Samiti i Berlinit, çfarë do të ndodh me bisedimet Kosovë-Serbi?

Takimi i Berlinit i organizuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron, me udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kroacinë e Slloveninë, shënon edhe rastin e parë të takimit të udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë, që nga nëntori i vitit të kaluar.

Bisedimet ndërmjet tyre u pezulluan për shkak të reagimit të Serbisë ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për të vendosur tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe.

Që atëherë Serbia ka ngulur këmbë se nuk do të vazhdojë bisedimet pa u hequr tarifat, ndërsa trysnia ndërkombëtare dështoi të bindë qeverinë e Kosovës për pezullimin e tyre.

Organizatorët janë treguar të kursyer në paralajmërimet se çfarë mund të pritet nga takimi i së hënës, duke nënvizuar se do të diskutohet për “qëndrueshmërinë e rajonit, me përqendrim të posaçëm në gjetjen e rrugës për të rifilluar bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Por, që nga paralajmërimi i takimit, janë ngritur shumë pikëpyetje se çfarë mund të sjellë ai në procesin e bisedimeve Kosovë – Serbi.

Në qendër të të gjitha diskutimeve e analizave ishte ideja që ky takim do t’u japë fund ideve për ndryshime kufijsh, që ishin hedhur që në verën e vitit të kaluar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Më e zëshmja kundër ideve të tilla ishte Gjermania e cila i ka parë për të madhe dhe shefes së politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, faktin që lejoi të diskutohen ide të tilla në bisedimet e ndërmjetësuara prej saj.

Zonja Mogherini po qëndron në Berlin për të marrë pjesë në takim, por duke zëvendësuar presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, i cili ishte ftuar fillimisht nga organizatorët e takimit.

Mediat spekuluan gjatë javëve të fundit se Berlini do të mund të propozojë një “status të posaçëm” për veriun e Kosovës, mbështetur në marrëveshjen e pazbatuar për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, madje pati edhe ide për një sovranitet të dyfishtë në veriun e Kosovës.

Para së të nisej për në Berlin, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se nuk pret që “aty të ndodhë dialog mes Kosovës e Serbisë, apo negociata, por vazhdoj të ritheksoj fuqishëm pozicionin tim se do ishte me interes mbështetja e së drejtës së shqiptarëve të Luginës (së Preshevës) për bashkim me Kosovën. Por, gjithmonë do të jem kundër shkëmbimit të territoreve. Është pazar e këtë s’e lejojmë, por s’do të lejojmë në asnjë rrethanë, as edhe një lloj sovraniteti të dyfishtë, as model gjermano-gjerman, sepse është i kaluar e as Republikë Serbe, e as asociacion”, tha ai.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha para takimit se në Berlin Serbia është e vetmuar meqë “të gjithë do të thonë se Kosova është e pavarur” dhe nuk mund të kërkojë asgjë më shumë.

“Prandaj kam folur për vënien e kufirit (ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve), që të fitojmë ndonjë gjë… Tash e di që nuk mund të luftojmë për atë ide”, u tha ai medieve serbe.

Nisma e kancelares Merkel dhe presidentit Macron në radhë të parë duket një përpjekje për të tejkaluar bllokadën e krijuar në bisedime, por edhe një kritikë e rreptë ndaj Brukselit, që dështoi jo vetëm të gjejë një zgjidhje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por, madje edhe për t’i bindur palët që të kthehen në tryezën e bisedimeve.

Një pjesë e analistëve perëndimorë besojnë se takimi do të varrosë idetë e ndryshimit të kufijve, madje bëjnë thirrje që kjo të ndodhë. Nisma Evropiane për Stabilitet në një analizë para takimit të së hënës tha se “Bashkimi Evropian duhet të mbyllë menjëherë ‘kutinë e Pandorës” me bisedimet e mëtejme për rivizatim kufijsh ne Ballkan”.

Nuk ka pasur ndonjë reagim më të vëmendshëm nga pala amerikane rreth takimit të së hënës, por ish zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit Hoyt Yee, tha gjatë një debati në Washington se takimi i Berlinit nuk është vendimtar por është një mundësi e mirë për bisedimet.

Ai tërhoqi vërejtjen se duhet një strategji më e mirë dhe më e efektshme për Ballkanin Perëndimor, i cili “nuk është atje ku duhet të jetë”. /Marrë nga VOA

UEFA dënon Malin e Zi, Kosova “fërkon” duart!

Federata e Futbollit të Malit të Zi është dënuar nga Komisioni i Disiplinës në UEFA, me këtë të fundit që e detyron federatën e shtetit fqinj të Shqipërisë, të luajë ndeshjen e ardhshme në shtëpi të ekipit kombëtar me dyer të mbyllura dhe të paguajë 20 mijë euro gjobë.

Ky dënim i rëndë vjen pas sjelljeve antisportive të tifozëve malazez ndaj lojtarëve të ekipit anglez, në ndeshjen që Mali i Zi luajti kundër Anglise, në takimin e vlefshëm për eleminatoret e europianit gjatë muajit mars.

Sipas vendimeve të publikuara sot në faqen zyrtare të UEFA-s, gjatë ndeshjes Mali Zi-Angli, tifozët vendas kanë hedhur mjete piroteknike në fushë, objekte dhe sende të forta, janë thirrur kore raciste dhe janë thyer masat e sigurisë në stadium.

Megjithatë, lajmi më i rëndësishëm është fakti se nga ky dënim i Malit të Zi përfiton Kosova, pasi “Dardanët”, janë ekipi i radhës që Mali i Zi pret në shtëpi në ndeshjen e ardhshme të kualifikueseve të Euro 2020.

Fëmijët e Kosovës e bëjnë Ritën të qaj dhe të qesh njëkohësisht

“Sytë e mi u mbushën me lot, kur pashë buzëqeshje në fytyrën e tyre!” Kjo është ndjesia që Rita Ora ka përjetuar gjatë misionit të saj për të ndihmuar fëmijët në nevojë së bashku me organizatën UNICEF.

Këngëtarja Rita Ora zgjodhi të jap kontributin e saj për fëmijët në Kosovë, e cila së bashku me të ëmën, kanë ndihmuar në dhënien e ndihmave monetare dhe materiale për fëmijët e vegjël.

Rita Ora mban edhe titullin Ambasadore e Kosovës duke ngritur gjithmonë e më lartë emrin e vendlindjes së saj.

“Jam akoma duke menduar për javët e kaluara kur vizitova vendlindjen time, Kosovën, dhe se sa e pabesueshme ishte të ndihmoja fëmijët, në bashkëpunim me UNICEF. T’u japësh atyre shpresë dhe besim, madje dhe dikë që të ndihmojë në shëndetin e tyre është kaq emocionuese dhe ngushëlluese. Unë gjithashtu u dhashë fëmijëve disa lodra dhe nuk mund t’ua them dot sesa të lumtur ishin ata, sa sollën lot në sytë e mi dhe më bën të ndihesha e aftë që mund t’i bëja ato të buzëqeshnin. Si një ambasadore e Kosovës, është detyra ime të sigurohem që të bëjmë gjithçka me organizatat bamirëse si në rastin e UNICEF, që punojnë shumë për sigurinë e jetës së fëmijëve. Me ndihmën tuaj ne mund të bëjmë shumë më shumë në të gjithë botën. Faleminderit!”, – shkruan Rita në Instagram

Thaçi: Jo axhenda të fshehta për marrëveshje me Serbinë

Përmes një statusi në Facebook, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se do të marrë pjesë në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor më 29 prill në Berlin. Pritësit e takimit do të jenë kancelaria gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron.

Thaçi tha se takimi do të jetë një interesim i Gjermanisë dhe Francës për Kosovën dhe rajonin por nuk do të ketë asnjë plan të fshehtë që çon në ndonjë marrëveshje me Serbinë.

“Si president jam në konsultim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë për zhvillimet në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor. Takimi i Berlinit do të jetë vazhdimësi e interesimit të Gjermanisë dhe Francës për Kosovën dhe rajonin tonë. Ne e mirëpresim dhe e përshëndesim këtë iniciativë. Bazuar në konsultat që kam zhvilluar, nuk do të ketë asnjë plan që do të propozohet për marrëveshjen Kosovë-Serbi. Për më tepër, nuk ka asnjë axhendë të fshehtë prapa këtij takimi.”

Thaçi ka folur edhe për liberalizmin e vizave të Kosovës duke kërkuar që ky proces të ndodh sa më shpejt dhe Gjermania e Franca të mbajnë një qëndrim të përbashkët.

“Për Kosovën do të ishte tepër dëshpëruese në rast se edhe në këtë takim, Franca dhe Gjermania, dështojnë të harmonizojnë qëndrimet e tyre për vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë. Kosova mbetet vendi i vetëm i izoluar në Evropë.” – shkruan Thaçi

Si president jam në konsultim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë për zhvillimet në Kosovë dhe në Ballkanin…

Publiée par Hashim Thaçi sur Mercredi 17 avril 2019

Hahn për Thaçin: Taksa kundërproduktive, të pezullohet

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin Johannes Hahn dhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi patën një takim në Bruksel. Hahn e konsideroi takimin si të frytshëm dhe këmbëngulën që dialogu Beograd-Prishtinë për normalizimin e marrëdhënieve duhet të rifillojë së shpejti në interes të stabilitetit dhe progresit rajonal.

Në llogarinë e tij Twitter, Hahn përsëriti qëndrimin e BE-së se tarifat e importit të Kosovës për mallrat nga Serbia dhe Bosnja ishin kundërproduktive dhe kërkoi përsëri pezullimin e tyre.

Më parë, Thaçi tha për London Daily The Guardian se një marrëveshje ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për të normalizuar marrëdhëniet e tyre është e mundur këtë vit, pavarësisht nga pengesat e kohëve të fundit.

“Ne duhet të ulemi edhe me armiqtë tanë të hijes, por pa asnjë parakusht dhe të përpiqemi të dëgjojmë njëri-tjetrin,” citon gazeta.

Milot Rashica po lulëzon te Werder Bremen

Washington Post i kushton një artikull futbollistit shqiptar

Milot Rashica po kalon një formë të shkëlqyer në Gjermani me Werder Bremen, teksa vetëm mbrëmjen e djeshme, shënoi përsëri ndaj Schalkes në Kupën e Gjermanisë. Goli i tij ishte i jashtëzakonshëm, i shënuar nga jashtë zone dhe me një harkim spektakolar.

Bremen u kualifikua në turin tjetër të kupës, ndërsa Rashica shijon frutet e punës së tij. Ky sezon ka qenë vërtetë i mbarë për sulmuesin anësor, teksa ka shënuar deri më tani 9 gola në të gjitha garat në Gjermani.

Shkëlqimi i Milot Rashicës ka kaluar kufijtë e Gjermanisë, por edhe të Europës. Është Washington Post, që i ka kushtuar një artikull të gjatë futbollistit nga Kosova, që po përjeton një moment të shkëlqyer në karrierë. “Sulmuesi i Kosovës, Milot Rashica, po lulëzon te Werder  Bremen”, e vendos titullin kreysor të shkrimit gazeta amerikane.

Më tej, në artikullin kushtuar Milot Rashicës, gazeta amerikane citon fjalët e trajnerit të Bremenit, Flirna Kohfeldt, i cili është shprehur se futbollisti kosovar është rritur shumë profesionalisht.

 “Ai ka bërë hap gjigant. Është më i sigurt në vetvete dhe tani thjesht mund të bëjë gjëra të tilla”, ka thënë trajneri i skuadrës gjermane, ndërsa ka vijuar: Me topin, Rashica mund të bëjë gjithçka që ju nevojitet për të fituar ndeshjen. Ai ka një goditje të shkëlqyer, qoftë nga distanca apo dhe brenda zonës së penalltisës. Këmba e tij e djathtë është një armë e rrezikshme”, ka thënë Kohfeldt.

Washington Post, ndër të tjera në artikull, ka cituar edhe fjalët e Milot Rashicës, që ky i fundit ka thënë në një intervistë për faqen zyrtare të klubit të Werder Bremen.

Ai  ka rrëfyer ndër të tjera ndryshimin e madh midis Bundesligës dhe ligës së parë në Hollandë, ndërsa ka treguar se i është dashur kohë për tu përshtatur. “Ka ndryshim të madh midis dy kampionateve. Mu deshë shumë kohë për tu përshtatur me stërvitjen dhe stilin e lojës me shokët e skuadrës”, ka thënë Rashica.

BE përçahet për Kosovën, Kukan kritika Mogherinit

“BE ka treguar mungesë lidershipi në udhëheqjen e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës”. Kështu është shprehur Shefi i delegacionit të BE-së, Eduard Kukan duke kritikuar ashpër shefen e politikës së jashtme në BE,  Federica Mogherini, e cila ka ndërmjetësuar dialogun mes dy shteteve.

“Kërkoj falje znj.Mogherini, por BE ka treguar qartë mungesë të lidershipit në dialog. Negociata të tilla mund të kenë sukses vetëm nëse tregoni se jeni të fortë si udhëheqje. BE-ja duhet të jetë më e fortë në dialog për të parashikuar mirë ngjarjet dhe reagimet ndaj tyre”, ka thënë Kukan.

Kukan është shprehur pesimist për arritjen e një marrëveshje të shpejtë në mes të Kosovës dhe Serbisë, ndërsa thekson se ajo tashmë do të varet nga administrata e re që do të vendoset në BE pas zgjedhjeve.

“Shumë do të varet nga personaliteti i përfaqësuesit të ri të lartë apo përfaqësueses, dhe se si do ta marr rolin e tij në dialog”, ka thënë Kukan i cili mbështet fuqishëm përfshirjen në BE të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Pa përfshirjen e Ballkanit Perëndimor nuk mund të flitet për të gjithë Evropën, por kjo nuk është edhe qëndrimi i shumë kolegëve të mi këtu në Parlament, si dhe shumë politikanëve kryesor në Evropën Perëndimore. Besoj se procesi i zgjerimit do të vazhdojë dhe kjo është e nevojshme. Sa i përket vendeve të rajonit, mesazhi im është që këto vende të luajnë rol shumë aktiv për të vendosur raporte të mira me Parlamentin Evropian, në mënyrë që deputetët të jenë të gatshëm për t’u angazhuar dhe mbështetur procesin”, ka thënë ndër të tjera Eduard Kukan.

Serbët e Kosovës në pritje të “PO” së Beogradit

Pas vendimit të presidentit Thaçi për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës, duket se kryetarët serbë kanë nisur me përpilimin e listës së emrave, që pritet të kalojë për miratim nga Beogradi zyrtar.

Katër komunat veriore të Kosovës, Mitrovica, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan kanë një popullsi të konsiderueshme serbe dhe deri më sot janë udhëhequr nga kryetarë serbë.

Më herët, kryeministri Haradinaj u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të dalin të votojnë masivisht për të vendosur për të drejtën e tyre.

Haradinaj akuza Moskës: Po na nxjerr jashtë binarëve

 Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka akuzuar Rusinë se po ndikon negativisht në Kosovë përmes një axhende të mirëpërcaktuar për të nxjerrë vendin jashtë binarëve.

 “Rusia ka një axhende përmes së cilës tenton të shtrijë ndikimin e saj në Kosovë dhe ashtu si në të gjithë rajonin e Ballkanit, po investon për prishjen e imazhit të vendit”, deklaroi kryeministri Ramush Haradinaj.

Ai tha se Rusia po investon para dhe ide për të mos lejuar integrimin e Kosovës në BE.

“Tendencat e Moskës për përfshirjen e Kosovës në procese, të cilat do ta nxirrnin vendin jashtë binarëve.  Rusia investon para në idenë për ta paraqitur Kosovën “në një status-quo regresive”, tha Haradinaj.

Ndërkohë këshilltari i tij, Halil Matoshi, duke folur për Radion Europa e Lirë, tha se sipas të dhënave dhe analizave të ndryshme, del se politika e Rusisë vazhdon të tentojë që t’i minojë proceset integruese të vendeve të rajonit në NATO dhe BE, përmes pranisë në këto vende, përfshirë edhe Zyrën e Rusisë në Kosovë.

Thaçi optimist për marrëveshjen me Serbisë: Firmoset brenda vitit

Një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës, në të njejtën linjë historike siç u arrit ajo mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, është e mundur të arrihet deri në fund të këtij viti, pavarësisht pengesave që ka pasur muajt e fundit.

Kështu është shprehur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për The Guardian.

Serbia ka refuzuar të njohë Kosovën si shtet të pavarur që nga vitit 2008, pra gati 10 vjet pasi administrata ndërkombëtare i dha fund luftës së përgjakshme mes dy shteteve që u zhvilluar në vitet 1998-99.

Lufta, e nxitur prej spastrimit brutal që po ushtronin forcat serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë, latë paktën 10 mijë shqiptarë të vdekur, përpara se të nevojitej një fushatë bombardimi 78-ditore nga Aleanca e Atlantikut të Veriut, NATO, për t’i dhënë fund konfliktit.

“Duhet të ulemi e të bisedojmë edhe me armiqtë tanë të betuar, por pa parakushte, e të përpiqemi të dëgjojmë njëri-tjetrin”, tha presidenti Thaçi në prag të zhvillimit të Konferencës së Berlinit që do të mbahet më 29 prill.

Bisedimet mes dy vendeve janë pezulluar që prej muajit nëntor, kur Kosova vendosi një tarifë prej 100 për qind ndaj produkteve që vinin prej Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.

“Në rrethanat aktuale, me këto tensione, nuk shoh arsye se përse investitorët e huaj duhet të vijnë dhe të investojnë në rajonin tonë. Vetëm një marrëveshje paqeje do të sjellë prosperitetin e rajonit”, tha Thaçi ndërsa shtoi se nuk do të tërhiqet nga taksa ndaj mallrave serbe.

Skip to toolbar