Nga
Spartak Ngjela
Korrupsioni i lartë shtetëror është energjia
e errët e shoqërisë shqiptare në njëqind vjet. Korrupsioni ka qenë motivi
kryesor i pushtetit në Shqipëri, por sot po i vjen fundi… Ky, në fakt, ka
qenë dhe mbetet një fenomen shqiptar. Reforma në Drejtësi besohet se do ta
eliminojë më në fund energjinë e errët në gjirin e shoqërisë shqiptare.
Ja cila është gjendja sot, kur Refotma në
Drejtësi sapo ka nisur
l.
Në Shqipëri sot konstatohet:
Një qeveri që nuk kuptohet se me çfarë skeme
po punon në drejtimin politik dhe ekonomik të Shqipërisë. Një opozitë e dalë
jashtë parlamentit për të destabilizuar Shqipërinë. Një kryeministër në hall,
që po flet jashtë sensit normal në trajtimin e gjëndjes shoqërore në Shqipëri.
Por, ka edhe një kërcënim amerikan antikorrupsion,
dhe një humbje të toruas politike në funksion të së ardhmes që vjen shpejt. Kuptohet
qartë se të gjithë janë të kërcënuar nga ajo që pritet të ndodhë. Jemi në një
pikë historikë sot, ku tragjedia e të korruptuarve është e mira maksimale e
shqiptarëve. Por kjo tragjedi e ndierë nga korrupsioni i lartë shtetëror, në
pushtet apo në opozitë, krijon, për çdo ditë e më shumë, reaksion antireformë
në Shqipëri. Kjo, në fakt, e ka sjellë vonesën në ecurinë e likuidimin të
energjisë së errët shqiptare.
ll.
Çfarë është energjia e errët shqiptare?
Përderisa ka një energji të errët (dark energy)
në univers, ne mund ta huazojmë si koncept për të thënë se ka një energjia të
errët edhe në shoqëri. Ne na duhet të themi se kjo ndodh edhe në një shoqëri
sepse, edhe aty, brenda saj, ka një energji të errët e cila krijon ligësinë
njerëzore si psikologji, dhe korrupsionin e lartë shoqëror si krim.
Energjia e errët e universit zgjeron
universin, kurse energjia e errët e shoqërisë zmadhon të keqen njerëzore
nëpërmjet motivit për pushtet. Pasurohu dhe krijo mjerim kombëtar: kjo është
shtysa e energjisë së errët për afër tridhjetë vjet në Shqipëri. Izolo
Shqipërinë dhe krijo mjerim kombëtar për pushtetin tënd: kjo ka qenë energjia e
errët e Enver Hoxhës. Just the same. Reforma në Drejtësi do ta eliminojë dhe
bllokojë energjinë e errët të shoqërisë shqiptare.
lll.
Çfarë ka krijuar energjia e errët në
shoqërinë shqiptare? Dhe, si do të mund ta mbyllë përfundimisht Reforma në
Drejtësi këtë fenomen që vjen nga ligësia njerëzore? Energjia e errët ka krijuar në historinë
njëqindvjeçare të shtetit shqiptar pushtetarë të korruptuar dhe kryeministra
që, për interesin e vet material dhe atë të pushtetit, kanë shitur interesin
kombëtar tek pushuesit e Shqipërisë natyrore, duke goditur mjaft rëndë etninë
shqiptare në Ballkanin Perëndimor.
Ky korrupsioni enorm dhe shitja e interesit kombëtar kanë krijuar
varfërinë shqiptare, por edhe përçarjen shoqërore të etnisë shqiptare në
njëqind vjet rresht. Luftë klase, i tha Enver Hoxha të gjithë tragjedisë që krijoi terrorin
shtetëror shqiptar, izolimin tërësor të Shqipërisë dhe braktisjen tërësore të
etnisë shqiptare në Ballkanin Perëndimor.
Integrim me Bashkimin Evropian, e quajti
mjerimin shqiptar korrupsioni i lartë shtetëror në tridhjetë vjetët e
paskomunizmit në Shqipëri. Kjo është gjendja, dhe këtë gjendje e eliminon vetëm
zbatimi i ligjit. Ligji është monarku absolut që do të krijojë Reforma në
Drejtësi dhe, ky monark, do ta çlirojë shoqërinë shqiptare nga një e keqe
shekullore.
Domethënë, shpresa e shqiptarëve është
funksionimi i ligjit si goditje penale antikorrupsion dhe, respektimi i ligjit,
si mbarëvajtje shoqërisë në të gjitha aspektet e jetës shoqërore. Kjo do të
krijojë realisht në Shqipëri drejtësinë e munguar. Këtë kërkon të krijojë
Reforma në Drejtësi, tanimë e nisur dhe e kompletuara ligjërisht. Është një
kushtetutë e miratuar me konsensus të të gjitha palëve, dhe janë rreth 12 ligje
organikë që rrjedhin nga kërkesat e kushtetutës për të krijuar pemën
institucionale të vetë reformës.
Shqipëria më në fund po ndodhet në pragun e
ndryshimet të madh, për të kaluar në moralitetin e drejtimit shtetëror. Po, a
ka një forcë reale që e garanton këtë? Po, ka. Politika amerikane i është
zotuar shqiptarëve botërisht për këtë garanci, dhe po shihet qartë që ajo po ua
jep shqiptarëve të vuajtur këtë garanci. Madje me forcë…