Për yllin e Barcelonës, Lionel Messi, Ronaldo Nazario apo i njohur ndryshe si “Fenomeni”, është “sulmuesi më i madh që ka parë ndonjëherë”. Në një intervistë për TyC Sports, Messi bëri këtë deklaratë të befasishme, duke komplimentuar yllin brazilian që shkëlqeu me disa klubet në Europë. “Ronaldo Nazario ishte një fenomen. Nga të gjithë sulmuesit që kam ndjekur, ai ishte më i miri. Ai ishte i pabesueshëm”, tha Messi.
Sulmuesi argjentinas foli dhe për teknologjinë në futboll. Ai shprehet se VAR është i mirë nëse përdoret në mënyrën e duhur. “Më pëlqen VAR nëse përdoret mirë. Ajo që nuk më pëlqen është se u soll për të hequr dyshimet e arbitrave, por ende nuk po e bënë këtë”, tha Messi, duke vijuar- “Në fund të fundit, vendimet ende merren nga gjyqtari, ose një tjetër gjyqtar pas televizorit, dhe nuk bazohet në atë që ndodh vërtet. Është gjë shumë e mirë, por nuk është duke u përdorur mirë”, tha Messi.
Në fund, ylli argjentinas tregoi se pasi të lërë futbollin, do të qëndrojë te Barcelona. “Unë nuk dua të largohem nga këtu. Nuk mund ta mendoj largimin nga Barcelona. Kam një ëndërr të luaj në futbollin argjentinas, por nuk e di nëse do të ndodhë. Unë kam familjen dhe ata janë më të rëndësishëm se dëshirat e mia”, tha Messi.