Teuta, Laçi dhe Kukësi
i kanë dhënë fund me turp aventurës në Europa League për këtë sezon, duke
treguar dhe njëherë nivelin e dobët të futbollit shqiptar. Skuadra durrsake, e
rikthyer në Europë pas shumë sezonesh mungesë, është eleminuar nga letonezët e
Ventspils, pasi ka humbur me rezultatin e përgjithshëm 1-3. Teuta fitoi të
enjten ndeshjen e kthimit në shtëpi ndaj skuadrës së Ventspils me një gol të
Sherif Kallakut, por kaq nuk ka mjaftuar, pasi miqtë fituan ndeshjen e parë në
shtëpi me rezultatin 3-0.
Me rezultatin përfundimtar
1-4 (për të dyja ndeshjet), edhe Kukësi është eleminuar nga Europa League nga
hungarezët e Debrecen. Në ndeshjen e luajtur në “Elbasan Arena”, skuadra e
Ernest Gjokës nuk ka shkuar më shumë se barazimi 1-1, duke mos arritur të bënte
mrekullinë. Ka qenë Valon Ethemi ai që ka shënuar golin e vetëm për verilindorët
në Europa League në dy ndeshjet e turit të parë kualifikues, por që nuk mjaftoi
kundër 4 golave të Debrecen.
Laçi është mundur
nga Hapoel Beer Sheva në Izrael me rezultatin 1-0, pas barazimit 1-1 në
ndeshjen e parë luajtur në shtëpi. Skuadra e Sulejman Starovës ka tentuar të bëj
më të mirën në Izrael, por një gol i Sabag i shënuar në minutën e 69` të takimit, ka prishur ëndrrën e
kurbinasve.
Në këtë mënyrë, të
treja skuadrat shqiptare, Teuta, Kukësi dhe Laçi, i japin fund aventurës në
kupat e Europës shumë herët, duke humbur mundësinë për të vijuar më tej, e njëkohësisht
për të arkëtuar shuma të konsiderueshme të ardhurash. I vetmi ekip që vijon
ende në Europë, është Partizani, që pas eleminimit në Champions, tashmë do të
luajë në Europa League.