Detajet, breshëri plumbash në drejtim të ish policit, mik i Ervis Martinajt

AKTUALITET


Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e rëndë të vrasjes së një ish polici, mbrëmjen e të martës në zonën e Xhamllikut në Tiranë.

Viktima Santiago Malko, 26 vjeç, ishte duke udhëtuar me automjetin e tij tip  “BMW X5” gjatë sulmit. Autorët e kanë mbajtur nën vëzhgim viktimën dhe i kanë zënë pritë sapo Malko ka dalë nga një pikë lavazhi pranë zonës së ‘Xhamllikut’. Autorët kanë vepruar me dy makina, pasi e kanë ndjekur një makinë tjetër i ka prerë rrugën ndërsa nga fugoni me ngjyrë të bardhë i ka hapur zjarr tek ish-fabrika e Porcelanit, breshëri plumbash që kanë vazhduar për disa metra, duke i kushtuar jetën 26-vjeçarit.  Pas të shtënave  makina e Malkos është përplasur me një shtyllë dhe më pas ka përfunduar në ambientet e një biznesi. Zona ka qenë e pa ndriçuar mirë gjë që ka ndihmuar autorët e krimit, të cilët të fshehur pas kapuçave të zinj, janë larguar me shpejtësi. 


Sipas dëshmitarëve, autorët janë larguar me dy automjete me fugonin tip “Vosklwagen”, me të cilin u hap zjarr ndaj ish-policit dhe një mjet tjetër ngjyrë gri. Rruga ishte e mbushur me plumba për shkak të gjuajtjeve me breshëri në drejtim të 26-vjeçarit Santiago Malko. Ngjarja e tmerrshme është parë nga shumë qytetarë, të cilët kanë njoftuar policinë dhe ambulancën, por qëkur kanë mbërritur në vendngjarje e kanë gjetur Malkon pa shenja jete. Ndërkohë policia është duke punuar edhe me kamerat e sigurisë të cilat kanë pikasur një automjet tip ‘Benz C Class’ që është larguar me shpejtësi për nga zona e Freskut që dyshohet se mund të jetë i përfshirë në këtë ngjarje.

Autorët dyshohet se janë larguar në drejtim të fshatit Ferraj në periferi të Tiranës, ku u gjet i djegur automjeti me të cilin hapën zjarr. Ish-polici, që dikur ka shërbyer në radhët e policisë së Shtetit dhe më pas është përjashtuar, njihet si kontingjent kriminal dhe i përfshirë në disa ngjarje me armë në Tiranë.

Ai është mik i ngushtë me Ervis Martinaj, biznesmenin e lojërave të fatit, si dhe ishte i përfshirë së bashku me të ngjarjes në ish blloku, ku mbeti i varrë një person. Në atë periudhë, Santiago Malko, u shpall në kërkim policor por pas qetësimit të situatës, Malko është vetëdorëzuar në polici ku dhe ka shpjeguar pozicionin e tij në këtë ngjarje.

Grupi hetimor ka ngritur pistat e para të hetimit dhe ka shpallur deri më tani si të dyshuar personin D. A., i cili rezulton me precedentë penalë në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje. Aktualisht ka shoqëruar në polici 20 persona, ndërsa mendohet se atentati ka ndodhur për motive hakmarrje.

26-vjeçari ishte i martuar, madje edhe bashkëshortja, Dea Ricku, ka qenë pjesë e Policisë së Shtetit. Ajo ka punuar për pak kohë si police e rendit në Komisariatin e Kamzës dhe më pas, në janar të vitit 2016, është bërë pjesë e “Shqiponja-ve”, duke qëndruar për një vit. Në 2017, Dea Ricku ka vendosur të shkëputet nga policia me dëshirën e saj.




Skip to toolbar