Drejtësia, Meta sulmon reformën… dhe Euralius

Ndërsa Rama e cilëson të sukseshme reformën në Drejtësi, krejt ndryshe mendon presidenti Meta. Një lum kritikash ka hedhur ndaj ndërkombëtarëve presidenti Ilir Meta, veçanërisht ndaj misionit të Euralius  që është marrë me Reformën në Drejtësi. Meta është shprehur sot se kjo reformë në drejtësi, përveçse nuk është e suksesshme, nuk është as europiane. Ai madje ka thënë se Euralius ka marrë urdhër politik që të mos marrë pjesë në një takim të thirrur nga Presidenti i Republikës për të biseduar për hedhjen e shortit për anëtarët e KED-së.

“Ne do të flasim për sukseset e mëdha të reformës në drejtësi. I jam shmangur publikisht. Por po bëhen tre vite nga miratimi i reformës në drejtësi, mund të them që nëse do të ishte vërtetë një sukses, Shqipëria asnjë minutë nuk do të ishte pa gjykatë Kushtetuese. Reforma nuk bëhet me retorikë dhe presion, por me standarde, nëse duhet me emra asnjëherë nuk është e qëndrueshme, por forma të reja për kapjen e institucioneve. Të vijmë te rasti i Gjykatës Kushtetuese se nuk mund të jem i qetë pa e nxjerrë këtë merak. Dy herë janë hedhur shortet e KED-së, që është institucioni kryesor për reformën në drejtësi. Kam bërë përpjekje të mëdha që gjithcka të bëhet sipas Kushtetutës. Herën e dytë si President, një papërgjegjshmëri totale dhe nga ndërkombëtarët. Kam folur hapur, më takon të hedh shortin, por e dimë se çfarë ka ndodhur dhe hajde të ftojmë institucionet jashtë kamerave për të unifikuar qëndrimin e përbashkët, që të mos kemi debate dhe kontestime.


Dhe Euralius i çon përgjigje Presidentit se nuk vijmë dot në takim se jemi mision teknik, që do të thotë se ke marrë porosi politike. Unë nuk e di nga u mor kjo porosi politike. Je mision dhe të fton Presidenti për Kushtetutën e një vendi, po ky Euralius si e jep një vërtetim një kryetari të komisionit të ligjeve për të zgjedhur një institucion që nuk ekziston në Republikën e Shqipërisë. Kjo nuk është drejtësi europiane. Këto historitë e peshqve i keni dëgjuar dhe dëgjoni, reforma do të jetë e suksesshme kur të ketë më shumë investime nga SHBA, Britania dhe të tjera. U bëjmë të qartë kujtdo se Kushtetutën tonë nuk mund ta dhunojnë, as Presidenti dhe asnjë ambasador, diplomat apo komisioner. Në fillim të tetorit i kam thënë drejtorit për zgjerimin Denilson që jemi pa gjykatë Kushtetuese. Prandaj kam kërkuar një mision zbatimi të reformës për të garantuar që kjo është histori suksesi për ne dhe për ju”, tha Meta.


Kufijtë e Kosovës, Meta thumbon keq Ramën dhe Thaçin: Delirantë!

Presidenti Ilir Meta ka thumbuar keq sot Ramën dhe Thaçin teksa ka folur për idenë e ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Ai i ka quajtur delirantë ata politikanë që flasin për bashkimin e të gjithë shqiptarëve. Madje, këto ide Meta thotë se hidhen për të shmangur problemet brenda vendit. Ai gjithashtu ka komentuar edhe deklaratën që bën shpesh Rama, që Kosova dhe Serbia të bëjnë një marrëveshje ashtu siç bëri pas Luftës, Franca dhe Gjermania.

“Nuk ka komb në Ballkan që ka përfituar më shumë nga rënia e perdes së hekurt. Ne atë kohë ishim si Korea e Veriut. Dëgjojmë pse mos bashkohen të gjithë shqiptarët? Por pse të mos bashkohen të gjithë serbët, kroatët, boshnjakët dhe këto delirime gjoja patriotike më shumë sesa folklorizëm janë diabolizëm i gjallë.


Është përpjekje e politikanëve autoritarë për t’u shmangur nga llogaria e brendshme për të larguar vëmendjen e opinionit. E bëjnë si në volejboll, njëri pason dhe tjetri zhyt dhe cfarë ndodh? Ikin të rinjtë. Dëgjojmë që serbët dhe shqiptarët janë popujt kryesorë të rajonit, është tjetër të thuash atë që bëri Franca me Gjermaninë që pas luftës nxorën mësime dhe është tjetër të thuash këtë të Ballkanit, pasi në Ballkan çdo popull është më i madhi, askush nuk pranon.

Nuk rivizatohen kufijtë aq kollaj. Ne e dimë sa marrëdhënie të mira janë mes Malit të Zi dhe Kosovës, por për një marrëveshje demarkacioni e dimë mirë se çfarë ndodhi. Një pakicë e vogël e bllokoi dhe bëhet fjalë për disa pyje që as qentë nuk jetojnë në dimër dhe jo ku jetojnë njerëz dhe ku ka varre, kisha dhe xhami e amanete. Dua të bëj të qartë, ne i kemi të gjitha mundësitë sikur e kemi treguar që të jemi faktor stabilizues. Kush thotë se do të kufizojmë me Tiranën për serbët na fton të shikojmë atë filmin që e kemi parë në Ballkan”, është shprehur Meta.

Këtë deklaratë Meta e bëri në konferencën e organizuar nga Shoqata George C. Marshall dhe Ambasada Amerikane në Tiranë me temë “Sfidat e Sigurisë në Ballkan dhe roli i aktorëve të jashtëm në kohën e tranzicionit euroatlantik”.

Dekarata në fjalë vjen vetëm një ditë pas takimit kokë më kokë mes Thaçit dhe Ramës në Tiranë.


Kosova e ndarë në Tiranë

Tre krerët më të lartë të Kosovës ishin dje në Tiranë, por më të ndarë se kurrë. Thaçi, Haradinaj dhe Limaj zgjodhën të njejtën ditë për të qenë të pranishëm në kryeqytetin shqiptar, por secili zhvilloi takime private, apo të ndara, që treguan dhe njëherë hendekun e qëndrimeve mes palëve.

Kështu kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj zhvilloi një takim informal me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta. Që të dy postuan një foto ku dukej se takimi ishte zhvilluar në ambientet e një lokali. Por Haradinaj në postimin e tij shkruan se kanë ndarë “qëndrime unike me presidentin Meta për tema me rëndësi për Shqipërinë dhe Kosovën”. Kujtojmë se marrëdhëniet e Haradinajt me Ramën janë ftohur prej kohësh, që në samitin e Berlinit, ku Haradinaj akuzoi kryeministrin shqiptar se kishte ushtruar presion për heqjen e taksës për mallrat serbe. Deklaratë kjo që u hodh poshtë nga kryeministri Rama.


Sakaq, Rama sot ka pritur në zyrë presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, i cili njihet për qëndrime krejt ndryshe nga Haradinaj përsa i përket si çështjes së kufijve, ashtu edhe taksës për mallrat serbe. Thaçi postoi në facebook një mesazh ku njoftonte takimin kokë më kokë me Ramën me të cilin bisedoi për situatën në Shqipëri, Kosovë dhe Rajon, por pa dhënë më shumë detaje.

Ndërsa Fatmir Limaj ishte që dje në Tiranë ku sëbashku me zëvendës kryeministrin Erjon Braçe kryesuan takimin koordinues mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës, lidhur me implementimin e marrëveshjeve të nënshkruara në nëntor të vitit 2018.

Ndërsa në një intervistë që dha mbrëmë në Real Story të Sokol Ballës në Vizion Plus, i pyetur për çështjen e kufijve, Limaj tha se askush në Kosovë nuk ka mandatin për të diskutuar çështje që janë në shkelje të Kushtetuës.

Duket se politikanët, si ata të Kosovës, ashtu edhe ata të Shqipërisë nuk arrijnë të gjejnë gjuhën e përbashkët edhe për çështje të rëndësishme.


15 Maji dita e familjes, Meta bën apel për kushte më të mira

Në Ditën Ndërkombëtare të Familjes, Presidenti Ilir Meta ka postuar një mesazh në të cilin thekson nevojën për të bërë më shumë për të plotësuar kushte më të mira për familjet në Shqipëri.

“Gëzuar Ditën Ndërkombëtare të Familjes!


Një familje e lumtur, solide, në mirëqenie dhe paqe brenda saj, ka vlera të jashtëzakonshme për zhvillimin e begatinë e shoqërisë, atdheut e kombit tonë. E mbështes fuqimisht forcimin e rolit dhe vlerave të familjes, si dhe do vijoj të promovoj mbajtjen shëndoshë të saj. Vendi ka nevojë për më shumë familje të reja e të qëndrueshme, për më shumë fëmijë dhe kushte më të mira për mirërritjen dhe edukimin e tyre, për politika më konkrete sociale dhe ekonomike në këto drejtime. Falënderoj udhëheqësit e besimeve tona fetare për përpjekjet e tyre të vazhdueshme për të forcuar vlerat e familjes.

Zoti i bekoftë familjet tuaja!”, shkruan Presidenti.


Meta: Të rinis dialogu Kosovë-Serbi

Pas përfundimit të samitit Brdo-Brijunit në Tiranë, presidenti Meta ka bërë thirrje që Kosova dhe Serbia të rinisin sërish dialogun të ndërmjetësuar nga BE, që do të kontribuojë në paqen dhe stabilitetin në rajon. Me një postim në Facebook, Meta shkruan se dialogu do të normalizojë marrëdhëniet e tensionuara mes dy vendeve.

“Shqipëria do të mbështesë përpjekjet e institucioneve të Kosovës për t’u riangazhuar në dialogun me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. Një proces konstruktiv ka potencialin të prodhojë marrëveshjen përfundimtare, ligjërisht të detyrueshme, tërësore dhe të zbatueshme, që normalizon plotësisht marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe kontribuon për paqen, stabilitetin e perspektivën europiane të rajonit.” – shkruan Meta



Çfarë ndodhi mes Thaçit e Vuçiç në Samit? Ja çfarë thotë Meta

Presidenti, Ilir Meta është pyetur nga gazetarët në konferencën për shtyp të mbajtur pas samitit të Brdo Brijunit, se si ishte atmosfera mes Thaçit dhe Vuçiç dhe nëse ky samit i afroi ata sadopak ata për të nisur sërish dialogun Serbi-Kosovë.

Meta tha se atmosfera e këtij samiti ka qenë shumë pozitive dhe do të donte që dialogu mes Serbisë dhe Kosovës të kishte përfunduar me kohë.


“Nuk di të them nëse ky samit ka afruar më tepër dy liderët Kosovë-Serbi, por di që atmosfera ka qenë shumë pozitiv këtu. Do të donim që dialogu Kosovë –Serbi të kishte përfunduar dje. Jo sot dhe as nesër.  Samiti i Brdo Brijonit është një samit që ka një format të përcaktuar”, u shpreh presidenti Meta.


Meta në Samit: Të zgjidhen konfliktet e vjetra në Ballkan

Gjatë fjalës së tij në samitin e sotëm të Brdo-Brijunit që po zhvillohet në Tiranë, Presidenti Ilir Meta vuri theksin në domosdoshmërinë që Ballkani të zgjidhë konfliktet e vjetra dhe kokëforte dhe fjalën këtu e kishte për konfliktin Serbi-Kosovë.

Ai gjithashtu kërkoi që BE të miratojë sa më parë liberalizimin e vizave për Kosoën, si dhe të hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë.


“Mosmarrëveshjet e vjetra, kokëforta e të paepura dypalëshe është e mundur të kapërcehen me zgjidhje që shohin drejt së ardhmes dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë kanë mundësi të përmirësohen edhe më tej në rajonin tonë, nëse kanalizohen drejt perspektivës së duhur europiane dhe euroatlantike”, tha Meta në samit.

Fjala e plotë e Presidentit Ilir Meta

Sot, në fjalën time dëshiroj të përqendrohem në tri çështje kryesore: Së pari, në procesin e integrimit të vendeve tona.

“Paqja botërore nuk mund të zgjasë nëse nuk bëhen përpjekje krijuese dhe proporcionale ndaj rreziqeve që e kërcënojnë atë… Europa nuk do të bëhet menjëherë, apo sipas një plani të vetëm. Ajo do të ndërtohet përmes arritjeve konkrete, që fillimisht krijojnë një solidaritet de facto”.

Ky ishte prologu i deklaratës së Shumanit, që frymëzoi bashkëpunimin e mirëfilltë dhe krejtësisht të ri politik, për të pamundësuar një luftë tjetër në Europë. Ky ishte vizioni largpamës që krijoi paqen, bashkimin dhe begatinë europiane.

Na duhet të pranojmë faktin se Bashkimi i sotëm Europian është rritur përtej përfytyrimit të Shumanit. Ai është zgjeruar, thelluar dhe forcuar me guxim, vendosmëri dhe palodhur.

Në këtë kontekst, dua të theksoj dy mesazhe kyçe:

Së pari, Vendet tona kanë ende shumë për të mësuar nga themeluesit dhe filozofia e këtij projekti historik, mbi çfarë mund të konsiderohen ide pionere, nxitëse të një epoke të re të bashkëjetesës në rajonin tonë.

Së dyti, padurimi i vendeve tona për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian është tregues i qartë se ngrehina politike, ekonomike dhe shoqërore europiane mbetet po aq strategjike për ne, sa ç’ka qenë edhe më parë.

Në këtë kuadër, shpresoj që vendi im dhe Republika e Maqedonisë së Veriut të çelin sa më parë negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian dhe që Kosova të përfitojë liberalizimin e vizave pa vonesa të mëtejshme.

Çështja e dytë: bashkëpunimi rajonal.

Shqipëria do të vazhdojë të luajë rolin e saj të pazëvendësueshëm si faktor paqeje, stabiliteti dhe sigurie në rajon. Ne do të vazhdojmë të përmbushim përgjegjësitë tona të shtuara si anëtarë të NATO-s për një fqinjësi paqësore dhe të sigurt, përfshirë vendosmërinë për të qëndruar përkrah aleatëve strategjikë në luftën globale kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Mosmarrëveshjet e vjetra, kokëforta e të paepura dypalëshe është e mundur të kapërcehen me zgjidhje që shohin drejt së ardhmes dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë kanë mundësi të përmirësohen edhe më tej në rajonin tonë, nëse kanalizohen drejt perspektivës së duhur europiane dhe euroatlantike. Në këtë drejtim, pesha dhe rëndësia e Marrëveshjes së Prespës është e jashtëzakonshme, dhe si e tillë meriton të çmohet si një arritje e madhe.

Ftesa e NATO-s për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut ishte vendimi i duhur, në kohën e duhur. NATO-ja duhet të jetë krenare që në 70-të vjetorin e saj zgjerohet me anëtarin e 30-të, duke shtrirë edhe më tej perimetrin e paqes dhe sigurisë.

Duhet të pranojmë gjithashtu se Bashkimi Europian dhe vendet e tij anëtare e kanë vendosur rajonin tonë në rend të ditës, duke ndjekur politika plotësuese me ato të zgjerimit.

Procesi i Berlinit, që synon ndërlidhjen dhe pajtimin rajonal do të vazhdojë, dhe gjatë këtij viti do të organizohet në Poloni. E vlerësoj tej mase faktin që Samiti i Poznanit do t’i japë vëmendjen e merituar çështjeve të arsimit dhe rinisë, duke synuar mënjanimin e pengesave frustruese rajonale.

Është po aq domethënës fakti që Gjermania dhe Franca, themeluese të Bashkimit Europian, i kushtuan vëmendje të veçantë rajonit tonë në mes të fushatës politike për zgjedhjet europiane. Urojmë që Samiti i Parisit t’i japë një dinamikë të re e konstruktive këtij procesi.

Shqipëria do të mbështesë përpjekjet e institucioneve të Kosovës për t’u riangazhuar në dialogun me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. Një proces konstruktiv ka potencialin të prodhojë marrëveshjen përfundimtare, ligjërisht të detyrueshme, tërësore dhe të zbatueshme, që normalizon plotësisht marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe kontribuon për paqen, stabilitetin e perspektivën europiane të rajonit

Ngjashëm me shembullin e Marrëveshjes së Prespës, mbeten jetike dhe të domosdoshme si bashkëpunimi i përgjegjshëm dhe serioz ndërmjet dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë, ashtu edhe një koordinim më i mirë ndërmjet BE-së dhe ShBA-ve mbi perspektivën e dialogut dhe të rajonit.

Si çështje të fundit, dua të nënvizoj se si vende në proces anëtarësimi në Bashkimin Europian, jemi zotuar për të respektuar parimet dhe vlerat e demokracisë liberale.

Përqendrimi tek mirëqeverisja dhe sundimi i ligjit, ndërtimi i institucioneve funksionale demokratike, ekonomia e tregut, mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe lirive politike të popujve tanë, janë shtyllat kryesore të reformave të qëndrueshme.

Të gjithë kemi një rol vendimtar për ndërtimin e kësaj të ardhmeje për qytetarët tanë, duke gëzuar mbështetjen e miqve europianë, përfshirë edhe premtimin për të shpërblyer arritjet e rezultateve të besueshme dhe konkrete.


Meta apelon për gjak në ditën Ndërkombëtare të Talasemisë

Presidenti Ilir Meta ka qenë sot i pranishëm në seancën e dhurimit të gjakut të organizuar nga Fakulteti Ekonomik i Universitetit Shtetëror të Tiranës, në kuadër të ditës Ndërkombëtare të Talasemisë.

Presidenti Meta prej kohësh ka nisur një fushatë të gjerë ndërgjegjësimi për të dhuruar gjak. Edhe sot në fjalën e tij, kreu i shtetit për thirrje që njerëzit të dhurojnë gjak në mënyrë vullnetare për t’i ardhur në ndihmë talasemikëve dhe të tjerë njerëzve që kanë nevojë.


“Jam shumë i kënaqur që rikthehem në Qytetin Studenti, me rastin e 1-vjetorit të krijimit të Aleancës për Dhurimin e Gjakut dhe 20-vjetorit të Shoqatës së Talasemikëve Shqiptarë.

E rëndësishme është të angazhohemi si shoqëri dhe të inkurajojmë sa më shumë të rinjtë e të rejat të përfshihen në kauzën e dhurimit të gjakut.

Ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë drejtim dhe do kërkojmë kontributin dhe angazhimin e kujtdo. Natyrisht i japim dhe prioritet dhe dhuruesve të rregullt, që në mënyrë të vazhdueshme ta zgjidhim këtë çështje njëherë e përgjithmonë përmes dhurimit vullnetar, siç kanë bërë të gjithë vendet e tjera të zhvilluara”, – vuri në dukje Presidenti i Republikës.

“Besoj se gjatë këtij viti kemi bërë shumë seanca dhurimi në të gjithë vendin. Do të vazhdojmë akoma më tej. E rëndësishme është të angazhojmë sa më shumë të rinj sepse edhe cilësia e gjakut është shumë e rëndësishme.

Thelbësore në këtë proces është edhe parandalimi i sëmundjes së talasemisë, që mund dhe duhet të minimizohet nëpërmjet një fushate ndërgjegjësimi efikase”, – theksoi Presidenti Meta.


Meta replika me MAS: Ndiq procedurën ligjore për Mynyr Konin

Pas vendimit të Metës për të lënë në detyrë Mynyr Konin, ka pasur retorika edhe nga ministrja e Arsimit, Besa Shahini. Mirëpo Presidenca ka pasur një tjetër reagim duke sqaruar se ka bërë një arsyetim të gjatë ligjor se pse nuk mund të pranonte shkarkimin e Konit. Gjithashtu në reagim thuhet se MAS duhet të mbajë përgjegjësi për zbatimin e reformës në arsimin e lartë.

“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta në dekretin e tij për rrëzimin e propozimit për shkarkimin e rektorit të Universitetit të Tiranës, z.Mynyr Koni ka folur me argumenta ligjorë më gjatë se kurdoherë tjetër. Ministria e Arsimit duhet të mbajë përgjegjësinë e saj të plotë për zbatimin e Reformës në Arsimin e Lartë dhe nëse nuk është dakord me argumentat ligjorë të bëra publike nga Presidenti, të ndjekë procedurën që dikton ligji, përtej retorikave boshe.” -thuhet në reagimin e presidencës



Meta kundër MAS, lë Mynyr Konin ende në detyrë

Presidenti Ilir Meta ka dekretuar rrëzimin e propozimit të Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë për shkarkimin nga detyra të Rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni. Ka qenë vetë Ministrja e Arsimit, Besa Shahini që në një deklaratë për mediat shkarkoi rektorin Mynyr Koni dhe kërkoi nga Meta që të miratonte këtë vendim.

Mirëpo presidenti përmes një arsyetimi të gjatë ka shpjeguar pse nuk e pranon shkarkimin e Rektorit të Universitetit të Tiranës duke e lënë atë ende në detyrë.


Meta sqaron se në kushtet aktuale, bazuar në propozimin e bërë, marrja e një vendimi për shkarkimin e Rektorit të Universitetit të Tiranës, do të cenonte rëndë dhe në tërësi, autonominë e institucioneve të arsimit të lartë dhe lirinë akademike të vendosur dhe të mbrojtur nga Kushtetuta. Gjithashtu ai vlerëson se palët duhet t’i drejtohen gjykatës kompetente për të zgjidhur këtë konflikt dhe nëse ende nuk e kanë bërë, ato mund t’i drejtohen aktualisht.

DEKRET PËR RRËZIMIN E PROPOZIMIT TË MINISTRIT TË ARSIMIT, SPORTIT DHE RINISË PËR SHKARKIMIN NGA DETYRA TË REKTORIT TË UNIVERSITETIT TË TIRANËS, Z. MYNYR KONI

Në mbështetje të neneve 57 pika 7, 92/g, 93, të Kushtetutës, nenit 39, pika 8, 10 të ligjit nr.80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, ligjit nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”, pasi shqyrtova propozimin e Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë me nr.4158/2 prot., datë 12.04.2019, administruar në Institucionin e Presidentit të Republikës me nr.1169 prot., datë 15.04.2019,

Dekretoj;

Neni 1

Rrëzimin e propozimit nr.4158/2 prot, datë 12.04.2019, të Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, për shkarkimin nga detyra të Rektorit të Universitetit të Tiranës, z. Mynyr Koni, sipas arsyetimit bashkëlidhur këtij dekreti.

Neni 2
Vijimin e ushtrimit të detyrës nga Rektori i Universitetit të Tiranës, z. Mynyr Koni, sipas Dekretit të Presidentit të Republikës nr.9609, datë 26.05.2016.

Neni 3
Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.
Nr. Dekreti 11183
Tiranë, më 06.05.2019


Skip to toolbar