Di Maio: Do bëjmë gjithçka për Shqipërinë

Pas vizitave që pati në disa nga zonat e prekura nga tërmeti dhe takimin me dyer të mbyllura me Kryeministrin Edi Rama, Ministri i Jashtëm i Italisë foli në një konferencë për mediat. Duke konfirmuar solidaritetin me Shqipërinë dhe mbështetjen për të kaluar situatën e vështirë krijuar nga tërmeti, Luigi Di Maio konfirmoi qëndrimin e Italisë për një vendim pozitiv nga BE për negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Për mua qe një kënaqësi e madhe që pata një bisedë të frytshme me km Rama. Arsyeja kryesore për të cilën ndodhem këtu jo vetëm për të çuar më tej miqësinë historike por edhe për të shprehur mbështetjen tonë pas situatës së tërmetit, mbështetjen dhe për rrugëtimin europian të Shqipërisë. Pata rastin të vizitoj dhe një kamp me çadra të ngritura nga emergjencat italiane në Vorë, mora pjesë në nënshkrimin e dhurimit të materialeve nga ana e mbrojtjes civile italiane. I theksova kryeministrit mbështetjen e palëkundur të Italisë në rrugën europiane të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Italia këmbëngul mbi nevojën e një vendimi pozitiv për të dyja vendet dhe për të përcaktuar dhe një datë për thirrjen e konferencës së parë mbarëqeveritare”.

Më tej, Di Maio i bëri thirrje klasës politike në vend, që të ul tensionet, duke krijuar një klimë që i shërben rrugëtimit europian të Shqipërisë. “I shpreha kryeministrit edhe urimin tonë dhe dëshirën tonë që të gjithë aktorët politikë të angazhohen në vendosjen e një klime që të mos kompromentojë rrugëtimin europian të Shqipërisë duke favorizuar uljen e tensioneve dhe çeljen e kanaleve të dialogut. Italia është partneri i parë me Shqipërinë dhe vendi i parë për sipërmarrjet”, deklaroi ministri italian.

Më tej, duke folur për tërmetin e 26 nëntorit dhe procesin e ringritjes, Di Maio u shpreh se Italia do të vijojë të mbështes Shqipërinë. Ministri i Jashtëm i Italisë u shpreh gjithashtu se Kryeministri Conte do të punojë që në Shqipëri të rikthehet normaliteti, duke kërkuar gjithashtu që konferenca e donatorëve të zhvillohet në Shqipëri.

“Ka qenë një bisedë mjaft e frytshme. I theksova kryeministrit afërsinë dhe praninë e Italisë me Shqipërinë jo vetëm për anëtarësimin por edhe sa i përket çështjes së goditjes së pësuar nga tërmeti. BE do të bëjë më shumë. Ato burime që u vunë në dispozicion përbëjnë vetëm hapin e parë. Populli shqiptar nuk do të lihet vetëm. Duhet të bindë dhe KE që t’i qëndrojë pranë popullit shqiptar. Do punojmë fuqishëm dhe në konferencën e donatorëve. Do vëmë në dispozicion teknikët tanë që të bëjmë një vlerësim paraprak të dëmeve që konferenca e donatorëve të ketë një kuadër të qarrtë të situatës”, deklaroi Luigi Di Maio.

Kabineti i ri në Itali, peng i numrit dy të qeverisë

Partia Demokrtike dhe Lëvizja 5 Yjet, janë pranë gjetjes së marrëveshjes për krijimin e qeverisë së re në Itali, duke shmangur zgjedhjet e parakohshme, pas dorëheqjes së kryeministrit Conte. Palët kanë arritur parimisht krijimin e një koalicioni mazhoritar në Parlament, duke krijuar kështu mundësinë për një qeveri të re, ku pritet që Giuseppe Conte të rizgjidhet Kryeministër. Por, siç raportojnë mediat italiane, problemi i vetëm që duhet zgjidhur, është ai i zëvendës kryeministrit. Sekretari i PD, Nicola Zingaretti ka zhvilluar një takim me presidentin Sergio Mattarella ku i ka komunikuar atij gjetjen e marrëveshjes mes PD dhe M5S.

“Ne konfirmuam me vendosmëri nevojën për të ndërtuar një qeveri të përparuar dhe me vazhdimësi. Ne e duam Italinë dhe mendojme se ia vlen ta provojmë këtë përvojë. Të shmangin përgjegjësinë e guximit për të provuar është e vetmja gjë që nuk mund ta lejojmë, ne synojmë t`i japim fund kohës së urrejtjes, pakënaqësisë dhe frikës”, ka thënë Zingaretti. Mëngjesin e të mërkurës, është mbajtur takimi vendimtar mes M5S dhe PD, ku është vendosur për të vijuar negociatat për krijimin e qeverisë së re.

Megjithatë, palët kanë ende një problem që po mban peng zgjidhjen përfundimtare të krizës, çështjen e zëvendës kryeministrit. Udhëheqësi i Lëvizjes 5 Yje, Luigi Di Maio nuk ka pranuar kërkesën e Partisë Demokratike që qeveria e re të ketë një zëvendës kryeministër, dhe ai të jetë nga radhët e kësaj force politike. Emri i sekretarit të përgjithshëm të PD, Nicola Zingaretti, është gjithashtu favorit për të marrë këtë pozicion, që do të ishte një kundërpeshë ndaj kryeministrit, nëse do të rizgjidhet, Giuseppe Conte.

Skip to toolbar