Presidenti i FIFA uron Partizanin, Infantino: Vazhdoni me përkushtim

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infatntino i ka dërguar një letër urimi Presidentit të FSHF-së Armand Duka dhe nëpërmjet tij uron dhe klubin e Partizanit, që u shpall kampion i Kategorisë Superiore për këtë sezon.

“U gëzova shumë kur mësova që KF Partizani u kurorëzua kampion i Shqipërisë për sezonin 2018/2019. Me gëzim të madh e përgëzoj ekipin për titullin kampion, të cilin e prisnin që nga 1993, dhe të 16-tin në total”, shkruan ndër të tjera Infantino në letrën e urimit për Partizanin.

Gjithashtu, kreu i qeverisë botërore të futbollit inkurajon klubin e Kuq, për të vijuar punën me vendosmëri dhe përkushtim, ndërsa shpreh mirënjohjen për Partizanin dhe FSHF-në, për shpërndarjen e mesazheve pozitive për futbollin.

Letra e plotë e Gianni Infantion:

I dashur President

U gëzova shumë kur mësova që KF Partizani u kurorëzua kampion i Shqipërisë për sezonin 2018/2019. Me gëzim të madh e përgëzoj ekipin për titullin kampion, të cilin e prisnin që nga 1993, dhe të 16-tin në total.

Kjo është pa dyshim rezultati i përpjekjeve dhe një pune të palodhshme, dhe i gjithë stafi dhe personat e përfshirë duhet të jenë krenarë për këtë arritje të madhe.

Përcillja përgëzimet e mia lojtarëve, trajnerit, administratorëve, stafit teknik dhe mjekësor , gjithashtu edhe tifozëve të saj.

I inkurajoj ata të vazhdojnë punën me vendosmëri dhe përkushtim.

Ne emër të komunitetit ndërkombëtar të futbollit, gjej rastin të falenderoj KF Partizanin dhe Federatën tuaj, për ndihmën e shpërndarjes së mesazheve pozitive për futbollin, dhe praktikimit të kësaj loje të bukur që na bashkon të gjithëve.

Me kënaqësi pres t’ju takoj së shpejti në Paris, me rastin e Kongresit të 69-të FIFA-s.

Me respekt,

Gianni Infantino

Stadium i ri për Apoloninë. A do qetësohet Kokëdhima?

FSHF ka nisur bisedimet për të financuar një stadium të ri. Pas stadiumeve të Elbasanit dhe Shkodrës, “Arenës Kombëtare” që është pranë përfundimit, si dhe “Zeqir Ymerit” në Kukës që pritet të nisë punimet, një tjetër impiant në Shqipëri bëhet gati për investime.

Ditën e sotme, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, zhvilloi një takim me kryetarin e Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, si dhe presidentin e klubit të Apolonisë së Fierit, Koço Kokëdhima, me qëllim kryesor bashkëpunimin për nisjen e punimeve në stadiumin e Fierit.

Pas këtij takimi, është rënë dakord që të fillojë puna në “Loni Papuçiu”, për një stadium që do të shkojë deri në 8000 vende. FSHF pritet të paguajë për 1/3 e investimit, ndërsa pjesa tjetër do të mbulohet nga Qeveria dhe Bashkia Fier.

Stadiumi i cili me siguri do të ndërtohet nga kompanitë e Kokëdhimës, i cili njihet për aktivitete edhe në ndërtim, pritet të qetësojë presidentin e Apolonisë, i cili që prej përjashtimit nga PS, ka ngritur një aksion politik kundër ish beniaminit të tij, kryeministrit Edi Rama, bile duke kërcënuar se do të kandidojë në Tiranë.

Por qindra milionat që FSHF dhe qeveria do derdhin në arkat e Kokëdhimës mund të qetësojnë disi atë dhe financat e tij. Në fakt qetësimi u vu re në faqen e parë të gazetës Shekulli të martën, kur artikull i parë ishte ai që sulmonte direkt LSI për aferën e byzylykëve të të burgosurve.

Mbijetesa e rënia në Kategorinë I. Vendosen ndeshjet e Play-Off

Bylis dhe Vllaznia janë dy ekipet që ngjiten në Superligë, teksa mbetet ende për tu përacktuar skuadra që zbret nga Superliga. Ndërkohë, ekipet që luftojnë për mbijetesë në Kategorinë e Parë dhe ato që synojnë të ngjiten nga e dyta janë katër.

Kështu, pas ndeshjeve të fundit të kampionatit, Elbasani dhe Veleçiku janë dy skuadrat e Grupit A dhe B, që do të zhvillojnë një ndeshje Play-off me Luzin dhe Shkumbinin, dy ekipet e renditura në vendin e dytë në Kategorinë e Dytë dhe që synojnë të ngjiten në të parën.

Gjatë ditës së sotme, sipas një njoftimi të FSHF-së, është përcaktuar data, oraret dhe stadiumet ku do të zhvillohen dy ndeshjet finale të paly-off për të përcaktuar dhe dy ekipet që do të luajnë sezonin e ardhshëm në Kategorinë e Parë.

Njoftimi i FSHF-së: Pas përfundimit të sezonit 2018-2019, janë zyrtarizuar edhe datat e oraret e finaleve play-off mes skuadrave nga Kategoria e Parë dhe të Kategorisë së Dytë. Këto dy takime do të përcaktojnë edhe dy skuadrat që do të luajnë në Kategorinë e Parë sezonin e ardhshëm.

Veleçiku dhe Elbasani, që u renditën të parafundit në grupet përkatëse në Kategorinë e Parë, do të luajnë një ndeshje shtesë, përkatësisht kundër Shkumbinit dhe Luzit 2008.

PLAY-OFF

E premte, 24.05.2016, ora 16.00

Veleciku – Shkumbini (stadiumi “Tofik Jashari”, Shijak)

Elbasani – Luzi 2008 (stadiumi “Adush Muça”, Ballsh)

Protesta e opozitës më 25 maj, shtyhen ndeshjet e Superligës!

Federata Shqiptare e Futbollit, me një njoftim të publikuar orët e vona në rrjetet sociale, njofton se ka ndryshuar axhendën e ndeshjeve të Kategorisë Superiore. Sipas njoftimit të FSHF-së, java e 35-të e Superligës do të shtyhet me një ditë, pra nga e shtuna që ishte parashikuar të luheshin katër ndeshje, ato do të luhen të dielën.

Ndonëse nuk jep arsye pse ka ndodhur ky spostim i kalendarit të ndeshjeve, kuptohet që FSHF-ja ka zgjedhur të shkangë zhvillimin e kampionatit në ditën që do të zhvillohet protesta e radhës e opozitës. Sakaq, të enjten e javës së ardhshme do të luhet dhe java e 36-të dhe e fundit e kampionatit për këtë sezon.

“Ndryshon kalendari Kategorisë Superiore. Java e 35-të e Superiores e planifikuar për tu zhvilluar e gjitha ditën e shtunë, do të zhvillohet ditën e dielë, datë 26 Maj. Në të njëjtën kohë është spostuar për një ditë dhe java e 36-të, e cila do të luhet ditën e enjte, datë 30 Maj”, shkruhet në njoftimin e FSHF-së.

Përjashtini i Kamzës, FSHF bën sqarimin e rëndësishëm për ekipet e ligave inferiore!

Përjashtimi i Kamzës nga kampionati pas akteve të dhunës të disa muajve më parë dhe zbirtja e saj në Kategorinë e Dytë, krijoi një polemikë të re sa i përjet ngjitjes së ekipit që do të ngjitet në Kategorinë e Parë.

Federata Shqiptare ka bërë një sqarim publik lidhur me ekipin që do të ngjitet nga Kategoria e Dytë në të parën, me qëllim që t’i lirojë vendin ekipit të Kamzës, që zbret direkt nga Superliga.

Sipas rregullores, në dy grupet e Kategroisë së Parë zbresin direkt dy ekipet që renditen në vendin e fundit në dy grupet përkatëse. Ndërsa ekipet e parafundit në Grupin A dhe B, zhvillojnë ndeshje Play-off me dy ekipet që mbajnë përkatësisht vendin e dytë në grupin A dhe B të Kategorisë së Dytë.

Dy ekipet humbëse të këtyre ndeshjeve, sipas Federatës Shqiptare të Futbollit, do të zhvillojnë dhe një ndeshje finale mes tyre, për ekipin e tretë që ngjitet ose mbijeton në Kategorinë e Parë.

Ja njoftimi i FSHF-së:

“Sektori i Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit, në ineterpretim të rregullores së aktivitetit, dëshiron t’ju informojë në lidhje me skuadrën e cila do të plotësojë numrin e klubeve në Kategorinë e Parë për sezonin 2019-2020”.

“Dy ekipet që humbasin ndeshjet play-off do të zhvillojnë një ndeshje finale midis tyre për të përcaktuar skuadrën e tretë që do të qëndrojë ose ngjitet në Kategorinë e Parë”.

Islandë-Shqipëri, nis shitja e biletave, ja ku i gjeni!

Veç biletave për ndeshjen me Moldavinë, të cilën kombëtarja jonë do t’a luajë në Elbasan, FSHF ka nxjerrë në shitje edhe biletat për ndeshjen me Islandën që do të luhet në transfertë, më 8 qershor.

Të gjithë tifozët e interesuar, të cilët kanë dëshirë të ndjekin kombëtaren në këtë ndeshje në transfertë, do të kenë mundësi që biletat ti blejnë online në faqen e federatës.

“Federata Shqiptare e Futbollit, njofton të gjithë të interesuarit së kanë dalë në shitje biletat e ndeshjes eliminatore të EURO 2020, Islandë-Shqipëri, përballje e cila do të zhvillohet në datën 8 qershor 2019, ora 13:00 me orën islandeze dhe 15:00 me orën tonë”.

“Kjo ndeshje do të zhvillohet në stadiumin “Laugardalsvöllur”, adresa Laugardalur IS-104, Reykjavik, Islandë”.

“Biletat për përballjen e kuqezinjve, do mund ti blini online në websitin e FSHF-së. Në shitje do të gjeni 2 kategori biletash si mëposhtë:

Biletat në sektorin J dhe K kushtojnë 5,330.00 L.
Biletat në sektorin B kushtojnë 7,280.00 L”, shkruhet në njoftimin e FSHF-së.

Reforma në Sport, Armand Duka: Shqipëria duhet të ketë ministri dedikuar!

Vijojnë diskutimet për Reformën në Sport mes Federatës Shqiptare të Futbolit, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe palëve të tjera të përfshira në të. Gjatë kësaj të hëne është mbajtur një tryezë e rrumbullakët ku është diskutuar mbi “Luftën kundër dhunës në sport. Ndryshimet në Kodin Penal”.

Në këtë tryezë të organizuar nga Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, morën pjesë drejtuesit e të gjithë federatave sportive dhe u diskutua në lidhje me ndryshimet që kërkohen të bëhen në Kodin Penal për të luftuar dhunën në sport.

Ministrja Shahini tha se dhuna e shfaqur në sport në Shqipëri është tentuar të luftohet nga vetë Federatat sportive por masat që kanë marrë këto Federata kanë qënë të pamjaftueshme dhe nuk kanë arritur ti japin përfundimisht fund dhunës.

“Ka ardhur momentin që të ndërmarrim ndryshime dhe masa më strikte për adresimin e këtij fenomeni. Në këtë kuadër, për parandalimin e dhunës në sport, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme kanë ngritur një grup pune dhe kanë hartuar disa ndryshime në Kodin Penal”.

Përfaqësuesit e Federatave të pranishme në këtë tryezë nënvizuan rëndësinë që ndryshimet mos të ngelen vetëm te Kodi Penal, por ti kushtohet një debat i madh ndryshime ligjore që kanë të bëjnë me aspektin financiar, duke parë vështirësitë që ka sot sporti në Shqipëri.

Presidenti i FSHF-së Armand Duka ka vlerësuar parashtrimin e disa pikave në Kodin Penal, që do të vlejnë për të parandaluar dhunën në sport. “Niveli i ekspertëve që i ka hartuar ka parashikuar disa masa që të përfshihen në Kodin Penal. Duhet të ketë një saktësim, që të mos ngatërrohet kondravajtja penale për spektatorët me pjesën sportive, Kodi Penal në asnjë rast nuk duhet të ndërhyjë në drejtësinë sportive”.

Më tej Armand Duka ka hedhur idenë edhe për krijimin e një ministrie sporti, që sipas kreut të FSHF-së do e ndihmonte shumë sportin.

“Mënyra sesi Shqipëria do ta drejtojë sportin, nëpërmjet një ministrie që ka brenda Arsimin, Rininë dhe Sportin, më duket e vështirë. Me vetëm një zëvëndës ministër që nuk ka një aparat nuk besoj se mund të prodhojmë shumë. Një zëvëndës ministër nuk mund të prodhojë as strategji për futbollin dhe as projekt ligje, kjo për faktin se nuk ka një administratë dhe nuk ka një buxhet të dedikuar. Shqipëria duhet të ketë patjetër një institucion i cili përgjigjet vetëm për sportin, gjithmonë nëse Shqipëria e ka në synim të ketë sport në këtë vend. Nëse e konsiderojmë sportin të rëndësishëm duhet të ndryshojmë qasje”.

“Ka ardhur momenti që asnjë sport të mos vijë në dyert e Ministrisë për të kërkuar lëmoshe, por të ndërtojmë një paketë ligjore që ti bëj këto sporte të zhvilluara, të kenë mundësi të mbajnë veten. Realisht kam dyshime nëse e sigurojnë mbijetesën, luftojnë shumë që të mbijetojnë. Duhet një reformë e thellë ligjore. Ne kemi bërë një draft me propozimet tona për të ndërhyrë në disa ligje gjatë tryezës që zhvilluam me Kryeministrin Rama”.

“Nëse nuk bëhet këto ndryshime në Ligjin për Sportin, Ligjin për Sponsorizimet, Ligjin për të ardhurat personale, Ligjin për TVSH-në dhe nxitjen e investimeve në sport. Ne nuk kemi një strategji të qeverisë shqiptare sesa Pallate Sporti do të ndërtohet në këtë vend në pesë vitet e ardhshme, sa palestra për peshngritje apo mundje e fusha futbolli. Sot në Tiranë luajnë futboll 8 mijë fëmijë. 50 fëmijë është standarti për të luajtur në një fushë, do të thotë që Tirana duhet të ketë 160 fusha futbolli. Kjo tregon situatën ku jemi sot”.

“Eliminimi i dhunës është shumë i rëndësishëm, por janë po ashtu shumë të rëndësishme edhe këto të tjerat për të pasur sport, për të pasur federata, për të pasur klube. Duhet të ndërtojmë një infrastrukturë ligjore që të zhvillohen, të rriten, dhe jo të kërkojnë lëmoshë. Për tu rikthyer ke futbolli, sporti që unë përfaqësoj sot në këtë tryezë, duhet të them se futbolli është një industri e fuqishme. Një industri që ka dhënë rezultate jo të këqija kohët e fundit, por që mund të shkojë akoma më përpara dhe ndryshime ligjore që ne kërkojmë nuk janë ndryshime për ti falur futbollit”.

“Këto janë ndryshime ligjore ku Qeveria investon për të fituar nga futbolli si industry. Nëse investohet në futboll, ato para rimerren. Nuk janë para të investuara dhe të falura. Sot nuk kemi klube të mirorganizuara, nuk jemi me një bazë ligjore të fortë. Kjo është arsyeja pse duhen bërë të gjithë ato ndryshimet që unë kam rënditur më lart. Besoj se të njëjtën gjë mendojnë edhe kolegët e mi sot në këtë sallë. Duke pasur këtu Ministren Shahini duam që ta kërkoni fort këtë ndryshim në Qeveri”.

“Ne duam më shumë vëmëndje, ne kërkojmë një institucion të dedikuar për sportin që të ketë strategji të qarta për sportin. Nëse do të ishte një institucion që ka objektiva të qarta për sportin gjithçkush do të dinte se çfarë do të bëhej. Një nga ligjet që do ta ndihmonte më shumë sportin është Ligji për Sponsorizimet. Unë kam pasur një takim me Ministren e Financave pak ditë më parë, dhe më vjen keq të them se nuk shof asnjë mundësi që ai propozim që ne kemi bërë të pranohet. Ju duke qënë nga Kosova, na sillni vetëm Ligjin e Sponsorizimit që aplikohet në Kosovë, asgjë më tepër”.

E ardhmja e futbollit shqiptar, specialisti i UEFA-s tregon çelsin e suksesit!

Një nga specialistët e UEFA-s, për projektin Grassroots, që i dedikohet futbollit te fëmijët, Piet Hubbert ka zhvilluar një vizitë në Federatën Shqiptare të Futbollit, ku veç të tjerash ka pasur takime me Sektorin e Futbollit Amator, Sektorin e Edukimit, Sektorin e Futbollit të Femrave dhe Zyrën e Projektit Grow.

Në këtë vizitë Hubbert u njoh nga afër me situatën e futbollit amator, futbollit të femrave dhe punën që zhvillon sektori edukimit për licensimin dhe kualifikimin e trajnerëve dhe mësuesëve të edukimit fizik.

Pjesë e vizitës së mentorit të UEFA Grasstoots isha dhe ndjekja nga afër e orës së edukimit fizik në dy shkolla 9 vjeçare të Qarkut të Tiranës ku po implementohet projekti Grow, që ka të bëj me shtrirjen e futbollit në shkolla për moshat U-7 dhe U-9, djem dhe vajza.

Në shkollën “Niket Dardani” u zhvillua dhe trajnimi teorik dhe praktik me mësuesit e edukimit fizik për përmirësimin e mënyrës së stërvitshmërisë së fëmijëve.

Në fund Hubbert u ndal të flasë edhe për Kombëtaren shqiptare dhe rrugën që duhet të ndjekë Shqipëria për tu rritur në futboll. “Nëse gjykojmë nga performanca e viteve të fundit, skuadra kombëtare e Shqipërise ka treguar një formë shumë të mirë, ata u kualifikuan gjithashtu për fazën finale të Europianit”.

“Tani është e rëndësishme të ndërtoni një bazë të fortë futbolli grassroots që një ditë disa prej këtyre lojtarëve të kalojnë në nivele elitare dhe të bëhen futbollistë profesionistë, dhe të jenë kandidatë për skuadrën kombëtare.

“Çdo federatë duhet të kuptojë që programi grassroots është ai që siguron kualitetin e futbollit profesional në vend. Jam shumë i lumtur që jo vetëm UEFA, por dhe FSHF, janë të gatshëm të investojnë në programin grassroots”.

E zyrtarizon UEFA, Shqipëri-Moldavi do të luhet në Elbasan (foto)

Shqipëria do të pres Moldavinë më 11 qershor, në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e Euro 2020. Në fund të vitit të kaluar por dhe gjatë muajve të parë të këtij viti, FSHF-ja deklaroi se ky takim do të luhej në stadiumin “Arena Kombëtare”, që duhet të përfundonte në qershor.

Megjithatë, me kalimin e muajve, diçka ka ndryshuar pasi nga ecuria e punimeve në stadiumin e ri kombëtar, është lënë të kuptohet se impianti 22 mijë vendësh nuk do të jetë gati për këtë ndeshje.

Mirëpo “Arena Kombëtare” ishte konfirmuar nga FSHF-ja në UEFA, si stadiumi ku do të luhej ndeshja zyrtare mes Shqipërisë dhe Moldavisë më 11 qershor. Fakti që punimet do të zgjaten, ka detyruar FSHF-në të njoftojë UEFA-n për ndryshimin e stadiumit.

Sipas rregullores, Federata Shqiptare e Futbollit duhet të njoftojë të paktën 30 ditë para UEFA-n për stadiumin ku do të zhvillohet ndeshja. Kjo gjë ka ndodhur, ndonëse federata nuk ka publikuar asgjë zyrtare, është UEFA ajo që zbulon stadiumin ku do të zhvillohet ky takim

“Elbasan Arena” është impianti që UEFA ka listuar në faqen e saj zyrtare për ndeshjen e 11 qershorit mes Shqipërisë dhe Moldavisë. Ky ndryshim në protokollin e UEFA-s është bërë së fundi, pasi deri disa ditë më parë emri i stadiumit ku do të zhvillohej ky takim, nuk ishte shkruar në të dhënat e kësaj ndeshje në faqen zyrtare të UEFA-s.

Arbitra nga Luksemburgu do të gjykojnë këtë javë në Superligë!

Superliga po shkon drejt fundit, teksa kanë mbetur dhe 5 javë kampionat. Të shtunën do të luhen të gjitha takimet e javës së 32-të Superligës, ku në një prej këtyre takimeve do të gjykojë një treshe arbitrash nga Luksemburgu, që vjen si zbatim i marrëveshjes që kanë dy federatat.

“Sektori Arbitrimit në Federatën Shqiptare të Futbollit bën me dije se një treshe arbitrash nga Luksemburgu do të gjykojë një ndeshje të javës së 32-të të Kategorisë Superiore”.

“Ky shkëmbim vjen në vazhdimësi të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet FSHF dhe Federatës së Futbollit të Luksemburgut për gjykim të ndeshjeve në kampionatet respektive”.

“Dy javë më parë ishte një treshe arbitrash shqiptar, me kryesor Juxhin Xhajën dhe Ilir Tartarin e Emigers Ganxhi si asistent, që gjykuan një ndeshje në Superligën e Luksemburgut”, shkruhet në një njoftim të FSHF-së.

Arbitrat që do gjykojnë:

Arbitër – Gilles Becker
Asistent 1 – Alain Durieux
Asistent 2 – David Matues

Skip to toolbar