Partitë politike shqiptare në Luginën e Preshevës konkretisht, Partia për Veprim Demokratik, Alternativa për Ndryshim, Partia Demokratike, Lëvizja Reforma në PDSH dhe Lëvizja e Progresit Demokratik kanë arritur të krijojnë për herë të parë një marrëveshje ku të bëhen bashkë dhe të përfaqësohen me një program në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të Serbisë. Programi i tyre i përbashkët do të quhet “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar” dhe shënon bashkimin e palëve për të siguruar një përfaqësim sa më të lartë dhe për të krijuar një pozicion sa më të fuqishëm prej zgjedhjeve parlamentare në Serbi.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshje të përbashkët u bë në Tiranë mes përfaqësuesve të partive shqiptare të Luginës dhe pranisë së ministrit në detyrë për Punët e Jashtme, Gent Cakaj.
Cakaj vlerësoi arritjen e kësaj marrëveshjeje dhe theksoi se lista do të ketë në fokus ngritjen e shqetësimeve me të cilat përballen shqiptarët e Luginës, duke filluar nga arsimi në shqip, përdorimi i lirë e i hapur i simboleve kombëtare, si dhe rritja e përfaqësimit në institucionet shtetërore. Cakaj tha se Qeveria e Shqipërisë do të angazhohet pakursyer për të mbështetur listën e përbashkët të Luginës së Preshevës.
“Kjo marrëveshje është unike nëse shihet
në rrafshin e zhvillimeve në tre vitet e fundit në Luginën e Preshevës. Sot për
herë të parë në pluralizmin politik, PPD dhe disa parti të tjera kanë vendosur
të bëhen bashkë. Marrëveshja e sotme është sa politikisht domethënëse. Nga
pikëpamja kombëtar sot partitë kanë vendosur të tejkalojnë interesa personale
duke u bërë një shembull i bashkimit të shqiptarëve. Ato janë bërë bashkë për
të gjetur gjuhën e përbashkët për të mirën e shqiptarëve. Ata kanë vendosur një
emër teknik me dy elemente. Ky është një kompromis që reflekton identitetin e
Luginës së Preshevës.
Shqetësimet e shqiptarëve të Luginës janë edhe
i qeverisë së Shqipërisë. Qeveria e Shqipërisë nuk do të kursejë asnjë
përpjekje për të mbështetur këtë projekt. Palët do të vazhdojnë të artikulojnë
dallimet e tyre partiake, megjithatë i inkurajoj të gjitha palët të rrisin
unitetin e tyre. Palët do të veprojnë si një trup i vetëm. Gjatë këtij viti ne
kemi marrë një varg masash në shërbim të ndërlidhjen në Luginën e Preshevës. Si
masë shtesë për të rritur ndërveprimin me Shqipërisë dhe Luginës kemi bërë
kërkesën për hapjen e një konsullate të përgjithshme në këtë zonë. Në vrazhdën
e kësaj fryme ne jemi duke punuar për finalizimin e projektit për fondin për
Luginën e Preshevës. Si rrjedhojë e kësaj klime ne sot deklarojmë se në
zgjedhjet e ardhshme parlamentare shqiptarët do të garojnë me një listë të
vetme”, tha Cakaj.