Të dehur në timon, 31 shoferë në pranga. Paralajmërimi i policisë

AKTUALITET


Policia ka arrestuar 31 shoferë dhe ka pezulluar 186 patenta vetëm gjatë 48 orëve të fundit. Sipas policisë, këto masa janë marrë me qëllim rritjen e sigurisë në rrugë, disiplinimin e trafikut rrugor dhe parandalimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor.

Në të gjithë vendin, 31 drejtues mjetesh janë vënë në pranga, 16 vetëm në Tiranë ndërsa janë pezulluar 186 patenta dhe janë vendosur 4 624 gjoba.


Policia njofton se shumica e arrestimeve janë bërë për shkak të drejtimit të automjeteve në gjendje të dehur si dhe udhëtimi me shpejtësi tej normave të lejuara.

“Duke përdorur aparatet drager gjatë 48 orëve janë evidentuar dhe u është pezulluar leja e drejtimit 74 drejtuesve të mjeteve, të cilët drejtonin mjetin nën efektin e alkoolit.

Gjithashtu nga kontrollet parandaluese, u konstatuan me radar 76 drejtues mjetesh, të cilët qarkullonin me shpejtësi që varionte nga 140 km/h deri në 174 km/h.

Jane pezulluar dhe dërguar në OASH edhe 36 drejtues mjetesh, për shkelje të tjera që parashikohen nga Kodi Rrugor, me masë ndëshkimi pezullim patente.

Janë vendosur 646 masa për përdorim celulari gjatë drejtimit të mjetit, të cilat evidentuar nga shërbimet e kombinuara me punonjës policie civilë.

321 masa për mospërdorim të rripit të sigurimit, 578 për parakalime të gabuara, 87 për mosvendosje të kaskës mbrojtës, 11 për gara shpejtësie, ndërsa pjesa tjetër prej 2 981 masash administrative janë vendosur për parkime të gabuara e shkelje të tjera”, njofton Policia.

Më tej njoftohet se policia rrugore do të vijojë kontrollet e shtuara në të gjitha ditët e javës, për mjetet e transportit publik, kryesisht për furgonët e nxënësve dhe linjave urbane e interurbane.




Skip to toolbar