Seanca sot, Kuvendi rrëzon 8 herë Metën

Kuvendi zhvillon të enjten (sot) seancën e dytë plenare në nisje të sesionit të ri parlamentar. Seanca pritet të nis në orën 10:00, ndërsa në rend të ditës janë kthimi për rishqyrtim i 8 dekreteve të Presidenti Meta gjatë verës. Kuvendi pritet të rrëzojë presidentin Meta ashtu siç u bë edhe në komisionet përkatëse të tyre. Dekretet që pritet të rrëzohen nga parlamenti janë që nga qeverisja vendore, koncesionet për rrugët Orikum- Dukat, Milot– Balldren, apo edhe propozimi i tij për emërimin e Petraq Milos në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit.  

Tetë dekretet e Presidentit që pritet që të rrëzohen në Kuvend:

1. Dekreti për ligjin për rezervat materiale të shtetit

2. Dekreti për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare

3. Dekreti për ligjin e për vetëqeverisjen vendore

4. Dekreti për ligjin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit

5. Dekreti për ligjin për koncesionet dhe partneritetin publik privat

6. Dekreti për koncesionin e rrugës Orikum – Llogara, Porti i jahteve – By-Pass Orikum – Dukat

7. Dekreti për koncesionin e rrugës Milot – Balldren

8. Dekreti për propozimin e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit

Presidenti Meta, i cili kishte nisur një luftë të ashpër institucionale ndaj mazhorancës gjatë verës, i ktheu saj plot 7 dekrete si një mënyrë për ta sulmuar dhe bllokuar punë  e saj. Megjithatë rikthimi për rishqyrtim të këtyre dekreteve, ashtu siç pritej, do të rrëzohen nga Kuvendi dhe do të miratohen me një shumicë të thjeshtë votash.

Kreu i shteti gjatë gjithë verës përdori dekretet e  tij për të sulmuar qeverinë deri në anulimin e zgjedhjeve, që u njohën edhe nga ndërkombëtarët se duhet të zhvilloheshin më 30 qershor. Kjo bëri që presidenca dhe mazhoranca të hyjnë në një marrëdhënie jo vetëm të ftohtë por edhe të ashpër, aq sa nisi procedurat për shkarkimin  tij për shkelje të rëndë të kushtetutës. Me kërkesë të PS, Kuvendi ngriti një komision hetimor për hetimin e shkeljeve të Presidentit për shfuqizimin e 30 qershorit.

Mbrojtja e Metës para Komisionit Hetimor, bëri që ai të ndërmerrte një qëndrim të ri ndaj partisë në pushtet. Nga sulmet e ashpra mes mazhorancës dhe tij, aty u shfaq një dashuri me tepricë nga të dyja palët.

Kreu i shtetit, Ilir Meta ka nisur një flirtim të ri me mazhorancën, sikur po kërkon të afrohet sërish me të majtën. Ndoshta kjo mund të jetë një shenjë e ngrohjes së marrëdhënieve mes tyre, ose një bllof i Metës për të zbutur disi përplasjet dhe për të krijuar një përçarje mes tyre për çështjen e shkarkimit. Pas dekretit për shfuqizimin e 30 qershorit, mazhoranca e cilëson atë “President në detyrë”, ndërsa vetë Meta shprehët i bindur se nuk do të lëviz nga zyra e tij deri në përfundim të mandatit më 24 korrik 2022.

Petraqi “puthet me Milon”: KLSH, dështimi tretë i Metës

Për herë të tretë, Komisioni i Ekonomisë, ka rrëzuar kandidaturën e përzgjedhur nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, për kreun e KLSH-së. Konkretisht, kandidati Petraq Milo nuk ka kaluar në Komisionin e Ekonomisë në Kuvend, duke u bërë kandidati i tretë, pas Bahri Shaqirit dhe Vitore Tushës, që rrëzohen si kandidat për të drejtuar Kontrollin e Lartë të Shtetit. Ka qenë deputetja Evis Kushi, ajo që i ka drejtuar tre pyetje kyçe Petraq Milos, në lidhje me karrierën e tij.

Sipas deputetes socialiste, në CV e Milos mungojnë të dhënat për detyrën që ka mbajtur nga vitit 1998 deri në vitin 1991. Gjithashtu, sipas deputetes Kushi, në karrierën e tij Petraq Milo ka mbajtur një funksion në Bankën e Shqipërisë në kundërshtim me ligjin, pasi ai ka qenë kandidat për anëtar të Këshillit Kombëtar të PD-së. Në pyetjen e tretë, Kushi ka kërkuar dhe informacion, rreth arsyeve të dorëheqjes së Petraq Milos nga posti që ka mbajtur në Bankën  e Shqipërisë.

Ndërkohë, kandidati i prezantuar nga Ilir Meta, që më herët ka qenë këshilltar i Berishës, u shpreh se sipas ligjit në CV duhet të jenë të shënuar 10-të vitet e fundit të karrierrës së tij, ndërsa sipas tij, informacioni i dhënë në CV është për 20 vitet e fundit.

Ndërkohë, Petraq Milo ka mohuar që ka dhënë dorëheqjen nga BSH. “Në periudhën 88-91, kam qenë drejtor i drejtorisë ekonomike të kombinatit të autotraktorëve. Funksioni në Bankën e Shqipërisë është para PD. Nuk kam dhënë dorëheqjen nga Banka e Shqipërisë. Në punën time kam qenë model për të qenë bashkëpunues, për të mbështetur çdo qeveri. Nuk ka pasur asnjë qëndrim politik në punën time”, deklaroi Milo.  Të martën, Kuvendi rrëzoi përsëri kreun e shtetit, i cili i kishte kthyer disa ligje për rishqyrtim, të cilat u rimiratuan në Komisionin e Ekonomisë, dhe do t`i shkojnë përsëri Kuvendit për miratim.

VOA: Ndërhyrjet në sistemin zgjedhor, të pamundura të realizohen në pak javë

Në Shqipëri parlamenti nisi sot pasdite sesionin e tij të ri, në një sallë e cila do të vijojë të ketë 18 vend bosh, pas largimit të opozitës në muajin shkurt, dhe djegien e mandateve të 58 përfaqësuesve të saj. Vetëm 40 prej tyre u zëvendësuan nga emrat që ndodheshin në listat e Partisë Demokratike dhe Partisë Lëvizja socialiste për integrim, të cilët nuk ju nënshtruan vendimit politik të drejtuesve të tyre.

“Parlamenti përballoi me dinjitet sfida të jashtëzakonshme dhe unike. Demokracia liberale si asnjëherë gjatë tre dekadave u provua si demokraci kushtetuese dhe vetë konstitucionalizmi si tendencë solide e saj. Si asnjëherë në historinë e pluralizmi, Kushtetuta u rezistoi aventurave duke shpëtuar kështu sistemin demokratik të Shqipërisë nga anarkia dhe kaosi. Rreth 70% e mandateve janë zëvendësuar shumë shpejt nga deputetët e rinj të opozitës, gjë që ndihmoi në rikthimin e normalitetit të Parlamentit”, deklaroi në fjalën e tij hapëse kryetari Gramoz Ruçi duke ju referuar pikërisht situatës së paprecedentë të krijuar në vend.

Emëruesi i përbashkët i diskutimeve të përfaqësuesve të të gjithë krahëve politikë në sallë, ishte reforma zgjedhore. Komisioni i Posaçëm ka afat deri në muajin tetor. Shumica, siç e ka bërë të qartë kryeministri Edi Rama synon përmbylljen e saj në javët e ardhshme, në mënyrë që të realizojë rekomandimin e vitit të kaluar të Këshillit europian, për hapjen e bisedimeve për anëtarësim. Ky Këshill pritet të thotë fjalën e tij në mesin e muajit të ardhshëm si për Shqipërinë ashtu dhe për Maqedoninë e Veriut.

Shumica, siç u shpreh dhe kryetari Ruçi por dhe drejtuesi i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, i mbetet ftesës për ta realizuar këtë reformë dhe me Partinë Demokratike, duke i lënë asaj sërish përfaqësim në Komision së bashku me të drejtën e vetos. Por megjithatë, miratimin e Reformës, shumica do të duhet ta bëjë me votat e opozitës në sallë. Përfaqësuesit e kësaj të fundit i kanë mëshuar idesë së ndryshimit të sistemit zgjedhor. Dhe këtë e theksoi me forcë dhe drejtuesja e grupit Demokrat Rudina Hajdari. “Reforma zgjedhore do ti japë fund këtij sistemi që ka mbytur demokracinë e brendshme. Nuk do kemi qeverisje të mirë me një qeveri autokratike. Ndryshimi i sistemit duhet të jetë kryefjala e ndërhyrjes në reformën zgjedhore. Si opozitë jemi pro ndryshimeve kushtetuese për një sistem të ri që ofron kandidatë të denjë dhe konkurrencë të drejtë”, u shpreh zonja Hajdari, e cila përmendi gjithashtu dhe nevojën e depolitizimit të administratës zgjedhore, dhe garantimin e votës së emigrantëve.

Por ndërsa për këto dy pikat e fundit, mund të gjendet dakordësia me shumicën, ndërhyrjet në sistemin zgjedhor që kërkojnë dhe ndërhyrje kushtetuese, duken të pamundura për t’u realizuar në harkun e pak javëve. Edhe kryetari i grupit Socialist Balla nënvizoi faktin se reforma duhet të mbështetet te rekomandimet e OSBE-ODIHR-it.

Deputetët do të nisin punën në këtë sesion me një sërë projektligjesh të rrëzuara nga Presidenti Ilir Meta, që nga kontratat koncesionare për ndërtimin e dy akseve rrugore, të ndryshimet në ligjin për Koncesionet, ato në Kodin Penal apo dhe ligjin për Akademinë e Shkencave.

Shumica ka paralajmëruar rivotimin e tyre, ndërsa nesër do të rifillojë nga puna dhe Komisioni hetimor i ngritur për shkarkimin e Kreut të Shtetit. Parlamenti i është drejtuar Komisionit të Venecias, një delegacion i të cilit pritet të mbërrijë në Shqipëri në fillim të javës së ardhshme. Opinioni i këtij institucioni pritet të jetë vendimtar, ndërkohë që procesi në vetvete do të dojë kohë, pasi fjalën e fundit do të duhet ta thotë Gjykata Kushtetuese e cila nuk do të mund të plotësohet ende më numrin e nevojshëm të anëtarëve që do të lejonin funksionimin e saj./VOA

Reforma Zgjedhore, PS fton zyrtarisht edhe opozitën jashtë Kuvendit

2 shtatori shënoi çeljen e sesionit të V parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë. Deputetët mbyllën kështu zyrtarisht pushimet dhe iu rikthyen miratimit të ligjeve në Kuvend, ku ky sesion i ri pritet të jetë mjaft i ngarkuar dhe me përgjegjshmëri të lartë duke u fokusuar tek reforma në drejtësi, reforma zgjedhore dhe integrimi i vendit. I pari që mori fjalën në Kuvend, ishte kryeparlamentari Gramoz Ruçi, i cili paraqiti planin e punës dhe prioritet që do të ketë ky parlament gjatë 2019. Prioritet i Kuvendit do të jetë Reforma Zgjedhore deklaroi Ruçi, ku i bëri edhe një herë thirrje opozitës që të marrë pjesë në diskutimin e saj dhe ndryshimet që kërkohen në këtë reformë në komisionin e posaçëm. Ruçi tha se dora e qeverisë është e shtrirë për opozitën jashtë parlamentit për reformën zgjedhore.

“Rekomandimi i komisionit për çeljen e negociatave është produkt i arritjeve në reformën në drejtësi. Në tetor shkojmë me siguri në plotësimin e këtyre detyrave. Dëshira e të gjithë shqiptarëve është çelja e negociatave. Ne duhet ta përdorim këtë fillim sesioni për të kompensuar atë që nuk bëmë mirë në sesionin e kaluar. Prandaj prioriteti i parë do të jetë përmbyllja e reformës zgjedhore. Do të jetë një produkt konsensual i Kuvendit duke përfshirë edhe opozitën jashtë parlamentare. Dora e shtrirë e Kuvendit nuk është mëshirë. Mbrojtja e Kushtetutës është garancia e Shqipërisë së nesërme. Reforma në drejtësi do të vijojë duke filluar me ngritjen e institucionet e reja.”- tha Ruçi

Gjatë fjalës së tij, Ruçi nuk la pa përmendur edhe akuzat që presidenti Meta dhe opozita jashtë parlamentare në lidhje me legjitimitetin e Kuvendit. Ai tha se Kuvendi është legjitim dhe funksional, pasi i ka votat e mjaftueshme për të miratuar çdo ligj, duke i kthyer kështu një përgjigje Metës dhe opozitës jo parlamentare, që e cilëson si jo legjitim.

“Me gjithë vështirësitë që u shkaktuan me lënien e mandateve nga opozita, kjo gjë nuk pengoi produktivitetin e Kuvendit. 40 nga 58 mandate u zëvendësuan shpejt, që ndihmoi në rikthimin e normalitetit dhe legjitimitetit të Kuvendit. Kuvendi fillon këtë sesion si funksional me kuorum kushtetues, me shumicë të kualifikuar për të miratuar çdo akt ligjor. Kjo shpreh edhe një përgjegjësi të lartë grupit opozitar, kushtetuese dhe politike për të cilën meritojnë mirënjohje. Kushtetuta u rezistoi aventurave duke shpëtuar sistemin nga kaosi dhe anarkia. “- tha Ruçi

Kuvendi rinis punën, shkarkimi i Metës dhe reforma zgjedhore në krye të axhendës

Këtë të hënë pasdite Kuvendi do të mblidhet për të çelur sesionin e ri të punimeve. Për herë të parë që nga rënia e diktaturës,  ky sesion i ri parlamentar e gjen Partinë Demokratike jashtë Kuvendit. Megjithatë, deputetët e mazhorancës dhe ata të opozitës parlamentare, kanë një axhendë voluminoze pune për të bërë gjatë gjithë muajit shtator. Në krye  të punëve të Kuvendit, do të jetë puna për shkarkimin ose jo të Presidentit Ilir Meta, i cili akuzohet për shkelje të Kushtetutës, pas dekretit të 10 qershorit për anulimin e datës së zgjedhjeve, dhe dekretit të 27 qershorit, për shpalljen e një date të re zgjedhjesh ndërkohë që më herët dekreti i tij ishte rrëzuar nga Kolegji Zgjedhor.

Komisioni Hetimor Parlamentar për shkarkimin e Metës, ka vijuar punën edhe gjatë muajit gusht, pavarësisht se nuk është mbledhur. Ai ka funksionuar në nivel sekretariati, ndërsa me rinisjen e punimeve plenare, ky Komision do të ketë një punë voluminoze përpara. Megjithatë, pritet që brenda muajit shtator apo në fillim të tetorit, Kuvendi të marrë një vendim përfundimtar për çështjen e Ilir Metës, duke pasur parasysh faktin që kaq është dhe koha e përcaktuar e funksionimit të Komisionit Hetimor, i cili në fund do të dorëzojë në Kuvend raportin përfundimtar. Gjithashtu, një pikë e rëndësishme e vlerësimit të këtij raporti do të jetë opinioni i Komisionit të Venecias.

Në fund të muajit korrik kryetari i Parlamentit Gramoz Ruçi i dërgoi një letër Komisionit të Venecias, ku i kërkoi mendim në lidhje me shkeljet ose jo të Kushtetutës nga Ilir Meta. Një tjetër axhendë e rëndësishme e punimeve të sesionit të ri parlamentar, do të jetë puna për Reformën Zgjedhore. Opozita parlamentare, ashtu si në rastin e shkarkimit të  Ilir Metës, ka kërkuar dhe është angazhuar  për ndryshimin e kodit aktual zgjedhor. Tashmë pritet të shihen veprimet konkretete të opozitës në lidhje me këtë reformë.

Gjithashtu, brenda muajit shtator apo në fillim të tetorit, në Kuvend pritet të votohen 2 anëtarët për Gjykatën Kushtetuese, që do t`i hapte rrugë krijimit të këtij institucioni, i kërkuar nga ndërkombëtarët edhe për të vlerësuar ligjshmërinë ose jo të zgjedhjeve të 30 qershorit dhe dekreteve të Metës. Gjithashtu, Kuvendi do të ketë edhe një dosje të madhe për rishqyrtimin e ligjeve të kthyera në Parlament nga Presidenti, i cili vetëm gjatë muajit korrik, ktheu të paktën 4 ligje.

Nga shkarkimi i Metës, te reforma zgjedhore! Kuvendi rikthehet të hënën në “detyrë”

Deputetët e Kuvendit do të rikthehen nesër për të çelur sesionin e ri parlamentar. Ky është sesioni parë në 3 dekada që Partia Demokratike nuk është pjesë e Parlamentit. Siç dihet vendet e deputetëve demokratë dhe të aleateve të tyre janë zënë nga deputetë që kanë krijuar 3 grupe të reja parlamentare, grupi “Demokrat” i udhëhequr nga Rudina Hajdarit, grupi “I pavarur” pjesë e të cilit është Ralf Gjoni, si dhe grupi i “Partive të djathta.

Këto grupe parlamentare do të vendosin këtë sesion për shkarkimin ose jo te presidentit te republikës, Ilir Meta, vendim i cili kërkon 94 vota. Në tetor përfundon afati i komisionit hetimor i ngritur për hetimin e tij lidhur me dekretin e anulimit të zgjedhjeve të 30 qershorit. Ky komision do të lexojë raportin, pasi komisioni i Venecias te japë mendimin e tij për këtë çështje, e më pas Kuvendi do të vendosë për fatin e Ilir Metës.

Por kjo nuk është e vetmja çështje që Parlamenti ka për të zgjidhur me Presidentin e Republikës. Janë 9 ligje që gjatë muajve të verës kreu i shtetit ka refuzuar t’i dekretojë. Mazhoranca do të vendose nëse do të pranojë vërejtjet e tij apo thjesht do t’i miratoje ato pa asnjë ndryshim, siç ka vepruar në shumë raste.

Në fund të muajit nëntor përfundon afati i Komisionit për Reformën Zgjedhore. Mbetet për t’u parë nëse ndryshimi i ligjit zgjedhor do të bëhet me opozitën e re, pa kontributin e Partisë Demokratike, LSI, PDIU, apo partive të tjera opozitare jashtë Kuvendit. Sakaq, Këshilli i Emërimeve ne Drejtësi ka realizuar verifikimin e kandidaturave e pritet vetëm renditja sipas meritës para se t’i dërgohen deputeteve për votim. Në këtë sesion, Parlamenti do të miratojë edhe 2 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Para zhvillimeve të reja në Kuvend, pas më shumë se një muaji, nesër deputetët do të rikthehen për herë të parë në një seancë plenare./Javanews/

Financimet e partive, Kuvendi urdhër KQZ: Kontrollo shpenzimet

Financimet publike apo private të partive, sidomos gjatë fushatave zgjedhore kanë qenë gjithmonë një temë diskutimi lidhur me transparencën e tyre. Për të shmangur financimet e kundraligjshme dhe pastrimin e parave, Kuvendi i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të hartojë një metodologji të qartë dhe efikase kontrolli dhe verifikimi të shpenzimeve financiare të partive politike. Përmes një rezolute dorëzuar KQZ-së në 2018, Kuvendi i ka kërkuar disa detyra për t’i plotësuar në 2019, ku sigurisht një pjesë e tyre lidhet me financimin e partive.

Kuvendi kërkon që të forcohet kontrolli i financave publike dhe private, brenda dhe jashtë vendit të partive. Madje i kërkon KQZ-së që të bashkëpunojë edhe me autoritetet përgjegjëse që kontrollojnë pastrimin e parave dhe financimet e kundërligjshme nëse është e nevojshme.

KQZ të marrë masa të përshtatshme dhe proporcionale për monitorimin nga afër të kushteve dhe kritereve ligjore për financimin publik e privat të fushatës zgjedhore të subjekteve pjesëmarrëse në zgjedhje. KQZ të hartojë metodologjitë e kontrollit dhe verifikimit të shpenzimeve të financimeve të partive politike dhe fushatave elektorale, brenda dhe jashtë vendit, duke shqyrtuar edhe mundësinë e lidhjes së marrëveshjeve të bashkëpunimit me autoritetet përgjegjëse që kontrollojnë pastrimin e parave dhe financimet e kundërligjshme. Të përmirësojë shqyrtimin administrativ të verifikimit të financimeve të fushatave zgjedhore jo vetëm mbi bazën e deklarimeve të subjekteve zgjedhore, por edhe mbi bazën e dokumenteve dhe fakteve të deklaruara apo të bëra publike, duke referuar në eksperiencat e vitit 2018”- thuhet ndër të tjera në rezolutën që Kuvendi i ka dërguar KQZ për të plotësuar gjatë 2019.

Forcimi i kontrolleve financiare është i domosdoshëm për të zbatuar ligjin dhe shmangur abuzimet, ku rasti i fundit lidhet me Partinë Demokratike, ku ndaj kryetarit të saj Lulzim Basha ka nisur një hetim penal për  fshehjen e 650 milionë dollarëve gjatë lotimit rus në SHBA si dhe fshehja e pasqyrimit të të ardhurave dhe shpenzimeve që kjo parti ka bërë në 53 degët e saj në të gjithë vendin.

Kosova drejt zgjedhjeve të parakohshme, shpërndahet Kuvendi

Parlamenti i Kosovës ka vendosur për shpërndarjen e tij me 89 vota pro, 1 kundër dhe 2 abstenim. Shpërndarja i hap rrugën zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë.

Gjatë seancës plenare ku ishin të pranishëm 106 deputetë u morr vendimi për shpërndarjen e parlamentit duke i dhënë fund legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Sipas Kushtetutës së Kosovës, shpërndarja e Kuvendit në këtë rast, mund të realizohet më dy të tretat e votave të deputetëve, pra 80 vota, ndërsa vendimi u morr me 89 vota.  

Pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili mori ftesë që të intervistohet nga Gjykata Speciale si i dyshuar për krime lufte, presidenti Hashim Thaçi zhvilloi takime me partitë për të zgjedhur një të mandatar të dytë, por nuk u arrit në një dakortësi. Kjo çoi në shpërndarjen e parlamentit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Në nenin 66 të Kushtetutës së Kosovës thuhet se në raste të shpërndarjes së Kuvendit zgjedhjet do të mbahen jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes. Një ditë më herët Presidenti Thaçi lajmëroi se data më e afërt për të mbajtur zgjedhjet e parakohshme është data 6 tetor.

Gjykata Kushtetuese, Kuvendi rihap garën për plotësimin e vakancës

Me kërkesë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi më datë 9 gusht 2019, Kuvendi ka rihapur garën për plotësimin e vakancës në Gjykatën Kushtetuese. KED i kërkoi zyrtarisht Kuvendit dhe Presidentit  shpalljen e vendeve vakante për anëtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese, që u krijuan nga shkualifikimi nga gara i disa kandidatëve për shkak të vettingut, duke krijuar dy vakanca të lira në listat emërore të Presidentit dhe Kuvendit.

Të mërkurën më 21 gusht Kuvendi ka hapur zyrtarisht garën për aplikime të kandidatëve, të cilët dëshirojnë të jenë pjesë e Gjykatës Kushtetuese që prite të ngrihet në shtator. Gara do të jetë e hapur deri më 15 shtator dhe më pas lista me dokumentacionin përkatës për secilin kandidat do t’i përcillet Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Kuvendi ka paraqitur të gjitha kriteret që duhet të plotësohen nga gjyqtarët që duan të bëhen pjesë e garës për të plotësuar një vend vakant të krijuar pas largimit nga venttingu të gjyqtarit Fatos Lulo. (Lexo këtu kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët).

Aktualisht Gjykata Kushtetuese është vetëm me një anëtar, Vitore Tusha, dhe sipas ligjit duhet të pakën 5 anëtarë që kjo gjykatë të jetë funksionale dhe të fillojë me shqyrtimin e çështjeve në themel. KED ka bërë gati listën me 6 kandidatë që do të plotësojnë 4 vendet vakante, ku dy do të zgjidhen nga Presidenti dhe dy nga Kuvendi. Aktualisht në listë janë 6 emrat e miratuara nga KED pas intervistës që ka bërë me ta, konkretisht Arta Vorpsi, Besnik Muçi, Elsa Toska, Fiona Papajorgji, Marsida Xhaferrllari dhe Regleta Panajoti.

Gjykata Kushtetuese pritet em interes të madh jo vetëm nga politika por edhe qytetarët, pasi një nga çështjet e rëndësishme që pritet të shqyrtojë të parën është kërkesa e qeverisë për shkarkimin e presidentit Meta.

Seanca e fundit e Kuvendit, nga Kodi Penal te drejtësia, 15 ligjet e miratuara

Kuvendi ka zhvilluar të enjten seancën e fundit parlamentar për sezonin në të cilin kishte një rend dite të ngjeshur me miratimin  disa prej ligjeve më të diskutuara kohët e fundit.

Parlamenti miratoi me 96 vota pro 7 ndryshimet në Kodin Penal ku ashpërsohen dënimet për dhunën ndaj mjekëve, policëve, dhunën në sport, sigurinë ushqimore, por edhe të tjera, ndërsa u tërhoqën nga amendamenti i deputetit Ervin Bushati për krimet zgjedhore, ku parashikohej dënimi me 10 vite pa të drejtë lëvizje jashtë vendit. Kaluan me 106 pro, 1 kundër, 1 abstenim ligjet e mbartura prej 2 vjetësh të reformës në drejtësi. Ligji për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ai për organet e qeverisjes së drejtësisë.

U miratuan dy koncesionet e rrugëve  Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat, konsecone të diskutuar mediatike dhe politike.

Ndërsa u shty për sezonin e ardhshëm të parlamentit  shkarkimi i Arben Malajt nga Bordi Drejtues i Bankës së Shqipërisë,  projektvendimi për emërimin e Kryetarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe projektligji për ndryshimet për Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit.

Të gjitha ligjet e miratuara të enjten në Kuvend:

Miratohen me 96 vota pro 7 ndryshimet në Kodin Penal

Miratohet me 96 vota pro projektligji për mbrojtjen civile

Miratohet me 96 vota pro projektligji për mbrojtjen e faunës së egër

Miratohet me 106 pro, 1 kundër, 1 abstenim projektligji për organet e qeverisjes në sistemin e drejtësisë

Miratohet me 106 pro, 1 kundër, 1 abstenim projektligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve

Miratohet me 106 projektligji për marrëveshjen e huas së Fondit Shqiptar me KFË-në

Miratohet me 84 pro, 1 kundër, 1 abstenim projektligji për koncesionet dhe partneritetin publik privat (Kufizimet)

Miratohet me 77 vota pro dhe 23 vota kundër koncesioni për rrugën Orikum – Dukat

Miratohet me 79 pro, 26 kundër, 3 abstenim koncesioni për rrugën Milot – Balldren

Miratohet me 81 pro, 22 kundër, 3 abstenim projektligji për Akademinë e Shkencave

Miratohet me 96 vota pro, 4 kundër, 7 abstenim projektligji për nismën e qytetarëve (Mund të paraqesin projektligje në Kuvend)

Miratohet me 89 vota pro projektligji për ndryshimet për taksat kombëtare

Miratohet me 107 pro, 1 kundër, 1 abstenim projektvendimi për Rregulloren e Kuvendit

Miratohet me 92 vota pro, 12 kundër, 2 abstenim projektligji për ndryshimet e ligjit për duhanin

Miratohet me 89 vota pro projektligji për asistencën sociale.

Skip to toolbar