Prova që do fundosi grabitësit në Rinas

Policia ka gjetur një provë të re në vendin ku u bë edhe shkëmbimi i zjarrit me grabitësit, ku mbeti i vdekur Admir Murataj.

Sipas BalkanWeb hetuesit kanë gjetur një telefon celular pranë vendit ku ndodhet dhe trupi i viktimës dhe mendihet se është përdorur nga vetë Murataj.

Pritet që organet përkatëse të bëjnë ekspertizën e telefonit për të zbardhur komunikimet që janë realizuar me të.

Policia e konsideron këtë si provën më të fortë për zbulimin e grabitësve të tjerë.

“Avokati i Ramës gënjeu, ja provat”

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka tha se me vjedhjen e parave në Rinas nuk u cënua vetëm siguria por u dokumentua edhe përfshirja e qeverisë në të.

Paloka tha se avokati i Ramës, Eno Bushi është aksioner në kompaninë që duhet të siguronte mbrojtjen e aeroportit duke renditur disa prova gjatë fjalës së tij.

Lexoni deklaratën e plotë të nënkryetarit të PD, Edi Palokës.

“Grabitja e armatosur dhe e përsëritur në Rinas është dëshmia se qeveria jo vetëm ka dështuar për të garantuar siguri, por është përfshirë këto ditë në mbrojtjen e kompanisë, përgjegjëse për sigurinë në Rinas.

Me këtë kompani, qeverinë e Edi Ramës, e lidhin disa fije, duke nisur me avokatin e tij, Eno Bushi, i cili ka zotëruar aksione me të njëjtën kompani që paguhet për të garantuar sigurinë në aeroport.

Avokati i Edi Ramës, Eno Bushi, gënjeu dje, kur deklaroi se nuk ka asnjë lidhje me kompaninë ICTS ALBANIA, përgjegjëse për sigurinë brenda aeroportit të Rinasit. Ai tha se kishte pasur aksione në një kompani me emër të ngjashëm, ICTS ALBANIA- INTEGRATED SERVICES dhe se ngatërresa ndaj tij është e qëllimshme, e motivuar politikisht.

Të gjithë e dimë se gjysmë të vërtetat janë gënjeshtra dhe synojnë të mbulojnë të vërtetën.

E vërteta numër 1 është se kompania ICTS ALBANIA, përgjegjëse për sigurinë në Rinas dhe kompania ku avokati i Edi Ramës kishte 25% të aksioneve, janë e njëjta kompani, me dy nipte dhe emra të ndryshëm.

  1. Të dyja kompanitë kanë një pronar ICTS EUROPE.
  2. Të dyja kompanitë, njëra e themeluar në shkurt 2005, tjetra në Mars 2009, janë regjistruar nga i njëjti person. Panagiotis Kambouroglou. Në 2009, shtetasi grek autorizon si një nga përfaqësuesit ligjorë të shoqërisë, Eno Bushin.
  3. Të dyja kompanitë kanë të njëjtin person që firmos për pagesa mbi 50 mijë apo luan rolin e Administratorit, Aldi Meloholli.
  4. Të dyja kompanitë kanë të njëjtin drejtor teknik për sigurinë
  5. Të dyja, kompanitë kanë ndryshuar adresë në të njëjtën kohë, në 2011-ën: Bulevardi “Gjergj Fishta”, pallati Edil-al, shkalla 1, ap 9.3.
  6. Të dyja kompanitë kanë ndryshuar pronar në shkurt 2013, duke kaluar nga hollandezët tek francezët. Në këtë kohë, avokati i Edi Ramës bëhet pronar me 25 përqind të aksioneve, në kompaninë me pronare vendimmarrëse përgjegjësen për sigurinë e Rinasit.
  7. Të dyja kompanitë, në Korrik 2014, kanë një adresë të re, të njëjtën adresë: Qendra Alpas, godina 146, hyrja 2.

Të gjitha këto janë fakte që e lidhin avokatin e Edi Ramës me kompaninë që merr rreth 2 milionë euro çdo vit për sigurinë e aeroportit të Rinasit.

E vërteta numër 2 është se qeveria hesht prej tre ditësh dhe nuk përmend si bashkë përgjegjëse për grabitjen në Rinas kompaninë, që lidhet direkt me avokatin e Edi Ramës.

E vërteta numër 3 është se kompania që duhet të siguronte Rinasin është në biznes me qeverinë e Edi Ramës dhe ka marrë tenderat e sigurisë në çdo pikë strategjike të vendit.

E vërteta numër 4 është se kompania ICTS Albania operon në Shqipëri që prej 2005-ës, por siguria kombëtare u cenua 2 herë brenda aeroportit të Rinasit gjatë qeverisjes së Edi Ramës. Një herë në 2016-ën, kur Sandër Lleshi drejtonte Bordin e Aviacionit Civil që duhet të mbikëqyrte përmbushjen e kushteve nga kompania dhe, tani, kur Sandër Lleshi është Ministër i Brendshëm.

E vërteta numër 5 është se qeveria e Edi Ramës nuk e lufton dot krimin, sepse pushteti i saj buron nga blerja e votave nëpërmjet krimit. Largimi i tij është emergjencë kombëtare!”

Zyrtare: Në Rinas u vodhën 5 milionë euro. Së shpejti, arrestime

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka qenë mbrëmë i ftuar në emisionin “Real Story” në Vizion Plus, ku përballë gazetarit Sokol Balla ka thënë edhe shifrën e saktë të parave që janë grabitur në Rimas. Lleshaj tha se janë vjedhur 5 milionë euro dhe jo 10 milionë sa ç’është thënë deri më tani në media të ndryshme. 

“Nga informacionet që kam unë, shifra që është grabitur është rreth 5 milion euro”, është shprehur ministri.

Ai gjithashtu ngarkoi me përgjegjësi konçensionarin e Rinasit për mungesën e sigurisë.

“Ne kemi identifikuar përgjegjësin kryesor te kësaj ngjarje, qe është koncesionari pasi ky është rast i përsëritur dhe per me tepër ka disa letra dërguar kompanisë qe duhet te rriste sigurine dhe jane injoruar ne mënyre sistematike çuditerisht. Fakti qe kontraktori ka ceduar ne ndërtimin e nje barriere sado te vogël qe te na jepte ne mundësi te reagonim, tregon dobësinë e tyre. Jo vetëm që koncesionari nuk I ka dhënë qoftë edhe 1 minutë më shumë kohë policisë për ndërhyrje, por as nuk ka njoftuar e konfirmon këtë gjë”, është shprehur ministri.

Ndërkaq Lleshaj garantoi se policia është në gjurmët e grabitësve dhe shumë shpejt do të kemi arrestime.

“Hetimet për grabitjen kanë ecur mirë. Janë mbledhur prova të shumta dhe të rëndësishme që do ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes. Reagimi i fortë dhe i shpejte I policisë ka bërë që grupi kriminal të lërë pas disa prova mjaft të vlefshme. Ka prova te tilla qe garantojnë sukses te mirefillte per te zbardhur ngjarjen por nuk mund te them se kur do te behen arrestime”, u shpreh ministri i Brendshëm.

Ushtria merr në mbrojtje Rinasin, por Presidenti kërkon informacion

Duket se Presidenti Ilir Meta ka rezerva në lidhje me vendimin e qeverisë që siguria në aeroportin e Rinasit të garantohet nga Ushtria.

Gjatë ditës së sotme zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi ka konfirmuar se presidenti i Republikës i ka kërkuar informacion Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, Bardhyl Kollçaku se kush është baza ligjore të cilës i është referuar Ministria e Mbrojtjes,  për të vendosur efektivët e Policisë Ushtarake dhe Batalionin e Forcave të Armatosura në perimetrin e sigurisë së aeroportin “Nënën Tereza”.

 “Presidenti i Republikës i ka kërkuar zyrtarisht informacion Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral Brigade Bardhyl Kollçakut, mbi bazën ligjore të vendosjes së efektivëve të Policisë Ushtarake dhe Batalionit Special të Forcave tona të Armatosura në perimetrin e sigurisë së aeroportit “Nënë Tereza. Pasi të ketë një informacion më të plotë mund të bëjë një reagim publik”, thekson zëdhënësi i Presidentit.

Një ditë më parë ka qenë vetë ministrja e mbrojtjes, Olta Xhaçka e cila njoftoi që në perimetrin e sigurisë së aeroportit “Nënë Tereza” do të vendosen efektivë të Policisë Ushtarake dhe Batalionit Special të Forcave tona të Armatosura. Sipas saj kjo është një praktikë, që zbatohet sot në thuajse çdo kryeqytet evropian për garantimin e sigurisë së objekteve të rëndësisë së veçantë.

Pritet të kemi një tjetër reagim nga presidenti në orët në vijim.

Pas grabitjes së parave, ushtria zbarkon në Rinas

Pas grabitjes të një sasie të konsiderueshme parash në aeroportin e Rinasit, siguria e tij, tashmë ka kaluar në duart e ushtrisë.

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka paralajmëroi dje se policia ushtarake ka nisur dislokimin drejt pjesës ushtarake në territorin e aeroportit të Rinasit, duke qenë se atje ndodhet edhe Komanda Ajrore e Forcave të Armatosura.

Siç duket edhe nga fotot, gjatë natës së mbrëmshme mjetet e ushtrisë janë vendosur pranë aeroportit të Rinasit për të garantuar sigurinë e tij të plotë dhe për të mos lejuar më grabitje si e ajo disa ditëve më parë.

Tashmë siguria e aeroportit të Rinasit do të jetë përgjegjësi e efektivëve të Policisë Ushtarake dhe Batalionit Special të Forcave të Armatosura.

Krijohet video-skema e grabitjes në Rinas

E gjithë ngjarja e grabitjes në Rinas, që ka tronditur themelet e sigurisë në vendit, është realizuar në një video 3D.

Video e publikuara nga Tv Klan tregon të gjithë ngjarjen se si ka ndodhur grabitja me furgonin tip “Volkswagen” që kur ka hyrë me grabitësit nga dera e jashtme e aeroportit, vjedhjen e thasëve me para në pistën e avionit e deri në përplasjen me arme zjarri me policinë, ku mbeti i vrarë Admir Murataj. E gjithë grabitja ka ndodhur në 300 sekonda.

Gruaja identifikon viktimën. Ja kush është organizatori i grabitjes në Rinas

Personi i vrarë dje në Rinas gjatë grabitjes së 10 milionë eurove është Admir Murataj. Trupi i tij është identifikuar nga bashkëshortja e cila u mor në pyetje nga policia, gjatë paradites së sotme.

Nga pamjet e bëra publike dje në mediat televizive, Admir Murataj mban në fytyrë një maskë silikoni, dhe duket tullac, me mjekër dhe me syze të errëta.

Ai u qëllua dje për vdekje pasi grupi i tij arriti të vidhte në Rinas, jo pak por 10 milionë euro, ndërkohë që u përballën me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Policisë.

Admir Muarataj akuzohet edhe për 3 grabitje të tjera, dy në 2015 dhe një në 2017. Ndërkohë që është arratisur nga burgu i Trikallas në Greqi. Sipas medieve greke, Murataj ka përdorur 15 emra të ndryshëm.

Admir Murataj

“Aeroporti më i pasigurt në botë, paratë do përdoren për fushatë”

Pas ngjarjes së rëndë u ku grabitë një shumë e madhe parash dhe një nga autorët mbeti i vdekur në aeroportin e Rinasit, ka reaguar edhe ish-kryeministri Sali Berisha.

Përmes një postimi në Facebook, Berisha shkruan se kjo grabitje e radhës tregon dhe një herë se ky është aeroporti më i pasigurt në botë dhe se këto para do të përdoren për fushatën elektorale të ardhshme.

“Bandat e partisë grabisin për së dyti miliona euro në pistën e avionëve të aeroportit më të pasigurt në botë, pra të Rinasit. Grabitësit e armatosur morën të gjitha arkat nga mikrobusi i blinduar që do ngarkoheshin në avion. Rojet e armatosura private që shoqëronin mikrobusin me arka me para dhe rojet e aeroportit bën sehir!

Hajdutët me automjetin me arkat e plaçkitura që përmbanin miliona euro u zhdukën në drejtim të paditur. Ndërkohë afër Fushë Krujës policia ekzekutoi besohet njërin nga banditët. Paratë e grabitura, në traditën e njohur do t’i përdorim për fushatën elektorale të ardhshme.” – shkruan Berisha

Një tjetër grabitje në Rinas, vritet një nga autorët

Një tjetër rast grabitje ka ndodhur në Rinas, ku është sulmuar një makinë e blinduar që transportonte vlera monetare.

Sipas njoftimit të policisë persona të armatosur dhe me maska kanë thyer derën e rrethimit që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse dhe kanë grabitur një sasi lekësh në pistën e avionit dhe janë larguar.

Në ndjekje të tyre janë vënë forcat e FNSH dhe ato të Policisë Kufitare të Rinasit.

Gjatë ndjekjes në një rrugë dytësore, autorët kanë shkëmbyer zjarr me Policinë, e gjatë këtij shkëmbimi ka humbur jetën njëri prej autorëve të grabitjes. Policia ka gjetur ndërkohë dhe bllokuar një mjet fugon.

Forca speciale policore si RENEA e FNSH, të ndihmuara nga një helikopter janë ende në ndjekje të autorëve të grabitjes.

Të angazhuara në operacionin e gjerë janë edhe forca nga Policia e Tiranës, Lezhës, Dibrës e Durrësit.

Tërhiqet kompania ajrore: Nuk transferojmë më para nga Rinasi

Kompania ajrore Austrian Airlines ka dalë sot me një deklaratë zyrtare përmes të cilës njofton se nuk do të bëjë më asnjë transferim parash nga Rinasi drejt Austrisë.

Vendimi është marrë pas ngjarjes së djeshme ku një bandë grabitësish ia dolën të vidhnin në Rinas, jo pak por 10 milionë euro.

Zëdhënësja e kompanisë, Tanja Gruber deklaroi se do të ndërpriten të gjitha transferimet nga Tirana.

 “Pas grabitjes me armë nuk pati asnjë rrezik për ekuipazhin dhe udhëtarët. Avioni u vonua për tri orë. Por si një masë sigurie, nuk do të ketë transferime të mëtejshme në para nga Tirana në Vjenë” tha ajo.

Skip to toolbar