Progres-Raporti i Brukselit. Deutsche-Welle: S’ka surpriza, pro hapjes së negociatave

Në një artikull të publikuar të mërkurën, Deutsche-Welle shkruan se Komisioni Europian do të publikojë progres-raportin për Shqipërinë në të cilin nuk pritet të ketë surpriza: “KE do të rekomandojë çeljen e negociatave për Shqipërinë”.

“Raporti në tërësi do të përmbajë vlerësime për ecurinë e reformave në vendet e Ballkanit duke përfshirë edhe ato të cilat janë kyçe për Shqipërinë si funksionimi i institucioneve, sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit”, shkruhet në artikull.

Shkrimi i plotë i Deutsche-Welle: 

Komisioni Evropian pritet që sot t’i paraqesë Parlamentit Evropian raportet e progresit për shtetet në procesin e zgjerimit, ku përfshihen shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia.

Në raporte nuk pritet të ketë befasi dhe duket se Komisioni Evropian do të rekomandojë edhe kësaj radhe çeljen e negociatave për anëtarësim për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Në Bruksel kjo ngjarje që vitet e mëparshme është shoqëruar me shumë aktivitete këtë herë ndodhet nën hijen e Samitit të Jashtëzakonshëm të vendeve anëtare, të cilat duhet të vendosin për mënyrën e zgjedhjes së presidentit të ri të Komisionit të BE-së.

Këto raporte rekomandojnë shumë veprime, të cilat zbatohen në bazë të vendimeve në strukturat e tjera të BE-së të udhëhequra nga zyrtarë të zgjedhur të vendeve anëtare. Vendimi për çeljen e negociatave bëhet nga Këshilli Evropian ku marrin pjesë krerët e vendeve anëtare.

Raporti në tërësi do të përmbajë vlerësime për ecurinë e reformave në vendet e Ballkanit duke përfshirë edhe ato të cilat janë kyçe për Shqipërinë si funksionimi i institucioneve, sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit. Sa i përket Shqipërisë dhe Kosovës si pika kyçe do të mbeten lufta kundër korrupsionit dhe funksionimi i drejtë i gjykatave.

Përmbajtja e raportit do të përdoret nga vendet anëtare dhe nga vendet që pretendojnë anëtarësimin si mjete lobimi për marrjen e vendimeve.

Sa i përket çeljes së negociatave për Shqipërinë situata nuk ka ndryshuar me Francën si një kundërshtare me peshë e çeljes së negociatave, e përkrahur nga vende si Holanda dhe Belgjika.

Më herët është spekuluar se qëndrimi negativ i Francës për zgjerimin ka qenë i lidhur me zgjedhjet për Parlamentin e BE-së dhe ndikimin që një vendim i tillë mund ta ketë në këto zgjedhje. Rezultatet e zgjedhjeve nuk përmbushën frikën e forcimit të së djathtës në nivel evropian, por pozita e Presidentit Makron është goditur, pasi partia e tij humbi kundrejt ekstremit të djathtë të udhëhequr nga Marine Le Pen në Francë. Mbetet të shihet se si ky rezultat do të ndikojë në qëndrimin francez.

Basha kërkon mision monitorimi nga KE

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha i bëri një kërkesë të veçantë Bashkimit Europian për të zgjidhur krizën politike në Shqipëri. Basha ka kërkuar vendosjen e një misioni monitorimi nga KE në mënyrë që të procedohet ashtu sikurse dhe në Maqedoni. Këtë deklaratë Basha e bëri nga Sllovenia, ku ishte i ftuar nga Instituti Ndërkombëtar i Studimeve për Lindjen e Mesme dhe Ballkanin

Basha deklaroi se zgjidhje për Shqipërinë si vend aspirant për në Bashkimin Europian do të ishte nëse do të implementohej ‘Raporti Priebe’, që shërbeu për tejkalimin e një krize serioze të demokracisë dhe sundimit të ligjit në Maqedoni në 2015.

“Monitorimi më efektiv i reformave të sundimit të ligjit në vendet që kërkojnë anëtarësim, mund të arrihet duke u mbështetur në shembullin pozitiv të të ashtuquajturit ‘Raporti Priebe’, i cili tashmë ndihmoi në tejkalimin e një krize serioze të demokracisë dhe sundimit të ligjit në Maqedoni në 2015. Komisioni Europian sapo ka nisur një nismë të re për raportimin e ‘Priebe’, për të monitoruar të gjithë sistemin e sundimit të ligjit në Bosnje dhe Hercegovinë. Unë inkurajoj Komisionin që të iniciojë një mision të tillë monitorimi edhe në Shqipëri”, deklaroi Basha

Skip to toolbar