Pasi “fali” Bashën për “Russiagate”, Lazër Sallaku pushon hetimet për “CEZ”

Gjykata e Tiranës ka pushuar hetimet për një tjetër dosje të bujshme, atë të hetimit të privatizimit të OSSH te kompania çeke, CEZ. I njëjti gjyqtar, që disa ditë më parë firmosi pushimin e hetimeve për lobimin rus në SHBA të Lulzim Bashës, pra Lazër Sallaku, firmosi pushimin e hetimeve edhe për dosjen “CEZ”. Sipas Gjykatës, privatizimi i OSSH nga çekë, s`ka vepër penale, raporton gazetarja e News 24 Klodiana Lala. Nga hetimet nuk janë gjetur elementë të veprës penale për ish-zyrtarët. Kujtojmë se dosja hetimore për privatizimin e OSSH te CEZ, ishte një nga dosjet më të bujshme të viteve të fundit.

Për të u ngrit edhe një komision hetimor parlamentar, ku u thirr për të dëshmuar dhe djali i ish-kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha për të sqaruar rolin e tij në lidhje me privatizimin e kësaj kompanie. Komisioni Hetimor arriti në përfundimin se shtetit shqiptar i ishin shkaktuar 414 milionë euro dëme. Hetimet për dosjen e CEZ u rihapën në vitin 2017, pas kërkesës së Komisionit Hetimor Parlamentar, ndërsa procesi zgjati për vite me radhë. Ndërkohë, për këtë dosje u thirrën në prokurori shumë persona për të dëshmuar, ku u përfshinë ish-ministra dhe persona të tjerë që dyshohet se kishin dijeni për privatizimin e OSSH te CEZ.

Hetimet ishin orientuar në tre drejtime në këtë dosje, ku përfshihej privatizimi i OSSH, që u cilësua abuziv dhe korruptiv nga socialistët, abuzimi me mbledhjen e borxheve të CEZ, që i kishte mbledhur kompania DIA e biznesmenit Kastriot Ismailaj dhe denoncimi i juristit Romeo Karaj që fliste për lidhjet mes CEZ dhe DIA-s. Por vendimi për të mbyllur përfundimisht hetimet për dosjen e CEZ, vjen rreth një muaj pasi Kuvendi i kërkoi zyrtarisht Gjykatës së Tiranës që të shpallte moskompetencën dhe dosja të kthehej për hetim te SPAK. Këtë kërkesë e bëri deputeti socialist Tulant Balla, njeriu që ngriti dhe akuzën disa vite më parë për privatizimin e OSSH. Por duket se gjyqtari Lazër Sallaku nuk ka qenë me të njëjtin mendim me Kuvendin, duke mbyllur hetimet për CEZ.

Balla: KLP edhe KLGJ të hetojnë gabimet procedurale

Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla e ka cilësuar të turpshëm vendim e gjykatës për pushimin e çështjes me lobimin rus në SHBA, ku i akuzuar kryesor ishte kryedemokrati Lulzim Basha së bashku me ish-Sekretarin e Përgjithshëm, Arben Ristani dhe financierin e PD, Ilir Dervishi.

Balla tha se një vendim i tillë tregon se gjyqtarët që nuk kanë kaluar ende vettingun po zbatojnë parimin e “kap ç’të kapësh” me teatro të tilla, ndërsa paralajmëroi se do të ketë apelim të çështjes duke i bërë thirrje Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë për të hetuar gabimet procedurale që janë bërë me dashje për këtë çështje.

“Prokuroria hetoi 2 vite dhe gjykata e mbylli për 2 orë” tha Balla duke shtuar se përfituesi i parave Nik Muzin duhet të merret në pyetje dhe kjo dosje e rëndë nuk mund të mbyllet pa u hetuar në themel.

“Kush mendon se kjo dosje e rëndë me të pandehur kryesor Lulzim Bashën, mund të mbyllet kështu pa u hetuar aspak në themel, pa u marrë në pyetje të gjithë personat e përfshirë, e ka shumë gabim.

Kjo nuk është një çështje vetëm e drejtësisë shqiptare.

Nxitimi i stimuluar i ndonjë prokurori dhe gjyqtari që nuk e ka kaluar procesin e vettingut dhe që zbaton parimin ‘kap çfarë të kapësh’, shfaqën sot këtë teatër të turpshëm për sytë e shqiptarëve dhe jo vetëm.

Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë duhet të hetojnë gabimet procedurale me dashje, që çuan në këtë teatër të turpshëm, ku prokuroria hetoi 2 vite dhe gjykata e mbylli për 2 orë.

Apelimi i këtij vendimi absurd dhe rikthimi i çështjes për hetim të plotë duke dhënë edhe garancitë nga Gjykata për marrjen në pyetje të përfituesit të parave Nik Muzin, janë hapat e vetëm për të hedhur dritë e për të bërë drejtësi në këtë dosje të rëndë”, shkruan Balla në facebook.

Gjykata e Tiranës pushoi të hënë çështjen në ngarkim të kreut të PD, Lulzim Basha dhe ndaj dy zyrtarëve të tjerë të PD Arben Ristani dhe Ilir Dervishi, në lidhje me lobimin rus në SHBA me pretendimin se nuk ekzistojnë prova.

Shembjet e objekteve nga tërmeti, hetimet e Prokurorisë: Betoni e hekuri, jashtë çdo standardi

Cilësia e dobët e betonit dhe hekurit e përdorur nga ndërtuesit në objektet e shembura nga tërmeti ka qenë edhe arsyeja e kolapsit të tyre. Sipas prokurorisë së Durrësit, analizat laboratorike të betonit dhe hekurit si dhe analizimi i filmimeve dhe fotografive të ndërtesave të shembura nga tërmeti i 26 nëntorit, arriti në përfundimit se ka qenë cilësia e dobët e ndërtimeve ajo që u mori jetën 51 personave.

Prokuroria e Durrësit ka konstatuar shkelje flagrante të rregullave të sigurisë teknike në godinat e shembura nga tërmeti i 26 nëntorit në Durrës. Sipas prokurorisë, analizat laboratorike kanë përfunduar duke nxjerrë në pah faktin se betoni i përdorur nga ndërtuesit ka qenë disa herë më i dobët se cilësia e duhur lidhur me rezistencën që i duhet godinave

Probleme janë konstatuar edhe me kolonat mbajtëse të godinave, të cilat janë konstatuar se nuk kanë pasur dimensionet dhe sasinë e duhur të hekurit, çka ka sjellë edhe dëmtimin e tyre nga lëkundjet e tërmetit. Konstatimet janë pjesë e rëndësishme e hetimit dhe pritet që tani të zgjerojë numrin e personave nën hetim duke mos përjashtuar edhe arrestime të tjera. Sipas A2 CNN, prokuroria e Durrësit ka kërkuar studimet e Institutit të Gjeoshkencave për zonën e Durrësit për zonat që janë përcaktuar si me lëkundje dhe sa është zbatuar ky studimin në lejet e ndërtimit që është dhënë për pallatet e dëmtuara.  

Hetimet, Prokuroria i kërkon bashkisë listën me ndërtesat e dëmtuara

Pasi nisën hetimet për ndërtesat e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, Prokuroria e Tiranës është vënë në lëvizje. Me anë të një shkrese drejtuar bashkisë dhe policisë, prokuroria kërkon që të mos bëjnë asnjë veprim për prishjen e objekteve të dëmtuara pa miratimin e prokurorëve. Prokuroria kërkon nga bashkia e Tiranës listën me objektet e dëmtuara nga tërmeti.

“Për nevojat e kryerjes së veprimeve hetimore në funksion të procedimit penal kërkojmë nga ana juaj të informohemi duke na vënë në dispozicion: listën e plotë të ndërtimeve (banesave) të evidentuara nga ana juaj si të prekura nga tërmeti, dhe për të cilat janë konstatuar dëmtime”.

“Për çdo lloj situate në të cilën është konstatuar dëmtim dhe është vendosur prishja e ndërtimit të njoftohet paraprakisht Prokuroria e cila vë në dispozicion grupin hetimor me qëllim kryerjen e hetimeve. Dokumentacionin e plotë tekniko-ligjor, të ndërtesave apo banesave në të cilat janë konstatuar dëmtime nga tërmeti. Ky informacion të na vihet në dispozicion brenda datës 05:12:2109”, thuhet ndër të tjera në shkresën e Prokurorisë së Tiranës.

Prokuroria e Tiranës, Durrësit dhe Krujës nisën hetimet për banesat e dëmtuara nga tërmeti, ku humbën jetën për pasojë 51 persona.

Një grup ekspertësh në fushën e ndërtimit do të jenë ata që do të bëjnë vlerësimin e dëmeve për llogari të hetimeve të Prokurorisë, ku do të shihet nëse është shpërdoruar detyra me dhënien e lejeve të ndërtimit, nëse ato janë zbatuar si duhet nga ndërtuesit dhe inxhinierët, nëse janë ndërtuar kate shtesë pa leje, etj.

Hetimet do të kryhen për qindra godina të dëmtuara në qytetet e prekura nga tërmeti. Të gjitha institucionet, Këshilli i Sigurisë Kombëtare, Kryeministri Edi Rama, por dhe ambasada e SHBA kanë shprehur mbështetje ndaj Prokurorisë për kryerjen e hetimeve.

Elisabeta Imeraj akuzon prokurorët për dosjen “Basha”: Vepruan me kokën e tyre, ka parregullsi

Dosja e hetimit për lobimin rus të kryetarit të opozitës Lulzim Basha është bllokuar në prokurorinë e Tiranës dhe nuk i është dërguar ende gjykatës. Mes tre prokurorëve të çështjes Kolë Hysenaj, Ervin Karanxha dhe Gjergji Tako ka pasur debate të forta në lidhje me dosjen. Përplasjet bënë që prokurori  Kolë Hysenaj të mos e firmosë atë, si dy kolegët e tjerë Karanxha dhe Tako. Rastin e konfirmoi drejtuesja e Prokurorisë Tiranë, Elisabeta Imeraj, e cila tha se dosja ka disa parregullsi procedurale dhe për këtë nuk është dërguar ende në gjykatë. E kontaktuar nga BIRN, Imeraj akuzoi dy prokurorët Karanxha dhe Tako se janë vetë-shpallur prokurorë të çështjes dhe kanë përjashtuar kolegun e tyre Hysenaj. Madje edhe rrëzimi i akuzës për “pastrim parash” është bërë me firmën e vetëm dy prokurorëve dhe jo Kolë Hysenajt.

Për hetimin e kësaj çështje ka urdhër për ngritjen e një grupi hetimor me tre prokurorë të cilët janë: Kolë Hysenaj, Ervin Karanxha dhe Gjergji Tako. Për arsye shëndetësore nuk kam qenë në punë këto ditë, por konstatoj se dy prokurorët Ervin Karanxha dhe Gjergji Tako kanë vendosur apriori dhe kanë marrë iniciativë të vetë-shpallen prokurorë të çështjes, duke e përjashtuar kolegun e tyre. Dosja nuk është dërguar ende në gjykatë, madje nuk është qepur ende. Patjetër që prokurorët kanë të drejtë të vendosin bazuar në ligj dhe në bindjen e tyre të brendshme, por duhet të jemi në rregull edhe nga ana procedurale,” tha Imeraj, e cila shtoi se “Prokurorët në fjalë nuk kanë njoftuar as zëvendësuesin tim gjatë këtyre ditëve që nuk kam qenë në detyrë për arsye shëndetësore.”

Për shkak të konfliktit midis prokurorëve, fati i dosjes hetimore mbetet i paqartë, i bllokuar aktualisht në   Prokurorinë e Tiranës pa një vendimmarrje finale.

Prokurorët Ervin Karanxha dhe Gjergji Tako firmosën vendimin për dërgimin e çështjes për gjykim për veprën penale “falsifikimi i dokumenteve” nga ana e Bashës dhe dy drejtuesve të tjerë të partisë së tij, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi. Hetimet ndaj Bashës nisën në nëntor të 2017, në lidhje me pagesat për lobim të kryera nga ana e PD-së me një shumë prej 675 mijë dollarësh, para që nuk ishin deklaruar si shpenzime në bilancin që PD ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Kreu i PD Lulzim Basha i mohoi këto akuza duke deklaruar se “janë të stisura politikisht”, ndërsa ish-sekretari i Përgjithshëm i PD-së, gjithashtu i pandehur, Arben Ristani tha se “as ka firmosur dhe as ka vulosur akte e dokumente, prandaj nuk ka si të ketë falsifikuar.”

Falsifikimi i dokumenteve sipas nenit 190/3 i Kodit Penal parashikon burg nga 3 deri në 7 vjet në rast se të pandehurit gjenden fajtorë.

Fshehu dënimin në Greqi, Prokuroria nis hetimet për Kajmakun

Prokuroria e Përgjithshme ka nisur hetimet ndaj kryetarit të bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku, pasi ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit duke mos deklaruar se ka qenë në hetim nga drejtësia greke.  Sipas ligjit Kajmaku rrezikon të dënohet nga 6 muaj deri në 4 vite burg pas falsifikimit që ka bërë në  plotësimin e formularit të dekriminalizimit.

Prokuroria nisi hetimet një ditë pasi deklaroi se letërporosia nga Athina vërtetoi se Agim Kajmaku dhe Jorgo Toto, ishin i njëjti person. Prokuroria gjithashtu i kërkoi KQZ-së heqjen e mandatit për kryebashkiaku socialist të Vorës, Agim Kajmaku për të cilën pritet të vendoset nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Letërporosia e ardhur nga Athina vërteton se gjurmët e gishtërinjve të Agim Kajmakut janë të njëjta me Jorgo Toton, i cili është arrestuar në Greqi. PD ishte e para që denoncoi rastin që vuri në punë prokurorinë për zbardhjen e të vërtetës, ndërsa vetë Kajmaku mohoi të ketë pasur dijeni se po hetohej nga Gjykata e Janinës.

Shkarkimi i Trump, hetimet përfshijnë avokatin personal

Avokati personal i Presidentit Trump, Rudy Giuliani, po hetohet nga prokurorët federal në New York për shkelje të mundshme të ligjit të lobimit. Lajmin e ka dhënë prestigjiozja “New York Times”, që citon dy burime anonime në lidhje me rastin, vetë prokuror2t nuk kanë dhënë komente mbi lajmin, ndërsa në shkrimin “New York Times” thuhet se avokati Giuliani kishte lidhje me rastin ku kërkohej nisja e një hetimi për korrupsion në Ukrainë kundër Joe Biden.

Dy biznesmenë në Florida, të lidhur me Giulianin, u akuzuan të enjten për shkelje të ligjit federal për financimin e fushatave. Të dy kishin role kryesore në përpjekjet e Giuliani për të filluar një hetim për korrupsion në Ukrainë kundër pretendentit presidencial demokrat Joe Biden dhe djalit të tij Hunter. Ankesë e një informatori për përfshirjen e presidentit Trump me Ukrainën në këtë çështje, ka bërë që Kongresi të nis një hetim për shkarkimin e mundshëm të presidentit.

Dosja “Toyota Yaris”, Krimet e Rënda lënë në burg shoferin

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka hedhur poshtë kërkesën për lirimin e një prej të arrestuarve në lidhje me dosjen “Toyota Yaris”. Gjykata ka lënë në burg Agim Cekën, shoferin e karrotrecit në të cilin gjendej ‘Toyota Yaris’ ku ishin fshehur 3.4 milion euro.  Avokati i Agim Cekës i kërkoi Apelit lirimin e klientit të tij me arsyetimin se kishin mbaruar afatet hetimore, por gjykata e refuzoi këtë kërkesë. Hetimet ndaj tij u shtynë deri më 24 shtator të këtij viti.

Sasia e madhe e parave prej 3.4 milionë euro që u gjetën në një makinë “Toyota Yaris” në Portin e Durrësit, është duke u hetuar jo vetëm në Shqipëri por edhe nga Belgjika. Prokuroria belge i ka kërkuar prokurorisë shqiptare të pyesë për llogari të saj kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha se nga e kishte mësuar informacionin për makinën me para.

Disa persona janë arrestuar në lidhje me ngjarjen, 4 prej të cilëve në Shqipërisë, konkretisht: Edi Lika, Klevi Lika, Agim Ceka dhe Alban Mollaymeri, ndërsa të proceduar në Belgjikë janë Alfred Vladi, Elvis Vladi, Edi Lika, Agim Ceka, Alban Mollaymeri, Niman Nimani, Alman Nimani, Albana Vladi, Arianit Nimani, Drita Sopo dhe Driton Hakaj.

Prokuroria e Krimeve të rënda shtyhn me 3 muaj hetimet ndaj Adriatik Llallës

Hetimet ndaj ish–prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla janë shtyrë me tre muaj. Urdhrin e dha gjykatësi Bib Ndreca, i cili pranoi kërkesën e prokurorisë për shtyrjen me 3 muaj të tjerë hetimet ndaj Llallës. Shtyrja e afatit të hetimit u bë me arsyetimin se prokuroria ende nuk ka administruar dy letër-porositë e dërguara në Amerikë dhe Gjermani, ku pritet të ketë të dhëna lidhur me shpenzimet e kryera nga ish-kryeprokurori dhe familjarët e tij.

Ish-kryeprokurori Lalla kërkoi për herë të tretë shfuqizimin e afateve të hetimit dhe mbylljen e çështjes penale ndaj tij në Gjykatën për Krime të Rënda, gjë që ju refuzua. Prokuroria argumentoi se nuk mund t’i jap zgjidhje hetimit ndaj Adriatik Llallës pa marrë përgjigjet që kërkon në letër-porositë. Avokati i Adriatik Llallës, Sokol Hazizaj tha se prokuroria ka tejkaluar çdo afat për hetim dhe vendimi i fundit është marrë në kundërshtim me ligjin. Avokati Hazizaj tha se për vendimin  fundit do të ndjek rrugën ligjore, duke iu drejtuar Gjykatës së Apelit.

Ndaj Ish-prokurorit rëndojnë dyshime mbi 4 vepra penale, mes tyre edhe ajo e pastrimit të parave. Hetimi ndaj Llallës, nisën 2 vite më parë, kur SHBA e shpalli person të padëshirueshëm dhe i ndaluan të drejtën e hyrjes në territorin e tyre. Ish-kryeprokurori hoqi dorë nga sistemit të drejtësisë duke i shpëtuar edhe procesit të vettingut.

Kukës, po lahej në pishinë, humb jetën 12-vjeçari, policia nis hetimet

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Kukës, aty ku gjatë të dielës, një 12-vjeçar, banues në qytetin e verilindor, ka humbur jetën gjatë kohës që ishte duke u larë në një pishin në fshatin Lodër Lumë.

Sipas njoftimit paraprak të Policisë së Kukësit, mësohet se i mituri me inicialet A.L., ka gjetur vdjekjen, ndërsa shkaqet ende nuk dihen. Sipas njoftimit të uniformave blu, në vendin e ngjarjes ka shkuar grupi hetimor, i cili po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Njoftimi i policisë:

Kukës

Informacion paraprak.

Sot, fëmija i mitur A.L., rreth 12 vjeç, banues në Kukës,  duke u larë në pishinë në fshatin Kodër Lumë, ka gjetur vdekjen.

Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes  ku po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Skip to toolbar