Ditët e fundit Lulzim Basha iu rikthye edhe
një herë retorikës së parazgjedhjeve të 30 qershorit me fjalinë-temë: Rama do
rrëzohet nëpërmjet revolucionit demokratik.
Ndërsa për të disatën herë u bën këtë premtim
demokratëve, mesa duket Lulzim Basha edhe kësaj radhe nuk e ka seriozisht, siç
edhe shpesh kanë rezultuar qëndrimet e tij politike.
Fotoja e mëposhtëme është shkrepur në avionin
e linjës TiranëAthinë, ku burime për redaksinë tonë bëjnë me dije se Basha
është nisur me pushime drejt Mykonos-it, një prej ishujve më të shtrenjtë në
Greqi. Mesa duket Basha do e vazhdojë “revolucionin” për largimin e Ramës nga
ishujt grekë. /Tema/
Ndërsa Lulzim Basha doli mbrëmjen e së enjtes ku deklaroi se do të hartojë një platformë për daljen nga kriza, ku la të kuptohet për ndryshime jo vetëm në sistemin zgjedhor por dhe atë të drejtësisë, një ditë më pas, ka ardhur reagimi i mazhorancës. Ndërkohë, qeveria i ka kthyer përgjigje kreut të PD-së me anë të ministres Elisa Spiropali. Në një video mesazh, zëdhënësja e qeverisë, Spiropali i ka kujtuar Lulzim Bashës se mazhoranca është gati për të bashkëpunuar me opozitën për kodin zgjedhor, por kurrsesi për të ndryshuar Reformën në Drejtësi.
“Platformë për të reformuar drejtësinë thotë
Lulzim Basha. Asgjë nuk duket se ka kuptuar e ka mësuar kryetari i PD-së nga
humbja katastrofike dhe rrënimi dramatik që i solli partisë më të madhe të
opozitës me verbërinë dhe mendjelehtësinë e tij. Le të shpresojmë që drita e
arsyes do të ngrihet edhe në kokën e tij dhe së paku në grupin udhëheqës të
asaj partie, për të mirën e të gjithëve. Ne nuk bëjmë asnjë hap pas, dhe nuk
luajmë asnjë platformë alternative për reformën në drejtësi, do të jetë mund i
harxhuar kot ajo platformë se do të mbetet në sirtarin e ëndrrave me sytë hapur
të Lulzim Bashës”, shprehet Spiropali.
Në fund, Spiropali shprehet se mazhoranca është gati, që të bashkëpunojë me opozitën për të adresuar rekomandimet e ODIHR në ligjin e zgjedhjeve, duke i treguar gjithashtu Bashës, se zgjedhjet e ardhshme do të mbahen në 2021. “Ndërkohë, po, jemi gati të ulemi për reformën zgjedhore dhe të kthejmë në ligj rekomandimet e raporteve të fundit të OSBE/ODIHR. As më shumë dhe as më pak. Është e drejta e kryetarit të PD-së të ëndërrojë përmbysje të bazës ligjore së zgjedhjeve, por kjo do të mbetet ëndërr në sirtar. Por kemi gjithë predispozitën të hapim një dialog konstruktiv dhe të bashkëpunojmë me të gjithë përfshirë edhe Lulzim Bashën për të reformuar bazën ligjore të zgjedhjeve. Viti 2021 nuk është larg prandaj le të shpresojmë që Lulzim Basha dhe PD do ta lënë të shkuarën për tu marrë me të ardhmen”, u shpreh Spiropali.
Ndërkohë, Spiropali ka shtuar se shtyrja e
protestave nga Lulzim Basha për në mesin e muajit tetor, bëhet me qëllim për të
penguar hapjen e negociatave për anëtërsim me Bashkimin Europian.
“Opozita ka vendosur të shtyjë për në mesin e tetorit nisjen e protestave
masive ndërsa do të përgatisë dy platforma alternative për reformën zgjedhore
dhe në drejtësi. Shumë domethënëse kjo frazë për këdo që nuk e ka kuptuar apo
besuar se ku fle lepuri që prodhoi gjithë zallamahinë e gjysmës së parë të
vitit. E para, frika nga hapja e negociata dhe përpjekja ekstreme për
shkatërrimin e imazhit të Shqipërisë. Fare qartë, në mes të tetorit kur në fakt
të gjithë duhet të bënin avokatin e Shqipërisë në prag të vendimmarrjes së
Këshillit Evropian më 18 tetor, Lulzim Basha do të dalë përsëri në rrugë për të
prodhuar foto e lajme në mediat ndërkombëtarë mbi Shqipërinë e zhytur në të
zeza që nuk meriton asgjë”, deklaroi Spiropali.
Lëvizja “Basha ik” vijon të forcohet brenda së
djathtës, pasi Lulzim Basha ka shpallur ‘armik’ këdo që nuk është pro tij. Në një
koment të gjatë në rrjetet sociale, ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD,
Edvin Kulluri analizon situatën në vend, duke e nisur me atë që sipas tij ‘Rama
largohet nga pushteti duke ardhur PD në krye të qeverisjes”. “Njerëzit
inteligjent merren me idetë, mediokrit merren me njerëzit”! Kjo frazë i shkon më
shumë për shtat debatit 2-vjeçar brenda opozitës. Të gjithë bien dakord në PD
dhe më gjerë që Rama duhej të mos ishte më kryeministër më së paku prej 2
vitesh! Por kjo është vetëm gjysma e çështjes, pasi largimi i Rilindjes nga
pushteti realizohet vetëm me ardhjen në pushtet të opozitës. Alternativa brenda
të majtës nuk ka pasi PS është shndërruar në një “çetë të bindur rilindësish”,
pa debat dhe alternativa pasi e majta ka rënë në krizë në të gjithë perëndimin!
Dhe këtu ka filluar debati që nuk mbaron dot, pasi PD gjendet në një debat dhe përplasje
idesh dhe qasjesh esktremisht të ndryshme”, shkruan Kulluri.
Më pas, ai analizon situatën në PD, dhe ato që
i quan ‘gënjeshtra të Bashës’ dhe shpalljen ‘armik’ të kujtdo që është kundër tij.
Në këtë pikë, Edvin Kulluri tregon se kjo është rrugë e gabuar, dhe PD nga ‘ilaç
i Shqipërisë’ është shndërruar në një ‘të sëmurë keq’. “Pa dashur të bëj
histori se çka ndodhur nga 2013 e këtej, kriza e 2017 vazhdon dhe po zgjatet
çdo ditë e më shumë brenda PD duke e zhveshur nga të qenit “ilaçin e Shqipërisë”
dhe transformuar në një “të sëmurë të keq”. Kush nuk e sheh, është i verbër. Dhe
më mirë se qëndrimet e lidershipit të PD që veçse shton armiq dhe jo kapacitete
dhe aleatë, asgjë nuk e shpjegon krizën e të djathtës. E filloi me kritikët në
2017, e vazhdon duke i quajtur listën e shtuar të kritikëve si “të blerë nga
Edi Rama”. Më pas sulmoi ambasadat perëndimore dhe Brukselin si “palë me Ramën”,
e tashmë bën armik edhe një pjesë të mediave duke përfunduar si “problem” në qëndrimet
e “Gazetarë pa Kufij”, shkruan Kulluri.
Analiza e ish drejtuesit të lartë në PD,
vijon më tej edhe me vendimin e Bashës për të shtyrë ‘rrëzimin e Ramës’, duke e
quajtur një gënjeshtër të ardhës. “Dhe pas shpalljes “armik” të kujtdo që nuk është
dakord me Bashën, i këput dhe një shtyrje të revolucionit në vjeshtë pasi i gënjeu
për revolucionin e çadrës, atë të pranverës, 30 qershorit dhe zgjedhjeve të 13
Tetorit! “Herën e parë kur gënjen e ke fajin ti, herën e dytë unë”! Këtë
postulat që e përdori kundër Ramës vetë asha, tashmë e ka përdhosur pasi 4 herë
janë shumë dhe askush nuk e di më se kush po gënjen më shumë, Basha demokratët
që i kanë mbetur, apo këta demokratë veten dhe Bashë! Ndaj rruga e sulmeve ndaj
kundërshtarëve është rrugë e gabuar dhe mediokër dhe të shtyn në gënjeshtrën e
5-të, 6-të e kështu me rradhë, ndërkohë që 2021 vjen shpejt”, shkruan ai.
Në fund jep dhe zgjidhjen për Partinë
Demokratike, duke lajmëruar aksionin e lëvizjes “Basha ik”, për nisjen e
takimeve në bazë dhe më pas mbajtjen e një Kuvendi të Jashtëzakonshëm. Sipas Kullurit,
vetëm kështu mund të rikthehet PD forcë fituese dhe të bëhet gati për të
drejtuar vendin në të ardhmen. “PD ka
nevojë urgjente për debat të brendshëm në bazë dhe në fund mbase në një Kuvend
të Jashtëzakonshëm që do hapte megjithëse me vonesë, një dritare për të fituar
zgjedhjet e ardhshme. Izolimi, zvogëlimi, rrudhja dhe shtimi i pafund i kundërshtarëve
janë dështim i sigurt dhe i provuar. Mos u merr kot me njerëzit Lulzim Basha
por me idetë. Nuk ka rrugë tjetër megjithëse kam bindjen se nuk e bën dot, ndaj
lëri demokratët të bëjnë vetë këtë gjë. Partia është e tyrja përfshi dhe ty nëse
je vërtet demokrat. Të paktën jepu një mundësi demokratëve dhe vetes të rrëzojnë
Rilindjen dhe ti rrisin fëmijët e tyre në Shqipëri siç më tha një demokrat i
mirë 2 ditë më parë”, përfundon Kulluri.
Lulzim Basha ka shpërndarë një video në rrjetet sociale mëngjesin e të martës, ku akuzon kryeministrin Edi Rama se udhëton jashtë vendit për interesa personale. Kreu i PD, në videon e publikuar në Facebook, tregon se sipas tij, udhëtimet e Kryeministrit Rama janë për interesa personale. Në video shfaqen disa foto të shefit të qeverisë, i cili në fakt i ka bërë vetë publike më herët, kur ka marrë pjesë në hapjen e ekspozitave të tij artistike në disa vende të Europës dhe jo vetëm. Megjithatë, për Lulzim Bashën, udhëtimi i Kryeministrit Rama jashtë vendit për të prezantuar punimet e tij artistike, ‘janë udhëtime për punë personale’. Veç videos, Basha shkruan dhe një koment, ku shprehet se shefi i qeverisë është ‘artist i mashtrimit’.
“Edi Rama është artist i mashtrimit. Gjithçka që ka premtuar, gjithçka që ka thënë ka qenë mashtrim me qëllim për të vjedhur dhe grabitur bashkë me kriminelët dhe oligarkët. Çdo projekt, program dhe politikë është mashtrim për shqiptarët në shërbim të oligarkëve. Pasuri dhe Luks për vete, Papunësi, Varfëri dhe Pasiguri për njerëzit. Mashtrimeve dhe gënjeshtrave të Hajdutit psiqik ju ka dalë boja. Hajdut psiqik, Rama ik, Shqipëria si Europa”, shkruan Basha.
Megjithatë, kreu i opozitës vijon refrenin e akuzave ndaj mazhorancës, duke lënë të kuptohet se nuk ka bërë progres në aspektin e pranimit të dialogut. Edhe në këtë reagim të fundit, Basha vetëm sulmon kreun e qeverisë (për fotot që vetë Rama i ka publikuar në rrjetet sociale), ndërkohë që nuk thotë asnjë fjalë për ftesën zyrtare që mazhoranca i bëri të hënën nga sesioni i ri parlamentar, ku e ftoi opozitën të jetë pjesëmarrëse në hartimin e reformës zgjedhore.
Në fakt, si një nga kërkesat kryesore të opozitës, për ‘zgjedhje të lira e të ndershme’, reforma zgjedhore mund të jetë pikëtakimi kryesor i dialogut mes mazhorancës dhe opozitës, çka mund t`i jepte zgjidhje dhe krizës politike. Në fakt, reforma zgjedhore ashtu si dhe reforma në drejtësi, janë një proces i nxitur dhe mbështetur nga ndërkombëtarët dhe më konkretisht amerikanët. Por Basha as këtë herë, nuk flet për ftesën e mazhorancës, e cila pas 30 qershorit, ashtu si para 1 qershorit, ka treguar gatishmëri për dialog dhe për të bashkëpunuar në procese të rëndësishme demokratike të vendit, ku shtyllat kryesore janë reforma në drejtësi dhe ajo e zgjedhjeve.
Qysh prej vitit 1990, kam qenë partizan
konseguent i rrotacionit politik. Atëherë, kontribuova me sa pata mundësi (me
artikuj tek RD-ja dhe me aktivitet politik), që PD-ja të vinte në pushtet, për
të zëvendësuar PPSH-në e mykur.
Më pas, në vitin 1997, kontribuova me sa pata
mundësi (kryesisht me artikuj nga SHBA-ja), që PS-ja të vinte në pushtet, për
të zëvendësuar PD-në e dështuar në vorbullën e skemave piramidale.
Në vitin 2005, kontribuova me sa pata mundësi
(me artikuj nga SHBA dhe me lobim në Uashington), që PD-ja të rikthehej në
pushtet, për të zëvendësuar PS-në e korruptuar të Nanos.
Në vitin 2013, kontribuova me sa pata mundësi
(me artikuj dhe analiza në debatet televizive) që PS-ja të rikthehej në
pushtet, për të zëvendësuar PD-në zullmqare të Berishës.
Kur Lulzim Basha u fut në garën për kryetar
të PD-së, e përkraha publikisht kandidaturën e tij, duke argumentuar se kishte
qenë deri atëherë kandidati më i suksessshëm elektoralisht i PD-së, dhe se
kishte premisa për ta rikthyer atë në pushtet. Pas asaj përkrahje publike (që
atij i erdhi e papritur), Basha më telefonoi dhe më kërkoi të takoheshim. Dhe
për herë të parë pata rastin ta takoj.
Në atë takim i ofrova çdo ndihmë (brenda
mundësive të mia modeste), duke ia bërë të qartë se jam një partizan konseguent
i rrotacionit politik, pavarsisht se kush është në pushtet. Dhe jo rrallë më ka
kërkuar mendim si ekspert i sondazheve, madje kam kryer edhe sondazhe private
për të. (Në ndonjë rast, kur i ka volitur, i ka cituar publikisht sondazhet e
mia, pa deklaruar autorin).
Por kur botova një sondazh mbi Teatrin
Kombëtar, që e zhvillova për revistën Follow Business Albania, Bashës nuk i
pëlqeu rezultati (doli 50% me 50%). Dhe të nesërmen më turri një gazetar anonim
të RD-së, i cili më akuzoi se po përdoresha si ish-spiun i Sigurimit të
Shtetit.
Kur ia dërgova Berishës atë shkrim të RD-së,
më shkroi se kishin bërë shumë gabim ata që e kishin bërë këtë akuzë të rreme
(ai e di mirë se kush ka qenë e kush nuk ka qenë spiun i Sigurimit). Por dëmi
ishte shkaktuar dhe u detyrova të marr e të botoj një vërtetim nga Komisioni i
Dosjeve, që as nuk kisha bashkëpunuar dhe as kisha qenë i survejuar apo i
favorizuar nga Sigurimi i Shtetit (shihni bashkëngjitur vërtetimin).
Ky incident më kujtoi një çast të tensionuar
që kam patur me Edi Ramën në vitin 2009, kur ai ishte kryetari i opozitës.
Para zgjedhjeve parlamentare të atij viti,
deklarova në emisionin e Sokol Ballës se, bazuar në sondazhin tim, më
rezultonte që as Berisha dhe as Rama nuk do të merrnin mjaftueshëm mandate për
krijimin e qeverisë. Rama më telefonoi pas emisionit dhe debatoi ashpër me mua
rreth saktësisë së parashikimit tim. Por ama nuk më turri të nesërmen ndonjë
gazetar të Zërit të Popullit, për të më akuzuar kot se po përdoresha si një
njeri me dosje.
Këto dy incidente me Bashën dhe me Ramën (dhe
krahasimi përkatës) mu kujtuan tani që ka dalë në dritë një memo e Bashës, në
të cilën sulmon gazetarë si Alfred Lela, Sokol Balla, Skënder Minxhozi dhe Mero
Baze, madje edhe një emision të tërë, si Real Story (ku bëj pjesë edhe unë).
Dhe vetvetiu më lind pyetja: Pa patur pushtet, Basha sulmon gazetarët; po sikur të vijë ndonjëherë në pushtet, çdo të bëjë ky njeri kundër tyre?
Realstory është përmendur me emër e mbiemër ashtu, si dhe Skënder Minxhozi, analist i emisionit Real Story, por edhe ‘armiku’ tashmë i përbetuar i PD, Mero Baze. Edhe pse nuk është cituar me emër aty është edhe Politiko.al, portali që unë drejtoj. Nga dokumenti në fjalë: “Kjo strategji antiopozitare përfshin portalet e njohur në publik për qëndrimet kritike ndaj Qeverisë dhe që, deri para pak muajsh, në linjën e tyre editoriale ishin në përkrahje të plotë të vendimeve të Partisë Demokratike dhe lidershipit të saj. Strategjia e financimit të këtyre portaleve nga Edi Rama bëhet me kushtin që ato të ruajnë dukjen kritike të Qeverisë- për të krijuar perceptimin e gabuar të një portal opozitar- dhe të shtojnë akuzat, lajmet e rreme, gjysëm të vërtetat dhe mashtrimet kundër Partisë Demokratike dhe lidershipit të saj, duke sajuar “probleme” apo duke bërë pseudo-analiza me fakte të shtrembëruara. Qëllimi është për të goditur dhe ulur besueshmërinë e Partisë Demokratike, në mënyrë që të krijojnë perceptimin e gabuar se “të gjithë janë njësoj”.
Unë e kuptoj këtë
strategji të Bashës dhe e ka të marrë borxh nga Berisha, se ai nuk mendon dot
në kokë të vet: ata që nuk janë plotësisht ushtarë dhe në rresht, nuk janë
tanët se nuk janë shërbëtorë të plotë, kështuqë është më mirë t’i shpallim
kundërshtarë dhe t’i fusim në rradhët e armiqve politikë. Të djathtët që
guxojnë të mos mendojnë si ata, janë më pak shqetësues nëse nuk pranohen si të
djathtë dhe futen te mercenarët dhe armiqtë.
Mirë bëjnë. Një media që është kritike me të dy palët politike vetëm i shton pikët vetes. Sa i takon mjerimit afilozofik se ata që nuk mendojnë si Basha i shërbejnë Ramës dhe e bëjnë për të luajtur lojën të gjithë janë njësoj, ‘sorry Lul’ por Basha me këtë anatemë ndaj medias dhe gazetarëve dëshmon se ti je njëlloj me Ramën, veç ke më pak ngjyra se ai.
Edhe një gjë tjetër: e
kam lënë njëherë një punë dhe detyrë të mirëpaguar për të mbrojtur ty dhe
kuazat e tua humbëse, para dy vitesh nëse të kujtohet. (Ironia është se ti tani
je bërë mik me Çilin dhe më shpall mua armik). Nuk mund të vazhdojmë të
humbasim për ty, ndërsa ti bën sikur ke humbur për të gjithë dhe në emër të të
gjithëve, por një dorë e mban gjithmonë ngrohtë në xhepin e fitimeve.
Opozita bën
gabimin më të madh nëse pajtohet me këtë linjë të lidershipit apo liderit pa
ship (anije) dhe vendos të braktisë Realstory, një prej formateve kryesore të
debatit politik në vend. Unë e di se synohet që të çmontohet emisioni duke
hequr debatin, megjithatë një emision televiziv ka shumë mënyra për ta mbushur
minutazhin. Nëse opozita dhe përfaqësuesit e saj i shpallin luftë, nuk kanë pse
të presin përunjësi prej Ballës dhe RS.
Është bërë një gjë e ngjashme nga një prej njerëzve të komunikimit të PD edhe me Muç Nanon dhe emisionin e tij dhe kanë qenë gabim atëherë sic është gabim edhe ky ‘dokument’ i tanishëm’. Ky dokument vërteton atë që Basha kërkon të heqë nga b… e vet: të gjithë janë njësoj. Ky dokument e bën atë të barabartë me Ramën.
Le të ndërrojnë vendet në KM kur të duan, nuk ka pse të ketë gëzim as hidhërim për njërin dhe as tjetrin. Duhet parë përtej tyre tashmë. Përfundimisht./Realstory.al/
Sqarim: Editoriali i kushtohet qarkores së PD-së që sulmon mediat!
Me anë të një
qarkore të brendshme, Partia Demokratike i etiketonte si ‘armike’ disa media, përfshirë
dhe Realstory.al, duke i akuzuar ato për qëndrime ‘antiopozitare’. Dokumenti i
publikuar nga disa portale, është publikuar dhe në Realstory.al, ku pikërisht
një ndër mediat që sulmon Lulzim Basha jemi dhe ne. Pas publikimit të këtij dokumenti,
ka ardhur reagimi i disa figurave të rëndësishme
të kësaj partie, të cilët e quajnë të tuprshme dhe qesharake këtë qëndrim të
PD-së ndaj mediave.
Ish-anëtari i Këshillit
Kombëtar, Edvin Kulluri ka reaguar ashpër ndaj qëndrimit të PD për mediat, duke
e quajtur të ‘turpshëm’. “Nëse ky
dokument është i vërtetë është një turp i parapri! Si mundet partia që
rrëzoi komunizmin dhe sanksionoi lirinë e shprehjes dhe medias të trajtojë me këtë
fjalor komunist mediat që kanë qëndrime ndryshe nga Lulzim Basha!”, shkruan
Kulluri. Më tej ai vijon duke u shprehur se Basha dhe bashkëpunëtorët e tij
mund t`i përgjigjen mediave nëse nuk bien dakord, por jo ti etiketojnë si “armiq”.
“Si mundet që të njëjtat qëndrime të Edi Ramës
për gazetarët që s`i pëlqejnë si “kazan” etj, t`i përdorë edhe më keq Partia Demokratike
e Shqipërisë?! Basha dhe bashkëpunëtorët e tij mund t`i përgjigjen mediave dhe
gazetarëve me të cilët nuk bien dakord dhe të polemizojnë me to nëse nuk janë
dakord, por t`i etiketosh si Komiteti Qendror i PPSH njëherë e një kohë “armiqtë e vijës së Partisë
dhe Shokut Enver”, është më së shumti e turpshme dhe më së paku qesharake”,
shkruan Kulluri.
Email u është dërguar anëtarëve të Këshillit Kombëtar dhe forumeve drejtuese të PD, më 23 gusht, ndërkohë që veç sulmeve ndaj Realstory, Basha ka vënë në shënjestër edhe dy portale të tjera. “Për të sulmuar me shpifje dhe të pavërteta PD dhe lidershipin e saj, Edi Rama, pas konsultimit të madh të Mero Bazes dhe Skënder Minxhozit, prej shumë vitesh në shërbim të pushtet të Edi Ramës, ka hedhur në skakierën antiopozitare edhe Sokol Ballën me portalin Realstory”, deklaron Basha në shkresën e tij.
Pas publikimit të disa faturave ku akuzohej
Ministrja Etilda Gjonaj për shpenzime të larta gjatë udhëtimeve jashtë vendit,
një portal, Lexo.al, publikoi disa ditë më parë faturat kur ish-ministri i PD
Aldo Bumçi paguante shuma të larta për të qëndruar në një hotel në SHBA. Pas këtyre
faturave, për Aldo Bumçin, ky portal ka publikuar këtë të enjte, faturat e
shpenzimeve në kohën kur Lulzim Basha ka qenë ministër. Bëhet fjalë për vitin
2009, dhe konkretisht për periudhën 27 janar deri në 1 shkurt të 2009.
Sipas faturave të publikuara, mësohet se Lulzim
Basha, aso kohe Ministër i Jashtëm, ka shpenzuar mbi 3 mijë euro për katër netë
qëndrimi në një restor me pesë yje në Zvicër. Konkretisht, lideri i opozitës ka
qenë në zonën turistike të Klostersit, në restorin e quajtur “Piz Buin”. Resorti
me pesë yje ofron dhoma, siç dëshmon fatura, për një vlerë prej rreth 695
franga zvicerane nata, ose konvertuar, rreth 600 euro nata. Për katër ditë qëndrimi,
Basha ka shpenzuar 2500 euro.
Fatura më pas është rrumbullakosur me pije, shërbim në dhomë dhe shërbime të tjera që ofrohen në këtë hotel prestigjioz. Në total, Basha ka shpenzuar plot 3 771 franga zvicerane, më shumë se 3 mijë euro nga parate e taksapaguesve shqiptarë. Një ministër në Shqipëri paguhet rreth 1,7 milionë lekë të vjetra, më pak në vitin 2009, pra një faturë e tillë do të ishte e barazvlefshme me 2 muaj e gjysmë pagë, por që në fakt janë paguar nga buxheti i shtetit.
Kryetari i Partisë
Demokratike Lulzim Basha, nëpërmjet një komenti në rrjetet sociale, ka akuzuar
Kryeministrin Edi Rama se ‘po hesht’ për çështjen Kajmaku. Sipas kreut të opozitës,
Rama është duke zbatuar kodin e ‘Omerta-kodi mafioz i heshtjes’.
“Si në çdo
organizatë kriminale, edhe në grupin e strukturuar kriminal të Rilindjes së Edi
Ramës vepron kodi i heshtjes që në zhargonin mafioz njihet si
“omerta”. Omerta për bankomatin
personal Dako, omerta për Pjetrin, omerta për Jorgo Kajmakun, omerta për
milionat e vjedhura shqiptarëve dhe miliona të tjera të shpenzuara për luks
pushtetarësh kur shqiptarët zhyten në papunësi dhe varfëri”, shkruan Basha.
Sipas kryedemokratit,
heshtja e Ramës për Kajmakun është mbrojtje që i bëhet, ndërsa shprehet se për
sa kohë “Edi Rama është në zyrën e kryeministrit”, nuk do të ketë drejtësi dhe
demokraci.
“Me heshtjen e tij
Edi Rama mbron dhe promovon kriminelë dhe hajdutë dhe i përdor ata për të
vjedhur zgjedhjet, sepse bashkë me ta pasurohet duke vjedhur shqiptarët dhe
pastruar paratë e krimit. Por sa kohë Edi Rama është në zyrën e kryeministrit,
nuk do të ketë as drejtësi dhe as demokraci, as punësim as mirëqënie sepse
pushtetarët e korruptuar, kriminelët dhe oligarkët do të vjedhin dhe dhunojnë
shqiptarët”, shprehet Basha. Në fund, Basha duke e clësuar ‘hajdut psiqik’
kryeministrin, shprehet se që ‘të shpëptojmë Shqipërinë nga kriminelët, duhet të
largojmë Edi Ramën”, thotë kryedemokrati.
Një përfaqësi e Grupit Parlamentar të CDU/CSU,
e udhëhequr nga nënkryetarja e këtij grupi për Europën Katja Leikert, kanë
zhvilluar një takim me Kryeministrin Edi Rama dhe ministret Elisa Spiropali dhe
Etilda Gjonaj. Takimi është zhvilluar në zyrën e kreut të qeverisë Edi Rama, ndërkohë
që lajmin e ka bërë të ditur në rrjetet sociale Elisa Spiropali. ‘Me
nënkryetaren e Grupit Parlamentar CDU/CSU për Europën, Katja Leikert, dhe
delegacionin nga Bundestag-u gjerman”, ka shkruar Spiropali në rrjetet sociale.
Në fakt, ky tekst dhe foto e përbashkët është i vetmi detaj nga ky takim, ndërkohë që nuk dihet axhenda apo çfarë është biseduar gjatë këtij takimi. Megjithatë, duket se nuk është rastësi një takim i tillë, pasi ditët e fundit në vendin tonë, kryesisht nga opozita dhe kreu i PD Lulzim Basha, po ‘promovohet’ partneriteti me gjermanët dhe mbështetja e CDU/CSU. Kjo mbështetje ka marrë trajta idesh në shpalljen e Gjermanisë si “Partner Strategjik”, ide të cilën e ka promovuar ish-deputeti PD, Kastriot Islami.
Ndërkohë, Lulzim Basha, i mbetur pa mbështetje
nga Departamenti Amerikan i Shtetit, gjë të cilën e ka konfirmuar pikërisht shkrimi
i Kastriot Islamit dhe vetë kreu i PD në një intervistë për Syri.net. ku foli për
vizitë në SHBA por s`përmendi asnjëherë DASH, ka theksuar ‘mbështetjen e
CDU/CSU’, në publik si ‘aleatët që do t`i japin zgjidhje krizës’.
Këtë qëndrim, Basha e mbajti dhe të martën në mesditë gjatë një dalje për mediat, ku la të kuptohet se do të pranonte ‘dialogun me Ramën’ me ndërmjetësimin e CDU/CSU, pasi deklaroi se “vendi mund të shkojë dhe do të shkojë drejt BE, duke u sjellë si një vend europian, duke u sjellë si një shoqëri europiane, si një politikë europiane”. Megjithatë, nuk mund të thuhet ende se prania në Tiranë e delegacionit gjerman, është shenjë e konfirmimit të tërheqjes së Bashës nga pozicioni i ‘mospranimit’ të dialogut me Kryeministrin Rama.