“Sot është 1 maj, Rama e ka 1 prillin”

Demokrati Agron Shehaj, përmes një statusi në Facebook, ka reaguar pas statistikave të publikuara nga kryeministri Rama për papunësinë. Shehaj tha se statistikat u referohen studimeve të huajve, të bazuar në të dhëna të sajuara dhe të përgatitura prej qeverisë së tij, për të thënë që është ulur papunësia.

“Kryeministri të thotë se ku janë krijuar vendet e reja të punës, në cilën industri dhe nga cilat biznese, ku ndodhen këto biznese, sepse kemi të bëjmë me 38.000 vende pune të reja. Por ai nuk e thotë dot këtë sepse në Shqipëri janë mbyllur vende pune dhe nuk janë krijuar vende të reja pune.” – shkruan Shehaj

Ish deputeti tha gjithashtu se gjatë qeverisjes Rama nuk ka patur asnjë investim të ri të huaj, ndërsa qindra investitorë të huaj janë larguar. Sipas tij mungesa e vendeve të punës dhe zhvillimit ekonomik kanë detyruar me mijëra të rinj të emigrojnë. Shehaj tha se Rama është i detyruar të gënjej pas vjedhjes që bën me paratë publike për të mbuluar varfërinë dhe prapambetjen.

“Edi Rama është dy gjera: hajdut qe vjedh pasuritë dhe paratë publike bashke me klientët e tij grabitqare dhe gënjeshtar qe pastaj mbulon varfërinë dhe prapambetjen qe ka shkaktuar me mashtrime te turpshme si kjo e uljes se papunësisë. Sot është 1 maj, dita e punëtoreve, por Edi Rama e ka çdo dite 1 prill.” – përfundon deklaratën Shehaj

Eshte qesharake qe Kryeministri i vendit u referohet studimeve te te huajve, të bazuar në të dhëna të sajuara dhe të…

Publiée par Agron Shehaj sur Mercredi 1 mai 2019

“Standardet europiane në Shqipëri, ende jo në masën e duhur”

Nënkryetari i grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestag, Johann Wadephul ka folur rreth krizës politike që ka përfshirë Shqipërinë. Në një intervistë për “Deutsche Welle” ai tha se palët duhet të dialogojnë dhe të gjendjet një kompromis për të mirën e vendit, pasi vetëm në këtë mënyrë do të përparojnë dhe të shpejtojnë integrimin në BE.

Wadephul tha se vendimi për hapjen e negociatave do të jepet në shtator, ndërsa foli edhe për djegien e mandateve të PD duke u thënë “mos u mbyllni përgjithmonë: Kush kalon portën për të dalë jashtë, duhet ta kalojë atë sërish për të hyrë brenda. ”

Wadephul gjithashtu ka folur edhe për ngecjen e dialogut Serbi-Kosovë, ku tregon se samiti i Berlinit ka dhënë impulset e duhura që këto dy shtete të nisin sërish komunikimin me tyre.

Deutsche Welle: Zoti Wadephul, cili është vlerësimi juaj për samitin e Ballkanit Perëndimor në Berlin?

Johann Wadephul: Samiti ishte shumë pozitiv. U gëzova shumë që erdhën kaq shumë liderë nga rajoni për të biseduar me kancelaren Merkel dhe presidentin Macron. Ishte një impuls i rëndësishëm që Angela Merkel me Emmanuel Macron dhanë dhe ky impuls tani duhet të merret nga vendet e rajonit. Dhe sidomos mes Serbisë dhe Kosovës na nevojiten negociata shumë konkrete.

Si mendoni ju se mund të zgjidhet konflikti Serbi-Kosovë?

Problemi i njohjes nuk mund të zgjidhet brenda ditës, askush nuk e pret këtë. Por mund të flitet për çështje të veçanta, për trashëgiminë kulturore, për mbrojtjen e pakicave, për asociacionet e komunave. Tani është e rëndësishme që të dyja palët të bisedojnë e të mos ngecet në ca grindje të panevojshme për territore. Këto janë çështje të dorës së dytë. Nëse negociatat do të fillojnë tani me zgjidhjen e këtyre çështjeve praktike dhe shumë konkrete, atëherë kjo është një shenjë e mirë. Gjithsesi, ishte një nismë e rëndësishme nga Parisi dhe Berlini, sepse tani mund të rifillojnë negociatat.

Ju u takuat edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Kur mund të shpresojë Shqipëria të marrë “po”-në e grupit parlamentar CDU/CSU për çeljen e negociatave?

Ne jemi në pritje të rekomandimit të Komisionit të BE-së dhe ky do të na vijë pas zgjedhjeve evropiane. Prandaj, sipas gjasave, nuk do të jemi në gjendje që t’i organizojmë konstultat deri në qershor. Vendimi do të merret në shtator. Por parimisht u kemi thënë të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor se janë pjesë e Evropës dhe se e kanë vendin në Bashkimin Evropian. Dhe, nëse Shqipëria i përmbush kushtet për çeljen e negociatave, edhe ne do ta japim votën tonë pozitive në Bundestagun gjerman, duke i mundësuar qeverisë gjermane që të votojë në nivel europian.

A i ka plotësuar Shqipëria kushtet për çeljen e negociatave?

Duhet të presim njëherë raportin e Komisionit të BE-së. Unë këtë nuk e njoh. Duhet ta lexoj dhe të shoh situatën në vend. Unë konstatoj se bëhen përparime, por ka ende për të bërë në luftën kundër korrupsionit dhe ndërtimin e shtetit të së drejtës. Sot e kam të vështirë të jap një vendim. Prandaj them se duhet të ecet përpara. Kush dëshiron të hyjë në BE, duhet të afrohet me standardet europiane, dhe kjo nuk ka ndodhur ende në atë masën që ne e konsiderojmë të duhur. Por ka shumë shanse që të arrihet.

Shqipëria është momentalisht në një krizë ku është përfshirë edhe partia simotër e partisë suaj, PD-ja. A shihni ndonjë mundësi për ta zgjidhur krizën?

Zgjidhje ka gjithmonë. Zhvillimi aktual është i keq. Është problematike që PD-ja nuk mund të marrë pjesë në parlament me deputetët që janë zgjedhur në të vërtetë. Dikur ajo duhet të guxojë një fillim të ri. Unë besoj se është e rëndësishme që Shqipëria të gjejë veten. Prandaj u them partive pro-europiane që të arrijnë kompromise në nivel kombëtar dhe të vijnë së bashku në Evropë.

Mos është ky një apel për kolegët e partisë simotër, pra, për Bashën, që ai të marrë pjesë në zgjedhjet lokale?

Nuk do të dëshiroja të ndërhyja në raportet personale të PD-së në Shqipëri. Por dëshiroj ta inkurajoj atë të marrë pjesë në proceset politike. Ne nuk mund ta sjellim Shqipërinë në Bashkimin Evropian nëse forcat pro-evropiane qofshin ato pro-Rama, qofshin pro-Basha, janë në konflikt me njëra-tjetrën. Duhet bërë një afrim në një farë mënyre. Sesi do të arrihet kjo, kjo do të vendoset në Shqipëri. Unë mund të them në drejtim të partisë simotër: mos u mbyllni përgjithmonë: Kush kalon portën për të dalë jashtë, duhet ta kalojë atë sërish për të hyrë brenda. Demokraci do të thotë komunikim, grindje, por edhe aftësi për kompromis. Pa kompromis nuk ka demokraci./Marrë nga DW

Aleatët kërkojnë tryezë dialogu, por PD ende e paqartë

Ndërsa aleatët e Koalicionit Opozitar kërkojnë një tryezë dialogu opozitë maxhorancë, selia blu ende duket e paqartë në qëndrimin e saj.

Një ditë më parë kryetari i PD-së, Lulzim Basha në mënyrë indirekte pranoi se është i hapur për dialog, duke thënë se qëndrimet e PD-së janë në koherencë me qëndrimet e partive aleate, ndryshe është shprehur  numri dy i kësaj partie, Gazmend Bardhi.

Ai e ka thënë në mënyrë të prerë se nuk do të ketë asnjë tryezë bisedimi me Ramën kryeministër.

 “Ajo që unë mund të pohoj me 100% siguri është që as kryetari i PD, Lulzim Basha, as ndonjë drejtues tjetër i PD, nuk ka asnjë kanal konunikimi me Edi Ramën.

Nuk ka për të patur asnjë kanal komunikimi me Edi Ramën, asnjë marrëveshje me Edi Ramën, sa kohë ky është kryeministër, sepse situata ku ndodhet sot vendi është për shkak të këtij njeriu.

Nuk mund të negociohet me shkaktarin e situatës. Do të duhet të largohet shkaktari i situatës Edi Rama dhe, më pas, vendi do të shkojë drejt zgjidhjes, që i japin fund krizës politike apo institucionale, por negociata me Edi Ramën sa kohë ky është kryeministër i Shqipërisë, nuk ka për të patur”, ka thënë Bardhi në emisionin e Ilir Babaramos në Report TV.

Regjistrimi i BD, Kaso: I paligjshëm, Rama armik i zgjedhjeve

“Vendimi i paligjshëm dhe politik i shumicës së Ramës në KQZ është një tjetër provë për opozitën se Edi Rama është armik i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.” Kështu e ka quajtur demokrati Ivi Kaso vendimin e KQZ për regjistrimin e Bindjes Demokratike. Përmes një reagimi në Facebook, Kaso e ka cilësuar si të paligjshëm regjistrimin e Bindjes Demokratike në zgjedhjet e 30 qershorit dhe ka akuzuar Ramën se kërkon të ketë një opozitë fasadë.

“Arsyeja pse Edi Rama vendosi që të uzurponte KQZ, duke emëruar në kundërshtim me ligjin 4 anëtarë nga PS, është që, sa herë ka zgjedhje, të shpikë rregullat e lojës sipas qejfit. Sot vendosi të regjistrojë Bindjen Demokratike si opozitë fasadë, si patericën e tij në zgjedhje me synimin për të zbehur mungesën e opozitës së vërtetë. Vendimi i paligjshëm dhe politik i shumicës së Ramës në KQZ është një tjetër provë për opozitën se Edi Rama është armik i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.”- shkruan Kaso

Kaso e mbyll shkrimin e tij duke thënë se Rama e ka të kotë, pasi populli ka vendosur që në datën 30 qershor nuk ka për të patur zgjedhje.

Arsyeja pse Edi Rama vendosi qe te uzurponte KQZ, duke emeruar ne kundërshtim me ligjin 4 anetare nga PS, eshte qe, sa…

Publiée par Ivi Kaso sur Samedi 27 avril 2019

“Ul opozitën dhe pozitën në tavolinë!” Meta takim me aleatët e PD-së

Vetëm një ditë më parë kryetarët e partive të vogla që janë në aleancë më partinë Demokratike kërkuan nga presidenti Ilir Meta që të ul në tryezë opozitën dhe pozitën për të zgjidhur situatën e krijuar në vend dhe të garantohen zgjedhje të lira e të ndershme. Kjo kërkesë e aleatëve të Bashës erdhi pas takimit të tyre me ambasadorin e BE, Luigi Soreca.

Ditën e sotme presidenti Meta ka bërë publike vendimin e tij për t’u takuar me krerët e partive të vogla, përkatësisht PR,LZHK,PPA,PBDNJ dhe PDK, ditën e martë në orën 11:00.

Asnjë nga këto parti nuk është regjistruar në zgjedhjet e 30 qershorit, ndërsa kanë firmosur një marrëveshje aleance me PD-në.

PD i bllokon rrugën Ramës, djegin goma dhe përplasen me policinë

Partia Demokratike duket se është e vendosur në përshkallëzimin e protestave duke bllokuar rrugët e vendit. Gjatë ditës së sotme, një grup mbështetësish të PD-së së bashku me ish deputetë të saj i kanë bllokuar rrugën kryeministrit Edi Rama për në Shkodër. Protestuesit ishin vendosur në dy akset hyrëse të qytetit, tek Ura e Bahçallëkut dhe nga Mjeda në drejtim të urës së Spatharit.

Ata bllokuan rrugën duke i vënë zjarrin gomave të makinave dhe duke na kujtuar dhe njëherë pamjet e trishta të vitit 1997.

Madje dy përfaqësues të PD-së, Flamur Noka dhe Bardh Spahiu janë përplasur edhe me forcat e policisë në vendngjarje.

PD nuk e kishte njoftuar më parë policinë për këtë protestë, ndaj dhe ajo është paligjshme. Policia ka ndërhyrë për hapjen e rrugës, bllokimi i së cilës ka krijuar kaos dhe trafik të rënduar, madje edhe një auto ambulancë nuk ka mundur të kalojë për të shkuar në spital.

“Nëse nuk merr pjesë në zgjedhje, PD mund të shkrihet”

Ish nënkryetari i Partisë Demokratike, tashmë themelues i partisë më të re Bindja Demokratike, Astrit Patozi ishte mbrëmë i ftuar në RealStory të gazetarit Sokol Balla. Në këtë emision, Patozi tha se nëse PD nuk merr pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit, ka shumë mundësi të shkojë drejt shkrirjes si parti.

“PD mund të shkrihet nëse nuk merr pjesë në zgjedhje. Dhe mua më dhimbset ajo parti dhe nuk dua që ta shoh në atë gjendje”, tha Patozi.

I pyetur për akuzat e Bashës se zgjedhjet 2017 u manipuluan nga qeveria, Patozi tha se nuk qëndrojnë pasi deformime rezultati ka pasur edhe herë të tjerë dhe më keq se kaq.

“Zgjedhjet e vitit 2017 janë deformuar por nuk janë ato zgjedhjet e para që janë deformuar ne Shqiperi. Nuk kane qene ato zgjedhjet me te keqija ne Shqiperi”, tha Patozi i cili akuzoi Bashën se është i pabesueshëm kur del në krah të LSI, një forcë të cilën atëherë e quante organizate kriminale.

“Basha betejën e tij politike ne vitin 2017 e kishte kundër LSI që e etiketonte si organizate kriminale. Ku është morali i tij tani?”, tha Patozi në RealStory.

5 qarqe në protestë për një orë

Pas një ore, ka përfunduar protesta e opozitës së bashkuar, që kishte bllokuara 5 akset rrugore kryesore në vend.

Protestat u zhvilluan në Tiranë tek rrethrrotullimi Shqiponja, Durrës në zonën Plepa-Autostradë, në Fier tek rrethrrotullimi Sheq, Elbasan tek rrethrrotullimi Bradashesh dhe në Milot tek karburanti në autostradë ku ishte i pranishëm edhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha.

Protestuesit në Durrës në zonën e Plepave kanë ndezur tymuese dhe flakadanë dhe e njëjta situatë ka vijuara edhe tek rrethrrotullimi Shqiponja në Tiranë.

Ndërsa në Elbasan, protestuesit kanë preferuar, që në vend të tymueseve të djegin edhe goma, ku të pranishëm ishin edhe dy ish-deputetë të PD, Luçiano Boçi dhe Endri Hasa.

Në përgjithësi protesta ka vijuar e qetë pa incidente për një orë dhe është shoqëruar me thirrjet “Rama Ik”. Më pas kalimi i mjeteve është kryer normalisht në të gjitha akset e bllokuara.

Protesta, PD bllokon nesër 5 akse kombëtare

Partia Demokratike ka vendosur të përshkallëzojë protestat, duke njoftuar se nesër do të bllokohen 5 akse kombëtare.

Njoftimet janë bërë nga degët lokale të PD-së në rrethe. Bllokimi i akseve rrugore do të nisë në orën 18.00 deri në 19.00.

Akset që do të bllokohen nesër janë:

Tiranë, rrethrrotullimi Shqiponja

Durres-Kavaje, Plepa Autostrade- perballe shtepise se pushimit te ushtrise

Fier, rrethrrotullimi Sheq

Elbasan, rrethrrotullimi bradashesh

Milot, karburanti ne autostrade

“Basha dhe Rama duhet të lëshojnë diçka. Do ketë protesta të dhunshme”

“Si Basha, si Rama duhet të lëshojnë diçka.” Kështu është shprehur mbrëmë në një intervistë televizive në Report Tv aleati i Bashës, Agron Duka. Madje ai ka deklaruar se protestat e opozitës do të jenë të dhunshme në mënyrë që të detyrojnë Ramën që të ulet në një tryezë bisedimi. Duka gjithashtu ka thënë se PD dhe opozita e bashkuar nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit dhe se ato do të shtyhen.

“Dy krahët duhet të lëshojnë dicka për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme. Ne nuk do të regjistrohemi nesër në KQZ për zgjedhjet. Ne nesër bëjmë akt marrëveshjen me PD-në, si parakusht është formimi i qeverisë tranzitore. Nesër do i firmosim në një akt marrëveshje. Ne angazhohemi që të mos hyjmë në zgjedhjet vendore, dhe jam i bindur që nuk do të bëhen. Asnjë nga ne, apo socialistët nuk do të ishte i kënaqur sikur po krijohet kjo partia, apo joshin demokratët që të kandidojnë për bashkitë. Këta po bëjnë po mundohen që të krijojnë parti opozitare, në mënyrë që të regjistrojnë kryetarë të pavarur, madje kanë filluar bisedat. Protesta të dhunshme? Janë të pashmangshme, edhe ndonjë konflikt i mundshëm. Kjo nuk është gjendje normale.

Dhe nëse bëhen zgjedhjet dhe nëse fiton 61 bashkitë është më e ndershme sesa të krijojë këtë opozitë farsë. Ramën ka për ta mbytur pushteti i vet, pasi ka gjithçka. Ne partitë e vogla kemi kërkuar dhe kemi arritur që të bindim PD-në, që ne jemi gati të rishikojmë sistemin zgjedhor për elementë mazhoritar. Opozita në datë 11 maj ka një tjetër protestë të madhe. Protestat mund të jenë paqësore apo dicka më të dhunshme për të ulur Ramën në bisedime këtë e vendosin vetë njerëzit. Nëse nënvlerësohet cdo gjë mund të ketë reagim i ashpër që mund të sjellë pasoja negative në të gjithë vendin. Bllokim të akseve rrugore? Është një vendim i PD-së, e kam mësuar nga mediat”, tha Agron Duka.

Skip to toolbar