51-vjeçarja Drita Saliaj është përdhunuar përpara
se të mbytej në rezervuarin e fshatit Gjerbës në Mallakastër. Sipas dëshmisë së
një prej të arrestuarve Sindi Shehaj, 16 vjeç, ai së bashku me 26-vjeçarin
Ervis Zotaj dhe nipin e burrit të viktimës Luis Saliaj, kanë shkuar në banesën
e saj për të blerë hashash, por që kanë debatuar për çmimin. Pas debatit Sindi
Shehaj tha se 26-vjeçari ka përdhunuar 51-vjeçaren dhe më pas e kanë lidhur
duke e futur në makinë dhe mbytur në rezervuar.
Sipas dosjes së prokurorisë zbardhur nga News
24, “nga shpjegimet e personit nën hetim Sindi Shehaj, i pyetur në prani të
psikologes rezulton se, i njeh personat nën hetim Ervis Zotaj e Luis Saliaj, e
se ata i ka shokë”.
“Në datën 04.01.2020, rreth orës 22:30, e ka
telefonuar Luis Saliaj, e i ka thënë që të shkonte në Gjerbës ta takonte pasi
ashtu e kishte punën. Në këto rrethana është nisur me makinën e tij e ka shkuar
tek Luisi, ku janë takuar në afërsi te banesës së këtij të fundit.
Në bisedë e sipër i ka thënë të linte aty
makinën e tij e të merrte atë të Ervis Zotaj, pasi do të shkonin të merrnin
hashash tek shtëpia e Drita Saliaj. Pas kësaj kane shkuar tek banesa e kësaj të
fundit, ku sipas tij, Luisi i ka thënë që të mos hynte brenda pasi kishte pak
punë.
Ka pritur jashtë ndërkohë që Ervin Zotaj e
Luis Saliaj, kanë qenë brenda duke pirë kafe me shtetasen Drita Saliaj. Pas
rreth 20 minutash e ka thirrur Luisi, e është futur brenda, ku Drita i ka dhënë
një gotë raki.
Gjatë kohës që po pinte gotën e rakisë Luisi,
është ngritur me pretendimin se do shkonte në tualet por në të vërtetë është
futur në dhomën tjetër, e ka dalë prej andej me një pako hashash.
Këtë të fundit e ka lënë tek pragu i derës e
është futur përsëri në kuzhinë. Pas kësaj Luisi ka kërkuar që hashashin ta
blinte me 50 euro, ndërsa Drita thoshte me 200 euro. Ndërkohë Luisi i ka thënë
që të dilte jashtë e ta priste tek makina.
Kur ka dalë jashtë ka dëgjuar të bërtiturat e
Dritës. Është afruar tek dritarja dhe ka parë që Ervisi i ka hequr me dhunë
pantallonat Dritës e pas kësaj ka kryer marrëdhënie seksuale me të.
Ndërkohë që Ervisi kryente marrëdhënie
seksuale, Luisi ka dalë jashtë ku ka gjetur dy litarë me të cilët e kanë lidhur
Dritën. Pas kësaj Ervisi dhe Luisi i kanë futur në gojë një shall dhe e kanë
nxjerrë jashtë duke e mbajtur në krahë dhe e kanë çuar tek makina e Ervisit.
Makinën e ka drejtuar ai, e Ervisi ka qëndruar
me Dritën në sediljen e pasme, ndërsa Luisi në sedijen e pare të pasagjerit. Pasi
janë nisur Luisi i ka thënë të ecte shpejtë në drejtim te rezervuarit.
Rreth orës 03:00, të datës 05.01.2020, kanë
mbërritur tek rezervuari, ku Luisi dhe Ervisi e kanë zbritur nga makina dhe e
kanë hedhur menjëherë në ujë. Pas kësaj janë kthyer në Gjerbës ku ka marrë
makinën e tij dhe është larguar për në banesën e vet, ndërsa Ervisi e Luisi
kanë shkuar përsëri tek banesa e Drita Saliaj.
Në momentin e ndarjes ata e kanë porositur që
të mos tregonte për gjithçka ndodhi. Në banesë ka mbërritur rreth orës 04:30,
datë 05.01.2020, e atë ditë nuk ka dale nga shtëpia.
Në datën 06.01.2020, ka çuar vëllezërit në
shkollë e është kthyer përsëri në banesë, rreth orës 12:30. Në date 07.01.2020,
rreth orës 02:00, tek banesa e tij ka shkuar policia, e cila e ka shoqëruar për
në Komisariat”, thuhet në dëshminë e një prej të akuzuarve në dosjen e
Prokurorisë.
Drita Saliaj u vra më 5 janar, por u gjet dy
ditë më pas në rezervuarin e fshatit, pas denoncimit që bënë familjarët për zhdukjen
e papritur. Ajo jetonte e vetëm, pasi burrin e kishte emigrant në Greqi.