Një ngjarje e rëndë ka tronditur Fierin mbrëmjen e së shtunës, ku si pasojë e një konflikti, raportohet se kanë mbetur të plagosur të paktën 5 persona, 3 prej të cilëve nga të shtënat me armë zjarri. Ngjarja ka nisur në qytezën e Levanit, ku mësohet se dy grupe janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin. Si pasojë e konfliktit fizik, kanë mbetur të plagosur disa persona.
Këta janë nisur në drejtim të Fierit për të marrë mjekim, ndërsa një person i ka ndjekur nga pas. Në ambientet e brendshme të Spitalit të Fierit, personi që ishte vënë në ndjekje të këtyre personave, me të cilët ishte konfliktuar në Levan, ka hyrë dhe ka qëlluar me armë zjarri, e tipit pistoletë.
Si pasojë e të shtënave janë plagosur tre persona, të cilët janë duke u kuruar në Spitalin e Fierit. Autori dyshohet se i ka marrë armën policit të shërbimit në Spitalin e Fierit. Më pas, mësohet se autori është larguar nga vendi i ngjarjes, por një polici është përleshur me të, duke i marrë dhe armën dhe më pas duke e arrestuar.
Ndërohë, veç autorit, policia ka arrestuar dhe persona të tjerë të dyshuar si të përfshirë në këtë ngjarje, ndërkohë që një tjetër është shpallur në kërkim. Pas ngjarjes së rëndë, në ambientet e Spitalit të Fierit kanë shkuar forca të shumta të policisë, FNSH dhe RENEA. Emri i autorit dhe personave të plagosur ende nuk bëhet i ditur, ndërkohë që policia po punon për zbardhjen e ngjarjes.