Çupi: Ligji anti-shpifje, i përciptë dhe mistrec

Gazetari Frrok Çupi e cilësoi fenomenin “Fake News” një bombë që ka tronditur botën dhe se Shqipëria është një fshat i fundit në botë që përballet me këtë gjë. I ftuar në emisionin “Real Story”, Çupi tha para gazetarit Sokol Balla se ligji anti-shpifje që po diskutohet sot në vend, është tepër i vogël, i përciptë dhe mistrec. Megjithatë ai tha se duhet të na shqetësojë dhe të konsiderojmë gjënë më të tmerrshme kundër njeriut është kombinimin e teknologjisë me lajmin e rremë.

Në këtë temë, ne jemi fshati i fundit në botë. Botës i ka rënë bomba sot nga lajmi i rremë. E gjithë bota është angazhuar kundër lajmit të rremë, është një proces që sapo ka nisur. Bota që ka 7 miliardë njerëz, 5.4 miliardë janë media fake, kjo duhet të na shqetësojë. Dhe nuk janë gazetarët që bëjnë lajmin e rreme, po janë sisteme dhe industri qe po përdorin gazetarët apo që nuk kanë lidhje fare me median. Është tjetër gjë liria e medias dhe tjetër liria e gazetarit. Media është biznes, liria e gazetarit është liria e drejtpërdrejtë e shprehjes dhe kjo duhet mbrojtur.  Ligji anti-shpifje është tepër i vogël, i përciptë dhe mistrec që nuk ka studime e konkluzione në të. Megjithatë gjëja më e tmerrshme që mund të bësh kundër njeriut është të kombinosh teknologjinë me lajmin e rremë” u shpreh Çupi

Ndërsa për gazetarin Alfred Lela shqetësuese nga kush do të përbehet Këshilli i Ankesave që do të përcaktojë pikërisht këto lajme të rreme apo dëmshme që duhen ndaluar, i cili tha se nën varësinë e AMA, ky këshill do të jetë edhe më politik.

Ajo që më shqetëson është të di se kush do jetë në Këshillin e Ankesave që do të marrë këto vendime, për të mbyllur ato “rubinete” që sjellin fake news. Dhe ky këshill do jetë edhe me shumë i varur politikisht, pasi do jetë nën kontrollin e AMA-s” u shpreh Lela. / Real Story

Prokuroria kërkoi 1.6 vite burg, Salianji rrëfehet sonte në “Real Story”

Ish-deputetit i Partisë Demokratike, Ervin Salianji është i ftuar në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla mbrëmjen e të martës në News 24. Salianji, përballë analistëve dhe gazetarëve, do të hedhë dritë mbi akuzat që porkuroria ka ngritur ndaj tij dhe tre personave të tjerë, në lidhje me dosjen “Babalja”. Prokuroria kërkoi të martën dënimin e ish-deputetit të Partisë Demokratike Ervin Salianji, për akuzën “Kallëzim i rremë”.

1 vit e 6 muaj burg, ishte pretenca e Prokurorisë drejtuar Gjykatës për dënimin e Salianjit, pasi akuza pretendon se ish-deputeti ka bërë kallëzim të rremë në lidhje me dosjen “Babalja”, ku akuzonte vëllain e ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj për trafik droge.

Salianji, së bashku me gazetarin Jetmir Olldashi dhe dy personazhet, Fredi Alizoti dhe Albert Veliu, akuzohen se kanë inskenuar një audio-përgjim, ku pretendohej se njëri nga personat që fliste në telefon ishte vëllai i ish-ministrit Xhafaj, Agron Xhafaj.

Pas ekspertizës së audios, Prokuroria arriti në konkluzionin se zëri nuk ishte i Agron Xhafajt, duke ngritur akuza për kallëzim të rremë ndaj Ervin Salianjit, gazetarit Jetmir Olldashi dhe dy personazheve Fredi Alizoti dhe Albert Veliu, që sipas Prokurorisë, kanë inskenuar audio-përgjimin, në këmbim të një shpërblimi financiar. /Realstory.al/

Sondazhi që ndëshkon ndërtuesit. Shumica: Ata të riparojnë dëmet

Nga Eduard Zaloshnja

Në sondazhin e fundit periodik që zhvillova për revistën Folloë Business Albania, kisha përfshirë edhe pyetjen: “Kush mendoni se duhet t’i rindërtojë/riparojë pallatet e dëmtuara nga tërmeti dhe të pasiguruara në kompanitë e siguracioneve?”

Rreth 58% e të anketuarve  në tri qarqet më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit (Durrës, Tiranë e Lezhë) u përgjigjën se duhet të jenë ndërtuesit e pallateve të dëmtuara, ata që duhet t’i rindërtojnë/riparojnë ato. Pjesa tjetër e të anketuarve mendonin se pallatet duhet të rindërtohen/riparohen nga shteti apo nga vetë banorët.

Kush mendoni se duhet t`i riparojë pallatet e dëmtuara nga tërmeti?

Nga përgjigjet rreth votës nga të anketuarit në gjithë vendin rezulton se PS-ja dhe PD-ja do të kishin pak a shumë votat që morën në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës. Por meqë pjesmarrja do të ishte më e vogël (290 mijë më pak) përqindjet e dy partive më të mëdha do të ishin sot më të larta. LSI-ja dhe PDIU-ja kanë pësuar rënie si në vota, edhe në përqindje (shihni dy grafikët shoqërues).

Video/ “Shqipëria në dorë të druvarëve”, batutat e Lubonjës në Real Story

Analisti Fatos Lubonja u shpreh në “Real Story”, se vendi u godit nga dy tërmete. Në mënyrë figurative, Lubonja tha se përveç tërmetit që shkaktoi dëme, një tjetër “tërmet” ishte ai ndaj besimit te institucionet. Sipas Lubonjës, viktimat mund të ishin evituar plotësisht, nëse do të ishin marrë masa ndaj ndërtesave.

“Duhet të bëjmë një dallim kryesor, që nuk bëhet fjalë aq shumë për tërmetin. Këtu ka dy tërmete, njëri është ai që ra dhe shkaktoi dëme, tërmeti tjetër që ka rënë është ndaj besimit që duhet të kemi tek institucionet, shteti, e të gjithë ato organizma që duhet të punojmë që në raste tërmetesh të tilla të kemi minimumin e dëmeve”.

“Është tërmeti që ka rrëzuar shumë keq godinat e shtetit tonë. Të vdekurit që janë drama më e madhe materiale për mendimin tim mund të ishin evituar plotësisht, nëse ne do kishim marrë disa masa ndaj ndërtesave. Ne kemi rrëzim ndërtesash në Kënetë, ndërkohë që ne e dimë se aty nuk duhet të ndërtojmë, ka ligje, por aty vdiq familja Lala. Edhe nëse ndërton aty, duhen disa parametra”, tha Lubonja.

Ai shtoi gjithashtu se ekzistojnë hartat e Enver Hoxhës, që tregojnë zonat ku ekzistojnë mundësitë për të rënë tërmete dhe sa ballë.  

“E dyta, u paralajmërua një tërmet në shtator, si dhe presidenti tha për një tërmet të fortë, por qeveria u tall. Në Thumanë ndërtesat ishin të amortizuara, por nuk kishte ndërhyrje. E treta, kemi dëmtime në plazhin e Durrësit, dhe aty pati të vdekur. Është ndërtuar pa plan. Ke një hartë të Enver Hoxhës se si duhet ndërtuar, ku mund të bien tërmete dhe sa ballë. Shqipërinë e kanë marrë në dorë druvarët dhe janë hequr nga skena specialistët, ekspertët, etj, dhe ky është problemi. Për të marrë atë që thotë ministri se situata është nën kontroll, përsëri na përdorin të huajt. Për mendimin tim situata është kritike”, tha Lubonja./Realstory.al/

Buxheti 20 miliardë lekë, Çuçi: Shpenzimi nis pas raportit të dëmeve sipas standardeve të BE

Ministri fuqiplotë, Bledi Çuçi nuk është pesimist për rimëkëmbjen dhe rindërtimin e objekteve të shembura nga tërmeti i 26 nëntorit, madje ka mbrojtur deklaratën e kryeministrit se kjo do të sjellë rritje ekonomike. Këtë deklaratë e ka bërë ne emisionin Real Story të Sokol Ballës në News 24, duke shpjeguar edhe sesi do të shpenzohet buxheti ekstra prej 20 miliardë lekësh që u deklarua nga kryeministri Rama nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë.

“Besoj se keni ndjekur prononcimet, sa i përket paketës së rimëkëmbjes, do të thosha nuk është detyra ime të merrem me pesimizmin tuaj, por me përballimin e situatës për dëmet që ka shkaktuar tërmeti. Unë do ju citoj vetëm atë që më tha Golani, i cili është drejtori i emergjencave civile të Izraelit, i cili ndodhet me një grup inxhinierësh në Shqipëri, i cili tha se ‘unë e them me plot gojën se sot këtu është gjithçka nën kontroll’. E tha një njeri që ka lindur në luftë dhe ka jetuar në luftë dhe nuk ka jetuar asnjë ditë paqe dhe ka qenë në situata të tilla”, deklaroi Çuçi, në përgjigje të pesimizmit qytetar dhe stresit shoqëror. Madje, ai shtoi se çdo gjë është nën kontroll për menaxhimin e situatës. “Ne e dimë çfarë kemi, çfarë na duhet. Pa dyshim që ka shtëpi të plasaritura, pallate të dëmtuara, të gjitha këto do të shikohen. Ne dimë se çfarë kemi dhe njohim situatën dhe e dimë sesi do e zgjidhim”, u shpreh ministri fuqiplotë.

Po ashtu ai pyet nga gazetari Balla edhe për buzxhetin e deklaruar nga Rama sesi do shpenzohet, si do të ndahet dhe kur do të fillojë zbatimi i këtij projekti rindërtimi.

“Kjo është një çështje që do të vendoset fillimisht në komitetin që është ngritur. Unë do të them se ne do ta vendosim këtë, pasi të nxjerrim një raport të plotë dhe të besueshëm për vlerësimin e dëmeve që ka sjellë tërmeti, kjo nuk do të thotë se nuk do të marrim parasysh dëmet imediate, por paketa do të shpenzohet, duke pasur një plan të qartë përfshirë edhe ndihmat e vendeve të tjera. Sot kemi filluar të shkrijmë raportin për vlerësimin e dëmeve, sipas një metodologjie të BE dhe UNDP. Do të bëhet bashkëpunimi me ekspertët e BE dhe do ët jetë një raport i plotë, përfshirë dëmet materiale, psikologjike dhe stresin që ndihet dhe aty”, deklaroi Çuçi.

“Ke 20 vjet që më ndërpret”, Balla dhe Ahmetaj batuta në “Real Story”

Arben Ahmetaj, Kryetari i Komitetit të Rindërtimit dhe Menaxhimit të Fondeve për tërmetin, ishte i ftuar në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla në News 24. Gjatë shpjegimit të Ahmetaj se si do të veprohet me fondet dhe programin e rindërtimit të objekteve të shkatërruara nga tërmeti nuk kanë munguar as pyetjet e gazetarit Balla. Kjo ka sjellë një situatë batutash mes tyre, ku Ahmetaj i ka kërkuar të mos e ndërpres më kur flet, pasi ka 20 vjet që e bën.

“Çe ke këtë maninë të më ndërpresësh. Ke 20 vjet me mua dhe të njëjtën gjë bën gjithmonë , më ndërpret”, u shpreh Ahmetaj, situatë që ka shkaktuar të qeshura mes tij dhe gazetarit Sokol Balla, i cili shtoi se “e lanë që nuk do bëjnë debat, kështu që nuk po kthen përgjigje”.

Sigurisht që batuta nuk ngelën këtu pasi Arben Ahmetaj tha se do të bëjë një emision të tij ku do të ftoj gazetarin Balla dhe nuk do e lë të flasë duke i kthyer “borxhin”.

“Pas një viti do bëj një emision, ku do të ftoj ty (Sokol Ballën), dhe nuk do të lë të flasësh, që të ta kthej se ma ke nxirë…sa herë më sjell në emision ma ndërpret,” tha Ahmetaj/ Real Story

Arben Meçe debat me Oketën: Duhet të ishe ushtar si unë

Arben Meçe, inxhinier ndërtimi, me një ton të ashpër dhe kërkues iu drejtua Gazmend Oketës se pse ai dhe inxhinierë të tjerë nuk ishin në terren pas tërmetit. Meçe tha në emisionin “Real Story” se ai zbriti menjëherë në terren si ushtar, por këtë nuk e bënë dhe inxhinierët e tjerë. Kjo ka hasur në kundërshtimin e fortë të Oketës, i cili tha se prej një jave futet në shtëpi në orën 1 të natës.

Pjesë nga debati:

Arben Meçe: Jemi në kulmin e emergjencës. Në qoftë se unë ushtari Meçe dhe e kam për nder të jem ushtar i shtetit shqiptar, jo i Ramës i vendosem në dispozicion por e bëj me përgjegjësinë personale.

Gazmend Oketa: Më thuaj tre argumente pse ti mendon që je qytetari më i ndershëm se të tjerët.

Arben Meçe: Ruaj qetësinë.

Gazmend Oketa: Andej nga vij unë shquhemi për qetësi.

Arben Meçe: Qetësi ti je i qetë në karakter nuk je si unë. Në qendër të Durrësit një objekt që vret fëmijë, nuk ka nevojë për shkencë. Ndërhyrja jonë nuk ishte shkencë, ishte emergjente. Nuk jam i mençuri, kam thënë grupet e projektimit janë të shkëlqyera por të gjithë duhet të marrin përgjegjësi. Ti je më i përgatitur se unë në këtë fushë por ajo që më dalloi mua nga ty dhe nga të gjithë kolegët e mi është se shkova atje. Më kanë gjetur në terren televizorët.

Gazmend Oketa: Ke bërë shumë mirë.

Arben Meçe: Ke shumë arsye ti për të qenë më lart se unë. Por unë mora përgjegjësinë që nuk e gjeta tek ju.

Gazmend Oketa: E ke shumë gabim, kam një javë që hyj në orën 1 të natës në shtëpi.

Arben Meçe: Unë nuk hyra tek miqtë e mi por shkova si ushtar. Këtë gjë duhet të bëje ti.

“Nuk është emergjencë riestetizimi i vendit” Lela: Nxirrni mësime, mos fshihni fajin

Analisti Alfred Lela tha në emisionin “Real Story” në News 24 se në fakt e gjithë kjo tragjedi që ndodhi me tërmetin duhet të na jap mësime se ku gabuam dhe çfarë mund të bëjmë më mirë. Lela tha se tani është koha të flasin ekspertët, por nxitimi i qeverisë për të prishur ndërtesat e pabanueshme të lë të dyshosh se në fakt po fsheh fajin e saj apo provat e krimit që janë bërë me ndërtimet. Lela tha se duhet të ndalet “buldozeri” i qeverisë për të shkatërruar provat dhe të lërë ekspertët të nxjerrin mësimet se pse atyre ndërtesave ”iu drodhën leqet” dhe u shkatërruan.

“Thirrja e Minxhozit se është koha e ekspertëve, është me vend. Politika sërish, jo për herë të parë dhe as të fundit, nuk po u lë kohë ekspertëve të nxjerrin mësime. Nuk e kuptoj këtë ngutje të madhe për të zhdukur kujtesën e tërmetit, sikur emergjenca e emergjencës kombëtare të ishte riestetizimi i vendit, që në fakt nuk është. Shkatërrimi nuk është vetëm zhdukje e provave por edhe e disa mësimeve që duhet të nxjerrim pas kësaj fatkeqësie që na ndodhi se si duhet të reagojmë dhe si t’i bëjmë më mirë për nesër. Kjo është çështja kryesore. Tani nuk është koha për fajtor apo përgjegjës, por për të nxjerrë mësime. Duhet të kuptojmë pse ikën këto jetë njerëzish dhe pse “iu drodhën leqet” ndërtesave që u shkatërruan. Për këtë duhen ekspertët. Po nëse buldozeri i shteti shkon dhe i heq, kjo nuk u jep mundësi ekspertëve të thonë fjalën e tyre. Kjo tregon se jemi po aty ku kemi qenë”, u shpreh Lela.

Lela tha se e gjithë ku nxitim për prishjen tyre të lë të dyshosh se po bëhet për të fshehur fajin duke shtuar se në fakt ky tërmet nxori dy mësime se kapitalizmin dhe shteti janë në nivelin minimal. Lela me ironi shtoi se në fakt jemi në kushte “kinezerie”, ku kapitalizmin e shteti janë bashkë ‘kemi një kapitalizëm shtetëror”.

“Dyshoj se autoritete janë duke fshehur fajin pse ky nxitim për të rrafshuar këto ndërtesa, që janë edhe prova krimi e dëshmi. Tërmeti na mësoi dy gjera ca kapitalizmi kemi ndërtuar dhe çfarë shteti kemi, te dyja kanë dal me nota minimale. Jeni në kushte thuajse kinezerie ku kapitalizmin dhe shtetin e kemi bashkë, pra kemi një kapitalizëm shtetëror dhe kjo u pa në Durrës”, tha Lela në Real Story

Ftesa e Ramës për Bashën, Klosi: Nuk ishte politike

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi i ftuar në emisionin “Real Story” të Sokol Ballës në ‘News24’ ka komentuar ftesën e kryeministrit Edi Rama ndaj liderit të PD-së Lulzim Basha për t’u ulur në një tryezë për të diskutuar mbi situatën e krijuar nga tërmeti i 26 nëntorit, duke theksuar se nuk ka qenë një festë për tryezë politike, por për të diskutuar mbi Komitetin e Rindërtimit.

“Nuk ka pasur ftesë për një tryezë politike. Por për një tryezë për Komitetin e Rindërtimit. Dihet që do kalojë pjesa e dramës dhe pastaj nis politika të merret. Ne duhet të jemi më tepër solidarë me njëri-tjetrin. Nëse do ishte një çështje burokratike s’do të zgjidhej kurrë (situata e krijuar pas tërmetit). Nuk ndodh në asnjë vend të botës të hapen hotelet, bëhet fjalë për një kosto të madhe. Mendo që mos të ishte rregulluar puna për hotelet dhe njerëzit të ishin në kamp”, pohoi Klosi.

Ekspertët në Real Story: Përballuam tërmet në limit, çfarë rreziku kanë ndërtesat në Shqipëri

Ekspertët mendojnë se pallatet e vjetra duhen kontrolluar nga autoritetet shtetërore sa i përket rrezikut nga tërmetet, pavarësisht se kaluan një test shumë të fortë, duke pasur parasysh se Shqipëria mund të gjenerojë tërmete me magnitudë deri në 6.5 të shkallës Rihter, ndërsa vendi ynë u godit nga një valë me shkallë 6.4 Rihter. Këtë e kanë deklaruar ekspertët në emisionin Real Story të Sokol Ballës, duke vënë theksin se rreziku më i madh vjen nga ndërhyrjet në pallate dhe shtesat anësore të tyre.

Agron Hysenlliu, drejtor i Institutit të Ndërtimit deklaroi se Instituti i tij ka këmbëngulur që në godinat e vjetra të bëhet kontrolli. “Këto godina janë ndërtuar sipas koeficienteve të shumë viteve më parë, ku duhet pasur parasysh edhe standardet e ndërtimit, apo materialet e përdorura. Kjo i ka rrezikuar këto godina të vjetra, pasi intensiteti i goditjes sizmike ka qenë më i vogël sesa është sot. Këto godina janë të rrezikuara, por sa, duhet bërë testi”, deklaroi Hysenlliu. Po ashtu, ai vuri në dukje se ndërhyrjet si në ambientet e kateve të para, ashtu edhe në shtesat anësore kanë ndikuar në mënyrë të dukshme në projekte, duke prishur strukturat. Sipas tij, ato janë të rrezikshme. “Një nga arsyet kryesore të rrezikut është pikërisht ndërhyrja dhe riparimet në objekt”, deklaroi ai.

Të pyetur nga gazetari Sokol Balla se çfarë shkallë tërmeti mund të përballojnë ndërtesat shqiptare, ekspertët thanë se ka shumë faktorë dhe nuk mund të jepet një përgjigje ekzakte.

Pedagogia e inxhinierisë së ndërtimit, Diana Bardhi theksoi se Shqipëria nuk i ka apdetuar të dhënat e saj për të pasur një përllogaritje të përafërt. “Pas tërmetit të ‘79 ne nuk kishim ende në IGJEUM, një institut sizmit që maste sizmicitetin. Madje valët e sizmicitetit i ka matur Mali i Zi në kohën e ’79. Pas kësaj kushtet teknike të projektimit që janë ende sot në fuqi janë për 8.5 të shkallës Rihter. Ka një koeficient të pa apdetuar. Sot janë përllogaritur që pallatet në Shqipëri të përballojnë një tërmet me magnitudë 8.5 të shkallës Rihter”, deklaroi pedagogia, ndërkohë që inxhinieri i ndërtimit, Ervin Paci, deklaroi se Shqipëria nuk gjeneron tërmete me një magnitudë të tillë. “ 8.5 të shkallës rihter nuk ka mundësi praktike fizike të bjerë në Shqipëri, as ato nuk janë. Shqipëria mund të gjenerojë tërmete, me gjithë studimet që kam bërë deri në 6.5 Rihter që është një magnitudë lokale. Ky ishte 6.4. Gjenerimi është në bazë të tektonikës së një vendi që mund të bëhet. 8.5 Rihter mund të bëhet në Kili. Do një përplasje pllakash mijëra kilometra. 21 shtatori, për disa tipa godinash, ishte një test, ndërsa tërmeti që ra në nëntor ishte llogaritës, pasi ishte vetëm 0.1 larg shkallës maksimale të tërmeteve që mund të gjenerojë Shqipëria”, deklaroi Paci.

Ndërkaq, Avenir Kika nga shoqata e ndërtuesve deklaroi se strukturat e pallateve e përballuan tërmetin, pavarësisht disa rasteve të ndryshme, duke pasur parasysh përmasat e tërmetit. Ndërsa për muret e shembura, Kika vuri në dukje se për to nuk kemi një standard. “Sa i përket çarjes së muraturave, nuk kemi një standard. Por duhet thënë se nuk ruhen standardet që janë për ndërtimin në muraturë, ka shumë mungesë nga ana e ndërtuesve. Ndërkohë, dua të vë në dukje se çdo ndërhyrje në projekt vetëm i dobëson parametrat e rezistencës ndaj tërmetit”, deklaroi Kika. Po ashtu, ai tha se pallatet e pas viteve ‘91 i rezistuan nga pikëpamja statike shumë mirë tërmetit, sot njerëzit në këto pallate duhet të flenë të qetë. “Për sa i përket muraturave as sot nuk kemi një standard që duhet me urgjencë të bëhet se si duhet të bëhen muraturat e pallateve me kollona betoni”, tha Kika.

Skip to toolbar