Sulmove Real Story? Ia fute kot prapë Lul (thotë Alfred Lela)

AKTUALITET


Nga Alfred Lela

Realstory është përmendur me emër e mbiemër ashtu, si dhe Skënder Minxhozi, analist i emisionit Real Story, por edhe ‘armiku’ tashmë i përbetuar i PD, Mero Baze. Edhe pse nuk  është cituar me emër aty është edhe Politiko.al, portali që unë drejtoj. Nga dokumenti në fjalë: “Kjo strategji antiopozitare përfshin portalet e njohur në publik për qëndrimet kritike ndaj Qeverisë dhe që, deri para pak muajsh, në linjën e tyre editoriale ishin në përkrahje të plotë të vendimeve të Partisë Demokratike dhe lidershipit të saj. Strategjia e financimit të këtyre portaleve nga Edi Rama bëhet me kushtin që ato të ruajnë dukjen kritike të Qeverisë- për të krijuar perceptimin e gabuar të një portal opozitar- dhe të shtojnë akuzat, lajmet e rreme, gjysëm të vërtetat dhe mashtrimet kundër Partisë Demokratike dhe lidershipit të saj, duke sajuar “probleme” apo duke bërë pseudo-analiza me fakte të shtrembëruara. Qëllimi është për të goditur dhe ulur besueshmërinë e Partisë Demokratike, në mënyrë që të krijojnë perceptimin e gabuar se “të gjithë janë njësoj”.


Unë e kuptoj këtë strategji të Bashës dhe e ka të marrë borxh nga Berisha, se ai nuk mendon dot në kokë të vet: ata që nuk janë plotësisht ushtarë dhe në rresht, nuk janë tanët se nuk janë shërbëtorë të plotë, kështuqë është më mirë t’i shpallim kundërshtarë dhe t’i fusim në rradhët e armiqve politikë. Të djathtët që guxojnë të mos mendojnë si ata, janë më pak shqetësues nëse nuk pranohen si të djathtë dhe futen te mercenarët dhe armiqtë.

Mirë bëjnë. Një media që është kritike me të dy palët politike vetëm i shton pikët vetes. Sa i takon mjerimit afilozofik se ata që nuk mendojnë si Basha i shërbejnë Ramës dhe e bëjnë për të luajtur lojën të gjithë janë njësoj, ‘sorry Lul’ por Basha me këtë anatemë ndaj medias dhe gazetarëve dëshmon se ti je njëlloj me Ramën, veç ke më pak ngjyra se ai.

Edhe një gjë tjetër: e kam lënë njëherë një punë dhe detyrë të mirëpaguar për të mbrojtur ty dhe kuazat e tua humbëse, para dy vitesh nëse të kujtohet. (Ironia është se ti tani je bërë mik me Çilin dhe më shpall mua armik). Nuk mund të vazhdojmë të humbasim për ty, ndërsa ti bën sikur ke humbur për të gjithë dhe në emër të të gjithëve, por një dorë e mban gjithmonë ngrohtë në xhepin e fitimeve.

 Opozita bën gabimin më të madh nëse pajtohet me këtë linjë të lidershipit apo liderit pa ship (anije) dhe vendos të braktisë Realstory, një prej formateve kryesore të debatit politik në vend. Unë e di se synohet që të çmontohet emisioni duke hequr debatin, megjithatë një emision televiziv ka shumë mënyra për ta mbushur minutazhin. Nëse opozita dhe përfaqësuesit e saj i shpallin luftë, nuk kanë pse të presin përunjësi prej Ballës dhe RS.

Është bërë një gjë e ngjashme nga një prej njerëzve të komunikimit të PD edhe me Muç Nanon dhe emisionin e tij dhe kanë qenë gabim atëherë sic është gabim edhe ky ‘dokument’ i tanishëm’. Ky dokument vërteton atë që Basha kërkon të heqë nga b… e vet: të gjithë janë njësoj. Ky dokument e bën atë të barabartë me Ramën.

Le të ndërrojnë vendet në KM kur të duan, nuk ka pse të ketë gëzim as hidhërim për njërin dhe as tjetrin. Duhet parë përtej tyre tashmë. Përfundimisht./Realstory.al/

Sqarim: Editoriali i kushtohet qarkores së PD-së që sulmon mediat!




Skip to toolbar