Në verën e “vetmisë së madhe”, Ilir Meta me sytë te Mali i Tomorrit

Presidenti Ilir Meta e ka nisur mëngjesin e së premtes duke postuar një foto në facebook, së bashku me të birin, Besarin në Malin e Tomorrit ku kanë nisur ditët e pelegrinazhit drejt vendit të shenjtë të bektashinjve.

Edhe gjatë të enjtes Meta ishte atje në krah të besimtarëve ndërsa bëri dhe një lutje për Shqipërinë dhe shqiptarët duke shpresuar në një zgjidhje që vendit mund t’i vijë tani nga qielli, ose nga Abaz Aliu dhe Mali i Tomorrit.

“Abaz Aliu të na japë forcë të gjithëve në rrugën tonë për një Shqipëri më të drejtë, më të bashkuar, për një Shqipëri të vërtetë europiane, siç e meritojnë të gjithë shqiptarët e sidomos të rinjtë e të rejat!”, tha Presidenti Meta.

Një deklaratë kjo që tregon se presidenti duket i pashpresë se propozimet e tij për daljen nga kriza politike do të mund të zbatohen ndonjëherë.

Duket se në prag të shtatorit, kur parlamenti të vërë pikat mbi “i” në lidhje me procedurat parlamentare për shkarkimin e tij, Presidenti është bindur se 13 tetori i tij ka rënë dhe se ai ka mbetur vetëm në këtë propozim antikushtetues.

Në fakt e gjithë kjo verë e nxehtë tregoi se presidenti ishte vetëm. Ai ishte vetëm në vendimet antikushtetuese, pasi iu zhvlerësuan dy dekrete të njëpasnjëshme, si ai për anulimin e zgjedhjeve, ashtu edhe ai për 13 tetorin. Meta ishte vetëm pasi nuk mori as mbështetjen e PD-së, e të Bashës për 13 tetorin, megjithëse për të anuloi 30 qershorin. Presidenti ishte vetëm edhe në sulmin kundër ndërkombëtarëve e SHBA-së, megjithëse këtu duhet thënë se pati mbështetjen e “ish” partisë së tij, LSI-së dhe veçanërisht Petrit Vasilit që volli vrer kundër amerikanëve.

Ai u la vetëm në 2 muaj, duke mos zhvilluar asnjë vizitë të rëndësishme ndërkombëtare, duke mos pritur asnjë homolog të huaj, ose ndonjë zyrtar të rëndësishëm, përjashtuar këtu takimet e lamtumirës me ambasadorët e huaj, takime rutinë protokollare.

Meta ishte vetëm dhe këtë e tregoi në çdo postim që bëri gjatë verës, ku u shfaq në breg të detit, në male e nëpër shpella. Presidenti është vetëm dhe në shtator e pret shkarkimi./reasltory.al

Skip to toolbar