Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar i Italisë, Antonio Tajani do të kryesojë sot në Farnesina, së bashku me kryeministrin shqiptar Edi Rama, takimin e dytë në nivel politik të Komitetit të Përbashkët Ekonomik (KPE) Itali-Shqipëri.
Në takim do të marrin pjesë edhe ministri italian i Bujqësisë, Sovranitetit Ushqimor dhe Pylltarisë, Francesco Lollobrigida, ministri i Mjedisit dhe Sigurisë së Energjisë, Gilberto Pichetto Fratin dhe nënsekretari i Infrastrukturës dhe Transportit, Tullio Ferrante.
Nga pala shqiptare do të jenë të pranishëm zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ministrja për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, Anila Denaj, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ervin Mete, ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj dhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.
”Me këtë takim synojmë të konfirmojmë nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes Romës dhe Tiranës. Shqipëria është një partnere strategjike e Italisë, me të cilën duam të forcojmë më tej bashkëpunimin”, tha Tajani duke ritheksuar se Ballkani Perëndimor përbën një zonë prioritare për politikën e jashtme italiane.
Italia është tregu i parë për mallrat shqiptare si edhe eksportuesja kryesore e Shqipërisë.
Shkëmbimi tregtar u rrit me mbi 16% në vitin 2022 duke tejkaluar 3,3 miliardë euro.
”Marrëdhëniet tashmë të shkëlqyera ekonomike mund të bëjnë një hap të mëtejshëm në cilësi falë edhe përfshirjes së sektorit privat tashmë të pranishëm në mënyrë të dukshme në Shqipëri me SME-të. Italia arrin rezultate të mëdha kur arrin të punojë si ekip. Me këtë rast falënderoj veçanërisht kompanitë ‘Cassa Depositi’ e ‘Prestiti’, ‘Ferrovie dello Stato’, ‘Terna’, ‘Fincantieri’, ‘Leonardo’ dhe ‘ITA Airways’ për gatishmërinë e tyre për të zhvilluar bashkëpunime konkrete”, deklaroi Tajani.
Punimet do të fokusohen në infrastrukturë, energji dhe agroindustri.
”Ne duam të konsolidojmë marrëdhëniet tona me Shqipërinë duke u fokusuar në forcimin e marrëdhënieve, në rrjetin e energjisë elektrike dhe zinxhirin e furnizimit bujqësor. Përvoja italiane do të kontribuojë konkretisht në planet e zhvillimit të qeverisë shqiptare”, përfundoi Tajani.