Tre persona janë arrestuar pasi bënin kërdinë me vjedhjet në Tiranë. Vjedhjet e ndodhura në raste të ndryshme, kanë bërë që policia e komisariat nr. 2 të nis hetimet për zbardhjen e tyre. Gjatë operacionit të koduar “Përsëritësit”, policia vuri në pranga 3 persona, dy prej të cilëve me precedent të mëparshëm kriminal.
Arrestohen shtetasit me iniciale P. K., 37 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë me 18 muaj burg për veprën penale “Vjedhja”. E. R., 34 vjeç, lindur dhe banues në Sauk, Tiranë, i dënuar më parë për falsifikim dokumentesh. R. M., 25 vjeç, lindur dhe banues në Sauk, Tiranë.
Shtetasi P.K., në rrugën “Myslym Shyri”, i ka vjedhur një shtetase, nga çanta, celularin iPhone XS Max. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua celulari i vjedhur nga 37-vjeçari. Po ky shtetas dyshohet edhe për vjedhje të tjera, të kryera në këtë formë dhe vijon puna për dokumentimin e tyre.
Ndërsa shtetasit E.R dhe R.M në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke përdorur çelësin e banesës së shtetases L.A, kanë vjedhur në kohë të ndryshme, gjatë muajit korrik dhe gusht të këtij viti lekë, euro, bizhuteri, celularë, një kartë bankomati në emër të shtetases L. A., me anë të së cilës kanë kryer tërheqje lekësh në bankomat nga llogaria e kësaj shtetaseje.
Shtetasit E.R. dhe R.M. dyshohet se kanë kryer vjedhje të një marketi, një varëse floriri, të cilën ja kanë marrë nga qafa një shtetaseje dhe vjedhje banesash, për të cilat vijon puna për dokumentimin e tyre.
Materialet e para procedurale do t’i kalohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprën penale “Vjedhja”, në ngarkim të shtetasit P.K dhe për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim për shtetasit E.R dhe R.M.