Covid-19 në institucionet e drejtësisë. Prokurorë e gjyqtarë rezultojnë pozitivë

Kreu i komanduar i gjykatës së Kurbinit Dedë Miri, rezulton të jetë prekur nga Covid-19. Burime për ‘Real story’ thanë se gjyqtari Miri ndodhet në gjendje të rëndë në një prej spitaleve Covid. Gjendja e tij shëndetësore rëndohet edhe për faktin se prej 15 vitesh gjyqtari Dedë Miri ka punuar në minierë.

Raste pozitive me Covid-19 janë shfaqur sakaq në disa institucione të drejtësisë. Mësohet se në SPAK janë konfirmuar 5 të infektuar me koronavirus, nga të cilët një gjyqtar, një prokuror, një financiare dhe një punonjës i zyrës së shtypit. Gjithashtu edhe në Prokurorinë e Tiranës, kanë rezultuar pozitiv me Covid-19, tre prokurorë.

“Më lejoni të vizitoj vajzën”, gjyqtarja me ‘arrest shtëpie’ kërkon leje në SPAK, por i refuzohet

“Gjatë kohës që ndodhem në masë arrest shtëpie vajza ime ka manifestuar një gjendje hemorragjie, gjak nga hundët, ngjarje e ndodhue në datën 15.09.2020. Kam njoftuar mjekun e lagjes, i cili nëpërmjet rekomandimit me shkrim ka udhëzuar për vizitë klinike pranë specialistit përkatës.” – me këto fjalë, gjyqtarja Mimoza Margjeka i është drejtuar SPAK ku i kërkon leje për të vizituar vajzën e saj.

Margjeka, e cila ndodhet nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”, pasi u zbulua se ishte pjesë e një skeme korrupsioni, përmes një shkrese i kërkon SPAK të shoqërojë në spital vajzën e sëmurë.

“Gjatë kohës që ndodhem në masë arrest shtëpie vajza ime ka manifestuar një gjendje hemorragjie, gjak nga hundët, ngjarje e ndodhue në datën 15.09.2020. Kam njoftuar mjekun e lagjes, i cili nëpërmjet rekomandimit me shkrim ka udhëzuar për vizitë klinike pranë specialistit përkatës. Në kushtet që ndodhen në arrest shtëpie e kam të pamundur të asistoj vizitat dhe mjekimin e vajzës për shkak se edhe bashkëshorti siç edhe jeni në dijeni ndodhet në paraburgim me vendim gjykatë dhe nuk kam njerëz të tjerë familjare apo të afërm të më ndihmojë. Ju lutem më mundësoni nëpërmjet ndonjë akti shkresor të lëshuar nga ju, miratimin e shoqërimit të vajzës në kryerjen e vizitave mjekësore”, thuhet në shkresën e gjyqtares.

Në përgjigje, Prokuroria e Posaçme ka vendosur të mos e miratojë lejen e gjyqtares. Kujtojmë se pjesë e kësaj skeme korruptive ishte edhe bashkëshorti i gjyqtares, Arben Cara, i cili është lënë në “arrest me burg”.

“Mundësia për të shkruar historinë”. Thirrja e SHBA: Aplikoni për BKH

Pak ditë nga mbyllja e aplikimeve për pozicionin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, (BKH), Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëpërmjet selisë së tyre diplomatike në Tiranë, u bën thirrje qytetarëve shqiptarë, që plotësojnë kriteret, të aplikojnë për BKH-në. SHBA e cilëson këtë rast si “një mundësi për të shkruar historinë”.

“E dini se çfarë ju nevojitet për të aplikuar për pozicionin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit? Integritet, përvojë profesionale dhe aftësi udhëheqëse. Çdo person që plotëson kriteret minimale të përcaktuara nga ligji i SPAK, mund të aplikojë për këtë pozicion. Bëni përpara dhe aplikoni tani! Kjo është mundësia juaj për të shkruar historinë”, thotë SHBA.

Gjithashtu, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, kanë publikuar edhe listën e kritereve që duhet të plotësojnë kandidatët që synojnë të bëhen drejtues të BKH-së. Ndër kriteret kryesore renditen; arsimi i lartë policor, eksperienca e punës si prokuror, punonjës policie, punonjës i policisë Gjyqësore, apo Hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Në rastet e punonjësve aktualë apo të mëparshëm të Policisë së Shtetit, kandidati duhet të ketë mbajtur për jo më pak se 3 vjet gradën “Komisar”, “Kryekomisar”, “Drejtues” apo “Drejtues i Parë”. Byroja Kombëtare e Hetimit është hallka kryesore e SPAK, e cila do të ndihmojë në hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta.

🇦🇱️ │ E dini se çfarë ju nevojitet për të aplikuar për pozicionin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit?…

Gepostet von U.S. Embassy-Tirana am Freitag, 24. Januar 2020

Lefter Alla “jep llogari” në SPAK: Pezullimin e ka në dorë drejtësia

Kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla për rreth 1 orë e 20 minuta ka dëshmuar para prokurorit të SPAK, Ened Nakuçi lidhur me videon, ku PD e akuzon se është duke konsumuar kokainë në një lokal. Pas përfundimit të dëshmisë, Alla i shoqëruar nga avokati i tij Petrit Ismaili nuk është prononcuar për mediat duke thënë shkurt se gjithçka kishte për të thënë e tha para drejtësisë dhe se çështjen e pezullimit të tij e ka në dorë ajo.

Do bisedojmë herë tjetër. Do kemi kohë. Sot s’kam komente. Komentet i kam në prokuroi. E ka në dorë drejtësia edhe pezullimin tim nga detyra”, tha Alla ndërsa largohej nga SPAK. Ndërsa avokati i tij, Petrit Ismaili e cilësoi videon një montazh, ndërsa shtoi se Alla nuk ka arsye të japë dorëheqjen nga posti i kryebashkiakut. “Montazh, video nuk duket fare se kush është. Nuk ka arsye të japë dorëheqjen”, u shpreh avokati.

Më herët Lefter Alla ka mohuar të jetë personi në video, ndërsa akuzon PD për montazh së bashku me një televizion lokal si dhe ka deklaruar se për këtë do të padisë ish-deputetin e Partisë Demokratike Ervin Salianji.

SPAK ka nisur një hetim për rastin duke e regjistruar si procedim penal, por nuk është sqaruar se për çfarë vepre penale. SPAK fillimisht duhet të vërtetojë origjinalitetin e videos dhe më pas të vërtetohet nëse personi në të është Lefter Alla, ndërsa një tjetër çështje që sjell edhe më shumë vështirësi në hetime është të konfirmohet nëse lënda ishte kokainë siç pretendohet apo diçka tjetër dhe nëse ajo është mbajtur dhe sjellë nga vetë kryebashkiaku. Në këto kushte, ka shumë gjasa që ky hetim mund të mos sjellë pasoja penale, por nëse vërtetohet që ai është Lefter Lala mund të sjellë përgjegjësi morale të tij si funksionar publik në drejtimin e Bashkisë Bulqizë.

Në lidhje me rastin deputetët e PS janë shprehur se nëse vërtetohet se është ai në video, atëherë përgjegjësia është personale.

Vetë Lefter Alla ka deklaruar se “ishte në dijeni të ekzistencës së këtij video-montazhit rreth një viti më parë por ka besuar se drejtësia do të zbardh të vërtetën”.

Pista e re për atentatin ndaj prokurorit Ndoji. SPAK hetime jashtë Shqipërisë

SPAK ka nisur një letër-porosi në një nga vendet e Bashkimit Europian, ku kërkon informacion për disa persona me rekorde kriminale, të cilët dyshohet se kanë lidhje të drejtpërdrejtë me atentatin e ndodhur ndaj prokurorit Arjan Ndoji. SPAK, i cili ka në dorë dosjen e hetimit të Ndojit, kërkon informacione më të thelluara për disa persona me rekorde kriminale, që sipas News 24 janë mjaft të njohur nga autoritetet shqiptare si pjesë e një grupi kriminal që operon në Durrës e Fushë Krujë.

Në lidhje me atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoji, e kryer në nëntor të 2019, është arrestuar si i dyshuar vetëm Redjan Rrahja, i cili vijon të mohoj se ka gisht në këtë ngjarje. Megjithatë provat e gjetura nga prokuroria, si gjurmë të gishtave dhe ADN-së së tij, vërtetojnë se ai ka qenë në makinë me të cilën është kryer atentati ndaj Ndojit, mikut të tij Aleksandër Laho i njohur si “Rrumi”, person me precedentë penal dhe shoferit Andi Maloku, i cili ndërroi jetë pak ditë pas sulmit në spital.

Dyshimet janë se sulmi ka lidhje me përplasjet e grupeve kriminale për çështjen e pronave në bregdet, ndërsa SPAK ka zgjeruar hetimet për rastin dhe përtej kufijve të Shqipërisë përmes letër-porosive për informacione shtesë në lidhje me të dyshuarit.

Çfarë duhet për t`u bërë pjesë e BKH

Të premten kreu i Prokurorisë së Posaçme Arben Kraja njoftoi hapjen e garës për zgjedhjen e drejtuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, një nga dy strukturat më të rëndësishme të SPAK. Kraja u bën thirrje kandidatëve potencial të marrin pjesë në këtë konkurrim. Ndërkohë, Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), do të vihet së shpejti në funksion edhe me ndihmën e SHBA.

Po çfarë duhet për t`u bërë pjesë e BKH-së?

Të gjitha kriteret e përzgjedhjes të hetuesve të BKH-së janë të përcaktuara në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për luftën kundër krimit të organizuar”. Krieteri i parë është që aplikanti të jetë shtetas shqiptar. Gjithashtu, aplikanti duhet të ketë arsim të lartë policor, në drejtësi apo kontabilitet, ose arsim të lartë në degë të tjera që lidhen me misionin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, nga një universitet vendas apo i huaj. Kandidatët duhet të kenë më shumë se 1 vit punë në institucionet e zbatimit të ligjit ose në një fushë tjetër që lidhet me qëllimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Gjithashtu, kandidati duhet të ketë plotësuar me sukses kritetert e përzgjedhjes dhe trajnimit për BKH-në.

Cilat janë fazat e përzgjedhjes?

Fillimisht, kandidati bën plotësimin e një aplikimi online, përfshirë një jetëshkrim elektronik dhe dokumentet mbështetëse, si dhe një deklaratë me shkrim mbi motivimin për t`u bërë pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Më pas, ai i nënstrhohet një provimi me shkrim dhe me gojë, ku përfshihen teste konjitive, te sjelljes dhe të arsyetimit logjik. Gjithashtu, kandidati do t`i nënshtrohet një provimi të zgjeruar me shkrim që mat aftësitë e shkrimit të raporteve, si dhe nivelin e shkrimit dhe leximit. Më pas ai do të intervistohet nga një komision që mat aftësitë e komunikimit verbal, si dhe aftësitë për t`i komunikuar idetë me efiçencë. Pas të gjithë këtyre testimeve, kandidati do të kalojë në testimet e aftësisë fizike, që mat forcën dhe rezistencën fizike.

Ndërkohë, ndaj kandidatit do të kryhet një hetim mbi verifikimin e figurës, i cili konfirmon se personi nuk është dënuar e nuk është shpallur më parë fajtor për vepra penale; dhe të ketë dhënë pëlqimin për t’iu nënshtruar testit të poligrafit rreth integritetit të kandidatit. Informacioni në raportin e përgatitur nga specialisti i poligrafit merret në konsideratë gjatë procesit të emërimit dhe atij të riemërimit.

Trajnimi dhe arsimi i kandidatit për BKH

Faza e fundit është ajo e trajnimit dhe arsimimit të kandidatit të përzgjedhur. Në këtë fazë, aplikanti do i nënshtrohet një regjimi regjimi rigoroz trajnimi dhe arsimimi, me një sërë modulesh vlerësimi që duhen kaluar përpara se të certifikohet. Pasi është certifikuar si i trajnuar dhe i aftë, kandidati konsiderohet hetues. Të gjithë hetuesit japin pëlqimin për t’iu nënshtruar një testi të poligrafit rreth integritetit çdo dy vjet. Informacioni në raportin e përgatitur nga specialisti i poligrafit merret në konsideratë gjatë procesit të riemërimit./Realstory.al/

“Unë besoj vetëm te SPAK”, Vasjari: Frika që kam për Shqipërinë

Si pritet të jetë viti 2020 për Shqipërinë dhe shqiptarët? Këtë pyetje gazetari Sokol Balla ua drejtoi katër analistëve të ftuar në “Real Story”, për të cilën, Arian Vasjari tha se Shqipëria po përballet me një plagë të madhe, largimin e të rinjve nga vendi. Sipas tij, ky problem po e shndërron Shqipërinë nga një vend me demokraci pa institucione në demokraci pa popull. “Marr shkas nga ajo që u tha për këtë model ekonomik. Një analizë e thjesht e fakteve më çon në konkluzionin se strukturat dhe superstrukturat ekonomike kur ndërtohen, është e vështirë të shkallmohen. Janë këto struktura që pastaj ndërtojnë dhe strukturat politike. Madje këto ndërtojnë dhe strukturat morale”, tha analisti.

Sipas tij, nëse sot në shoqërinë shqiptare ka hedhur rrënjë ajo ideja e rrufjanit për të bërë karrierë, kjo është reminishencë e atij modeli që ne na është imponuar. “Ne jemi një hap larg që superstrukturat e korruptuara ekonomike që janë në marrëdhënie me politikën, janë futur deri aty sa ne do na kondicionojnë për të ardhmen tonë. Unë kam frikë se ne kemi kaluar nga faza e demokracisë pa institucione, në fazën e demokracisë pa popull. Plaga jonë është se shqiptarët nuk ndiejnë dot më atraksion për Shqipërinë. Të rinjtë shqiptar nuk ndërtojnë dot një projekt në Shqipëri. Unë kam të bëjë me student, e kam të vështirë të gjej një që do të ndërtojë të ardhmen e tij në Shqipëri. Ne po shkojmë te demokracia pa popull. Kjo arratisje, nuk është fluks emigrator, na heq çdo lloj argumenti. Ky është një vend që për popullin e tij nuk vlen më. Mua kjo më shqetëson”, tha Vasjari.

Duke shprehur skepticizmin edhe për funksionimin e Reformës në Drejtësi, ku sipas tij po bëhen përpjekje për të politizuar segmente të caktuara të Reformës në Drejtësi, Arjan Vasjari mbetet optimist vetëm për funksionimin e SPAK. Ai tha se beson te funksionimi i kësaj strukture për shkak se është nën kontrollin e ndërkombëtarëve. Ndaj, në përgjigje të pyetjes se si do të jetë 2020 për Shqipërinë dhe shqiptarët, Vasjari tha se “do të  jetë një shtet më i drejtë”.

“Unë jam mbështetës i qartë i Reformës në Drejtësi. Skepticizmi im ka lindur në një përpjekje për t’i shkallmuar themelet e saj dhe për të shfaqur një dominim politik në një pjesë të reformës. Ne të gjithë këtu jemi në një rreth vicioz dhe nuk dalim dot. Ne këtu jemi viktimë të optimizmit tonë në këto 30 vjet. Për mua tre janë shtyllat kryesore për të parë shëndetin e një demokracie; pjesëmarrja, barazia dhe e drejta”.

“Unë them që në vitin 2020 kemi një pritshmëri që të shikojmë hapat e para të një demokracie të drejtë. Këtë e kam dhe e kam për shkak të SPAK. Duke qenë një strukturë që komandohet nga të huajt, që ka marrë përsipër të vendosë të drejtën. Nëse kjo strukturë realizon atë pritshmëri që unë kam, që do të thotë që të gjithë zyrtarët dhe oligarkët që kanë spekuluar me ligjin, edhe këta të shkojnë para gjykatësit dhe më pas në burg. Unë them se do të ndodh diçka e tillë. Unë them se kjo nuk e bën demokracinë tonë më të mirë, por mund ta bëjë më të drejtë”, përfundoi ai. /Realstory.al/

SPAK transferon dosjet në rrethe me blindat e RENEA

140 dosje që hetojnë korrupsionin në nivele të larta qeverisëse, grupet kriminale dhe lidhjen e krimit me politikën do të hetohen nga SPAK, puna e të cilit nisi me 8 prokurorët e parë të emëruar. Ndërsa dosjet e tjera që kanë të bëjnë me veprat penale si gjobëvënia, krimet në familje si dhe kultivimi i lëndëve narkotike do të spostohen në prokuroritë e rretheve përkatëse. Spostimi i tyre është bërë i shoqëruar me forca të shumta të Policisë së Shtetit dhe në disa raste edhe me pjesëmarrjen e RENEA-s, me kërkesë të  SPAK, që i është drejtuar Policisë së Shtetit duke kërkuar asistencën e uniformave blu për të bërë transportimin e dosjeve nga kjo godinë, drejt prokurorive të rretheve.

RENEA ka asistuar në transportimin e dosjeve nga godina e SPAK në prokuroritë e rretheve kryesisht në prokuroritë e Durrësit, Elbasanit, Vlorës e Shkodrës ku edhe numri i dosjeve dhe volumi i tyre është më i lartë. Transporti i dosjeve, hetimet e të cilave janë ende të hapura do të bëhet me mjete të blinduara, e ndërsa pjesa tjetër do të dërgohen me postë sekrete.  

Krijimi i SPAK dhe Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar sollën shkrirjen e Prokurorisë dhe Gjykatës së Krime të Rënda pas 15 vitesh.

SPAK fillon punën zyrtarisht, Kraja: Tani është koha për punë, jo për llafe

Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion dhe Krim i Organizuar nisi të premten zyrtarisht punën. Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë Gent Ibrahimi prezantoi përpara prokurorëve të SPAK kryetarin e këtij institucioni, Arben Kraja. Ibrahimi e quajti moment historik krijimin e SPAK, ndërsa tha se pritshmëritë hetimore nga ky institucion janë të mëdha.

“SPAK është një akronim që tashmë edhe fëmijët e kanë mësuar. Shpresoj që të japin rezultatet që ne presim. Ky është një moment historik për ne. Prokurorët fillojnë sot detyrën me zotin Kraja në krye. Fillim viti do të jetë intensiv për të gjithë ne në frontet e punës. Zotin e shtëpisë këtu e bën zoti Kraja, unë dhe gjithë të tjerët nga hera tjetër do të jemi të ftuar. KLP do të jetë mbështetje e vijueshme për SPAK-un”, tha Ibrahimi.

Arben Kraja nuk foli gjatë, megjithatë mesazhi i tij ishte i rëndësishëm. Ai tha se “Kemi shumë punë për të bërë, nuk dua ta zgjas. Falenderoj KLP-në për procesin transparent. I falenderoj edhe ata që votuan për mua edhe ata që votuan për të tjerët. Bashkë me Dumanin dhe Kondilin do të bëjmë një skuadër të fortë. Koha është për punë, jo për llafe. Kemi shumë punë për të bërë”, tha Kraja.

SPAK përbëhet aktualisht nga tetë prokurorë, Arben Kraja që do të jetë drejtuesi i këtij institucioni në tre vitet e ardhshme, Altin Dumani, Edvin Kondili, Elida Kaçkini, Enkeleda Millonaj, Behar Dibra, Klodian Braho dhe Ened Nakuçi janë tetë prokurorët e parë të SPAK. Megjithatë, sipas një njoftimi të mërhershëm të kreut të KLP, Gent Ibrahimi tha se ky institucion do të ketë më shumë se 10 prokurorë.

DW: Shpresa te SPAK si fillimi i fundit të pandëshkueshmërisë në Shqipëri

Gjermania përshëndet ngritjen e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) në Shqipëri. Ky institucion i ri do të merret me hetimin dhe gjykimin për korrupsion të ish-pushtetarëve dhe atyre aktualë.

Të enjten në Tiranë përfundoi ngritja e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, (SPAK). Kjo strukturë së bashku me Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të njohur edhe si Gjykata Speciale, të ngritur të mërkurën, (18.12) pas shkrirjes së Gjykatës së Krimeve të Rënda do të hetojë dhe gjykojë të gjitha veprat penale dhe akuzat për korrupsion ndaj ish-pushtetarëve dhe atyre aktualë, që nga viti 1990 dhe në vijim.

Tetë prokurorët, anëtarë të SPAK u betuan të enjten para Presidentit Ilir Meta. Mandati i tyre është 9 vjeçar pa të drejtë rizgjedhjeje. Këshilli i Lartë i Prokurorisë zgjodhi prokurorin Arben Kraja, drejtues të SPAK. Ngritja e SPAK dhe  Gjykatës Speciale shënon një moment të rëndësishëm, historik në progresin e reformës në drejtësi në Shqipëri. Ajo që pritet të ndodhë së shpejti është funksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë  për të bërë  funksionalë të gjitha institucionet e drejtësisë së reformuar, tre vjet pas votimit, në korrik 2016,  në mënyrë unanime nga 140 deputetët të ndryshimeve kushtetuese , që i hapën rrugën ngritjes së tyre.

SPAK pritet të emërojë së shpejti anëtarët dhe drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, që ngrihet mbështetur në modelin e Federal Byro of Investigation (Byroja Federale e Hetimit, FBI) në SHBA. Thellimi i reformës në Drejtësi është një nga kërkesat kryesore të BE për të bindur vendet e tij anëtare skeptike për të qënë pro hapjes potenciale të negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë në samitin e BE dhe Ballkanit Perëndimor,(BP) që pritet të zhvillohet në pranverën 2020, në Zagreb. Funksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë janë ndërkohë në krye të listës së kushteve në Rezolutën e Bundestagut Gjerman, për t’u plotësuar nga Shqipëria, deri në samitin e pranverës.

Gjermania përshëndet fillimin e veprimtarië së SPAK

Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf, përshëndeti të enjten betimin e tetë prokurorëve të SPAK . “Nisja e veprimtarisë së SPAK-ut shënon një hap tjetër të rëndësishëm të reformës gjithëpërfshirëse të sistemit shqiptar të drejtësisë. U uroj prokurorëve të SPAK-ut shumë forcë dhe energji në këtë detyrë të rëndësishme. Lufta e konsoliduar kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është një ndër çelësat për progresin e mëtejshëm në procesin e integrimit në BE. Gjermania do të vazhdojë të jetë në krah të Shqipërisë në këtë rrugë si një partner i ngushtë i saj”, thekson Ambasadori Zingraf në mesazhin e tij.

Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca, në përshëndetjen e tij  për SPAK e konsideroi ngritjen e tij  “një tjetër moment të rëndësishëm për zbatimin e Reformës në Drejtësi. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është përparësia kryesore për Shqipërinë dhe rrugën drejt anëtarësimit të BE-së”, u shpreh Soreca në përshëndetjen e tij.

SHBA – fund pandëshkueshmërisë

Ambasada e SHBA-ve në Tiranë në deklaratën e saj përshëndetëse theksoi të enjten se “tani Shqipëria ka një organ prokurorësh të angazhuar për të identifikuar, hetuar dhe vënë përpara drejtësisë ish-zyrtarë apo zyrtarë si dhe bosë të krimit – individë këta që në të shkuarën janë konsideruar si të paprekshëm”. Deklarata vë në dukje se SHBA  “do të mbeten një partner i palëkundur në mbështetje të SPAK dhe të gjithë atyre që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë dhe të sjellin drejtësi për popullin shqiptar”.

Ngritja e SPAK është përshëndetur edhe nga Partia Demokratike. Në deklaratën e saj theksohet se, “PD ka vullnetin për t’i dhënë besim dhe për të mos paragjykuar asnjë prej prokurorëve në përbërje të kësaj strukture. Është koha që prokurorët të ngrihen në lartësinë e detyrës dhe të përmbushin pritshmërinë e qytetarëve shqiptarë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së krimit të organizuar, promovuesve të kriminelëve në politikë dhe zyrtarëve të korruptuar”, theksohet në deklaratën e PD.

Skip to toolbar