Ambasada Amerikane paralajmëron qytetarët: Kujdes, në protestën e kaluar ka pasur dhunë

Ambasada Amerikane ka paralajmëruar qytetarët e saj në lidhje me protestën që opozita do të mbajë më 25 maj.

Ambasada cilëson në lajmërim se protesta do të nis në orën 19:00 por nuk dihet se sa do të zgjasë. Duke pasur parasysh dhunën e përdorur në protestën e kaluar, njoftojmë qytetarët që të tregojnë kujdes.

“Një demonstratë pritet të zhvillohet para Kryeministrisë. Grupi i demonstruesve mund të protestojnë në disa pika. Nuk dihet orari i përfundimit të demonstratës. Në demonstratat e mëparshme ka pasur dhunë. ‘Policia ka përdorur ujë dhe gaz lotsjellës për të zmbrapsur turmën”, shkruan Ambasada.

Letra III e Ramës, Vasili: Duhet të shkruajë 3 në ditë, ashtu siç merren ilaçet

Menjëherë pas pas letrës së tretë publike të kryeministrti Rama për kreun e opozitës, Lulzim Basha, ka reaguar numri 2 i LSI, Petrit Vasili, me nota ironie. Ish-kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili thekson se kryeministri i shkruan çdo ditë nga një letër vetes, ndërsa pohon se së paku ai duhet të shkruajë tre letra në ditë ashtu siç merren edhe ilaçet.

 “Edi Ramës s’ka kush t’i shkruajë! Edi Rama i shkruan përditë nga një letër vetes. Gjynah vërtetë, që shkruan kaq pak. Një letër në ditë s’është asgjë. Së paku tre letra në ditë duhet të shkruajë se përgjithësisht kështu merren edhe ilaçet në mëngjes, në drekë dhe në darkë. Por tharja e rrënjëve të mendimit ka bërë që edhe korteksi i trurit t’i thahet, ndaj për një tru të tharë e të atrofizuar edhe një leter në ditë nuk është pak, biles është shumë… Ndonjë trutharë më keq se ai vetë i ka thënë me shumë dashuri “shkruaji nga një letër përditë shefo”. Dhe Edi e bën se ju kam thënë kaq herë që ai bën çfarë i thonë se vetë nuk mendon. Dhe ata vazhdojnë ta tallin….e tallin keq….e tallin rëndë. Asnjë nuk i përgjigjet, asnjë nuk harxhon, asnjë sekond kohë me të, asnjë nuk i hedh vështrimin, e konsiderojnë “të vdekurin, që ecën”!! Dhe në fund mbetet vetëm që….Edi Ramës s’ka kush t’i shkruajë!”, shkruan në Facebook Petrit Vasili.

Zyra e Ramës nën rrethim, por “protesta do jetë paqësore”

Opozita do të mbajë protestën kombëtare të radhës më 25 maj në orën 19:00, ndërsa Kryeministria ka nisur përgatitjet për rrethimin e perimetrit të sigurisë dy ditë para. Policia e Shtetit ka marrë masa paraprake për sigurimin e institucioneve, që herën e fundit u dhunuan me bomba molotov, tymuese dhe bojëra nga protestuesit.

Por këto masa mund të rezultojnë të panevojshme. Të paktën këtë radhë. Një burim i lartë demokrat i konfirmoi me siguri Realstory.al se protesta e të shtunës do të jetë paqësore. Mund të jetë efekti ndërkombëtar, mund të jetë një sinjal që përtej retorikës së ashpër, edhe Basha është dëshpërimisht në kërkim të një pikënisje dialogu. Por kjo së paku pritet të prodhojë një të shtunë pa incidente, ose së paku “molotov free” në rrugët e kryeqytetit.

Gardhet metalike janë vendosur në të gjithë perimetrin e Kryeministrisë, shtyllat ku ndodhen të vendosura kamerat e sigurisë do të lyhen me graso, ndërsa dera e Kryeministrisë do të mbrohet me një fletë metalike për të shmangur flakët si herën e kaluar. Policia njofton se ashtu si në protestat e kaluara rreth 1500 efektivë do të jenë në krye të detyrës.

Por gjithsesi burimi i lartë nga Kryesia e PD i tha faqes sonë, se nëse protesta e të shtunës do jetë paqësore, krejt ndryshe pritet të jetë ajo e radhës në qershor. Me gjasë fushata do ketë filluar dhe me PD e aleatët jashtë zgjedhjeve, protesta e qershorit, data e së cilës nuk është përcaktuar akoma, pritet të jetë e ashpër dhe agresive. Megjithëse nuk konfirmohet një datë e mundshme është 29 qershori.

Protesta e opozitës të shtunën

PD, e cila nuk merr pjesë ligjerisht në fushatë, nuk do mund të ndalohej të organizonte një miting edhe në ditën e heshtjes zgjedhore. Një protestë e fortë dhe agresive një ditë para zgjedhjeve, do ishte sinjali më i fortë që demokratët do të tentojnë të prishin procesin e një ditë më pas. Një skenar i panjohur, i frikshëm dhe i padëshirueshëm, sidomos nga ndërkombëtarët.

Gjatë një takimi ditën e enjte me qytetarët e Vlorës, kryedemokrati Basha përsëriti edhe një herë se zgjedhje të lira nuk mund të ketë pa një qeveri tranzitore dhe nuk do të ketë dialog politik pa largimin e Ramës.

“Edi Rama, për hir të pushtetit të tij po kërkon të asgjësojë demokracinë me atë që ka planifikuar më 30 qershor. Ne jemi këtu të vendosur dhe me një mesazh: nuk do të lejojmë më zgjedhje me krimin, nuk do të ketë më zgjedhje me hajdutët, vetëm zgjedhje të lira e të ndershme, pa Edi Ramën kryeministër, me qeveri tranzitore, e cila do të garantojë që në zgjedhjet parlamentare të parakohshme.” – ka thënë Basha

Protestat nuk pengojnë turistët e huaj, por largojnë shqiptarët

Protestat e këtij viti duket se nuk i kanë frikësuar vizitorët e huaj, pasi sipas INSTAT Shqipëria po vizitohet gjithnjë e më shumë nga të huajt, por njëkohësisht është rritur edhe numri i shqiptarëve që dalin jashtë vendit. Shqetësimi për protestat është ngritur më parë nga operatorët turistikë, të cilët janë shprehur se protestat e dhunshme të muajve të fundit kanë shkaktuar shqetësim te turistët e huaj dhe disa prej tyre kanë anuluar prenotimet. Megjithatë, kjo nuk vihet re në shifrat e INSTAT.

Sipas shifrave zyrtare, numri i shtetasve të huaj të hyrë në vendin tonë në katërmujorin e parë të vitit 2019 është 1.105.087, duke u rritur me 7,4 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2018. Në katërmujorin e parë 2019, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri janë Gjermania, e cila ka pasur rritje me 21.3%, Spanja me 27%, SHBA me 28.3% dhe Zvicra, që ka pasur rritjen më të madhe me 29,5 %.

Hyrje-daljet e shtetasve shqiptare dhe te huaj ne Shqiperi

Ndërsa uljen më të ndjeshme e ka pasur Kosova me 6,4 %. Megjithatë, sipas shifrave të Kosovës, Shqipëria mbetet destinacioni kryesor i turistëve nga Kosova, sidomos për pushimet verore, ku vërehet se ka rritje të kërkesës nga ana e shtetasve të Kosovës. Ndërsa kërkesa për turizëm në Shqipëri mbetet e qëndrueshme nga vendet e tjera fqinjë. Shtetasit nga Italia rezultojnë 8.9% më të shumë në numër se sa në katërmujorin e parë të vitit 2018. Gjithashtu vizitorët nga Maqedonia u rritën me 7%. Polakët vijojë të kenë një kërkesë të lartë edhe pse ende nuk është sezoni i plazhit. Në katërmujorin e parë, numri i polakëve që vizituan Shqipërinë u rrit me 12%.

Nga ana tjetër, daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga vendi, gjatë muajit Prill 2019, janë 854.355, duke shënuar një rritje me 5,0 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kurse daljet vetëm për shtetasit shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Prill 2019, janë 469.788. Krahasuar me Prill 2018, ky numër është rritur 4,1 %.

Por,  ndryshe nga sa rezultojnë shifrat në rritje për të huajt që vizitojnë Shqipërinë, e kundërta ndodh me shqiptarët, të cilët kanë rritur ndjeshëm numrin e daljeve nga territori i vendit tonë në 4 mujorin e parë të vitit 2019. Sipas shifrave të INSTAT, numri i shtetasve shqiptarë të dalë në katërmujorin e parë është 1,719,591, duke u rritur 10%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, sipas operatorëve turistikë, ky numër ka ardhur në rritje nga viti në vit dhe mund të mos ketë ndikuar drejtpërdrejt klima politike në vend.

Basha tregohet i prerë: Jo pazare me Ramën

Kryedemokrati Basha përsëriti nga Berat se nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë marrëveshje me Ramën. Zgjedhjet e lira do të realizohen vetëm nëse Rama largohet për t’i hapur rrugë garës së ndershme.

“Nuk ka kompromis me të keqen. Nuk ka pazar me Ramën. Këtu nga kjo sallë, 4 muaj më parë u zotova se nëse ligji për vettingun e politikanëve nuk do të miratohej, opozita do të bënte hapin përfundimtar dhe do t’i bindej sovranit për të djegur mandatet. Kjo ndodhi! Këtu nga kjo sallë ju them: Pazar me Edi Ramën kurrë më. Largimi i tij është i panegociueshëm për t’i hapur rrugë vullnetit popullor dhe garës së ndershme dhe zgjedhjeve të lira.” – tha Basha

Betejë për jetë a vdekje! Basha nuk heq dorë nga protestat

“Do të jetë një betejë për jetë a vdekje”. Kështu është shprehur kreu i PD-së, Lulzim Basha dje për mediat, pas një aktiviteti të zhvilluar në qytetin e Shkodrës, teksa u pyet për hapat e mëtejshëm të opozitës dhe për vazhdimin e protestave. Pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtareve për t’i dhënë fund protestave të dhunshme, kreu i PD-së është i vendosur për të vazhduar rrugën e nisur.

“Mendoj që mesazhet që kemi dhënë sot me rastin e një ngjarjeje kaq të rëndësishme janë shumë aktuale. Për të ndaluar një tirani të krimit, bëhet çdo sakrificë me çdo çmim. Unë, PD, opozita dhe gjithë shqiptarët e bashkuar do të jemi më të vendosur se kurrë për të ndaluar një tjetër tirani, një tjetër monizëm, por, kësaj rradhe të veshur me krim, me korrupsion dhe oligarki babëzitëse, që e ka shkatërruar vendin dhe ka mbyllur dyert e Europës. Kjo është një betejë për jetë a vdekje dhe fundi i kësaj beteje është tashnë i përcaktuar. Do të jetë fundi i atyre që duan të rikthejnë tiraninë dhe fitorja e gjithë shqiptarëve të bashkuar”, u shpreh Basha.

Basha për BBC Wolrd: PD dënon dhunën, por ajo tregon zemërimin e popullit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një intervistë për BBC World, gjatë vizitës së tij në Londër.

Basha tha se PD ka bërë gjithmonë thirrje për protesta jo të dhunshme dhe është distancuar nga ajo, por dhuna e përdorur në protesta tregon zemërimin në rritje të popullit gjatë qeverisë. Basha tha se qeveria është kapur në dy përgjime ku akuzohet për shit-blerje votash në 2017 dhe askush nuk është dënuar. Protestat janë pasojë e kësaj krize politike në vend.

Lexoni intervistën e plotë të Bashës për BBC World:

BBC WORLD: Gjatë 3 muajve të fundit në Shqipëri janë zhvilluar protesta antiqeveritare, me protestues që bëjnë thirrje për dorëheqjen e qeverisë dhe për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Ka patur edhe dhunë fundjavën e shkuar, ku mijëra protestues, që mbështesin PD në opozitë, dolën në rrugët e kryeqytetit shqiptar, Tiranës. Zyrat e kryeministrit u goditën me bomba benzine, duke nxitur thirrjet për qetësi të disa vendeve të BE-së dhe SHBA. Në krye të këtyre protestave është lideri i Partisë Demokratike në opozitë, Lulzim Basha, i cili ka shërbyer si Ministër i Jashtëm dhe Ministër i Brendshëm në qeveritë e mëparshme të drejtuara nga PD. Unë e nisa bisedën me të duke e pyetur, nëse e dënon dhunën e ndodhur.

LULZIM BASHA: Absolutisht. PD ka bërë gjithmonë thirrje për protesta jo të dhunshme. Është distancuar dhe do të distancohet gjithmonë nga dhuna. Megjithatë, duhet kuptuar se dhuna e izoluar që, falë Zotit, nuk shkaktoi viktima – asnjë person i vetëm nuk u plagos, asnjë polic nuk u lëndua – është shprehje e zemërimit në rritje. Këto protesta janë pasojë e një krize që ka shpërthyer me të gjithë fuqinë gjatë 4 muajve të fundit: krizë kushtetuese, krizë politike dhe pasojat e saj ekonomike e sociale.

Çfarë duhet të ndodhë me ata që janë përgjegjës për dhunën?
Siç e thashë, falë Zotit, asnjë polic i vetëm nuk u lëndua. Por numri 3 i PD-së u dhunua brutalisht dhe dhunshëm nga policia. Media ishte në gjendje ta filmonte këtë episod dhe ta transmetonte live. Në vend që këta policë të përballen me përgjegjësitë e tyre, sipas ligjit, ata janë marrë personalisht nën mbrojtje nga kryeministri.

Qeveria i mohon akuzat tuaja, por në një këndvështrim më të gjerë, ju keni qenë vetë në qeveri dhe tani jeni në opozitë. Ju e dini se akuzat për korrupsion bëhen sa nga njëra palë dhe nga pala tjetër. Akuzat nga opozita, kushdo qoftë ajo, mohohen nga qeveria kushdo qoftë ajo. Kjo është pjesë e politikës në vendin tuaj, apo jo?
Ky nuk është rasti tani.

Pse është ndryshe tani?
Dy raste të hetimit nga prokurorët antimafia kanë zbuluar mijëra orë përgjime, që tregojnë se kryeministri dhe zyrtarë të lartë të qeverisë bashkëpunojnë me bosët e krimit të organizuar për vjedhjen e zgjedhjeve të vitit 2017. Disa nga këto përgjime janë publikuar nga Zëri i Amerikës dhe dy ditë më parë nga gazeta më e madhe gjermane Bild. Nuk ka absolutisht asnjë veprim në lidhje me këto akuza. Asnjë politikan nuk është thirrur për t’u marrë në pyetje dhe politikanët e përfshirë jo vetëm nuk janë ndëshkuar, por janë promovuar dhe janë mbrojtur nga kryeministri.

Ta shohim në një panoramë më të gjerë. Këtë qershor Shqipëria pret një përgjigje nga BE, nëse do të nisin negociatat për anëtarësim. Sa dëm mund t’i shkaktojë procesit e gjithë kjo?
Protestat janë pasojë e krizës së thellë politike në vend. Kështu që, pavarësisht, raporteve të sheqerosura…

Çfarë do të thotë të sheqerosura?
Shumë larg realitetit.

Për çfarë arsye?
Shqipëria duhet t’i bashkohet Bashkimit Europian, Shqipëria duhet të hapë negociatat e anëtarësimit. Kjo është ajo për të cilën ne po luftojmë, për vlerat europiane, por Shqipëria nuk mund t’i bashkohet BE-së me gënjeshtra, me fabrikime, me zgjedhje të vjedhura, me bashkëpunim me krimin e organizuar, me korrupsionin në nivelet më të larta të këtyre 29 viteve, me pandëshkueshmërinë e njerëzve me pushtet.

Pra, çfarë duhet të thotë dhe të bëjë BE në takimin e qershorit sipas jush?
Mendoj se në këtë pikë gjërat janë shumë të qarta. Bashkimi Europian është ekstremisht i shqetësuar se realiteti në terren është shumë larg nga përshkrimet e burokratëve në Bruksel. Kjo duhet të jetë edhe një kambanë alarmi për vetë institucionet e Bashkimit Europian, që t’i japin fund gjuhës së drunjtë se “shumë është bërë, por nevojitet dhe shumë për të bërë” dhe të përqendrohen nē problemet e vërteta, me të cilat përballet vendi.

Por kjo mund të çonte në një shtyrje të asaj çfarë planifikon BE. A nuk do të sillte shtyrja një dëm të madh për vendin?
Për fat të keq, shtyrja, pak a shumë është vendosur. Vende anëtare kanë dalë në përfundimin se progresi i Shqipërisë drejt përmbushjes së kushteve për hapjen e negociatave të anëtarësimit është i pamjaftueshëm. Pyetja shtrohet: çfarë vjen pas kësaj? Problemi më i madh është sesi të kapërcehet kjo krizë e thellë, e cila tani po shpërthen me zemërim nëpër rrugë dhe sheshe.

Kryemadhi “zbutet” pas vizitës në SHBA: Ne dështuam

“Ne dështuam ta bëni Shqipërinë një shtet dhe si gjithë Europa.” Kështu ka deklaruar kryetarja e LSI-Së, Monika Kryemadhi gjatë një takimi me të rinjtë në Tiranës.

Pas kthimit nga vizita e saj në SHBA, duket se Kryemadhi i ka zbutur deklaratat e saj duke thënë se opozita e teproi paksa me dhunën, pasi qëllimi nuk është të tregojmë muskujt. Kryemadhi tha gjithashtu se tashmë fati i Shqipërisë është në dorën e të rinjve edhe se LSI ka fajet e saj në fushën e arsimit në Shqipëri.

“Shqiptarët me protestat e fundit kanë treguar se e kanë vrarë frikën, madje e kanë kapërcyer paksa. Por qëllimi nuk është që të tregojmë muskujt përballë kundërshtarëve. Të rinjtë duhet të kërkojnë një arsim më të mirë. Ne mendojnë se ju meritoni shumë më shumë edhe pse kemi qenë pjesë e qeverive të kaluara, ne i pranojmë edhe gabimet tona. Ne dështuam në bërjen e Shqipërisë dhe ne duhet t’u japim ju kurajën që ta bëni ju Shqipërinë që meritoni. E them këtë me bindje të plotë se 30 vitet e tranzicionit iu kanë kushtuar brezave dhe të gjithë shqiptarëve.” – tha Kryemadhi

“Një pagë shpërblim për policët e protestës së 11 Majit”

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka dhënë urdhër që të gjithë policët e protestës së 11 majit të marrin nga një pagë shpërblim.

“Drejtorit të departamentit për Krimet e Rënda, drejtorit të departamentit për sigurinë publike dhe drejtorit te personelit të Drejtorisë Tiranë. Të përgatisni listat për punonjësit e policisë që kanë qenë me shërbim në protestën e ditës së shtunë dhe të shpërblehen me një pagë.” – shkruhet në shkresë

Nga protesta e dhunshme e 11 majit mbetën të plagosur 15 efektivë policie.

“Opozita të dënojë dhunën, po dëmton imazhin e vendit”

Për dhunën e përdorur gjatë protestës së 11 majit ka reaguar edhe misioni francez në OSBE.

Në një deklaratë misioni francez në OSBE kërkoi nga opozita të dënonte dhunën, pasi në këtë mënyrë është duke dëmtuar imazhin e vendit.

“E drejta për të protestuar paqësisht është një element thelbësor i rrugëtimit demokratik të një vendi. Megjithatë të shtunën në 11 maj në Tiranë u vunë re zhvillime të dhunshme në protestat e thirrura nga opozita. Është e rëndësishme që opozita të dënojë dhunën dhe të denoncojë autorët e saj. Dhuna kompromenton për reforma demokratike dhe dëmton imazhin e Shqipërisë.” -thuhet në deklaratë

Skip to toolbar