“Këtu mbetën rreth 1000 gjermanë”. Kasmi: Vetëm 234 prej tyre u larguan nga Shqipëria

Historiani Marenglen Kasmi tregoi në “Real Story” edhe momente nga largimi i gjermanëve nga Shqipëria. Ai tha se pas luftës, deri në 1000 gjermanë mbetën ende në trojet shqiptare. Sipas Kasmit, vetëm 234 prej tyre arritën të largohen nga Shqipëria rreth viteve 1952-1953.

“Në Tiranë ngelën robër gjermanë. Robërit e fundit gjermanë u larguan në vitin 1952-1953. Në Shqipëri jetonin rreth 800 robër gjermanë. Shumë prej tyre vdiqën nga kushtet e vështira, nga mungesa ushqimit. Nga 800 deri në 1000 robër që u grumbulluan në Tiranë, vetëm 234 arritën të largohen. E fundit që ka ikur ishte sekretarja e gjeneralit të forcave SS”, tha Kasmi.

Sipas tij, gjermanët që mbetën në Shqipëri u trajtuan shumë keq. Ai tha se dëshmitë e gjermanëve që u riatdhesuan, tregojnë se deri në momentin që misioni diplomatik i Jugosllavisë nuk kishte ardhur në Shqipëri, gjermanët trajtoheshin mirë. Pas mbërritjes së këtij misioni, jeta e tyre ndryshoi brenda natës.  

“Dëshmitë e gjermanëve që u riatdhesuan thonë se; deri në momentin që nuk kishte ardhur misioni sovjetik në Tiranë, ne lëviznim të lirë. Në momentin që erdhi misioni sovjektik ne na ndryshoi jeta brenda natës. Është një udhëzim mesaduket i misionit sovjetik. Unë e besoj sepse janë dëshmi që nuk mund të hidhen poshtë. Na futën në bodrume që flinim deri në mes me ujë”, tha Kasmi. /Realstory.al/

“Gjermanët vlerësonin Mehmet Shehun”, Kasmi: Për Enver Hoxhën ka pak informacion

Dokumentet gjermane hedhin dritë mbi shumë ngjarje të rëndësishme të luftës së dytë botërore në Shqipëri. Madje, ato zbardhin shumë dilema për tema që ende në Shqipëri mbeten objekt i madh debati. I pyetur nga gazetari Sokol Balla nëse në dokumentet historike të ushtrisë gjermane bëhet analizë e personazheve shqiptare të kohës, historiani Marenglen Kasmi tha se analiza bëhet kryesisht për ato personazhe që drejtonin luftën.

Sipas tij, Mehmet Shehu gjen më shumë përshkrim në dokumentet e ushtrisë gjermane se sa Enver Hoxha. Sipas Kasmit, kjo ndodhte për shkak se Enver Hoxha ishte drejtues politik dhe për gjermanët nuk kishte shumë interes ky personazh. Ndërsa Mehmet Shehu ishte drejtues ushtarak, ndaj ai analizohej më me detaj për shkak të përballjes direkte me gjermanët.

“Të gjithë gjejnë vlerësime, unë përmenda Xhafer Devën, Bedri Pejanin, që vlerësohen si njerëz të besuar. Ka vlerësime dhe për kundërshtarët. Për Enver Hoxhën ka shumë pak informacion. E para ai ruhej duke qenë drejtues politik. Më shumë merrte Mehmet Shehu vëmendje, që ishte njeri i pushkës. Enver Hoxha vendosej në rreth të zi si komunist”.

“Më shumë vlerësime gjejmë për Mehmet Shehun, madje dhe pozitive në pikëpamjen ushtarake. Gjatë operacionit të qershorit të 1944, lufton Brigada e V partizane me një batalion gjerman. Përleshen gjatë natës dhe kërkojnë të largohen  nga njëri-tejtri. Dhe thonë që duhet të kemi luftuar kundër Brigadës I të Mehmet Shehut se ishin shumë të përgatitur. Në fakt ishte Brigada e V. Tregon që ky formacion kishte mbështetjen më të mirë, kishte armatimin më të mirë”.

“Kemi një vlerësim të Komitetit Kombëtar, që fillon me Lef Nosin. Madje për Lef Nosin ky vlerësim që bëhet, e shikon drejtues ballist me karatker frikacak. Ka frikë të madhe nga gjermanët. Më përpara ishte aq pro britanik sa mund ta akuzoje si agjent anglez. Nuk u interesonte gjermanëve se çfarë do ndodhte me shqiptarët pas largimit të tyre. Për ta ishte synim i pastër ushtarak, dhe ndaj vlerësohet pala ushtarake. Enver Hoxha dihej që pas lufte do merrte drejtimin”.

Në konsideratën personale, Marenglen Kasmi e vlerëson Mehmet Shehun personazhin më të rëndësishëm të kohës. “Për mua Mehmet shehu ishte personazhi më i rëndësishëm i asaj kohe. Gjatë historiografisë komuniste mbivlerësohej roli i Enver Hoxhës. Pas majit të 1944, aty merr Enver Hoxha dhe rolin e tij si Komandat i Përgjithshëm. Shtabi i Përgjithshëm ishte i përfaqësuar nga të gjitha rrymat e mundshme. Për mua roli i Enver Hoxhës ka pësuar një fryrje në atë që ka ndodhur gjatë luftës”, tha Kasmi./Realstory.al/

“Gjermanët e quajnë të suksesshëm pushtimin e Shqipërisë. Përfituan mineralet tona”

Historiani Marenglen Kasmi, bazuar në dokumentet origjinale të ushtrisë gjermane për luftën në Shqipëri, tregoi se operacionet e dimrit të vitit 1944 nga ana e pushtuesve dhe ngjarja e 4 shkurtit të këtij viti, rritën mbështetësit e ushtrisë çlirimtare në Shqipëri.

“Ashpërsia e këtyre operacioneve, vrasjet, dëmtimet, jo vetëm nuk patën impaktin që prisnin gjermanët, por pati impakt të kundërt. Ashpërsia e këtyre operacioneve bëri që shqiptarët të përqafonin më shumë forcat çlirimtare. Ngjarja e 4 shkurtit ishte vepër shqiptare. Njerëzit e panë me sytë e tyre masakrën e 4 shkurtit të bërë nga shqiptarët që bashkëpunonin me gjermanët”, tha Kasmi.

Pushtimi 14-mujor i Shqipërisë cilësohet si i suksesshëm në dokumentat e ushtrisë naziste gjermanet të kohës. Arsyet janë disa, ku së pari gjermanët përfituan pasuritë minerare të Shqipërisë, ku vetëm kromi plotësoi 17 përqind të nevojave të luftës. Gjithashtu, humbjet në njerëz dhe dëmet materiale ishin të pranueshme për ushtrinë gjermane.

“Po të shohësh bilancin që bëjnë gjermanët për pushtimin e tyre në Shqipëri, e quajnë të suksesshëm. Së pari thonë që përfituam mineralet. Naftë kishin me tepricë por nuk e transportonin dot sepse detin e kishin aleatët. 17% të nevojës së Gjermanisë për krom e kanë plotësuar minierat shqiptare”.

“Ka bashkëpunim të oficerëve britanik me gjermanë në zonën e Tropojës. Ikën dhe me humbje që për ata janë të pranueshme. Janë rreth 2400 gjermanë të vrarë në Shqipëri. Forcat gjermane në kohën e tyre më të mirë në Shqipëri kanë qenë rreth 36500 trupave. Gjermanët që janë larguar kanë qenë më shumë se ata që vinin në Shqipëri”.

“Nëse shqiptarët do kishin qenë të bashkuar, jo vetëm që humbjet e tyre do kishin qenë të mëdha, jo vetëm që ne nuk do kishim këtë hartë që shikojmë, sepse presioni do ishte më i madh, por do kishim dhe forca të tjera që do vinin në Shqipëri. prandaj e quajnë të suksesshëm, sepse mbështetja nga shqiptarët dhe politika që bënë u rezultoi në fund se mund të kishte shkuar më keq”, tha Kasmi.  /Realstory.al/

“Gjermanët ushqenin rreth 15600 ballistë”. Kasmi: Ja pse janë të besueshme shifrat

Historiani Marenglen Kasmi publikoi dokumente exclusive në “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, që hedhin dritë mbi pushtimin nazist të Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kasmi solli në “Real Story” dokumentet origjinale të ushtrisë gjermane, që përshkruajnë aksionin e tyre 14 mujor në Shqipëri. Ndër dokumentet janë dhe ato që hedhin dritë mbi trupat nacionaliste shqiptare që kanë bashkëpunuar me gjermanët. Sipas historianit Kasmi, në dokumentet gjermane evidentohen se janë rreth 15600 trupa të ndara në 77 çeta të Ballit Kombëtar, si forca aleate të gjermanëve në Luftën e Dytë Botërore.

“Kjo është një listë, janë grupime sigurie dhe banda, se kështu i quanin, të cilët bashkëpunojnë me Gjermanët. Këto janë banda me qëndrim pritës, qëndrim neutral. Abaz Kupi kishte forcë nga 500 deri në 3000 mijë. Po ti referohemi listës, trupat që bashkëpunojnë me gjermanët, janë 77 çeta të Ballit Kombëtar me afërsisht 15 mijë e 600 burra. Janë sipas zonave dhe rajonit ku ato luftojnë. Për të gjitha këto trupa, në ditarin luftarak të forcave gjermane janë të pasqyruara”, u shpreh Kasmi.

Po a janë të besueshme këto shifra? Marenglen Kasmi tha se shifrat janë të besueshme për arsyen e vetme se këto çeta furnizoheshin nga gjermanët me armatime, ushqime dhe veshje. “Nuk ka komandat ushtarak që gënjen dot kur vjen puna në këtë pikë. O i ke njerëzit në rresht ose nuk i ke. Mund të ketë brenda kësaj liste dhe gjëra që mund të lëviznin. Ne e dimë që Abaz Kupi ka patur rreth 2000 forca të llogaritura. Për sa i përket këtyre forcave unë mendoj se janë forca që ushqeheshin nga gjermanët. Këto armatoseshin, visheshin, ushqeheshin nga gjermanët. Është listë e mbledhur nga të gjitha trupat që raportonin. Po të shikohet janë të ndara sipas zonave. Unë them që kjo shifër është e përafërt, sepse mund të gjesh dhe elementë që mund të jenë të lëkundur”, tha Kasmi.

Më tej, Marenglen Kasmi dha dhe argumente të tjera që tregojnë se gjermanët pas operacionit të qershorit 1944, njohin Ushtrinë Nacional Çlirimtare jo më si banda komuniste, por brigada të strukturuara. Sipas tij, në momentin që ushtria çlirimtare u fuqizua, Balli Kombëtar humbi mundësinë që të dilte si forcë politike. “Mbas qershorit të 1944 gjermanët nuk flasin më për banda komuniste, por flasin për brigada për struktura më të organizuara. Dhe për gjermanët kjo forcë shihet si e tillë. Edhe në pikëpamje të luftës politike në Shqipëri kjo është e qartë. Në këtë moment Balli Kombëtar e humbi mundësinë të dilte si forcë politike”, tha historiani Kasmi. /Realstory.al/

Skip to toolbar