Tatimi për profesionet e lira, Gjykata Kushtetuese rrëzon ligjin

AKTUALITET


Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar të enjten ligjin e tatimit për profesionet e lira. Gjykata vlerësoi se norma e tatimit 15 përqind nuk është proporcionale. Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj u shpreh se ky ligj cenon lirinë e veprimtarisë ekonomike dhe parimin e proporcionalitetit.

“Gjykata ka vënë në dyshim hapësirën e gjerë të vlerësimit të ligjvënësit si dhe vetë diskrecionit të tij në fushën fiskale, vlerësoi se neni 69. pika 1, shkronja dh, fjalia e dytë dhe e tretë, e ligjit numër 29/2023, dhe neni 4 i VKM, cenojnë lirinë e veprimtarisë ekonomike për shkak të mosrespektimit të parimit të sigurisë juridike në kuptim të pritshmërive të ligjshme dhe qartësisë së normës si dhe të parimit të proporcionalitetit.


Gjykata arriti në këtë përfundim duke mbajtur në konsideratë skemën tatimore dhe në vecanti faktin se detyrimi tatimor prej 15 përqind ndaj kësaj kategorie tatimpaguesish filloi që të zbatohej menjëherë pa u lënë kohë të mjaftueshme atyre që të përshtateshin me skemën e re tatimore.

Sa më sipër, gjykata mbajti në vëmendje se ndonëse ligji ka hyrë në fuqi në datën 18 maj 2023, dhe i shtrinte efektet nga 1 janar 2024, lista analitike e shërbimeve hyri në fuqi në 2023 sipas nenit 4 të VKM 753/2023, pra vetëm disa ditë para fillimit të efekteve të ligjit. Gjithashtu gjykata vlerësoi se norma e fitimit prej 15 përqind së bashku me kohën e zbatimit të saj nuk e kalon testin e proporcionalitetit pasi nuk rezulton të jetë masa më e përshtatshme në kushtet kur ka masa të tjera alternative të cilat vetë ligjvënësi i ka evidentuar të zbatohen për kategori të tjera të tatipaguesve mbi të njëjtat të ardhura.

Në përfundim, gjykata vendosi me shumicë votash pranimin e pjesshëm të kërkesës, dhe shfuqizimin e nenit 69, pika dh, fjalia e dytë dhe e tretë dhe e ligjit, 29/2023 dhe të nenit 4 të VKM 753/2023, rrëzimin e kërkimeve për shfuqizimin e dispozitave të tjera të ligjit dhe vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore.”, tha Holta Zaçaj.




Skip to toolbar