Sulmi ndaj Lubonjës? Balla: Nxiten nga retorikat e politikës ndaj gazetarëve

AKTUALITET


Gazetari dhe drejtuesi i “Real Story” dhe “Realstory.al”, Sokol Balla ka reaguar duke shprehur solidaritet ndaj sulmit që i është bërë mjetit të vëllait të gazetarit Fatos Lubonja, gjatë të dielës. Me një reagim në rrjetet sociale, Sokol Balla, evidenton faktin e hidhur të mungesës së solidaritetit mes gazetarëve, përfshirë dhe atë vetë, që vetëm pak ditë më parë u kërcënua gjatë një konference për shtyp nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Sokol Balla nxjerr në pah faktin, se sa të pambrojtur janë gazetarët, që bëhen preh e sulmeve që motivohen nga retorika e egër e politikanëve shqiptarë, dhe padyshim standardin e dyfishtë që përdorin këta politikanë në shprehjen e solidaritetit, sikundër bën këtë të diel Ilir Meta, Monika Kryemadhi dhe Lulzim Basha.

“Dhe këtu larg në Rio, ndërsa shëtisja në Ipanema, pa njerëz në mëngjes, mësova për incidentin që mund të ketë përfshirë Lubonjën ose vëllain e tij. Pastaj lexova postimin e Presidentit, të gruas së Presidentit, të partnerit të saj opozitar dhe babait të tij shpirtëror. Pa i hyrë dy-standardeve dhe të vërtetës shumë thellë, indiferent ndaj mungesës së solidaritetit mes nesh njerëzve të medias në raste të tillandaj meje, totalisht solidar me Lubonjën dhe familjarët e tij, edhe ky rast tregon sesa të pambrojtur janë gazetarët, sesa shpesh ata janë vetëm me hijen e tyre, përballë retorikave të egra të politikanëve, që pastaj motivojnë indirekt të çmendur në rrugë të sulmojnë ata (gazetarët) në mënyrë agresive. Nuk e them këtë si shenjë frike, po jo të gjithë i kemi sistemuar fëmijët me pallate dhe eskorta policie”, shkruan gazetari Sokol Balla.


Të dielën u denoncua në media një rast ku pretendohej se ishte sulmuar makina e gazetarit Fatos Lubonja. Lajmi bëri xhiron e mediave fillimisht, më pas, njëzëri dhe në mënyrë të sinkronizuar, reaguan dhe krerët e opozitës, përfshi Ilir Metën. Basha, Monika dhe bashkëshorti i saj, Presidenti, shprehën idinjatën dhe nxituan ta cilësonin sulmin “politik” apo nga “çunat problematik”, ende pa folur policia. Kjo e fundit foli më pas, dhe sqaroi se personi që ka goditur mjetin, i cili nuk ishte i Fatos Lubonjës siç mësoi Realstory.al, por i vëllait të tij, ishte një person me probleme mendore. Pasi ishte arrestuar, personi është lënë përsëri i lirë. (Lexo lajmin për sulmin e makinës së Lubonjës)




Skip to toolbar