shumë se largimin e Ramës përmes zgjedhjeve, Basha së fundi ka hallin të pengojë lëvizjen “Basha ik”, që pritet të nisë në shtator, sikur ka njoftuar më herët realstory.al.

Aleatët kanë shpresë te ndërkombëtarët, Duka: Në vjeshtë nis dialogu qeveri-opozitë

Aleatët e Lulzim Bashës kanë shpresë se zgjidhja e krizës do të vijë nga ndërkombëtarët të cilët do të nxisin dialogun mes qeverisë dhe opozitës. Agron Duka, kreu i PAA-së mendon se në vjeshtë do të nisë dialogu mes palëve nën ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve të cilët sipas tij e kanë kuptuar se përgjegjës për këtë situatë është maxhoranca.

 “Pavarësisht distancës që ndan palët dhe pavarësisht pushtetin që ka akumuluar mazhoranca, fati i kësaj krize është i shkruar. Akumulimi ciklik i problemeve, të nisura me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, e pruri situatën në këtë ngërç total nga i cili do të dalim përfundimisht muajt në vijim. Dialogu do të fillojë, dhe do të jenë përsëri ndërkombëtarët që do ta nxisin atë. Pas qëndrimeve të ashpra ndaj opozitës, e cila nuk u shpërblye për daljen nga institucionet, partnerët ndërkombëtar kanë vendosur në shënjestër ata që janë shkaktarët e krizës, mazhorancën. Vendimi i DASH-it në raport me një përfaqësues të lartë politik të PS-së, ishte një sinjal i qartë politik për mazhorancën dhe për drejtësinë shqiptare”, u shpreh Duka për gazetën Sot.

Kreu i PAA tha se vjeshta do të sjellë një fillim të ri të marrëdhënieve mes qeverisë dhe opozitës. “Duke ndëshkuar ata që kanë kryer krim elektoral, do të krijohen kushtet për dialog dhe ndryshimet rrënjësore në ligjin zgjedhor që do të pamundësojnë kriza si kjo e sotmja. Pas gushtit dhe pasi të jenë nxjerrë mësimet e duhura nga të dyja palët, do të kemi një fillim të ri të marrëdhënieve pozitë-opozitë”, u shpreh Duka. Kreu i PAA foli edhe për vendimin e tij për të marrë pjesë në zgjedhjet e 13 tetorit, të dekretuar nga presidenti Meta. Sipas Dukës, ky është i vetmi akt kushtetues që lidhet me zgjedhjet, duke shtuar se pas dorëzimit të kërkesës, KQZ duhet të vendoset në lëvizje.

Pavarësisht deklaratës së Dukës deri tani palët ndodhet në pozicione ekstreme që nuk lënë hapësira për dialog. Megjithëse Rama është shprehur i gatshëm për të dialoguar ai ka vënë kushte të prera duke refuzuar  të heqë dorë nga posti i kryeministrit si dhe të negociojë për zgjedhje të parakohshme. Pikërisht këto janë edhe dy kërkesat parësore të Bashës. Ai thotë se s’ka zgjedhje me Ramën kryeministër dhe pa një qeveri tranzitore. Madje vetë kryeministri ka thënë se deri tani ata nuk kanë pasur asnjë urë komunikimi mes tyre as me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, ndërsa këta të fundit e kanë bërë të qartë se zgjidhja e krizës duhet të vijë nga institucionet shqiptare. Ndoshta deri në vjeshtë do të rrjedhin shumë ujëra që mund të përmbysin këto qëndrime duke sjellë edhe zgjidhjen e krizës në vend.

Skip to toolbar