BE dhe OSBE: Politika të mos ndikojë në media

Ambasadori i BE në Tiranë Luigi Soreca dhe ambasadori i OSBE Bernd Borchardt bënë thirrje që media të çlirohet nga ndikimi politik si dhe të krijohet një draft i ri anti-shpifje me rekomandimet e bëra në mënyrë që t’i jepet fund dezinformimit me lajme për opinionin publik.

Soreca theksoi rëndësinë e lirisë në media dhe dhënies fund ndikimit politik në media. Ambasadori tha se BE ofron mbështetje të pakushtëzuar në mënyrë që të forcohet gjithnjë e më shumë liria medias dhe kërkoi që shqetësimet e adresuara për paketën anti-shpifje të paraqiten në draftin e ri.

“Sundimi i ligjit në sektorin e medias është mjaft i rëndësishëm dhe është shumë e rëndësishme që t’i jepet fund ndikimit të politikës në media dhe mungesës së transparencës. Mbështetja jonë është e madhe ndaj lirisë së medias. BE ka bërë përpjekje për të mbështetur të gjitha shërbimet e medias. Kemi adresuar të gjitha shqetësimet tona, deri më tani nuk është arritur gjithçka që duam, por po përpiqemi për të ecur përpara. Komisioni Evropian i ka shprehur të gjitha shqetësimet lidhur me pasiguritë ligjore dhe për median audiovizive. Janë të rëndësishëm disa rregullatorë në media, dhe të gjitha këto në kuadër të lirisë së medias dhe të shprehjes. Informacionet false janë shumë të këqija dhe shkojnë në dëm të medias. Duhen ndjekur të gjitha parimet e lirisë së medias. Dizinformimi është gjithashtu në dëm të medias. Presim një draft të ri që të jetë pikërisht për këtë çështje. Duam një shoqëri që të informohet ashtu siç duhet nga media.” tha Soreca gjatë forumit për zhvillimin e Medias.

Edhe ambasadori i OSBE-së në Tiranë Bernd Borchardt tha se disa portale abuzojnë me lirinë e të shprehurit duke shpërndarë informacione të pavërteta tek opinioni publik.

“Media on-line është zhvilluar shumë kohët e fundit. Në krahasim me vitet e kaluara dhe kemi vënë re një zhvillim të madh të medias online. Kemi projekte tona lidhur me median, projektet tona të fundit. Sa i përket progresit kanë qenë çështje të cilat duhet të adresohen dhe është e rëndësishme që duhet t’i jepet profesionalizmit. Kemi thirrur ekspertët për të dhënë rekomandimet për këtë çështje  sa i takon ndikimeve të medias,  ka disa faqe  në internet që përdorin informacion të ndikueshëm të anshëm dhe të pavërtetë dhe pronarët e tyre nuk dihen se kush janë.” tha Borchardt

Ligji për median, OSBE: Shpifja, kompetencë e gjykatave. Gjobat shumë të larta

Përfaqësuesi për mediat në OSBE përmes një letre dërguar Ramës i kërkon rishikimin e ligjit të ri për mediat që është pjesë e paketës anti-shpifje. Sipas përfaqësuesit të OSBE, Harlem Desir disa nene të këtij ligji i japin shumë kompetencë AMA në kufizimin e lirisë së medias ndërkohë që gjobat financiare të parashikuara nga qeveria në rast shkeljesh janë tejet të larta. Përfaqësuesi i OSBE gjithashtu sugjeron që me shpifjen të mos merret as AMA dhe as ndonjë organ tjetër administrativ, por kjo të jetë kompetencë e gjykatave.

Në letrën drejtuar Ramës, Desir vlerëson bashkëpunimin me autoritetet qeveritare shqiptare ndërsa thekson që të merren në konsideratë sugjerimet e reja në mënyrë që ligji të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare mbi lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias.

“Vërej që ka pasur përmirësime të rëndësishme në krahasim me draftet e përgatitura më herët gjatë vitit. Versioni i fundit i projektligjit për mediat audio vizive përmban dispozita të reja që përcaktojnë më mirë dhe më saktësisht objektin dhe fushëveprimin e ligjit dhe përmend nevojën që AMA të respektojë standardet ndërkombëtare dhe rajonale kur të miratojë vendimet e saj. Është pozitive që dispozitat problematike në lidhje me regjistrimin e emrave të domenit dhe bllokimin e përmbajtjes në internet janë hequr dhe se propozimi përfshin një përshtatje specifike të së drejtës për t’u përgjigjur në mjedisin e ri të botimeve elektronike”, thekson Désir.

Përfaqësuesi shkruan se drafti aktual i jep AMA-s kompetenca të gjëra dhe të pakufizuara në rastet e “shkeljeve të dispozitave të këtij ligji”, i cili do të kufizohen në rastet e veprave penale të fëmijës pornografi, nxitje të akteve terroriste ose shkelje të sigurisë kombëtare.

Në letrën e tij drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë, Désir theksoi disa çështje të mbetura që ende duhet të adresohen në të ardhmen.

Kështu ai sugjeron të rishikohet nenin 132/1 që i jep AMA-s kompetencën për të detyruar ofruesit e shërbimeve të botimeve elektronike (mediave online) të publikojnë një kërkesë faljeje, heqjen e përmbajtjes ose futjen e një njoftimi pop-up në rastet e shkeljeve të dispozitave në veçanti në neni i ri 33/1. Ky nen lidhet me respektin e privatësisë dhe referimi ndaj “respektit të privatësisë dhe dinjitetit të qytetarëve”,  i jep AMA-së fuqi të madhe që mund të ndikojë në lirinë e shprehjes. Sipas Desir “AMA ose ndonjë organ administrativ apo rregullator nuk duhet të merret me çështjet e shpifjes, të cilat duhet të mbeten nën kompetencat e gjykatave”.

OSBE gjithashtu sugjeron një formulim të ri për nenin 132 që lidhet me rastet e publikimit të materialeve pornografie, apo i materialeve që mund të shihen si inkurajim i akteve terroriste ose shkelje të sigurisë kombëtare, “të bllokojnë qasjen në internet “. Formulimi i propozuar nga OSBE ka për qëllim sqarimin e kompetencave të Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (NAECES), AMA dhe AKEP-it në këtë fushë.

Pra OSBE ngre shqetësim kompetencat që i janë dhënë AKEP, lidhur me miratimin e masave për të mbrojtur një gamë të gjerë interesash, duke përfshirë interesat e vendit, sigurinë publike, të drejtat themelore dhe çdo dispozitë të përfshirë në sistemin ligjor shqiptar. Këto nocione, sipas OSBE-së janë shumë të definuara dhe mund të jenë në kundërshtim me standardet ndërkombëtare të sigurisë juridike, proporcionalitetit dhe domosdoshmërisë dhe nuk përfshijnë rregulla specifike për mënyrën e sigurimit të mbrojtjes së lirisë së shprehjes.

Për më tepër, OSBE vëren se neni 133 i projektligjit ende i referohet gjobave ekonomike shumë të larta që do të vendosen në rastet e shkeljeve.

“Shpresoj se analiza ligjore, që përfshin një numër rekomandimesh, do të jetë i dobishëm në diskutimet e mëtejshme. Zyra ime do të vazhdojë të jetë e angazhuar ngushtë në këtë proces, i cili duhet të jetë gjithëpërfshirës për të gjithë aktorët relevant deri në përfundimin e saj “, përfundoi Désir letrën dërguar kryeministrit shqiptar.

Analiza ligjore e propozuar nga OSBE është hartuar dhe përgatitur nga Dr. Joan Barata Mir, një eksperte e pavarur për lirinë e mediave dhe është në vijimësi të bashkëpunimit që qeveria ka pasur me OSBE në hartimin e këtij ligji.

Vetëm pak javë më herët, sapo qeveria miratoi “paketën Anti-shpifje” ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj tha në një deklaratë për shtyp se kjo paketë “në asnjë dispozitë të saj, nuk cenon lirinë e shprehjes dhe pluralizmin e tregut, por synon përcaktimin e disa standardeve etike në mënyrë që të respektohet dinjiteti dhe të drejtat themelore të njeriut”.

“Kjo iniciativë erdhi si pasojë e një fenomeni shqetësues jo vetëm për Shqipërinë por edhe në vende të tjera të Bashkimit Europian, ku media shpesh herë përdoret si instrument duke pasur për referencë jo faktet konkrete por lajmet e rreme. Tashmë dihet se një shqetësim i vërejtur në shoqërinë tonë është përhapja në kohë reale e lajmeve të pavërteta, duke u shndërruar pas çdo dite në një problematikë për pavarësinë e gazetarëve, dinjitetin e qytetarëve dhe jetën familjare”, – nënvizoi Gjonaj.

Çfarë parashikon paketa anti-shpifje e miratuar nga qeveria?

Paketa anti-shpifje e miratuar nga Këshilli i Ministrave më 3 korrik 2019 parashikon masa të ashpra ndaj portaleve në rastet e publikimit të lajmeve “fake”. Ndryshimet në ligj parashikojnë gjoba dhe penalizime të rënda deri në mbylljen e portaleve. Por për të mbërritur deri te masat e ashpra, pra mbylljen e këtyre portaleve, do të duhen disa hapa. Fillimisht projektligji parashikon legalizimin e portaleve, evidentimin e pronësisë, dhe ç’është më e rëndësishmja burimet e financimit.

Do të jetë këshilli i ankesave te AMA ai që do të kujdeset për të shqyrtuar ankesat që bëhen për publikimet “online”. Personat e cënuar, sipas projektligjit të ri, ankohen në Këshillin e Ankesave pranë “AMA-s”. Nëse media “online” nuk bënë sqarimin, atëherë merren masa duke vendosur gjoba që nisin nga 100 mijë deri në një milionë lekë. Gjoba fikse prej 800 mijë lekësh parashikohet kur ankesa e qytetarit nuk merret në konsideratë nga Operatori i Publikimit të Shërbimit Elektronik.

Proejktligji parashikon rastet kur media “online” mbyllet për periudha të ndryshme. Nëse në një vit publikon 3 “fake neës”, bllokohet 24 orë, nëse bënë 4 “fake neës”, bllokohet një javë dhe me 5 “fake neës”, bllokohet për një vit.

Masat që parashikon projektligji anti-shpifje:

-Pezullim/bllokim të aksesit në internet, për një afat 24 orë, nëse brenda një viti kalendarik ka kryer 3 kundërvajtje administrative të parashikuara nga ky ligj.

– Pezullim/bllokim të aksesit në internet për një afat 7 ditor, nëse brenda një viti kalendarik ka kryer jo më pak se katër kundërvajtje administrative.

– Pezullim/bllokim të aksesit në internet për një afat njëvjeçar, nëse brenda një viti kalendarik ka kryer jo më pak se 5 kundërvajtje administrative të parashikuara nga ky ligj.

– Bllokimin përfundimtar/mbylljen e aksesit të shërbimit të publikimit elektronik në territorin e Republikës së Shqipërisë nëse nuk marrin në shqyrtim ankesat e përcjella prej Këshillit të Ankesave, më shumë se katër herë gjatë një viti kalendarik”.

Gjobat:

– Me gjobë nga 100 000 lekë deri në 1,000,000 lekë kur nuk respekton detyrimet e nenit 33/1 të këtij ligji.

– Me gjobë në masën 800, 000 lekë kur nuk respekton vendimin e Këshillit të Ankesave apo të drejtën e përgjigjes, sipas nenit 53/1 të këtij ligji”.

Meta “aleatë” në Lindje. Mediat ruse pasqyrojnë deklaratat (kundër Reformës në Drejtësi)

Deklaratat e presidentit Ilir Meta kundër Reformës në Drejtësi si dhe sulmet ndaj ndërkombëtarëve dhe SHBA kanë gjetur pasqyrim të gjerë në mediat ruse. Bie në sy portali rus regnum.ru i cili ka pasqyruar çdo deklaratë të presidentit shqiptar gjatë dy muajve të fundit. Vetëm dy ditë më herët portali ka pasqyruar sulmin e presidentit Meta kundër asaj që ai e cilëson si “Ramaforma” dhe që akuzon kryeministrin që së bashku me amerikanët kanë penguar hedhjen e shortit për KED-në dhe zgjedhjen e anëtarëve të gjykatës kushtetuese.

“Sipas Metës, në 2017 Kryeministri i Shqipërisë kërcënoi hapur anëtarët e sapo zgjedhur të këshillit gjyqësor, një strukturë kjo e ngritur posaçërisht për të zgjedhur anëtarët e Gjykatës Kushtetuese , duke theksuar se gjysma e tyre ishin të përfshirë në korrupsion (Meta, madje i ka bërë lidhje me video deklaratat e Ramës në atë kohë)”, shkruhet në artikullin e medias ruse.

A thua rusët janë kaq të interesuar për Gjykatën Kushtetuese në Shqipëri dhe debatet midis Presidentit shqiptar dhe kryeministrit shqiptar për zgjedhjen e anëtarëve në këtë gjykatë?!

Më tej media ruse nga gjithë deklarata e gjatë e Metës përzgjedh pikërisht paragrafin që lidhet me amerikanët dhe ish ambasadorin Donald Lu.

“Presidenti i Shqipërisë rikujtoi se për shkak të sulmeve të socialistëve ndaj anëtarëve të Këshillit, ish-ambasadori i SHBA Donald Lu kritikoi ashpër anëtarët e KED, por më vonë ai pranoi se kishte gabuar në deklaratat e tij dhe se ishte keqinformuar nga mbështetësit e kryeministrit”, shkruajnë mediat ruse.

Duket se presidenti shqiptar ka gjetur mbështetje nga mediat ruse në lidhje me deklaratat e tij kundër reformës në drejtësi. Reformë kjo që mbështetet gjerësisht nga ndërkombëtarët dhe veçanërisht nga amerikanët.

Kujtojmë se vetëm pak ditë më herët Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit Philip Reeker, në një takim me ministrin në detyrë Gent Cakaj, deklaroi se reforma në drejtësi nuk ka kthim pas. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës konsiderojnë se reforma në drejtësi s’mund të jetë subjekt i asnjë kompromisi dhe ajo përbën një model për rajonin dhe përtej”.  Pra reforma nuk ka kthim pas, pavarësisht deklaratave të presidentit dhe pasqyrimit të tyre në mediat ruse./realstory.al

Mogherini e shqetësuar për lirinë e medias: Ka përpjekje për ta frenuar

Në ditën botërore të lirisë së medias vjen dhe një mesazh nga shefja e politikës së jashtme në BE, Frederica Mogherini. Ajo ka deklaruar se BE është e vendosur të mbrojë median e lirë, por së fundi sipas saj, ka përpjekje për ta frenuar atë.

 “Po shohim gjithnjë e më shumë përpjekje për të frenuar hapësirën për median e lirë, gjithashtu për të minuar në mënyrë sistematike kredibilitetin e mediave. Shumë gazetarë kanë humbur jetën ose e kanë rrezikuar jetën e tyre për të vënë në pah të vërtetën. Demokracia e shëndetshme mbështetet në një debat publik të hapur, të lirë dhe të ndershëm dhe është detyrë e jonë të mbrojmë këtë hapësirë dhe të mos lejojmë askënd të përhapë dezinformata që nxisin urrejtjen, ndarjen dhe mosbesimin në demokraci”, u shpreh Mogherini në një komunikatë të lëshuar mbrëmë, në prag të Ditës Botërore të lirisë së medias është sot data 3 Maj.

Kjo datë u vendos nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në dhjetor 1993, pas rekomandimit të Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s.

Raporti  për vititin 2019 për lirinë e shtypit të publikuar nga Reporterët pa Kufij (RSF) tregon se numri i vendeve që konsiderohen të sigurta, ku gazetarët mund të punojnë në siguri të plotë, vazhdon të bjerë nga viti në vit, ndërkohë që janë shtuar rastet e dhunës ndaj gazetarëve.

Liria e medias, realisht jemi më mirë apo më keq se në 2013?

Një ditë më parë organizata ndërkombëtare “Reporterët pa kufij” publikoi rezultatet e raportit për këtë vit mbi lirinë e medias. Sipas këtij raporti, Shqipëria renditet në vendin e 82 në listën e 180 vendeve, duke shënuar me një rënie prej 7 vendesh. Në raport theksohet se “tregu i medias në Shqipëri është i përqendruar në duart e vetëm disa pronarëve të mëdhenj të cilët kanë lidhje të ngushta me politikanët dhe në shumicën e rasteve kjo ndikon në intimidimin e gazetarëve ose në përdorimin e tyre për qëllime politike”. Raporti gjithashtu e cilëson denigruese retorikën që përdor kryeministri Rama teksa etiketon mediat apo gazetarët. Menjëherë pas publikimit të këtij raporti reagoi Partia Demokratike përmes ish deputetes Albana Vokshi duke akuzuar qeverinë për këto të dhëna, ndërkohë që i shqetësuar u shfaq edhe presidenti i Republikës, Ilir Meta i cili e cilësoi këtë raport një këmbanë alarmi.

Reporteret pa Kufij

Shqipëria renditet në vendin e 82 përsa i përket indeksit të lirisë së medias. Lexo të plotë

Po si paraqitet situata në të vërtetë? A jemi më mirë se në 2013, kohë kur qeveriste Partia Demokratike, apo tani?

Në bëmë një kërkim të thjeshtë në internet dhe zbuluam se sipas po të njejtës organizatë, pra “Reporterëve pa kufij” në vitin 2013 Shqipëria renditej në vendin e 102 të listës duke shënuar një rëni prej 6 vendesh krahasuar me 2012.

Reporteret pa Kufij

Shqipëria renditet në vendin e 102 përsa i përket indeksit të lirisë së medias në raportin e vitit 2013. Lexo të plotë

Këtë e konfirmon edhe një shkrim i botuar në vitin 2013 në Ora News, siç e shikoni në link.

Ora News

Në raportin “indeksi i lirisë së shtypit” për vitin 2013, organizata “Reporterët pa kufij” e ul vlerësimin e Shqipërisë me 6 pikë krahasuar me një vit më parë. Sipas raportit Shqipëria mban vendin e 102-të në botë për lirinë e shtypit. Lexo të plotë

Pra mesa duket nga 2013 e deri tani kemi shënuar goxha përmirësim duke kaluar nga vendi 102 në vendin 82. Megjithëse duhet pranuar që gjendja e medias në Shqipëri ka gjithmonë vend për t’u përmirësuar.

Raporti për lirinë e mediave, Rama: S’ka media të shantazhuar

Pjesë e reagimeve lidhur me raportin e lirisë së mediave nga “Reporterët pa Kufij”, është bërë edhe kryeministri Rama, i cili ka publikuar edhe një tabelë ndër vite të renditjes së Shqipërisë.

Ai i ka cilësuar sulmet e opozitës si moral të “virgjëreshave” që deri dje rrihnin e plagosnin gazetarët. Në një reagim në Twitter, Rama shkruan:

“Një pasqyrë kujtese “virgjëreshave” që vrisnin qytetarë, rrihnin e plagosnin gazetarë dhe sot bëjnë moral! Ka ende shumë për të bërë për lirinë e medias dhe ndarjen e lumit të informacionit nga llumi i kazanit po ashtu. Por me këtë qeveri s’ka media të shantazhuar e liri të mohuar!”

Shqipëria bën regres për lirinë e mediave

“Reporterët pa kufij”, organizata që merret me vlerësimin e lirisë së mediave dhe shtypit në botë, ka nxjerr raportin për vitin 2019. Ajo që organizata vëren është se vitin e fundit është rritur në përmasa të frikshme urrejtja dhe dhuna ndaj medias dhe gazetarëve.

Indeksi i Botës së Lirisë së Shtypit 2019 i përpiluar nga Reporterët pa Kufij (RSF) tregon se si urrejtja e gazetarëve është degjeneruar në dhunë, duke kontribuar në rritjen e frikës. Numri i vendeve që konsiderohen të sigurta, ku gazetarët mund të punojnë në siguri të plotë, vazhdon të bjerë, ndërsa regjimet autoritare vazhdojnë të forcojnë kontrollin e tyre në media.

Norvegjia renditet e para në Indeksin 2019 për vitin e tretë radhas e ndjekur nga Finlanda, Suedia dhe Holanda. Ndërsa në 3 vendet e fundit renditet Etiopia, Korea e Veriut dhe Turkmenistani.

Bashkimi Europian dhe Ballkani regjistruan përkeqësimin e dytë me një rënie prej 1.7 % duke matur nivelin e kufizimeve dhe shkeljeve të lirisë së shtypit. Megjithatë mbetet ende rajoni ku liria e shtypit respektohet më së shumti dhe që në parim është më e sigurta.

Në raport është vlerësuar edhe liria e medias në Shqipëri, e cila ka shënuar një rënie prej 7 vendesh. Një vit më parë Shqipëria renditej në vendin e 75-të, ndërsa këtë ajo u rendit në vendin e 82-të.

Në raport thuhet se “sulmet mbi mediat, qoftë nga qeveria apo krimi i organizuar, arritën shkallë të pashembullt në vitin 2018. Gazetarët ishin cak i fyerjeve, kërcënimeve me vdekje dhe përndjekjeve ligjore, me qëllim të frikësimit dhe pengimit të hetimit të korrupsionit. Politikanët e udhëhequr nga kryeministri Edi Rama, i cilësuan ata si “kazan” dhe “prodhues të lajmeve të rreme. Kryeministri propozoi një ligj të projektuar për të përforcuar kontrollin e shtetit mbi mediat elektronike dhe, sipas kritikëve, të kufizojë qasjen në lajme dhe informacione.”

Zyrtari amerikan: Ju tregoj si keqpërdoret media në Shqipëri

Shefi i Marrëdhënieve me Publikun në Ambasadën e SHBA në Tiranë, Brian Beckmann ka thënë disa të vërteta për funksionimin e medieve në Shqipëri. Sipas tij, gazetarët duhet të thonë të vërtetën nëse duan vërtetë që qeveria t’i shërbejë qytetarëve. Në një takim me studentët e gazetarisë në universitetin “Beder”, Beckmann tha se shumë media përdoren nga pronarët e tyre për të kërcënuar dhe shantazhuar biznese të ndryshme.

Më tej zyrtari amerikan garanton se SHBA do të jetë gjithmonë në krah të medieve dhe gazetarëve që shkruajnë të vërtetën .

Nga Brian Beckmann

Mirëdita. Së pari, dëshiroj të shpreh falenderimet e mia Rektorit Gjana që më ftoi të bisedoj me ju të gjithë sot. Mesazhim im sot është ky: thoni të vërtetën.

Kur më ftuan sot, më kërkuan që të flisja në lidhje me lirinë e shtypit, marrëdhënien ndërmjet medias dhe politikës dhe sfidat me të cilat përballen gazetarët shqiptarë.

Çfarë i bashkon këto tri tema? E vërteta.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e konsiderojnë shtypin e lirë si një shtyllë e themelore të demokracisë. Ne e vlerësojmë lirinë e shtypit si një komponent kyç të qeverisjes demokratike. Pse? Sepse ne besojmë se kur media është e lirë të bëjë detyrën e saj, qytetarët janë më të informuar, aktivë, dhe të angazhuar në vendimmarrje politike. Është gjithmonë më mirë të kesh qytetarë të informuar dhe të kufizosh kontrollin e qeverisë mbi infomracionin në mënyrë që qytetarët të mund t’i japin formë vendimeve të qeverisë dhe të kontrollojnë fuqinë e politikanëve. Një demokraci duhet qeverisur nga qytetarët për qytetarët.

Një media e lirë është gjithashtu e mundur të përmbushë rolin e saj në demokraci, ta bëjë qeverinë përgjegjëse. Media shërben si një “ëatchdog” për të siguruar që qeveritë po u shërbejnë njerëzve me ndershmëri, në përputhje me ligjin dhe po i përmbushin detyrat e tyre. Në Shtetet e Bashkuara, media shpesh konsiderohet si shtylla e katërt e demokracisë. Edhe pse nuk është zyrtarisht pjesë e sistemit tonë të qeverisjes, media – së bashku me degët e ekzekutivit, drejtësisë, dhe legjislativit – luan një rol vital. Për ne ajo është një pjesë e rëndësishme e sistemit tonë të kontrollit dhe balancës.

Për ta mbajtur qeverinë në kontroll, media duhet të thotë të vërtetën. Kur del në dritë një shkelje e ligjit, mashtrim apo korrupsion, është detyrë e medias ta raportojë atë – në mënyrë të paanshme dhe me saktësi. Është detyrë e medias t’i tregojë të vërtetën qytetarëve në mënyrë që ata të mund të marrin pjesë në demokraci si qytetarë të mirëinformuar.

Marrëdhënia ndërmjet medias dhe politikës zë një vend të rëndësishëm në këtë diskutim. Pavarësia është një e drejtë që media duhet ta gëzojë në një demokraci të shëndetshme. Asnjë qeveri nuk duhet të ruajë portën, duke vendosur se çfarë informacioni duhet t’u jepet qytetarëve, çfarë është e drejtë dhe çfarë është e vërtetë.

Në punën time, unë merrem me median çdo ditë. Shpesh më kanë pyetur, “Si ja bën për t’u marrë me rivalët e tu çdo ditë?” Përgjigjja ime është gjithnjë e njëjtë: pikënisja e pyetjes është e gabuar. Një perceptim i zakontë ndër zëdhënësit është se gazetarët janë aty për të të zënë mat. Realiteti është se, nëse unë po flas me median, edhe gazetari edhe unë kemi një punë për të bërë. Gazetari duhet të kërkojë të vërtetën. Unë? Unë kam një histori për të treguar. Unë kam informacionin që dua ta prezantoj si një profesionistë në fushën e komunikimit. Si zëdhënës i një qeverie, është detyra ime të jap informacione në emër të popullit amerikan. Në qoftë se unë e bëj punën time si duhet, edhe gazetari edhe unë do të largohemi duke marrë atë që duam.

Për fat të keq, ajo që shohim sot në Shqipëri është një hapësirë mediatike që bëhet gjithnjë e më e njëanshme. Më shumë se kurrë më parë, pronarët e mediave kanë një ndikim më të fortë në atë çfarë raportohet dhe se si mbulohet. Shohim aktorë të këqinj, si këta pronarë apo ata me influencë në këtë vend, të cilët e përdorin median për të kërcënuar me shantazh bizneset ndërkombëtare me qëllim që të dekurajojnë investimet dhe t’i hapin rrugën interesave të tyre personale. Shohim histori që janë shkruar, jo të bazuara në të gjitha faktet e vlefshme, por në të kundërt, me informacion të pjesshëm, të shtrembëruar që ofrohet për të promovuar interesin e një industrie, partie, një individi kundrejt një tjetri. Ata përdorin median me qëllimin e vetëm që të arrijnë atë që duan.

Çdo takim ditor editorial në Shqipëri duhet të fillojë me pyetjen “Cila është historia qe duhet të tregojmë?” dhe jo “Kujt do t’i vihemi nga pas sot? Lajmet duhet të përqendrohen tek e vërteta, dhe jo si mund të përdoret forca e shtypit si një armë kundër një person, biznesi, apo një partie politike.

Por ka shpresë. Ju të gjithë mund të ndihmoni për ta ndryshuar këtë. Në qoftë se ju do të përpiqeni të nxirrni në pah të vërtetën, ju do të ndihmoni jo vetëm për t’i dhënë formë të ardhmes së Shqipërisë, por edhe të kontribuoni në një shoqëri që funksionon më mirë. Ju mund të informoni dhe t’i përgatisni fqinjët dhe bashkëqytetarët qytetarët tuaj duke ju dhënë atyre informacionin e nevojshëm për tu bëre qytetarë më të mirë.

Ne jemi këtu për t’ju ndihmuar.

Ne, Ambasada e ShBA jemi shumë të interesuar të shohim një media të lirë e të pavarur në Shqipëri, dhe ne mbështesim interesat tona me premtimet tona. Prej shumë vitesh, ne kemi investuar në të ardhmen e gazetarisë shqiptare. Çdo vit ne dërgojmë në Shtetet e Bashkuara  disa gazetarë shqiptar për t’i njohur ata me hapësirën mediatike amerikane. Ata mësojnë nga organizatat aktiviste dhe nga ato që trajnojnë gazetarët amerikanë. Këtë e bëjmë me shpresën që këta pjesëmarrës do të mësojnë diçka të dobishme nga sistemi amerikan dhe do ta sjellin atë në Shqipëri. E bëjmë këtë me shpresën që ata të mund të rrisin standardet editoriale, të ndihmojnë në ngritjen e një etike gazetarie këtu (në Shqipëri), dhe të përmirësojnë metodat që përdorin gazetarët për të përcaktuar se cila është e vërteta dhe për ta nxjerr atë në shesh.

Një nga njerëzit tuaj këtu është përfitues i këtyre programeve. Profesor Erlis Çela, Shefi i Departamentit të Komunikimit mori pjesë në një nga këto programe vitin e kaluar. Ne sapo kemi marrë lajmin që tre prej kolegëve tuaj studentë këtu në Universitetin Beder do të marrin pjesë në një program të kësaj natyre këtë verë. Unë shpresoj që përvoja e tyre të jetë e frutshme dhe jut ë gjithë të mund të përfitoni prej asaj që ato do të mësojnë.

Ne po investojmë burime kohore, njerëzore dhe financiare këtu në Shqipëri për të krijuar akoma më shumë mundësi për ata që kërkojnë të thonë të vërtetën. Programi ynë Laboratori i Gazetarisë Investigative është tani në vitin e tij të tretë. Ky është një program një-vjeçar që ofron përvojë praktike për 10-12 të rinj që aspirojnë të bëhen gazetarë, duke ju dhënë atyre aftësitë dhe teknikat e nevojshme për të bërë një kërkim më të mirë dhe për të treguar ngjarje interesante.

Gazetarët investigativ janë përgjegjës për disa nga ngjarjet më të rëndësishme në gazetari. Ëatergate, raportimi i të drejtave civile, dhe ekspozimi i çështjes Iran-Contra janë vetëm disa shembuj nga Shtetet e Bashkuara që dëshmojnë se si gazetaria investigative nxorri në shesh të vërtetën dhe ndryshoi politikat dhe politikanët tanë. Gazetarët e realizuan këtë nëpërmjet një kërkimi të plotë dhe një mjeshtrie rrëfyese për të siguruar që qytetarët amerikanë të mund të  shihnin të vërtetën që gazetarët kishin zbuluar.

Kjo mund të ndodhë edhe në Shqipëri. Ambasada e Shteteve të Bashkuara, së bashku me Ambasadën Holandeze dhe Zvicerane janë vendosur në partneritet me Radio Televizionin Shqiptar për të prodhuar programin televiziv 31 minuta që transmetohet çdo dy javë. Nëse nuk keni patur mundësi ta shikoni, mund të gjeni link-un e disa prej atyre historive në faqen tonë të Facebook. Duke ju dhënë pjesëmarrësve në programin tonë të Laboratorit e Gazetarisë Investigative një platformë për të praktikuar profesionin e tyre, ne shpresojmë se ata do të rrisin ndjeshmërinë ndaj ngjarjeve interesante dhe të rëndësishme. Dhe më e rëndësishmja, ne shpresojmë që do të gjejnë dhe do të transmetojnë të vërtetën.

Për ta përmbyllur, do ta përfundoj si e nisa. Me një sfidë: dilni në terren, kërkoni të vërtetën dhe tregoni të vërtetën. Ju keni mundësinë t’i jepni formë të ardhmes së Shqipërisë. Nëse do të zgjidhni të rrëfeni të vërtetën, ne do të jemi pranë jush për t’ju mbështetur dhe për të promovuar punën tuaj.

Skip to toolbar