U miratua në Komisionin e Sigurisë Kombëtare vendimi i Qeverisë për “amnistinë”. Por, në variantin përfundimtar janë përfshirë dhe disa amendime. Ndryshimi i parë lidhet me penalizimin e personave që kanë vjedhur. Ermonela Felaj, kryetare e Komisionit, kërkoi që personat që kanë vjedhur të mos përfshihen në amnisti, pasi sipas saj fenomeni është në rritje. “Vjedhja është një vepër e përhapur, janë 4 mijë e ca raste, gati gjysmës nuk i dihet autori. Prandaj të dënuarit për vjedhje të mos përfitojnë nga amnistia”, u shpreh Felaj. Gjithashtu, Kryetarja e Komisionit të Sigurisë kërkoi që në “aminsti” të përfshihet falja e dënimit për personat që janë dënuar për ndërtime pa leje, ndryshim i cili u pranua dhe miratua. Megjithatë, nga radhët e mazhorancës jo të gjithë ishin dakord për amnistinë.
Deputeti Spartak Braho doli kundër mënyrës se si ishte hartuar amnistia. Ai tha se ajo ishte “jo humane”, duke kërkuar lirimin e të gjitha grave që ndodheshin në burg. “Drafti është i njëjtë me atë të 2016. Pse nuk amnistoni shpifjen, fyerjen? Mendja më thotë se jeni selektivë, mund ta kem edhe gabim. Kjo amnisti nuk ka humanizëm, të tëra gratë duhet të dalin nga burgu. Gruaja edhe kur vret, vret nga halli, edhe kur bën vetëgjyqësi e bën nga halli. Gruaja lë familjen, lë fëmijët. Duhet të jemi më humanistë me gratë dhe moshat e reja. Mbani në burg, një, pse e mbani atë (të rinjtë). Ai shtet që bën amnisti është shtet i fortë, nuk është i dobët. Nuk trembet shteti serioz nga ata që dalin nga qelitë”, tha Braho.
Megjithatë, Kryetarja e Komisionit të Sigurisë tha se “nëse ka shkelur ligjin, çdo njeri duhet të dënohet. Nuk është rasti që dikush të dalë sikur është mbrojtës më i mirë i grave apo të miturve”, tha Felaj duke dalë kundër idesë se Brahos. Ndërkohë, Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj tha se nga amnistia janë përjashtuar të dënuarit me rrezik të lartë. “Sakrifikova mbledhjen e qeverisë sot për të vijuar mbledhjen për amnistinë. Lirimin e disa subjekteve kriminale me rrezikshmëri të lartë. Edhe unë i kam marrë masat dhe kam reaguar duke kërkuar nga institucionet e drejtësisë reagimin e përshtatshëm dhe për këtë arsye kemi qenë të kufizuar për kriteret dhe kategoritë e atyre që përfitojnë”, tha Gjonaj.
Kategoritë që përfitojnë nga amnistia:
1. Amnistohen personat e dënuar meshkuj me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 2 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën, pezullimin e dënimit me burgim ose çdo lloj dënimi tjetër alternativ, për dënime të dhëna,deri në datën 30.09.2019, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.
2. Amnistohen personat e dënuar femra dhe të mitur me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën, pezullimin e dënimit me burgim ose çdo lloj dënimi tjetër alternativ, për dënime të dhëna deri në datën 30.09.2019, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.
3. Amnistohen personat e dënuar meshkuj me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet.
4. Amnistohen personat femra dhe të mitur të dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 3 vjet.
5. Amnistohen personat e dënuar femra, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç.
6. Amnistohen personat e dënuar meshkuj, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç.
7. Amnistohen personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç.
8. Të gjithë të dënuarve femra dhe të mitur që nuk plotësojnë kriteret për të përfituar amnisti, sipas paragrafëve 2, 4, 5 dhe 7 të këtij neni, u zbritet 1/3 e dënimit të mbetur, pavarësisht kritereve ndaluese të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji. Nuk përfitojnë sipas këtij paragrafi, personat e dënuar përsëritës të së njëjtës vepër penale.