Basha: Rama i përgjigjet qytetarëve me dhunë e gaz lotsjellës

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ashtu siç pritej ka mbajtur fjalën e tij para Kryeministrisë gjatë protestës duke u bërë edhe një herë thirrje qytetarëve të bashkohen për të rrëzuar qeverinë e krimit. Basha tha se Rama ju përgjigj protestës paqësore me dhunë dhe gaz lotsjellës, ndërsa prokuroria ka ndalur çdo aksion të saj për të hetuar krimet e qeverisë.

“Shqipëria dhe kryeministri ilegjitim i dalë nga votat e blera me ndihmën e krimit të organizuar ju përgjigj thirrjes tonë me dhunë, provokime, rrahje, gaz lotsjellës e helmues. Qindra mijëra bashkëqytetarë të Tiranës e ndjenë përgjigjen, zgjidhjen e vetme që ka ofruar Rama për plagën që i ka hapur këtij vendi. Përgjigjja e vetme e Edi Ramës ndaj votës së lirë ishte dhuna.

Ky është një parlament ilegjitim, qeveri ilegjitime, kryeministër ilegjitim. Tash 2 vjet prokuroria ka vetëm një mision, të ndalë hetimin e dosjeve kriminale ku janë kapur Rama në bashkëpunim me kupolën e mafias, për të blerë më të shtrenjtën vlerë që ka çdo shqiptar, votën e lirë.

Edi Rama vjedh shqiptarët, u vjedh taksat, u vjedh pronat gjithçka, sepse nuk jep llogari askund përveç se tek krimi i organizuar. Dhunë ndaj sipërmarrjes, ndaj administratës, dhunë ndaj të papunëve, ndaj të rinjve dhe vogëlushëve, dhunë ndaj vogëlushëve të Unazës. Dhuna është e vetmja zgjidhje që ofron EdI Rama. Jemi sot në këtë marshim për të thënë qartë dhe prerë: E refuzojmë dhunën e qeverisë dhe i përgjigjemi me besimin tonë tek vlerat europiane, me fuqinë e bashkimit dhe vendosmërisë. Nuk ka shqiptar që nuk e di se këtu kemi ardhur si rezultat i dhunës shtetërore, se dhuna shtetërore është produkt i dhunës zgjedhore. Sepse ajo është e vetmja mënyrë e Ramës për të marrë e për të mbajtur pushtetin. Ne nuk jemi këtu për karrige e për pushtet, por jemi kundër dhunës, kundër krimit e kundër qeverisë së paligjshme të krimit. Ejani me ne që ta çlirojmë Shqipërinë nga krimi dhe korrupsioni. Ne jemi në këtë betejë për kushtetutë, për ligj, për dinjitetin dhe lirinë e çdo shqiptari.” – tha Basha

Rruga drejt Evropës mbetet e bllokuar, sepse në Evropë nuk shkohet me zgjedhje të vjedhura, me pa ndëshkueshmëri, drejtësi të kapur që mbron kriminelët dhe politikanët e korruptuar tha Basha.

Duhet thënë se protesta nisi e qetë dhe nuk ka pasur incidente apo sulme ndaj policisë si në protestën e kaluar. Pas fjalës së Bashës, protestuesit kanë nisur marshimin e tyre drejt Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.

Ministria e Brendshme: Opozita edhe sot me skenar dhune

Ministria e Brendshme ka deklaruar se opozita do të përsëris gjatë protestës së sotme të njëjtin skenar dhune të sulmimit të institucioneve me bomba molotov.

Zv.ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari në një deklaratë për mediat dënoi ashpër dhunën dhe sulmet e kryera ndaj policisë së shtetit më 11 maj.

“Ministria e Brendshme dënon ashpër sulmet e rrezikshme për jetën e punonjësve të Policisë së Shtetit gjatë tubimit të dhunshëm të 11 majit. Qindra bomba molotov të prodhuara dhe shpërndara sipas një plani kriminal, janë hedhur drejtpërdrejtë, me intensitet të lartë mbi punonjësit e policisë, në krye të detyrës. Veç bombave molotov, mbi forcat e rendit janë hedhur horizontalisht bateri të tëra me fishekzjarrë të ndaluar të kalibrit të lartë, nga një distancë shumë e afërt. Sipas deklaratave mediatike, rezulton se organizatorët e dhunës planifikojnë të përsërisin atë edhe sot. Ata që prodhuan, shpërndanë e përdorën bombat molotov dhe lëndët e tjera të rrezikshme mbi forcat e rendit, në mbrëmjen e 11 majit, do të tentojnë të përsërisin të njëjtat akte dhune edhe në manifestimin e sotëm.” – tha Lamallari

Ministria e Brendshme u bëri thirrje të gjithë qytetarëve, të distancohen nga këto grupime dhe akte kriminale dhe të bashkëpunojnë me organet në hetimin e tyre.

Dhuna në protesta, Eurodeputët: Jepni mesazhin e gabuar për integrimin

Eurodeputetët Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan përmes një letre drejtuar qytetarëve shqiptarë kanë bërë thirrje për protesta paqësore.

Në letër theksohet se e drejta e protestës është thelbësore, por kjo nuk justifikon asnjë formë të dhunës. Eurodeputetët thanë se ndjekin me shqetësim çdo imazh të dhunës duke u kërkuar të gjithë udhëheqësve politikë që të tregojnë përgjegjësi dhe vetëkontroll.

“Por me shqetësim të madh kemi parë imazhet e dhunës në Tiranë të shtunën e kaluar, më 11 maj. E drejta për të protestuar është thelbësore në çdo shoqëri demokratike, por kjo kurrë nuk e bën dhunën një instrument te ligjshëm. Ne, deputetët e Parlamentit Evropian, anëtarë të familjeve të ndryshme politike evropiane, u bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në protestat e lajmëruara për ditët e ardhshme në Tiranë, të përmbahen nga të gjitha format e dhunës dhe të qëndrojnë larg nga ngjarje të dhunshme. Ne gjithashtu u bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve politikë që të tregojnë përgjegjësi dhe vetëkontroll.” – shkruhet në letër

Fleckenstein dhe Kukan thanë se dhuna në protestën e 11 majit mund të japë përshtypjen e gabuar se vendi nuk është gati për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian në qershor të këtij viti.

Letra e eurodeputetëve Knut Flecjkkennstein dhe Eduard Kukan për shqiptarët:

Një thirrje evropiane dhe ndër-partizane për qytetarët shqiptarë:

Të dashur Miq,

Ne, si anëtarë të Parlamentit Evropian kemi mbështetur prej vitesh procesin e integrimit të Shqipërisë në BE dhe përparimin e vendit në reformat përkatëse. Ne jemi miq të Shqipërisë dhe jemi të bindur që vendi juaj ofron një vlerë të shtuar për Bashkimin Evropian. Kjo është arsyeja pse ne do të vazhdojmë mbështetjen tonë për integrimin e Shqipërisë në BE edhe në të ardhmen.

Por me shqetësim të madh kemi parë imazhet e dhunës në Tiranë të shtunën e kaluar, më 11 maj. E drejta për të protestuar është thelbësore në çdo shoqëri demokratike, por kjo kurrë nuk e bën dhunën një instrument te ligjshëm. Ne, deputetët e Parlamentit Evropian, anëtarë të familjeve të ndryshme politike evropiane, u bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në protestat e lajmëruara për ditët e ardhshme në Tiranë, të përmbahen nga të gjitha format e dhunës dhe të qëndrojnë larg nga ngjarje të dhunshme. Ne gjithashtu u bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve politikë që të tregojnë përgjegjësi dhe vetëkontroll.

Si deputetë të Parlamentit Evropian, ne nuk synojmë interferimin ne ngjarjet ne vend. Duam thjesht t’ju kujtojmë se vetëm institucionet dhe proceset demokratike, dialogu parlamentar, procedurat ligjore, zgjedhjet e lira dhe të drejta janë rruga e vetme përmes te cilës shoqëria shqiptare mund të zgjidhë sfidat serioze që përjeton.

Detyra jonë si deputetë të Parlamentit Evropian është të inkurajojmë përparimin e bërë nga Shqipëria dhe të mbështesim vendin në rrugën e tij drejt integrimit evropian. Për ketë arsye, e ndjejmë te nevojshme për t’ju drejtuar juve, qytetarëve shqiptarë. Prandaj, kemi besim dhe presim nga ju, nga qytetarët shqiptare dhe nga shoqëria civile që të punojmë së bashku për të çuar përpara qëllimin tonë të përbashkët.

Pamjet e së shtunës se kaluar mund të japin përshtypjen e gabuar se vendi juaj nuk është gati për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian në qershor të këtij viti. Qytetarë të Shqipërisë dhe anëtarë të shoqërisë civile: Si miq të Shqipërisë dhe përkrahës të integrimit te saj në BE, ju bëjmë thirrje të bëheni pjesë e zgjidhjes dhe të jepni kontributin tuaj për të ndaluar dhunën. Është koha e duhur për t’i dërguar botës një mesazh të qartë se Shqipëria dhe shqiptarët janë të aftë për t’i zgjidhur konfliktet e tyre në mënyrë paqësore dhe demokratike.

Juaji sinqerisht,

Knut Fleckenstein, eurodeputeti, Aleanca e Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian, raportuesi i PE për Shqipërinë

Eduard Kukan, eurodeputeti, Partia Popullore Evropiane në Parlamentin Europian, Kryetari i Grupit punues të Komitetit të Punës së Jashtme të PE për Ballkanin Perëndimor

Protestat, Ambasada e SHBA: Organizatorët të dënojnë dhunën

Ambasada Amerika ka bërë sërish thirrje për protesta paqësore dhe demokratike, duke kritikuar dhunën e përdorur gjatë protestës së 11 majit. Ambasada e SHBA kërkoi që organizatorët e protestës, sidomos Basha dhe Kryemadhi të dënonin publikisht dhunën dhe të sigurohen që të gjitha protestat e ardhshme të jenë paqësore.

“Protestat paqësore janë thelbësore për demokraci të shëndetshme dhe e drejta e qytetarëve për t’u mbledhur dhe për të protestuar kundër qeverisë së tyre është themelore. Megjithatë, forca dhe dhuna nuk kanë vend në një proces demokratik. Ne dënojmë dhunën e pranishme gjatë protestave të 11 majit në Tiranë dhe përgjegjësit e saj. Dhuna çoi në plagosje dhe dëmtime të pronës, përfshirë edhe dëmtim të vendbanimit së Ambasadorit të OSBE-së. Këto veprime të dhunshme ishin të paligjshme dhe jodemokratike. Ne iu bëjmë thirrje udhëheqësve të opozitës, veçanërisht Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe Kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, që të dënojnë publikisht veprimet e dhunshme të mbështetësve të tyre, të bashkëpunojnë me çdo hetim që synon të identifikojë çdo person që i kreu ato dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë, si dhe të sigurojnë që të gjitha protestat e ardhshme publike të jenë të qeta dhe paqësore. Edhe autoritetet ligjzbatuese kanë përgjegjësi për të vepruar me vetëpërmbajtje, përfshirë edhe rastet kur iu përgjigjen provokimeve. Protestat e dhunshme po dëmtojnë përpjekjet e Shqipërisë për reforma demokratike dhe perspektivën e vendit për të bërë përpara në rrugën drejt Bashkimit Europian. Shtetet e Bashkuara nxisin të gjitha palët që të zmbrapsen nga përplasjet dhe të përfshihen në një dialog konstruktiv, që synon t’i japë fund ngërçit politik.”- shkruan Ambasada Amerikanë në deklaratën e saj

Opozita në marshim protestë, policia shton forcat

Ditët e sotme Partia Demokratike ka bërë thirrje për një protestë tjetër në orën 18:30 “për Shqipërinë si Europa”.

Protesta e sotme pritet të jetë një marshim protestë, ndryshe nga ajo e herës së kaluar. Gjithashtu policia ka deklaruar se janë shtuar forcat e saj në terren me mbi 1700 efektivë. Kryeministria është e rrethuar e gjitha me gardh hekuri, ndërsa janë marrë masa për çdo skenar të papritur që mund të dalë nga protestuesit.

Më herët qytetarët janë ftuar në protestë nga vetë lideri i PD, Lulzim Basha. Ndërsa PD-ja në një deklaratë për mediat ka kërkuar nga policia të mos bëhen pjesë e provokimeve dhe dhunës së paligjshme kundër qytetarëve.

Arrestohet Sait Dollapi, Basha çon protestën tek Drejtoria e Policisë

Pas pamjeve në mediat ku sekretari organizativ i PD, Sait Dollapi është dhunuar nga forcat e policisë dhe më pas arrestuar, Basha ka bërë thirrje nga selia e PD që protesta të zhvendoset para Drejtorisë së Policisë.

“Me urdhër të Edi Ramës dhe Sandër Lleshajt është dhunuar në mënyrën më barbare të mundshme. Është shoqëruar në drejtorinë e policisë. Ju bëj thirrje gjithëve ju që të na ndiqni në drejtim të Policisë së Tiranës.” – tha Basha.

Dollapi është shtrirë përtokë dhe rrethuar nga policia duke e dhunuar me shkopa gome, më pas është marrë me dhunë nga ato.

Protestuesit janë vendosur para Drejtorisë së Policisë dhe kanë hedhur kapsolla dhe tymuese të shumta në oborrin e saj. Protestuesve iu është bashkuar edhe kreu i PD, Lulzim Basha.

Luftë me molotov dhe gaz lotsjellës para Parlamentit

Është përshkallëzuar dhuna e protestuesve që kanë vendosur të zhvendosen para Parlamentit.

Protestuesit kanë gjuajtur me molotov, fishekzjarr dhe tymuese, ndërkohë që policia dhe forcat RENEA nuk ka ndenjur duarkryq. Për të shpërndarë turmën e protestuesve janë përdorur autobotet me ujë dhe gazi lotsjellës. Raportohet se gjatë dhunës ka pasur të lënduar si në radhët e protestuesve edhe të policisë.

Protesta vijon ende edhe pse ora ka kaluar 22:00, ndërkohë që leja e dhënë nga policia për të protestuar ishte deri në 20:30. Janë të shumtë protestuesit dhe ish deputet të PD e LSI, që vijojnë të qëndrojnë para parlamentit dhe kordonit të policisë.

Lleshaj: Askush nuk mund ta djegë Shqipërinë

Pas goditjes me molotov në derën e Kryeministrisë, ka reaguar në Twitter edhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Lleshaj bëri thirrje që qytetarët të distancohen nga veprime të tilla pasi në këtë mënyrë nuk ndërtohet demokracia, por shkatërrohet Shqipëria.

“Me Molotov nuk ndërtohet demokracia, por synohet të shkatërrohet Shqipëria. Por kjo gjë është e pamundur! Ftoj qytetarët e përgjegjshëm të distancohen nga sulmi ndaj institucioneve. Askush nuk mund ta djegë Shqipërinë përsëri!” – shkruan Lleshaj

Protestat nis me tensione, flakë tek Kryeministria

Protesta e opozitës së bashkuar ka nisur me tensione të shumta që me bashkimin e kryetarit të PD.

Protetsueset kanë shkatërruar gardhin e hekurit dhe janë përplasur me policinë duke i vënë flakën derës së Kryeministrisë. Zjarrfikësit nga brenda goditës po mundohen të fikin flakët që janë përhapur në derën hyrëse.

Janë të shumta kapsollat, tymueset dhe boja që vijojnë të hidhen në drejtim të Kryeministrisë, ndërkohë që policia bën thirrje që të tilla veprime të ndalohen.

“Ruani qetësinë, ruani gjakftohtësinë. Mos hidhni lëndë piroteknike, fishekzjarrë, kapsolla dhe tymuese në drejtim të punonjësve të Policisë.

Hedhja e kapsollave dhe lëndëve piroteknike rrezikon jetën e punonjësve të Policisë.”

Disa banorë kanë çarë gardhin e policisë duke u vendosur në hyrjen e Kryeministrisë, ndërsa Basha bën thirrje të mos cenohen efektivët blu.

Protesta, me mijëra qytetarë nisen drejt Tiranës

Me mijëra qytetarë kanë vendosur t’u bashkohen ditën e sotme protestuesve në Tiranë. Ato janë nisur nga qytetet e ndryshme të Shqipërisë për të protestuar në kryeqytet.

Nga qyteti i Korçës PD thotë se janë nisur 1500 qytetarë, nga Devolli 900, nga Kolonja 500 ndërsa nga Pogradeci 1000 protestues. Gjithashtu me dhjetëra të tjerë raportohet se janë nisur nga qyteti i Fierit.

Simpatizantë të PD dhe LSI-së janë nisur edhe qytetet e Vlorës, Beratit, Kukësit, Shkodrës, Dibrës etj. për të marrë pjesë në protestën e opozitës.

Protesta do të nis para Kryeministrisë ku do të kërkohet largimi i kryeministrit Rama, ndërsa nuk dihet ende skenari se si do të vijojë ajo.

Skip to toolbar