Drejtori
i Policisë së Shtetit Ardi Veliu doli në një konferencë për shtyp, ku deklaroi
mirënjohjen dhe falënderimin ndaj forcave të policisë që u angazhuan në përballimin
e situatës së rëndë të krijuar nga tërmeti. Veliu tha se punonjësit e policisë
u bën pjesë e grupeve të kërkim-shpëtimit, duke rrezikuar jetën e tyre.
Gjithashtu, Policia punoi në disa drejtime për të përballuar situatën
emergjente.
Menjëherë
pas rënies së tërmetit, Policia e Shtetit angazhoi në zonat e prekura mbi 4000
forca policie me detyra konkrete, duke nisur nga: -përfshirja në operacionet e
kërkim-shpëtimit; dhënia e ndihmës së parë për njerëzit që kishin nevojë; garantimi
i rendit dhe sigurisë; disiplinimi i qarkullimit duke i dhënë përparësi
qarkullimit të ambulancave dhe ekipeve të zjarrfikëseve; sigurimi i pronës së
qytetarëve dhe ruajtja e objekteve të dëmtuara, për të mos lejuar futjen e
banorëve për shkaqe sigurie. Gjej rastin sot që të falënderoj publikisht forcat
special Renea, FNSH-të e Tiranës, Shkodrës e Fierit, Drejtoritë Vendore të
Policisë Durrës ,Tiranë dhe Lezhë për profesionalizmin dhe ndjenjën e lartë të
humanizmit duke rrezikuar edhe jetën e tyre, të cilët u përfshinë drejtpërdrejt
të parët në operacionet e kërkim-shpëtimit”, tha Veliu.
Më
tej, Veliu tha se Policia e Shtetit është organizatë ligjzbatuese por dhe
humane e solidare. Sipas tij, të gjithë Punonjësit e Policisë kontribuan duke
mbledhur 104 milion e 350 mijë lekë, të cilat u depozituan në platformën
e-albania, dhe do të përdoren për rindërtimin e shtëpive të shembura nga tërmeti.
“Me
këtë rast, duke përfituar nga ky komunikim publik, dua të falënderoj një për
një, të gjithë punonjësit e Policisë, por edhe familjet e tyre që kontribuuan
me vullnet sipas mundësive duke bërë të mundur mbledhjen e shumës 104 milion e 350 mijë lekë, e cila u depozitua ne
platformën e-Albania. Mirëkuptoj edhe 2016 punonjësit e Policisë që nuk kanë
kontribuuar me vlera monetare, pasi nuk kanë pasur mundësi”, tha Veliu.
Në
përfundim të fjalës së tij, Ardi Veliu u shpreh se Policia e Shtetit do të
punojë për të administruar provat dhe ndihmuar hetimet e Prokurorisë, për të
çuar përpara përgjegjësisë ligjore të gjithë personat që kanë përgjegjësi për
shembjen e banesave.
“Së
treti, dua të bëj me dije për të gjithë qytetarët, por në veçanti për banorët e
prekur nga tërmeti se Policia e Shtetit ka ngritur grupe të posaçme me
specialistë për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar nga Drejtoria Hetimore
Qendrore në Drejtoritë Vendore të Policisë Durrës, Tiranë e Lezhë dhe në
bashkëpunim me Policitë vendore, nën drejtim të Prokurorive përkatëse po
fiksojnë, grumbullojnë dhe administrojnë çdo provë që i shërben hetimit për të çuar para përgjegjësisë ligjore të
gjithë personat që kanë përgjegjësi për ndërtesat që u shembën apo kanë pësuar
dëmtime serioze (qofshin biznesmenë apo
nëpunës të administratës)”, tha Veliu.
Në
fund ai i bëri dhe një apel politikës “Prandaj apeloj për të gjithë ata që duan
të bëjnë politikë apo që përbaltin punën tonë për interesa të caktuara, të
tregohen humanë, siç janë punonjësit e Policisë dhe të përcjellin realitetin,
pasi Policia e Shtetit i shërben komunitetit dhe askujt tjetër”, përfundoi
Veliu.