Telashe për Netanjahun, ministrat dhe deputetët e partisë së tij duan ta rrëzojnë nga pushteti

BOTA


Ofensiva ushtarake në Gaza, ku ministria palestineze e Shëndetësisë pretendon se janë vrarë mbi 11 mijë civilë, duket se do t’i kushtojë shtrenjtë kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu.

Për shefin e qeverisë, të cilit po i tërhiqet veshi edhe nga vetë aleatët perëndimorë, mediat në Tel Aviv raportojnë se shumë shpejt mund të ketë një mocion mosbesimi, për ta rrëzuar nga pushteti.

Sipas televizionit izraelit Channel 13, klasa politike në Izrael po diskuton të nesërmen pas luftës dhe të ardhmen e Netanjahut, saqë disa ministra dhe anëtarë të “Knesset” nga Partia Likud e kryeministrit po zhvillojnë konsultime për shkarkimin e tij.

Në diskutime raportohet se janë përfshirë edhe krerët e partive opozitare.

Sipas raportimeve arsyeja pse deputetët e Likud-it po mbajnë një qëndrim të tillë është se nëse Netanyahu do të qëndrojë në krye të partisë dhe do të mposhtet në zgjedhjet e ardhshme, atëherë shumë prej tyre nuk do të ishin më pjesë e rëndësishme e sistemit politik.

Në raportim po ashtu nënvizohet se një rrëzim i mundshëm i Netanjahut do të bënte që qeveria të drejtohej nga një emër i shquar nga Likud, i cili nuk do të jetë kandidat në zgjedhje.

Për një lëvizje të tillë, ligjvënësit e Likud do të duhej të shfrytëzonin anëtarët e Knesset-it nga opozita, me përjashtim të Ra’am dhe Hadash-Ta’al.

Sakaq, edhe sondazhet e fundit të opinionit në Izrael tregojnë se Netanyahu dhe Partia e tij Likud po humbasin pushtetin, ndërsa Partia e Unitetit Kombëtar dhe lideri i saj Benny Gantz janë në rritje.



Skip to toolbar