Lutjet e Hajdarit në Kuvend

Deputetja Rudina Hajdari ka replikuar disa herë me Kryeministrin Rama gjatë seancës së sotme parlamentare, ndërsa është lutur që opozita dhe qeveria t’i japin fund krizës dhe të shmangin një përplasje civile.

‘Do të kërkoja me përulje të pranoni ftesën time që t’i jepni fund kësaj krize. Asnjë nuk do që ne të kemi përplasje civile. Kemi kaluar shumë në këtë vend, kemi pasur situata të vështira, dhe ne me vullnet të plotë mundemi dhe duhet ta evitojmë këtë situatë. Nuk mund të themi thjeshtë ka kaq ndëshkim për këtë që bën atë dhe kaq për këtë. Duhet vullnet real. ” – tha Hajdari

Rudina Hajdari propozon 3 amendime për Kodin Zgjedhor

Kryetarja e Grupit Parlamentar të PD-së, Rudina Hajdari ka propozuar sot në seancë parlamentare 3 amendime për Kodin Zgjedhor.

Hajdari vuri theksin në nevojën urgjente për të eliminuar shit-blerjen e votës, ndalimin e përdorimit abuziv të fondeve publike dhe mbrojtjen e listave zgjedhore dhe çdo tentative manipulimi.

Në këtë seancë plenare, Kuvendi i Shqipërisë pritet të votojë ngritjen e komisionit parlamentar për Reformën Zgjedhore, i cili nga 18 anëtarë pritet të ketë një numër më të reduktuar, me pjesëmarrje të barabartë nga mazhoranca dhe dy grupet e reja parlamentare, atij demokrat të kryesuar nga Rudina Hajdari, dhe atij të deputetëve të pavarur, Nimet Musai. Bashkëkryetar do të jetë Damian Gjiknuri nga PS dhe Korab Lita nga PD.

Pjesë e Bindjes Demokratike? Hajdari: Do vazhdoj rrugën time

Pas deklaratave publike që bëri Patozi duke i lënë dyert e hapura për Rudina Hajdarit për t’u bërë pjesë e partisë së re “Bindja Demokratike”, ka reaguar edhe kjo e fundit.

Në një intervistë në TVSH, Hajdari tha se nuk kishte pasur asnjë rol në krijimin e kësaj partie, por ka pasur gjithmonë një ftesë nga Patozi për t’u bërë pjesë e saj. Ajo tha se i uron suksese partisë së sapo formuar, por ajo do të ndjek rrugën e saj.

“Kam folur hapur me krijuesit, por nuk kam pasur asnjë lloj roli në krijimin e kësaj partie. Lajmet dolën se unë isha shprehur hapur, isha pro mos bojkotimit të zgjedhjeve. Isha pro dhe të formimit të një forumi politik që do përfaqësonin demokratët. PD dhe partitë e tjera kanë zgjedhur një mënyrë anti-kushtetuese dhe jo të përshtatshme të një vendi që kërkon të futet në BE. Nuk kam pasur asnjë rol në këtë parti politike. Zotit Patozi i uroj suksese, por do vazhdoj rrugën time.” – tha Hajdari

Rudina Hajdari flet për partinë: Shqiptarëve u duhet “një elitë e re politike”

Rudina Hajdari ka bërë sot një koment në facebook ku ka ndarë këndvështrimin e saj për krijimin e një partie të re, të cilën e cilëson një alternative shprese për shqiptarët. Ajo gjithashtu thekson se shqiptarëve u duhet një elitë e re politike.

Rudina Hajdari ishte ndër deputetet e PD-së që kundërshtoi vendimin për të dorëzuar mandatin e deputetes. Madje ajo u zgjodh kryetare e grupit të ri parlamentar të PD-së që përbëhet nga deputetët e rinj të kësaj partie që u futën në kuvend pas spostimit të emrave në listë.

Postimi i plotë i Hajdarit në Facebook:

Çdo moment ndjek me vëmëndje dhe ndjeshmëri, përpjekjet që bëhen për zhvillimin dhe prosperitetin e jetës politike në vend. Krijimin e çdo forumi të ri politik, e shikoj si një hapësirë më shumë, për demokratizimin e politikës dekadente që ka përfshirë vendin dhe gjithsecilit i uroj rrugëtim të mbarë dhe suksese në përpjekjet e tij.

Është e kuptueshme se Shqiptarët janë tejet të lodhur e të shqetësuar nga kjo politikë e mërzitshme dhe e dëmshme 28 vjeçare prandaj krijimi i një alternative të re, të vërtetë dhe shpresëdhënëse që ka për qëllim interesin publik, përfaqësimin qytetar dhe një politik-bërje të re me standarde perëndimore do të ishte një iniciativë për t’u gëzuar.

Ajo që më bën përshtypje në kushtet e “psikiatrisë politike” ku jemi futur është fakti që personalisht, pa dhënë asnjë deklarim apo pa ndërmarrë asnjë iniciativë lidhur me këtë, më cilësojnë si kryesuse të një forumi të ri që po krijohet, por nga kontaktet që zhvilloj anë e mbanë vendit, dhe kudo ku ka shqiptarë të ndershëm, duke respektuar dhe festat e Pashkëve, nuk jam shprehur më parë.

Pak ditë më parë, në deklarimin që bëra në Parlament, shpreha vullnetin e grupit që kryesoj dhe ky do të mbetet angazhimi im kryesor. Natyrisht, në rrugëtimin që kemi nisur, prania e demokratëve të ndërshëm dhe gjithë atyre që aspirojnë një demokraci të vërtetë, do të jenë mbështetja e jonë.

Shqiptarëve u duhet “një elitë e re politike” dhe ne e konsiderojmë një obligim parësor, përgatitjen e një formule të përshtatshme përfaqësimi politik, në mënyrë që deputetët dhe të zgjedhurit t’i caktojnë qytetarët dhe jo kryetarët e partive. Ka shumë modele që mund ta realizojnë këtë qëllim, që nga sistemi i pastër mazhoritar, e deri tek ai proporcional kombëtar me lista të hapura nëpërmjet të cilave shpresojmë të nxjerrim jashtë të gjithë elementët e korruptuar që vijnë nga bota e krimit, që me drejtimin e mazhorancës qeverisëse, e kanë futur vendin në një drejtim pa shpresë dhe të ardhme.

Çdo moment ndjek me vëmëndje dhe ndjeshmëri, përpjekjet që bëhen për zhvillimin dhe prosperitetin e jetës politike në…

Publiée par Rudina Hajdari sur Lundi 22 avril 2019

Krijohet partia “Bindja Demokratike”, kryetar është…

Pas konfirmimit si kryetare e ‘grupit parlamentar demokratik’ në parlament, Rudina Hajdari do të krijojë edhe një parti të re. Sipas Top Channel partia do të quhet “Bindja Demokratike” dhe mendohet se në radhët e saj do të jenë edhe ish të larguarit nga Partia Demokratike e Shqipërisë.

Astrit Patozi mendohet të jetë në radhët e partisë, i cili ka shprehur hapur mbështetjen e tij për vendimin e Rudina Hajdarit për të qëndruar në parlament dhe për të marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit.

Pritet që partia të regjistrohet zyrtarisht ditën e martë.

Hajdari mbron legjitimitetin e “Grupit Parlamentar Demokrat”

Rudina Hajdari u shpall ditën e djeshme në seancën plenare si kryetare e “Grupit Parlamentar Demokrat”, që përbëhet nga ato deputetë që kanë pranuar mandatet nga lista e PD-së dhe ndodhen aktualisht në parlament. Hajdari tha se ky grupim parlamentar është krijuar në përputhje të plotë me ligjet dhe rregulloren e Kuvendit.

“Grupi Parlamentar Demokrat” është krijuar në përputhje të plotë me Rregulloren e Kuvendit, ligjet në fuqi dhe Kushtetutën e Shqipërisë.
Sikurse unë ashtu edhe deputeti Myslim Murrizi nuk jemi larguar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike. Partia Demokratike me vendimin për “dorëzimin në bllok të mandateve” vendosi njëkohësisht të ndërpresë përfaqësimin në Kuvend dhe të shkrijë Grupin Parlamentar të PD.
Neni 15, pika e Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë përcakton se:
“2. Për krijimin e një grupi parlamentar kërkohet një minimum prej 7 deputetësh.
Çdo deputet mund të jetë anëtar vetëm i një grupi parlamentar. Një deputet që
largohet nga grupi parlamentar, mund t’i bashkohet një grupi tjetër parlamentar
vetëm pas gjashtë muajve nga data e largimit”.
Ndaj nuk jemi në kushtet e largimit nga Grupi Parlamentar i PD (dhe nuk është i vlefshëm kushti i afatit 6 mujor) por në rrethanat e gjendjes së faktit ku deputetët e Kuvendit në bazë përkatësisë partiake apo të orientimit politik në përputhje me Rregulloren vendosin për krijimin e Grupit Parlamentar.
Grupi Parlamentar Demokrat është krijuar mbi bazën e orientimit politik të djathtë me qëllim:

  1. Zgjidhjen e krizës politike përmes Reformimit të sistemit zgjedhor (politik).
  2. Përfaqësimin e vërtetë dhe me integritet të Demokratëve dhe oponencës qytetare në Kuvend.
  3. Misionin për Integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.” – shkruan Hajdari në Facebook.

"Grupi Parlamentar Demokrat" është krijuar në përputhje të plotë me Rregulloren e Kuvendit, ligjet në fuqi dhe…

Publiée par Rudina Hajdari sur Vendredi 19 avril 2019

Ish drejtuesi i PD i kthen kurrizin Bashës dhe uron Rudina Hajdarin

Rudina Hajdari është zgjedhur Kryetare e Grupit Parlamentar të deputetëve të rinj që janë futur rishtas në parlament nga lista e PD-së. Ajo sapo ka marrë urimin e parë nga ish nënkryetari i kësaj partie, Astrit Patozi i cili e këshillon që të bëjë një opozitë të fortë dhe të denoncojë qeverinë e korruptuar në mbrojtje të interesit publik.

Patozi njihet si një kritik i ashpër i kreut të PD-së Lulzim Basha, ndonëse e ka bërë të qartë se nuk do të krijojë vetë një parti të re demokratike, por ka lënë të hapur mundësinë t’i bashkohet një lëvizje për reformimin e PD-së. Ndoshta mund të jetë ky rasti.

“ME KËMBË TË MBARË!

Urimet më të mira dhe suksese Grupit Parlamentar Demokrat!

Opozitë të fortë dhe denoncim të qeverisë së korruptuar, në mbrojtje të interesit publik. Përfaqësim dinjitoz të zgjedhësve në parlament dhe përgatitje e alternativës së re për qytetarët shqiptarë.

Fantastike kauza për ndryshimin dhe riformatimin e sistemit politik në Shqipëri, si rruga e vetme për ta nxjerrë shoqërinë nga nofullat e partitokracisë, e cila ushqen korrupsionin, autoritarizmin, padrejtësisë, abuzimin me pushtetin, dhe mbi të gjitha deformon hapur dhe qartë vullnetin e qytetarëve.

Beteja dhe fitorja e kësaj kësaj kauze është parakushti kryesor për zgjedhjet e lira dhe të ndershme në Shqipëri.

Me këmbë të mbarë!”, shkruan Patozi në Facebook.

Rudina Hajdari merr postin e rëndësishëm në PD

Me largimin e deputetëve të opozitës dhe me ardhjen e deputetëve të rinj, janë konfiguruar edhe njëherë Grupet Parlamentare në Parlament. Kështu kryetare e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike është zgjedhur Rudina Hajdari. Megjithëse më herët Partia Demokratike ka deklaruar se nuk mund të përdorin emrin e kësaj force, pasi emrat që kanë pranuar mandatet janë përjashtuar.

Ndërsa Grupi Parlamentar i LSI është quajtur Grupi i të Pavarurve dhe do të drejtohet nga Nimet Musai.

Grupi parlamentar demokrat

Rudina Hajdari-kryetare

Myslim Murrizi

Korab Litra

Arben Elezi

Arlind Çaçani

Halit Jakimi

Alban Zeneli

Grupi i deputetëve të pavarur

Nimet Musai-kryetar

Edlira Hyseni

Enver Roshi

Ralf Gjoni

Ediola Braha

Ylli Shehu

Aurora Mara

“Basha nuk qeveris dot shtëpinë e tij”

Një lum kritikash ndaj Bashës ka bërë mbrëmë në emisionin “Open”, deputetja e PD-së, Rudina Hajdari, e cila nuk hoqi dorë nga mandati ashtu siç bënë deputetët e opozitës.

Hajdari e akuzoi Bashën për autoritarizëm, për marrjen e vendimeve pa u konsultuar, ndërsa kërkoi largimin e tij për shkak se “nuk mund të qeverisë dot as shtëpinë e tij”.

“Vendimi për djegien e mandateve është marrë në mënyrë autoritare pa u konsultuar me bazën e partisë. Unë do të kërkoj së shpejti transparencë për partitë politike që nga financimi deri tek zgjedhja e kandidatëve. Lulzim Basha duhet të ikë pasi nëse nuk qeveris dot shtëpinë tënde nuk mund të qeverisësh vendin”, është shprehur Hajdari në emisionin Open.

Ajo gjithashtu bëri të ditur e konsultohet me zyrtarë amerikanë. “Sigurisht që unë këshillohem me miq të huaj, kam punuar në Kongresin amerikan, por nuk besoj dhe nuk mendoj se jam e privilegjuar prej tyre. Unë jam pjesë e komisionit të Jashtëm, atij të Integrimit, dhe interesohem nga afër për procesin e integrimit të Shqipërisë. Ne duhet të shohim një lloj mekanizmi që t’i provojmë liderët tanë në opinionin publik”, tha Hajdari.

Një tjetër dilemë e ngritur nga publiku, është a po përgatitet Rudina Hajdari të formojë një parti të re? “Nuk besoj se është momenti për këtë gjë. Unë besoj se është koha e duhur për të bërë disa reforma të rëndësishme, si ajo e Kodit Zgjedhor, që do të sjellë shumë ndryshime, e ndoshta edhe ndryshim të sistemit politik. Ajo që dua unë të shoh është të kemi një tryezë që përfshin të gjithë faktorët politik, që të flasë për një reformë të thellë qoftë për partitë politike, ashtu dhe për Kodin Zgjedhor”, tha më tej Hajdari.

Skip to toolbar