Arrestimet për grabitjen në Rinas, Rama: Policia po tregon veten

Pas lajmërimit nga policia për arrestimin e një personi të 5-të si bashkëpunëtor i ngjarjes së grabitjes së parave në Rinas, ka reaguar edhe kryeministri Rama me një status në Twitter. Rama tha se policia çdo ditë po tregon forcën e saj duke e ngushtuar gjithmonë e më shumë rrethin e keqbërësve.

“Arrestohet edhe një autor tjetër i grabitjes së Rinasit, duke e ngushtuar më tej rrethin e keqbërësve falë punës intensive dhe profesionale të Policisë së Shtetit. E cila po provon se ka kaluar në një nivel të ri fuqie goditëse ndaj krimit, duke folur përditë me rezultate konkrete.”

Grabitja në Rinas, arrestohet bashkëpunëtori i 5-të

Policia ka arrestuar edhe një person të 5-të si bashkëpunëtor të grabitjes së parave në Rinas. Ditën e djeshme policia arrestoi 4 bashkëpunëtorët e tjerë Oltion Veseli, Alkond Bengasi, Renaldo Sula dhe Saimir Cela, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të personave të përfshirë në vjedhjen e 9 prillit në Rinas.

I arrestuar është shtetasi me iniciale E.P. nga Kruja, ndërsa nuk jepen informacione të tjera.

Në njoftimin e saj policia sqaron:

“Në vijim të veprimeve të kryera nga një grup i posaçëm hetimor për zbardhjen e ngjarjen së datës 09 prill në aeroportin e Rinasit, ju informojmë se mbrëmë në mesnatë është kapur dhe ndalur shtetasi E.P banues në Krujë, i dyshuar si një prej autorëve të kësaj ngjarje.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë për veprën penale të “Vjedhjes me armë të kryer në bashkëpunim” në kuadër të “Grupit të Strukturuar Kriminal”, ”Mbajtjes pa leje e armëve dhe municioneve luftarake” “Vrasje e Punonjësve të Policisë “ e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë”

Policia e ShtetitNë vijim të veprimeve të kryera nga një grup i posaçëm hetimor për zbardhjen e ngjarjen së datës…

Publiée par Policia e Shtetit sur Mardi 23 avril 2019

Arrestimi i grabitësve në Rinas, Rama përshëndet aksionin e policisë

Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur aksionin e policisë për arrestimin e 4 grabitësve në ngjarjen e Rinasit. Rama e cilësoi arrestimin e grabitësve një zhvillim inkurajues në rrugën e ndëshkimit ligjor.

“Ndalimi i 4 personave të përfshirë në grabitjen e aeroportit, një zhvillim inkurajues në rrugën e ndalimit dhe ndëshkimit ligjor të të gjithë autorëve të krimit. Policia e Shtetit duhet të provojë përditë se sa më shumë sulmohet e baltoset, aq më shumë rritet forca e saj goditëse.” – shkruan Rama

Zyrtare, Policia njofton arrestimin e grabitësve të Rinasit. Ja detajet

Policia e Shtetit ka shpërndarë njoftimin për arrestimin e grabitësve të parave në Rinas. Policia njofton se në pranga kanë rënë katër persona si autorë të dyshuar të përfshirë në këtë ngjarje.

Personat e arrestuar janë: Oltion Veseli 38 vjeç nga Kruja, Alkond Bengasi, 34 vjeç nga Elbasani por me banim në Tiranë dhe i dënuar më parë për prodhim e shitje lëndësh narkotike, Renaldo Sula 25 vjeç nga Elbasani dhe Saimir Çela 28 vjeç nga Kajani i Elbasanit (i cili njihet edhe me pseudonimin Tale Çela).

Sipas policisë, për arrestimin e këtyre personave janë zhvilluar aksione në qytetet e Tiranës, Elbasanit dhe Durrësit si dhe është përfshirë një grup i posaçëm hetimor me Specialistët më të mirë të Hetimit të Policisë Tiranë, Policisë së Shtetit, Durrësit e Elbasanit, nën drejtimin e Prokurorisë për Krime të Rënda.

Ndërkaq, policia ende nuk e ka zbuluar shumën e saktë të parave të grabitura në Rinas, ndërsa thekson se ka prova të shumta për thellimin e hetimeve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Akuzat që janë ngritur ndaj të arrestuarve janë:

“Vjedhje me armë të kryer në bashkëpunim” në kuadër të “Grupit të Strukturuar Kriminal”, ”Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”  “Vrasje e Punonjësve të Policisë “ e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë.

TiranëVazhdon veprimtaria hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes së ndodhur më datë 9 prill në Rinas.Në…

Publiée par Policia e Shtetit sur Lundi 22 avril 2019

Gjurmët e gishtave, policia arreston 4 grabitësit e Rinasit

Megjithëse ende nuk ka një informacion zyrtar nga Policia e Shtetit, mediat televizive në vend i referohen burimeve të sigurta teksa raportojnë se 4 persona janë vënë në pranga dhe akuzohen si grabitësit e sasisë së konsiderueshme të parave në aeroportin e Rinasit.

Të arrestuarit janë  F.Beqiraj, Alkond Bregasi , R.Sula, Saimir Çela.

Mësohet se kanë qenë shenjat e gishtave të lëna në furgon ato që ndihmuan policinë në gjetjen dhe identifikimin e autorëve të grabitjes.

Pritet që sot Policia dhe Prokuroria të dalin në një konferencë për të dhënë detaje lidhur me hetimet e deritanishme për grabitjen e Rinasit.

Identifikohen dy nga grabitësit në Rinas? Ja e vërteta e policisë

Grabitja spektakolare e parave në Rinas disa ditë më parë vijon të jetë ende në qendër të vëmendjes. Pas vrasjes së njërit prej grabitësve Admir Murataj, polica është vënë në ndjekje të identifikimit dhe kapjes së bashkëpunëtorëve të tjerë.

Ditën e sotme në shumë media ka qarkulluar lajmi se janë identifikuar nga policia dy autorë të tjerë, duke publikuar emrin dhe imazhin e tyre.

BalkanWeb

Grabitja në Rinas, ja bashkëpunëtorët e Murataj nën survejim Lexo të plotë

Top Channel

Në lupë grabitësit e bankave. Analizohen grupet kriminale të ngjashme me Rinasin. Lexo të plotë

Shqiptarja

Identifikohen dy nga autorët e grabitjes në aeroportin e Rinasit Lexo të plotë

Mirëpo ka qenë vetë policia e shtetit që ka reaguar ndaj këtyre lajmeve duke i cilësuar si jo të vërteta dhe të pasakta. Madje u ka kërkuar edhe ndihmë qytetarëve që për çdo informacion të telefonojnë 112 ku do t’u ruhet anonimati.

“Lidhur me disa publikime në media ditën e sotme, për hetimet mbi grabitjen e datës 9 prill 2019 në Rinas, grupi i posaçëm hetimor deklaron se këto lajme janë të pavërteta dhe të pasakta.
Duke përfituar nga ky komunikim me mediat dhe publikun, garantojmë qytetarët se Policia e Shtetit, Prokuroria dhe agjenci të tjera ligj zbatuese mbeten shumë të angazhuara për zbardhjen sa më të shpejtë të rrethanave të grabitjes, zbulimit të autorëve dhe përballjen e tyre me drejtësinë.
Çdo qytetar që ka informacion që beson se ndihmon hetimin, mund të telefonojë falas në numrin 112, duke ju garantuar anonimatin.”

Reagim i Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Policisë së ShtetitLidhur me disa publikime në media ditën e sotme, për…

Publiée par Policia e Shtetit sur Vendredi 19 avril 2019

Pasditen e 9 prillit, 5 persona të armatosur hynë në pistën e avionëve në Rinas me një fugon me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”, ku arritën të grabisnin në sasi të madhe parash, që do të transportoheshin me avion jashtë Shqipërisë. Gjatë largimit të tyre pati edhe shkëmbim me armë zjarri me policinë ku mbeti i vdekur edhe njëri prej grabitësve, Admir Murataj, që dyshohet edhe si organizatori i sulmit.

Grabitja në Rinas, Lleshaj mbledh urgjent drejtuesit e policisë

Mediat televizive të informacionit raportojnë se ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj është duke zhvilluar në këto momente një takim në ambientet e ministrisë me drejtues të policisë së Shtetit.

Mësohet se në këtë takim janë të pranishëm Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe drejtorët e qarqeve. Takimi vjen pak orë pasi Lleshaj ishte në qytetin e Vlorës.

Raportohet se ky takim është kërkuar nga vetë ministri për të diskutuar kryesisht për grabitjen e Rinasit, si dhe për analizimin e informacioneve për disa grupe kriminale.

Grabitja, Lleshaj: TIA njoftoi ngjarjen 30 minuta me vonesë

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj i është përgjigjur pyetjeve të deputetëve të rinj të opozitës në lidhje me grabitjen në Rinas, ndërsa ka akuzuar aeroportin, duke thënë se ata e kanë njoftuar ngjarjen 30 minuta pasi ka ndodhur.

“Më keni bërë aq shumë pyetje, sa vetëm po t’i lexojë do më merrni 20 min. Është një ngjarje e rëndë, sepse është episod i përsëritur. Ka marrë të gjithë vëmendjen e duhur të Policisë, pavarësisht dhe ngarkesave të shumta të policisë, për të menaxhuar atë që ka rol kryesor. Ngjarja ka tentuar që të marrë ngjyrim politk, madje duke e drejtuar drejt absurdit. Ka pasur një gatishmëri të madhe për të ndërtuar skenar se çfarë mund të kishte ndodhur përveç asaj që kishte ndodhur. Si mund të nxihet më shumë se realiteti, kjo ka qenë qëllimi. Nuk është një cenim i sigurisë së vendit, nuk cenohet siguria nga 5 persona. Ngjarja ka ndodhur në orën 9 prill 14:45, 5 persona të armatosur kanë vjedhur një sasi të konsiderueshme parash dhe janë larguar drejt Tapizës. Ngjarja është shumë e njohur, por është një seri dështimesh të disa hallkave. Me një ligj të miratuar në këtë vend, përgjegjësia i është transferuar një kontraktori privat, unë s’kam qenë kurrë dakord, por ky vendimi është marrë në këtë Kuvend dhe është pranuar 15 vite me radhë dhe askush nuk e ka atakuar asnjëherë faktin bazë që kjo çështje e sigurisë është transferuar në duar private. Operatori privat ka njoftuat 5 min dhe 21 sekonda me vonesë, policinë e cila e kishte marrë informacionin në rrugë të treta, TIA ka njoftuat ngjarjen 30 minuta pasi ka ndodhur. Kontraktori privat nuk ka lejuar të futen brenda policinë, se porta përkatëse nuk është hapur nga kompania e sigurisë së aeroportit”, tha Lleshaj.

Seanca, ministri Lleshaj interpelancë për grabitjen në Rinas

Parlamenti do të mblidhet sot në një seancë parlamentare ku në rendin e ditës më kryesorja është interpelanca e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, i cili do t’i përgjigjet pyetjeve të opozitës së re në lidhje me grabitjen e parave në Rinas.

Pritet që deputetët të debatojnë edhe në lidhje me vendimin e parlamentit holandez për të vendosur regjimin e vizave për shtetasit shqiptarë. Më poshtë axhenda e plotë e zhvillimeve të sotme të seancës parlamentare.

Rendi i ditës

Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 11.04.2019

Njoftimi i projektligjeve të depozituara në Kuvend

Interpelancë urgjente me Ministrin e Brendshëm, kërkuar nga një grup deputetësh të opozitës

Raporti i veprimtarisë vjetore të Autoritetit të Mediave Audiovizive për vitin 2018

Raporti i veprimtarisë vjetore të Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri për vitin 2018

Akt Normativ nr. 1, datë 20.03.2019 “Për pjesëmarrjen e personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Sudanin e Jugut (

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar

Projektvendim “Për strategjinë e edukimit ligjor të publikut në Republikën e Shqipërisë”

Meta: Grabitja, mungesë e funksionimit të institucioneve të sigurisë

Presidenti Ilir Meta e ka konsideruar ngjarjen në Rinas si një kërcënim serioz i sigurisë kombëtare brenda një objekti me siguri të lartë. Meta tha se kjo ngjarje është e papranueshme dhe tregues i një mungese të theksuar të funksionimit dhe përgjegjshmërisë të institucioneve të sigurisë.

Deklarata e plotë

Nisur nga ngjarja tronditëse e grabitjes së djeshme në Aeroportin “Nënë Tereza”, ndiej detyrimin dhe përgjegjësinë si President i Republikës për këtë komunikim të drejtpërdrejtë me ju dhe opinionin publik.

Përsëritja e kësaj ngjarjeje brenda një objekti të sigurisë kaq të veçantë është e papranueshme dhe tregues i një mungese të theksuar të funksionimit dhe përgjegjshmërisë të institucioneve të sigurisë.

Si vend anëtar i NATO-s, kemi detyrimin të garantojmë standardet më të larta të sigurisë, veçanërisht atë të infrastrukturës strategjike portuale dhe aeroportuale.

Si kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, më 16 maj 2018, sikurse dhe ju e dini,kam organizuar mbledhjen e këtij Këshilli me objekt “Gjendjen e sigurisë kombëtare dhe direktivën vjetore të sigurisë së Republikës së Shqipërisë për vitin 2018; kontrollin dhe menaxhimin e integruar të kufijve, luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe emigracionit të paligjshëm; emergjencat civile, sigurinë e infrastrukturave strategjike portuale dhe aeroportuale dhe mbrojtjen kibernetike”.

Pika 3 e axhendës së këtij takimi ishte “Raporti mbi sigurinë e infrastrukturave strategjike, portuale dhe aeroportuale, të RSH-së”.

Bazuar mbi raportet paraprake të përcjella nga institucionet përgjegjëse, kam ngritur në mënyrë të veçantë shqetësimin lidhur me:

  1. Mungesën e përgjegjësive të qarta mbi sigurinë në Aeroportin Nënë Tereza;
  2. Mangësitë në akses dhe koordinim për ndërhyrjen e duhur të Policisë së Shtetit në rast rreziku.

Këto shqetësime u mbështetën dhe u evidentuan edhe nga përfaqësuesit e disa Institucioneve të rëndësishme në këtë mbledhje.

Në konkluzion të kësaj pike të axhendës u evidentua domosdoshmëria e trajtimit urgjent të të gjithë problematikës dhe zgjidhjen e saj përfundimtare.

Në përfundim të mbledhjes së Këshillit, detyrat e dala për secilin institucion u janë përcjellë zyrtarisht të gjithë anëtarëve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, më 8 qershor 2018, sipas përgjegjësive përkatëse.

Ndër këto detyra, është kërkuar ngritja urgjent e grupit të përbashkët të punës nën drejtimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për trajtimin dhe zgjidhjen përfundimtare të të gjithë problematikës së sigurisë në aeroportin “Nënë Tereza”, sikurse u evidentua edhe gjatë ngjarjes së grabitjes së parë brenda pistës së fluturimeve.

Në këto kushte, si President i Republikës e konsideroj ngjarjen e përsëritur të grabitjes së djeshme brenda territorit të aeroportit “Nënë Tereza” cënim serioz të sigurisë kombëtare, rendit publik dhe imazhit të vendit.

U kërkoj agjencive ligjzbatuese të vazhdojnë me vendosmëri operacionet për identifikimin e plotë dhe kapjen e autorëve,si dhe gjetjen e vlerave monetare të grabitura.

Të gjitha autoritetet përgjegjëse dhe institucionet ligjzbatuese të kryejnë hetime të plota dhe të thella për zbardhjen e shpejtë të kësaj ngjarjeje të rëndë dhe të përsëritur.

Të nxirren dhe të evidentohen përgjegjësitë e plota për çdo institucion që nuk ka kryer detyrën sipas ligjit për parandalimin e kësaj ngjarjeje të përsëritur, që mund të kishte patur pasoja edhe më të rënda dhe të rrezikshme me pasoja tragjike për jetën e qytetarëve tanë dhe të huaj.

Prokuroria të hetojë jo vetëm grabitjen e djeshme por edhe për mosmarrjen e masave në përmbushjen e detyrimit ligjor dhe rekomandimeve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë të çdo institucioni dhe individi që nuk ka kryer detyrën.

Nga ky moment Institucioni i Presidentit të Republikës, vendos në dispozicion të Prokurorisë të gjithë dokumentacionin që disponon mbi zhvillimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të datës 16 maj 2018 dhe konkluzioneve të tij.

Skip to toolbar