Partizani drejt titullit, Guerrils: Është koha për mobilizim!

Partizani udhëton drejt Vlorës për ndeshjen e radhës në kampionat. Kryesuesit aktual të Superligës presin me padurim të konfirmojnë matematikisht titullin kampion për këtë sezon, që so i jepte fund “thatësirës” mbi 25 vjeçare të “demave” pa trofeun e titullit.

Veç lojës në fushë, Partizani këtë sezon ka shkëlqyer dhe në tribuna, me tifozët “Ultras Guerril”, që i kanë mbështetur në çdo ndeshje futbollistët e “të kuqve”. Edhe udhëtimi drejt Vlorës do të ketë një prani të madhe tifozësh, gjë të cilën e kanë lajmëruar vetë “Guerrils”.

“Java e ardhshme luhet në transferte, ndeshje pas ndeshje numri i tifozeve po rritet, dhe të gjithëve bashkë na pret një organizim dhe një angazhim më i madh, na mungojnë edhe 8 pikë në 5 ndeshje. Nuk ka kohë për fjalë por është koha për organizim dhe mobilizim të fuqishëm”.

“Vazhdojmë që tani thirrjet për një nga 3 transfertat e fundit, që sigurisht do jenë më të bukurat e sezonit. Emocionet vetëm po shtohen, adrenalina gjithashtu, zëri kënga dhe mbështetja jonë duhet të marrë trajta të tjera, jashtë të zakonshmes”

“Ndaj bëhuni gati, tifozë të rinj e të vjetër, ky është momenti i gjithsecilit nga ne për të dhënë më shumë se çdo herë, ky është momenti për të sakrifikuar gjithçka dhe për t’i dedikuar gjithë vëmendjen dhe përkushtimin”.

“Së bashku ta marrim titullin dhe së bashku ta festojmë rikthimin e Partizanit atje ku i takon, në majën e futbollit shqiptar… Forca Partizan! Forca tifozë!”, – përfundon njoftimi në Facebook.

Volejboll femra, Partizani mbron titullin edhe për këtë sezon!

Partizani në volejboll për femra është kampion i Shqipërisë edhe për sezonin aktual. Vajzat e “kuqe” kanë mundur këtë pasdite Tiranën në finalen e tretë të play-off, duke mbrojtur titullin e sezonit të shkuar.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Roland Tarja kanë bërë një sezon të mirë, duke fituar dhe tre finalet në fazën paly-off.

Ndeshja e tretë finale e luajtur sot në “Fahrie Hoti” ishte mjaft emocionuese, madje dramatike dhe me shumë rivalitet, ky të dyja skuadrat dueluan fort për fitoren.

Një takim që zgjati 2 orë e 25 minuta, ku gjithçka u vendos në setin final. Tirana u tregua një kockë e fortë, duke shpresuar deri në fund të ndalë të kuqtë, por u dorëzua në setin final.

Partizani, një ekip më i kompletuar, bëri diferencën në momentet vendimtare, duke u shpallur kampion dhe duke festuar gjatë këtë titull.

Partizani-Laçi ndahen në paqe, penalltitë vendosin takimin (video)

Partizani ka shmangur humbjen ndaj Laçit në shtëpi, duke barazuar me kurbinasit me rezultatin 1-1. Një sfidë e bukur dhe me emocione që në nisje të saj, me të dy golat e shënuar respektivisht nga një për çdo pjesë nga pika e bardhë e penalltisë.

Laçi fitoi penallti në pjesën e parë të ndeshjes, ku Alban Hoxha bëri një ndërhyrje të gabuar ndaj Redon Xhixhës. Për arbitrin është penallti, ndërsa Laçi e shndërron në golin e avantazhit me Shtubinën.

Në pjesën e dytë vendasit janë më kërkues dhe duan të shmangin humbjen me çdo kusht. I rikthyer nga dëmtimi, Bruno Telushi i jep tjetër ritëm ekipit, duke shënuar dhe golin e barazimit për Partizanin, pas një penalltie të fituar nga Çinari.

Pas barazimit të sotëm, Partizani shkon në kuotën e 62 pikëve, 11 më shumë se Kukësi i vendit të dytë që ndeshet nesër, ndërsa Laçi ka 45 pikë, 3 më pak se Flamurtari i vendit të tretë.

Starova komenton përballjen me Partizanin: Ndeshje e veçantë për mua!

Për Sulejman Starovën do të jetë një ditë e veçantë nesër, pasi do të përballet me Partizanin, ekipin e tij të zemrës, por që këtë herë si trajner i Laçit i duhet ta mund.

Nuk do të jetë aspak një ndeshje e lehtë, por gjithësesi, Starova shprehet se shpreson që nesër të jetë një ndeshje e bukur dhe me spektakël, ka thënë “Bobi” në një pronocim për Supersport.

“Nuk është se do t’i prishim punë Partizanit, do të ishte vështirësi për mua nëse do t’i hiqnim pikë. Janë edhe 18 pikë në lojë. Është një ndeshje e veçantë në një ambient të bukur dhe shpresojmë që të bëjmë një ndeshje të mirë dhe të dhurojmë spektakël”.

Sulejman Starova ka folur edhe për tema të tjera, ku i pyetur për mungesat e Partizanit, ai është shprehur se ato nuk ndihen te një ekip me kualitete dhe në stol.

“Nuk shoh ndonjë vështirësi edhe pse ka mungesa. Partizani nuk ka 10-11 lojtarë por edhe ata që do luajnë janë njësoj si ata titullarë. Nuk ka asnjë vështirësi. Do të luajë Kalari që ka eksperiencë apo dhe ndonjë tjetër që ka vite aty dhe në Superiore. Me motivim nga ndeshja në ndeshje, të rikuperojmë sa më shumë pikë që të jetë e mundur. Janë 18 pikë dhe duhet që të marrim sa më shumë prej tyre”.

Në fund ai ka komentuar dhe ekipin që drejton, Laçin, duke u shprehur se shpreson në arritjen e vendit të tretë në fund të sezonit.

“Me thënë të drejtën, deri më tani kam parë nja angazhim maksimal nga skuadra duke dhënë më të mirën në çdo sfidë, ka harmoni. Ne duam që të arrijmë në Europë dhe t’ua shpërblejmë presidentit dhe tifozëve për synimin madhor që kemi këtë sezon të gjithë bashkë”.

Kalari: Kënaqësi të përballesh me Starovën!

Renaldo Kalari ka shoqëruar trajnerin Skënder Gega në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes me Laçin. Gjatë fjalës së tii, mbrojtësi i të kuqve është shprehur se do të jetë kënaqësi përballja me Starovën, megjithëse sipas tij, kjo nuk i krojon ndonjë ndjesi të veçantë.

Përballja me Starovën: “Ka vështirësitë e veta çdo ndeshja. Është kënaqësi të takosh presor Starovën. Jemi të përqëndruar, sinqerisht nuk kam ndonjë ndjesi të veçantë. Duam të arrijmë objektivin”

E kishit menduar titullin: “Isha përgatitur për të dhënë maksimumin, gjatë kampionatit të parë dhe të tjetërve më parë. Jemi në rrugën e duhur, shpresojmë të dalim kampion në fund”

Fundi i karrierës me titullin kampion: “E para shpresojmë ta fitojmë njëherë, por nuk e kam menduar ta mbyll karrierën. Normalisht do të luaj aq sa kam luajt deri tani. Momentin që do ta shikoj të arsyeshme, do ta mendoj sepse nuk kam dëshirë të zvarritem.. Se dimë çfarë sjell e ardhmja.”

Çfarë ndikimi ka ndeshja në Laç: “Fusha ndikon, plus kemi edhe tifozët tanë. Ajo pjesë që ka kaluar, nuk na kanë interesuar sepse ka ardhur ndeshja tjetër shumë shpejt. Gega na ka thënë që s’duhet të merremi me këtë pjesë fare, por vetëm me fushën”

Do doje të shpalleshit kampion në derbi: “Kënaqësia që të jep titulli kampion është shumë më e madhe se sa fitimi i një derbi. Duke marrë parasysh që kemi marrë shumë fitore në derbi këto vite, na është bërë normale tani. Shpresoj që të arrijmë titullin dhe më pas derbi është në plan të dytë, primar është titulli. Unë personalisht mendoj dhe besoj që Tirana nuk do e diskutoj rënien, gjithsesi nuk na intereson kjo pjesë. Kur të vijë derbi do mendojmë të bëjmë maksimumin dhe ta fitojmë siç kemi bërë gjithë këto vite.”

Gega: Dua fitore ndaj Laçit, s’më interesojnë aleancat!

Partizani do të përballet nesër me Laçin, ekip që aktualisht drejtohet nga një ish i kuq, Sulejman Starova. Një ditë para sfidës, trajneri aktual i Partizanit, Skënder Gega, ka folur në konfernencë për shtyp, ku u është përgjigjur gazetarëve për disa çështje. Fillimisht ai ka komentuar përballjen me Sulejman Starovën, si një njeri që e njeh mirë Partizanin.

Përballja me Starovën: “Partizani është i shumë “ish”-ëve, nuk është vetëm i Starovës apo i Gegës. Dëshira ime më e madhe është ta fitoj këtë garë, nuk ka rëndësi kush është në krye të Laçit. Nuk ka një përballje mes personash apo trajnerësh, por mes dy ekipeve. Jam me fat që jam trajner i Partizanit dhe kanë qenë ditët më të mira të karrierës time. Jo rastësisht jemi në vend të parë dhe kemi kaq kohë që udhëheqim kampionatin”.

Titulli duket pranë: – “Që nga dita që kemi marrë kryesimin e deri më sot na pyesin çdo javë për titullin. Jemi munduar të qëndrojmë me këmbë në tokë, lojtarët stërviten njësoj si ditën e parë dhe ky është sekreti. Nuk kam asnjë merak dhe asnjë lloj frike, do t’i marrim gjërat me radhë. Kemi Laçin përpara, një ndeshje e vështirë. Luajmë në Tiranë dhe kemi tifozët, që nuk na ndahen. Besoj do jetë numri më i madh dhe shpresoj t’ia shpërblejmë.”

A ka frikë Partizani nga Aleancat: “Nuk kam ndonjë argument apo provë që janë bërë aleanca dhe nuk më intereson fare kjo temë. Partizani nuk merret dhe nuk do të merret me gjëra të tilla.”

Bilanci me Laçin këtë sezon: “Barazimi? Mua më kënaq vetëm fitorja, por do e pranojmë çdo rezultat, natyrisht. Gojët e liga nuk do mbyllen kurrë, as me ikjen e Gegës. Laçi është ndeshja kryesore për ne, më pas shkojmë në Vlorë.”

Mungesat: – “Çdo javë kemi pasur mungesa, por për fat të mirë kush është futur ka dhënë maksimumin. Gjithmonë kjo ka qenë forca e grupit, edhe nesër i kemi disa mungesa dhe do mundohemi t’i zëvendësojmë. Kalari është veteran, por i ri nga këmbët dhe nga zemra dhe luan në çdo pozicion. Nëse i vjen momenti nesër, do të jetë Kalari i ri, agresiv dhe i fortë dhe do të na japë ndihmë të madhe, megjithëse ende nuk kemi vendosur. Një lojtar me eksperiencë mund të luajë kudo. Sidoqoftë, nuk e kemi vendosur ende për formacionin.”

Komenti për deklaratat e Gjicit se: “Partizani s’është as për vend të katërt: “Ne nuk merremi me problemet e Kukësit. Ai është president i një klubi që ka pasur një 5-vjeçar të mirë. Unë jam në fushën time në futboll, ndërsa presidenti Gjici është biznesmen. Është e drejta e tij të flasë dhe nuk kam asnjë koment për këtë. Gaz Demin nuk e kam parë asnjëherë të flasë për asnjë klub dhe për asnjë ish-trajner. Përkundrazi i ka mbështetur ata që kanë ikur, edhe kundërshtarët. E rëndësishme është që klubi ynë funksionon, të tjerat i tregon fusha”.

Kastrioti ndal Partizanin, të kuqtë gabojnë në mbrojtje!

Kur të gjithë presin që Partizani të shpallet matematikisht kampion, ekipi i Skënder Gegës gabon në ndeshje, që nuk duhet t’i diskutojë fitoret. Kështu ka ndodhur dhe sot, pasi skuadra e kuqe ka barazuar 1-1 në fushën e Kastriotit, me këtë të fundit që po tregon se nuk do të dorëzohet në luftën për të mbijetuar.

Mensah kaloi i pari të kuqtë në avantazh, ndërsa më pas erdhi dhe reagimi i vendasve, të cilët realizuan me Shehun, duke e mbrojtur rezultatin 1-1 deri në fund të ndeshjes.

Goli i sulmuesit të Partizanit erdhi pas një topi të hedhur në zonë nga Asani në minutën e 55′. Topi i ka dalë sulmuesit me ngjyrë të të kuqve që ka lëshuar një silurë duke e pushuar në rrjetë.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i vendasve që kanë shënuar me anë të Shehut 3 minuta më vonë. Goditje këndi, Belica nuk e heq si duhet. Sfera mbetet te Julian Shehu që e shtyn drejt rrjetës për 1-1.

Goli i ka dhënë më shumë entuziazëm vendasve që kanë nisur sulmin drejt portës së Hoxhës dhe kanë detyruar mbrojtësin Lum Rexhepi të dalë me karton të kuq. Shtatlarti mori kartonin e dytë të verdhë në minutën e 59′.

Me këtë rezultat, Partizani mbetet në vendin e parë me 61 pikë, ndërsa Kastroti në kuotën e 31 pikëve.

Olsi Rama largon euforinë: Titullin e festojmë kur të sigurohet matematikisht

Olsi Rama ishte i vetmi nga anëtarët e FSHF-së që foli sot pas punimeve të Asamblesë së Qeverisë Shqiptare të Futbollit. Numri dy i klubit të Partizanit u pyet nga gazetarët rreth titullit kampion, që tashmë duket se po rikthehet në shtëpinë e ‘kuqe’ pas 26 vitesh mungesë. Ai nuk nxitoi të shfaqte eufori për të festiar para kohe titullin, duke u shprehur se duhet konfirmuar zyrtarisht edhe nga matematika.

“Të mos flasim për të para kohe. Nuk është çështje tersi, por nuk urohet datëlindja përpara se të vijë dita e caktuar. Janë për t’u luajtur edhe shtatë javë të tjera kampionati. Pra, mbeten në lojë edhe 21 pikë. Më pëlqeu ajo që tha trajneri Gega.

Klubi kërkon rezultatin, unë kërkoj gjithmonë trepikëshin. Partizani duhet të japë maksimumin në çdo ndeshje dhe ta arrijë objektivin sa më shpejt të jetë e mundur. Nuk ka festë për titullin, as mendojmë për të, pa u zyrtarizuar edhe matematikisht.

E veçanta e Partizanit të këtij sezoni? Besoj se është disiplina, respekti i ndërsjellë mes lojtarëve dhe stafit teknik, rregulli. Dëshira e djemve për fitore dhe sukses e bën këtë grup të mrekullueshëm dhe të fortë.

Si drejtor jam munduar të jem i kujdesshëm në çdo moment, ta mbaj ekipin sa më larg euforisë. Ky është një faktor që ndonjëherë edhe të ndihmon, por më së shumti të dëmton.

Batutat me Gjicin? Ai më tha se nuk ka përfunduar ende kampionati. Me humor i kujtova se duhet të ketë kujdes, të mbrojë vendin e dytë, se mos i rrezikohet edhe ai”.

Rama foli edhe në lidhje me pjesëmarrjen në Champions nga të tijtë, sezonin e ri: “Nuk kemi vendosur objektiva. Sigurisht që rritja cilësore e ekipit të bën ta ngresh stekën. Për ne e rëndësishme është të ruajmë këtë lloj integriteti dhe të përforcohemi me ndonjë element cilësor”.

Partizani mund Skënderbeun, titulli duket afër (video)

Partizani ka mundur Skënderbeun 2-0, duke fituar një ndeshje të rëndësishme, vetëm pak ditë pasi u mund nga Luftëtari.

Skënder Gega dhe të besuarit e tij arritën të merrnin tre pikë të rëndësishme, për të ruajtur distancën e sigurisë me 9 pikë diferencë nga Kukësi i vendit të dytë.

Egozn Belica ka kaluar Partizanin në avantazh në përballjen kundër Skënderbeut, që në minutë e 26` të takimit.

Skuadra e Skënder Gegës ka realizuar pas një goditje këndi. Belica i ndodhur në zonë devijon sferën drejt rrjetës duke shënuar golin e avantazhit për të tijët.

Në pjesën e dytë Partizani shënon përsëri në minutën e 51` të takimit me Jasir Asanin. Ky i fundit shndërron në gol një penallti të fituar nga Trashi.

Në minutën e 50`, Lorenc Trashi futet në zonën kundërshtare, teksa Kabba Smbou ndërhyn për ta ndalur. Arbitri jep penallti, ndërsa Asani dyfishon rezultatin për Partizanin.

Ndeshja ka qenë më e mirë për të kuqtë, të cilët kanë pasur gjatë gjithë kohës kontrollin e topit, duke mos lënë hapësirë për rivalin në asnjë moment.

Humbja e sotme e lë Skënderbeun në vendin e gjashtë me 40 pikë, ndërsa Partizani kryeson me 57 pikë.

Gega: Nuk jemi perfekt, por japim maksimumin

Partizani fitoi një ndeshje shumë të rëndësishme si ajo kundër Skënderbeut, ndërsa Skënder Gega është shprehur i kënaqur me tre pikët. Pas ndeshjes, tekniku i ekipit kryeqytetas foli për “Supersport”, duke deklaruar se skuadra e tij nuk është perfekte, por në fushën e lojës ka dhënë maksimumin.

Ndeshja? – “Herën e parë ndoshta ishte presion, por ai presion na vuri në gjumë. Shumë pak kemi gabuar këtë sezon, gjithsej kemi gabuar 5 herë. Fitorja e Kukësit na bëri mirë, po ashtu na motivoi edhe disfata ndaj Luftëtarit. Jemi të ndërgjegjshëm që nuk jemi perfekt, edhe sot nuk ishim perfektë, por të paktën dhamë maksimumin dhe u shpërblyem”, deklaroi tekniku Skënder Gega.

Goli i anulluar? – “Goli i anulluar për mua është faull, sepse Rexhepi ka shtyrë të dy. Kur je direkt, mbase gjykimet janë të nxituara. Unë personalisht mendoj se janë vënë duart te kundërshtari”, komentoi trajneri i Partizanit.

Çfarë ndodhi me Luftëtarin? – “Jam i sigurtë për diçka, të humbësh në futboll nuk është turp, është një ngecje ose diçka që nuk e ke bërë mirë punën. Turpi më vret, por nuk mendoj se ishte turp. Pas humbjes së parë me Luftëtarin luajtëm me Kukësin, ekipin rival por luajtëm mirë. Ndërsa humbja në kampionat është pjekuri, jam përpjekur të mbroj futbollistët, sepse janë pjesë e familjes time”, u shpreh tekniku i të kuqve.

“Gabuam në tre raste dhe gjatë analizës kam bërë të gjithë ekipin fajtor dhe jo vetëm Atandën. Nuk jemi rastësisht këtu ku ndodhemi. Gabuam në një moment jo të përshtatshëm. Shpresoj që në ndeshjen e radhës të jemi qartësuar. Kemi ekip të shëndetshëm, por gjithashtu edhe tifozë të shëndetshëm. I druhesha medieve dhe rrjeteve sociale, sepse ato të sëmurin. U mundova të bind ekipin që vetëm ne të gjithë bashkë mund t’ja dalim”, deklaroi ndër të tjera trajneri i Partizanit, Skënder Gega.

Skip to toolbar